Petrit BROKAJ/ Në atë mesnatë të 4 shkurtit…

759
Sigal

Të nderohen e vlerësohen në 70-vjetor viktimat e vrarë nga bashibozukut e kuislingut, Xhaferr Deva

Janë disa ngjarje që koha u shton më shumë dritë e i afron gjithnjë e më shumë…. Janë motivet e saj,  personazhet që vepruan, pasojat që u shënuan, faktorët që i mbajnë gjallë sado kohë-largët që të jemi prej tyre. Makabriteti i 4 shkurtit 1944 është një nga ‘to. Ajo çfarë ndodhi atë mesnatë nuk shlyhet në kujtesën historike sado heshtjet qeveritare të rëndojnë mbi të e sado retushime rrugësh të bëhen për të fshirë nga kujtesa xhelatët dhe viktimat e asaj ngjarje. Ajo nuk është vetëm dhimbje e përhershme e familjarëve, por është një gjurmë e gdhendur thellë në faqet e historisë të këtij populli. Të  rënët  e  asaj  nate  të 4  shkurtit  1944, mbeten  forcë  krenarie dhe nderimi të përjetshëm. Njëkohësisht – dëshmi e mizorisë së okupatorëve dhe këlyshëve të tyre. Secili ka emrin e tij, veprën e tij. Fundi i jetës së tyre është amanet, është klithmë, është përmendore, është jehonë e kohës.  Sa prindër mbetën pa djemtë e tyre pas asaj nate. Sa vajza të reja lanë vejushe xhelatët e Xhafer Devës. Sa fëmijë u rritën pa baba. Sa varre janë simbolik pa eshtrat e tyre. Një fat i tillë i shkatërroi gëzimin e jetës edhe Maries, bashkëshortes së  dëshmorit Dhimitër Thomai. Ajo atëherë ishte një nuse e re Maria, vajza nga Dhërmiu, kishte pak më shumë se dy vjet  që ishte martuar me bashkëfshatarin e saj, djaloshin Dhimitër Thomai. Dhërmiu është një nga fshatrat – perl të bregut të detit të Vlorës.  Por këto bukuri të rralla natyrore, të ndodhura në mes varfërisë e pusit  të thellë të  halleve të shumta të asaj periudhe, as nuk shijoheshin dhe as nuk shfrytëzoheshin. Ky realitet i nxirë e bënte të vogël hapësirën për shpirtin dhe botën e madhe  të djemve dhërmias. Shumë prej tyre kishin marrë rrugën e kurbetit. Të tjerë ishin vendosur nëpër qytetet  brenda vendit. Një ndër ta ishte edhe Dhimitër Thomai, Mimi siç i flisnin. Ishte 10 vjeç kur i vdiq nëna dhe bashkë me të vëllain e tij Janin, u ra barra e rëndë, për moshën e tyre, që të mbanin familjen.  Më shumë punonin në pronat e Dhimitër Konomit e të Koço Kolekës në Ujë të Ftohtë, në Vlorë. I detyruar për të siguruar bukën e gojës, më shumë qëndronte larg familjes, se sa afër saj. Kurse Maria, ajo nusja e re simpatike, u detyrua  të mbetej  edhe  zonjë  edhe zot i shtëpisë dhe të asaj pak toke që kishin. Pas gati tre vjet martesë, në një ditë, aty nga fundi i vitit 1943, i shoqi i tha se do të ikte pranë vëllait të tij që ishte burgosur për veprimtari revolucionare. Përqafoi të atin, puthi në ballë të birin, pastaj doli me gjithë Marien që e përcolli deri te rruga e lagjes “Gjilek”. Qëndroi aty deri sa i humbi nga sytë. Bëri kryqin duke iu lutur zotit që të kthehej sa më shpejt dhe shëndosh. Maria nuk e mendonte se për të ajo ishte dita e fundit të gëzimit të saj. Disa muaj më vonë, shumë ditë pas 4 shkurtit të vitit 1944, asaj i sollën lajmin e hidhur se, Dhimitrin e kishin pushkatuar bashkë me 84 shokë të tjerë. I sollën lajmin, por jo trupin e tij. Ajo e vajtoi atë tërë jetën me vështrimin e mbërthyer te fotografia e tij, poshtë, të cilës nuk u fik kurrë një qiri. Ajo fotografi, rrobat e zeza dhe Fori i vetëm, ishin kujtimi, ngushëllimi, malli dhe gëzimi që e përshkuan jetën e saj si një vejushe që nuk e gëzoi martesën as tre vjet.

Mesnatë e përgjakur

Jemi në periudhën e operacionit të dimrit të forcave partizane kundër armikut pushtues dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Tirana ishte shndërruar në një arenë të zjarrtë revolucionare. Çdo ditë shënonte një ngjarje. Forcat e okupatorit dhe përkrahësit e tyre ishin kthyer në bisha të tërbuara nga goditjet që po pësonin. Burgjet dhe zyrat e Gestapos ishin kthyer në qendra torturash çnjerëzore, shfryrje urrejtje, mbytur në gjak  e rënkime. Në mesnatën e 4 shkurtit 1944, gjumi i Tiranës u vra nga dhuna çnjerëzore e bandave naziste të Xhafer Devës. Ulërimat e nënave, lutjet dhe krahët që mbanin fortë në gji bijtë e tyre, nuk ngacmonin aspak ndjenjat e tyre shtazarake. Atë natë Dhimitri ndodhej vetëm pa asnjë njeri pranë, në dhomën e tij në hotel “Parku”, kur i shqyejnë derën dhe e rrëmbejnë me ulërima. Spiunët dinin se kush ishte dhe me se merrej.

