Tenderët me një ofertë, tregues për marrëveshje të fshehta mes operatorëve

665
Sigal

Ka ardhur koha të rishikohet heqja e pagesës në procesin e ankimit, ajo nuk i shërbeu qëllimit dhe dha efektin e kundërt të asaj që pritej

Fakti që sot, nëpër tenderë të rëndësishëm me vlerë dhjetëra miliona euro, bëhet vetëm një ofertë, nuk tregon për mungesë të nevojës së biznesit për para. Për ekspertë që e njohin mirë fushën, kjo tregon se mund të kenë hyrë në lojë mekanizma të tjerë, siç janë marrëveshjet e fshehta mes operatorëve ekonomikë. Për ish-drejtoren e Agjencisë së Prokurimit Publik Klodiana Cankja në tenderë si ai i “Unazës”, normale do të ishte të kishte katër apo pesë oferta. Ajo nënvizon se janë një seri problematikash që shoqërojnë sot prokurimet publike dhe që lidhen me faktin, që nuk ka planifikim të saktë për disa procedura, nuk ka stafe të mirë përgatitura në një pjesë të institucioneve, ka barriera që dekurajojnë biznesin të ankohet në raste padrejtësish, por mbi të gjitha, nuk ka masa penalizuese për ata që shkelin ligjin.

Ju e njihni mirë pjesën e prokurimit publik, duke qenë se keni qenë në krye të Agjencisë së Prokurimeve Publike. A është ai i plotë kuadri ligjor apo ka nevojë për ndryshime?

Procesi i prokurimit është proces dinamik, jo vetëm në Shqipëri. Kjo do të thotë se nevoja për përmirësime është e vazhdueshme. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Direktivave të reja të BE-së në fushën e prokurimeve publike në vitin 2014, patjetër që lind nevoja për një rishikim të legjislacionit në fuqi. Ligji që ne kemi aktualisht është në fuqi nga viti 2006, shumë gjëra kanë ndryshuar, për rrjedhojë duhen adresuar edhe në procesin e prokurimit publik.

Si do ta komentonit faktin se ndër vite janë evidentuar dy problematika të lidhura me prokurimet, që kanë të bëjnë me numrin e lartë të kontratave, të cilat negociohen pa shpallje paraprake dhe oferta fituese shumë afër fondit limit?

Lidhur me numrin e lartë të kontratave me negocim pa shpallje paraprake, një pjesë e problematikës lidhet me akordimin e buxhetit. Pavarësisht se legjislacioni i prokurimit prej vitesh lejon nisjen e procedurës së prokurimit, edhe nëse fondet nuk janë në llogarinë e institucionit, por mjafton të jenë miratuar në buxhetin e tij, kjo gjë është penguar nga Ministria e Financave, nëpërmjet udhëzimeve të saj për degët e thesarit. Vonesat në çeljen e fondeve i vënë institucionet në vështirësi, duke mos i dhënë mundësinë të zhvillojnë një procedurë normale prokurimi. Arsye tjetër është se procedurat “nisin keq”, nuk ka planifikim të saktë, projekte të pasakta ose të pa përditësuara dhe kjo çon në “korrigjim” të këtij problemi me kontratat shtesë që janë dhe ato të klasifikuara si negocime pa shpallje paraprake. Sigurisht që në shumicën e rasteve, këto janë në shkelje të procedurës, apo kushteve që legjislacioni i prokurimit vendos për përdorimin e kësaj procedure.
Situatë tjetër është “emergjenca”, ku institucionet çojnë qëllimisht procedurën drejt dështimit, për të keqpërdorur procedurën negocim pa shpallje paraprake, ose përpiqen të justifikojnë një situatë emergjente, që në fakt nuk është e tillë, pasi nuk përmbush kushtet e vendosura në ligj. Për sa ka të bëjë me fitimin e procedurave nga ofertat e larta, në vlerësimin tim, oferta të ulëta refuzohen pa shkaqe të arsyeshme dhe nga ana tjetër, pagesa për paraqitjen e ankesave në KPP, nuk i motivon operatorët të ndjekin shkallët e ankimit administrativ. Nga ana tjetër, duket sikur ka edhe marrëveshje të fshehta ndërmjet operatorëve ekonomikë. Në procedura me vlerë si kjo e unazës, do të ishte normale të gjeje minimalisht katër-pesë oferta të vlefshme. Ndërkohë që ka vetëm një, kjo nuk të çon të mendosh se biznesi nuk ka nevojë për kontrata me shtetin, apo nuk ka nevojë për para.

