Kampionatet europiane, Barça, Bayern, Roma dhe Juve marshojnë përpara

475
Sigal

Këtë javë në Europë mbizotëruan ndeshjet “derbi” me disa prej tyre që u ndanë në barazim e të tjera që panë fitues jo favoritët, çka sjell renditje të re në kampionate.

Në La Liga-n spanjolle  shfaqet frikshëm Barcelona që fitoi 6-0 ndaj Granadas dhe pozicionohet në vendin e parë me 16 pikë, dy më shumë se Atletiko Madrid që ashtu si Barça, fitoi me goleadë 4-0 ndaj Sevillas. Ndeshja tjetër e rëndësishme e kësaj jave të kampionatit spanjoll ishte Villareal-Real Madrid, ndeshje që u mbyll me fitoren e madrilenëve 2-0 dhe i ngjit në kuotën e 12 pikëve, 4 më pak sesa Barcelona.

Bundesliga si gjithmonë shfaqi surpriza, sidomos në derbin e “Ruhrit”, me Schalken që mundi drejtpërdrejtë Borusia Dotmund 2-1 dhe kalon në koten e 8 pikëve, një më shumë sesa Dortmund që është me 7 pikë dhe vetëm në vendin e 12-të e padyshim që mund ta quajmë një fillim sezoni aspak i mirë për verdhezinjtë. Por nga ana tjetër Bayern duket se po e merr veten nga luhatjet e fillimit pasi fitoi edhe ndaj Këlnit 2-0 për t’u vendosur në pozita edhe më të favorshme në vendin e parë duke qenë se Leverkusen, aktualisht kundërshtari më i fortë, barazoi në ndeshjen me Freiburgun dhe pozicionohet në vendin e tretë, me 11 pikë, tre më pak se Bayern i vendit të parë dhe një më pak se M’Gladbach i vendit të dytë.

Serie A vë edhe një herë në dukje luftën e fortë që po bëhet në distancë nga Roma dhe Juventus, pasi edhe pas 5 javësh kampionat akoma asnjëra nuk ka lënë pikë. Roma fitoi një ndeshje delikate me Hellas Verona 2-0 ndërsa Juventus mundi 3-0 Atalantan dhe tani mban e vetme rekordin si skuadra që nuk ka pësuar akoma gol në kampionat. Milani ndalet në barazim ndaj Çezenës, duke ju larguar kështu edhe më shumë luftës për titull ndërsa Interi shkatërrohet nga Kaliari brenda në shtëpi me rezultatin 1-4. Pas javës së pestë, të vetmet skuadra që ja kanë dalë të bindin në lojë dhe rezultate janë Roma, Juventus dhe Udinese që renditet direkt pas tyre.

Premier League si gjithmonë ka ndeshje të forta në çdo javë dhe këtë herë mbizotëronte Arsenal-Totenham, derbi i Londrës, që u nda në një barazim 1-1 duke humbur secila në luftën ndaj njëra-tjetrës dhe në luftën për titull. Dhe duket se të gjithë derbit ishin parashikuar të dilnin barazim në Angli pasi edhe Liverpool-Everton u mbyll po në barazim 1-1, duke qëndruar të dyja në vendet 13/14 në renditje, me vetëm një pikë më shumë Liverpooli. Chelsea nga ana tjetër arriti të fitonte 3-0 ndaj Aston Villas e kështu rrit pozitat e veta në vendin e parë të renditjes me 16 pikë, 3 më shumë se Southampton i vendit të dytë.

 Tifozët Kuq e Zi, shpresa për bileta qëndron

Pavarësisht mohimit disa ditë më parë të Federatës Serbe të Futbollit për praninë e tifozëve kuq e zi në stadium për ndeshjen e 14 tetorit, duket se kjo temë do marrë kthesë tjetër. U tha para pak ditësh se Federata serbe nuk do të vinte asnjë biletë në dispozicion të FSHF për tua shpërndarë tifozëve. Motivi i refuzimit ishte se pala serbe nuk mund të garantonte dot sigurinë e tifozëve pasi pritet të jetë një ndeshje e tensionuar që përjetimin më të madh do ta ketë në radhët e stadiumit dhe jo në fushë. Por gjithsesi bëhet me dije se federata serbe mund të dënohet nga UEFA në qoftë se nuk vendos bileta në dispozicion për tifozët tanë e duke parë këtë gjendje, federata serbe kërkon një mirëkuptim nga institucioni më i lartë i futbollit në Europë duke i paraqitur faktet për vendimin që kanë marrë, se një ndeshje me tifozë nga të dy palët do të ishte e një rreziku të lartë dhe e vështirë për tu kontrolluar. Gjithashtu kërkojnë edhe një takim me Presidentin Duka që të bien dakord në mënyrë që mos ta lënë këtë takim të luhet me praninë e tifozëve tanë. Por mendimi i Dukës rreth kësaj çështje u bë i ditur disa ditë më parë ku ai u shpreh “Si tifozët tanë duhet të shkojnë në Beograd, ashtu edhe ata serbe duhet të vijnë në stadiumin tonë, pasi kjo lojë bëhet për tifozët dhe këta i japin një bukuri të veçantë. Futbolli është një sport që është krijuar për të mbyllur ndasitë dhe jo për ti thelluar ato”. Ky qëndrim i Dukës e bën edhe më të vështirë situatën për palën serbe që duket se e mendojnë shumë të vështirë përballjen me Shqipërinë vetëm nga aspekti i tifozëve, duke qenë se kjo është kthyer në një çështje të rëndësishme për futbollin e fqinjëve tanë. Takimi me Dukën pritet të ndodhë sot ose nesër në Tiranë, me përfaqësues të Serbisë që do të vijnë këtu për ti dhënë një zgjidhje situatës që kanë krijuar.

 Kombëtarja shqiptare mund të luajë një miqësore me Italinë

Bëhet e ditur nga gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport” se trajneri i Italisë, Konte, po projekton një miqësore në muajin nëntor dhe kandidate potenciale për këtë miqësore është edhe Shqipëria. Nuk bëhet e ditur data e saktë apo që të jetë arritur ndonjë marrëveshje mes palëve, por ekziston si mundësi që të finalizohet kjo ndeshje, pasi duket se në bazë të arritjeve tona të fundit, fqinjët tanë mendojnë se do të jetë një test i vërtetë përballja me ne. Aktualisht Kombëtarja e Kontes është në rindërtim e sipër dhe teste të tilla duket se i ka të nevojshme.