Dëshmitarët tregojnë:

Aleks Çaçi (mik i Dhimitrit): Në kujtimet e mbledhura për të atin, Fori (Niqifori) tregon se çfarë i kish thënë një nga miqtë e tij, shkrimtari i njohur, Aleks Çaçi. Në mbrëmje të 4 shkurtit, Dhimitri kish qenë si zakonisht mysafir në shtëpinë e tij. Kur ishte ngritur për të ikur, ai I kish thënë që të flinte aty, sepse ndihej që atë natë mund të kishte reprezalje dhe përndjekje masive. Por Dhimitri i kish thënë se duhej të kthehej në hotel, pasi atje kishte materialet që duhej ti shpërndante të nesërmen dhe ushqimin që duhej t`ia çonte në burg të vëllait, Janit. E përcollën deri jashtë duke e porositur që të kishte kujdes, dhe të ruhej nga spiunët. Dhe ajo ishte nata e fundit që nuk u takuan më, mbyll kujtimin e tij Aleks Çaçi.

Kamarieri i hotel “Parku”: Na kishin grumbulluar në qelitë e gestapos. Pak më vonë sjellin edhe Dhimitrin. Na dha të gjithëve nga një cigare dhe ndezi edhe një për vete. Nuk kaloi shumë kohë dhe vijnë xhandarët e Xhafer Devës dhe e marrin. Nëpër korridore dëgjoheshin të bërtitura, sharje dhe kërcënime. Më pas nuk e pamë më. Na thanë se e kishin pushkatuar bashkë me 83 të tjerë, aty ku është sot korpusi i Universitetit.

Jani (vëllai i tij): Vinte çdo ditë që na sillte ushqim dhe materiale të tjera propagandistike, që ne i kalonim dorë më dorë në qelitë e burgut. Papritur nuk po dukej më. Po bëhesha shumë merak dhe kisha një parandjenjë të keqe, sepse e dija që ishte përfshirë në grupet revolucionare të Tiranës. Shpërndante materiale propagandistike antifashiste dhe përgatiste letra njoftimi false për pjesëtarët e lëvizjes çlirimtare. Siç më thanë më vonë, ato ia kishin kapur atë natë, kur e kishin rrëmbyer nga hoteli. Pas disa ditësh më erdhi lajmi se çfarë kishte ndodhur atë natë të 4 shkurtit. Më thanë se mes të pushkatuarve ishte edhe vëllai im, Dhimitri.  Atje ku sot është korpusi kryesor i universitetit. Kur dola nga burgu u përpoqa, por nuk munda të gjeja as trupin dhe as varrin e tij.

Krenar për babain

Forin e shikojmë çdo ditë që përshkon më këmbë, buzë detit, rrugën që nga Uji i Ftohtë deri në Sheshin e Flamurit. Është po ai Fori, që kemi njohur qysh në rini; i qeshur, zemërbardhë, me shumë shokë e miq, i njohur pothuajse nga gjithë vlonjatët, sportiv dhe dinjitoz. Ish- talenti i futbollit vlonjat që zbriti në fushën e stadiumit “Flamurtari” qysh në vitin 1958 (15-16 vjeç), si i zgjedhur i trajnerëve Loro Boriçi, Cuf Pelingu, Petrit Arapi, Vasillaq Ndini e Hasan Luçi dhe më pas që e mbylli karrierën e tij sportive si trajner i ekipit “Flamurtari” në kulmin e shkëlqimit të tij, tani jeton me gjithë bashkëshorten, gruan fisnike, rekordmenen në sportin e radioamatorizmit, Agllain, në një vilë të rikthyer nga shtetëzimi te ish kampi i punëtorëve. Forit (Niqiforit) fati i qëlloi që ta njihte babain nëpërmjet kujtimeve të bashkëmoshatarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ai nuk e ndjeu fjalën dhe dorën e tij ledhatuese, por vetëm një puthje të fundit në ballë atë ditë, kur iku dhe nuk u kthye më. Ndonëse u rrit nën kujdesin e xhaxhait, barba Janit dhe me plot dashuri e vetëmohim të nënës së tij Maries, boshllëku që la mungesa e babait nuk mund të mbushej asnjëherë. Momentin më të vështirë – thotë Fori, e ndjej kur shkoj te varri i babait në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe vendos buqetën me lule në një varr simbolik, sepse eshtrat e tij nuk ndodhen në të…

Kujtesë për Bashkinë e Himarës dhe Këshillin e Qarkut të Vlorës

Dëshmorët, të rënët për çlirimin e atdheut nga “bisha” fashiste, kudo nderohen dhe respektohen. Ata janë dëshmi krenare e popullit që u përkasin. Janë figura frymëzuese, sepse luftuan për “një botë të re”. Akti i tyre ishte vetëmohues. Aspirata, e pavdekshme dhe imponuese. Për të gjitha këto, nderimi dhe përjetësimi i tyre është detyrim brez pas brezi. Emrat e tyre janë kujtesë e kohës që jetuan dhe veprës që kryen. Në këtë 70- vjetor të çlirimit të Atdheut, emrin e dëshmorit Dhimitër Mihal Thomai  duhet ta shikojmë diku të përjetësuar. Ai u lind në tetor të vitit 1914. Pas disa ditësh do të ketë 100- vjetorin e lindjes. Ia kujtoj këtë Bashkisë së Himarës për birin e krahinës së vet, ia kujtoj dhe Këshillit të Qarkut të Vlorës. Ky nuk është vetëm mendimi dhe zëri im.