Në BE ka një qasje për kalimin e kontratave publike vetëm te kompani që kanë pronësi të qartë. A duhet të verifikohet tendenca që po vërehet në vendin tonë, që një pjesë e mirë e atyre, të cilët kanë fituar kontrata publike, koncesione shërbimesh apo punë publike kanë paqartësi mbi pronësinë?

Ligji ynë vlerësohet si më strikt se Direktivat në shumë elemente të tij. Asgjë nuk i pengon autoritetet kontraktore të bëjnë verifikimet, aq më tepër kur kanë dyshime, paqartësi, ose dhe mungesë informacioni lidhur me dokumentet që paraqesin ofertuesit, sepse ligji e kërkon këtë gjë për të gjitha ofertat. Kur them mungesë informacioni, i referohem edhe situatës së përmendur. Duke qenë se operatori ka selinë në një vend të huaj dhe autoriteti nuk ka informacion për llojin e dokumentacionit që lëshohet atje mund dhe duhet të bëjë verifikimet. Vënia e detyrimit ligjor për verifikimin e dokumentacionit të ofertuesve, qoftë edhe vetëm të fituesit, për çdo procedurë, do të ishte një kosto e madhe për autoritetet dhe për procesin e prokurimit në tërësi. Në një vit buxhetor lidhen 6000 – 7000 kontrata prokurimi, pa llogaritur blerjet me vlerë të vogël që dhe ato mund të përfundojnë me kontratë.

Raporti i KE për Shqipërinë në prill të këtij viti theksonte mungesën në transparencën dhe llogaridhënien për të siguruar një sistem prokurimi eficient, efektiv dhe transparent. Pse kemi një situatë të tillë?

Prokurimet publike prej vitesh vlerësohen nga raportet e ndërkombëtarëve, qoftë me nivelin e përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, qoftë me aplikimin e prokurimit elektronik për të gjitha procedurat e prokurimit. Sistemi i ankimit nuk është në funksion të procesit të prokurimit. Patjetër që, duke qenë se në lojë janë fondet publike, pasoja është shpërdorimi i fondeve publike dhe korrupsioni.

Si e shihni sot rolin e APP dhe KPP në lidhje me prokurimet publike? Sa të fuqizuara, të pavarura dhe të përgatitura janë këto institucione për të siguruar mirëfunksionim të sistemit?

APP ka kryesisht funksione politikëbërje, monitoruese dhe trajnimi. Për t’i përmbushur këto funksione ka nevojë për staf (sasior dhe cilësor) si dhe për fonde. Nuk di të them sot sa fonde i akordohen APP-së për këtë qëllim, por duke parë që nevoja për trajnime në prokurimet publike mbetet e madhe, nuk duket se ka burimet e nevojshme. Shikoj që është aktive në nxjerrjen e udhëzimeve apo rekomandimeve për autoritetet në mënyrë që t’i shërbejë unifikimit të procedurave nga autoritetet kontraktore. KPP, deri para një viti, kishte në përbërje përfaqësues nga çdo parti anëtare e koalicionit qeverisës, pra nuk ekzistonte koncepti i një institucioni teknik, reflektuar kjo dhe në trajtimin e ankesave. Aktualisht nuk di të them, me ndonjë përjashtim, nëse anëtarët e KPP kishin të paktën përvojën 3-vjeçare në prokurimet publike, sikurse e kërkon ligji në momentin e emërimit. Mungesa e përvojës në prokurime, shpresoj të jetë vetëm kjo, bën që ankesat të mos jenë unifikuese, pra për të njëjtën situatë mbahen qëndrime të ndryshme. Apo situata ku ligji shtrembërohet në dëm të procesit të prokurimit. Ka ardhur koha të rishikohet edhe nëse duhet ose jo pagesa në procesin e ankimit. Përse u vendos dhe a i shërbeu qëllimit? Personalisht, mendoj se dha efektin e kundërt të asaj që pritej, për këtë arsye duhet vlerësuar heqja e pagesës.

Sa të përgatitura janë institucionet shqiptare si autoritete kontraktore për të garantuar hartimin e dokumentacionit të saktë mbi procedurat e prokurimit?

Një pjesë e institucioneve kanë përvojë në prokurime dhe për pasojë, edhe staf të kualifikuar, por jo të gjitha. Ndryshimet e shpeshta të stafit janë një nga elementet kryesore. Trajnimet, certifikimi i punonjësve dhe realizimi i procedurave të prokurimit vetëm nga stafe që kanë njohur në prokurimet publike do të përmirësonte zbatimin e legjislacionit të prokurimit./monitor