FMN akordon 185 milionë euro Kosovës për zhvillimin e vendit

800
Rreth 185 milionë euro është shifra e marrëveshjes, e cila është arritur mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave për zhvillimin e vendit. Kjo marrëveshje u arrit pas 10 ditë diskutimesh për një program 22 mujor, i cili akomodon në tërësi nevojat që ka shteti i Kosovës. Këto fonde do të ndahen në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë atë të bujqësisë, arsimit, shëndetësisë etj.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti me këtë rast tha se “kemi hartuar një program që në pika të përgjithshme adreson nevojat tona, ndoshta çështja madhore pranë këtij programi është pajtimi që ne kemi arritur për të ndryshuar rregullën fiskale sa i përket defiçitit buxhetor, normalisht duke e mbajtur këtë rregull fiskal për shpenzimet e rregullta buxhetore, por duke lejuar që përtej kësaj rregulle fiskale, ne si vend i ri me një ekonomi në zhvillim me plot nevoja të hyjmë në marrëveshjen ndërkombëtare për të financuar projekte zhvillimore që i nevojiten Kosovës”.
Ministri Hoti po ashtu tha se për shkak se borxhi publik i Kosovës është i ulët, jep hapësirë për kredi ndërkombëtare duke mundësuar kështu zbatimin dhe implementimin e plotë të projekteve që qeveria e Kosovës i ka bërë të ditura.
Ndërsa guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza, tha se ky program, i cili do të shërbejë në të mirë të Kosovës është finalizuar me sukses. Ai tha se sektori bankar është mirë i kapitalizuar dhe likuid me trendet pozitive të zhvillimit. “Kemi arritur që ta finalizojmë suksesshëm negociatat për një program të ri me FMN-në. Ky program pritet të kalojë në faza të tjera të aprovimit në instancat e FMN-së. Sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid me trende pozitive të zhvillimit kemi rritje të aseteve, rritje të depozitave. Rritje të kreditimit, kemi zvogëlim të normave të interesit”, tha Hamza.
Sigal