Klopp me plane të ‘frikshme’: Dua çdo trofe në 2019

449
Sigal

Jurgen Klop analizon vitin e tij 2018. Në një intervistë për “Sky Sports”, trajneri gjerman tregon sesi është ambientuar me jetën në Liverpul dhe komenton të ardhmen e tij. “Reds”- at, të cilët do të tentojnë sot të ruajnë ritmin e tyre në ndeshjen kundër Njukasëllit, i festuan Krishtlindjet në krye, për herë të parë prej vitit 2013.

Cilat janë planet tuaja për Krishtlindjet?

Në vendin tuaj ato festohen më datë 25, por në Gjermani “nata e shenjtë” është më 24. Kështu që për datën 25 unë pyeta djemtë sesi e duan. Ne duhet të stërvitemi, por do e bëjmë në mënyrë të relaksuar. Do stërvitemi herët në mëngjes dhe më pas djemtë do shkojnë në shtëpi, do bëjnë ato gjërat tradicionale me familjet dhe në mbrëmje do kthehen në hotel për ndeshjen me Njukasëllin. Fatmirësisht luajmë në shtëpi, sepse një ndeshje në transfertë do të ishte më e vështirë për familjet. Unë njoh njerëz që nuk u intereson shumë, por lojtarët në këtë moshë kanë fëmijë, kështu që ne do përpiqemi t’ua bëjmë sa më komode që të jetë e mundur.

Çfarë ju mungon më shumë nga vendi juaj për Krishtlindje?

Pushimet! Zakonisht e bëjmë pushim në Gjermani. Di që disa kolegët e mi në Gjermani po planifikojnë të shkojnë në disa vende të ngrohta apo për ski. Fëmijët tanë ishin të rritur mjaftueshëm dhe nuk na duhej të mendonim shumë se çfarë do bënim më datë 24. Shkonim në një vend të ngrohtë apo të ftohtë dhe kalonim mirë së bashku. Nuk më mungon shumë. Krishtlindjet janë një kohë e mrekullueshme dhe unë kam ende kohë t’i festoj edhe këtu, por mendoj se për lojtarët, njerëzit që kanë lidhje me futbollin dhe që kanë fëmijë të vegjël, nuk është diçka e bukur. Të punosh 15 vite në futboll, do të thotë se për 15 vite nuk bën Krishtlindje të vërteta. Duhet të jetë e vështirë. Për të gjithë djemtë në stadium, përfshirë edhe shitësit e biletave, stjuartët, ka shumë njerëz që bëjnë punën e tyre këtë ditë, prandaj si të ankohem unë? Për mua është OK, por për shumë njerëz jo.

Cila është gjëja më e bukur të jetosh në Liverpul?

Unë shijoj gjithçka përveç kohës. Duhet të ishte dimër, por është akoma vjeshtë dhe ndoshta do jetë kështu deri në fund të marsit. Pastaj, çdo gjë tjetër është fantastike. Nëse ke njerëzit e duhur përreth, mund të jetosh shumë mirë kudo. Për familjen nuk është problem, djemtë dhe miqtë e dashurojnë gjithashtu. Liverpuli është një qytet i pëlqyeshëm. Të gjithë që më kanë vizituar këtu, e dashurojnë qytetin, stadiumin, klubin. Sa më shumë perfeksionoj gjuhën, aq më shumë e kollajshme bëhet. Ishte vendim i duhur për të ardhur këtu.

Mund të qëndroni te Liverpuli edhe pas vitit 2022?

Nuk mendoj kaq larg. Po ta shkruani diçka të tillë, do të flasin shumë njerëz. Gjithçka është OK për momentin, por “Klop nuk ka fituar ende asgjë” do thonë. Unë nuk kam fituar asgjë dhe kjo është e vërtetë, prandaj të mos mendojmë për vitin 2022, është shumë larg. Në verë do të ketë njerëz që do thonë se “është koha ideale që unë të largohem nëse do të fitojmë diçka, sepse ne nuk do të fitojmë kurrë përsëri”. Do të ketë të tjerë që do thonë se unë “duhet të largohem nëse nuk fitoj asgjë”. Unë nuk e vras mendjen për këtë. Shpresoj që deri atëherë gjithçka të jetë në rregull dhe më pas mund të mendojmë për këtë pjesë.

Cili ishte momenti më i rëndësishëm i vitit 2018?

Ndoshta kualifikimi në Champions apo momenti kur u kthyem në hotel në Romë, pasi siguruam finalen e Ligës së Kampioneve. Edhe ai nuk ishte i keq. Ishte një pritje e ngrohtë. Nëse do ta kishim luajtur finalen në atë moment, ndoshta do kishte ndihmuar. Do kishim 2-3 javë më shumë pushime dhe nuk do kishim kaluar momentin zhgënjyes në Kiev. Por i gjithë sezoni ishte pozitiv, e shijuam shumë.

Çfarë mund të presin tifozët e Liverpulit vitin tjetër?

Shpresoj një skuadër më të fortë dhe me më shumë eksperiencë. Unë pres më shumë ndeshje speciale si këto të fundit. Do luftojmë për çdo kompeticion që jemi në garë.