Shkolla “Skënderbej” na mban përherë të rinj

1532
Shpendi TOPOLLAJ

73-vjetori i shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” 
Sot, në ditën e shënuar të 73-vjetorit të krijimit të shkollës sonë të shtrenjtë “Skënderbej”, m’u kujtua një ndodhi nga historia e lashtë: Aleksandri i Madh, kur mori vesh se njeri prej ushtarëve kishte marrë emrin e tij, e thirri dhe i tha: “Ti do të mbash emrin tim? Mbaje meqë të pëlqen, por mos harro se edhe në beteja e ke emrin Aleksandër.” Unë nuk mund ta di, në e njihte këtë fakt, heroi ynë Kombëtar, i cili falë një rastësie a profecie fatlume, mori emrin e islamizuar të këtij kryekapedani dhe me veprën e tij të shquar mbuloi me faqe lavdie historinë e popullit tonë, por jam plotësisht i bindur, se ne që u quajtëm skënderbegas, kurrë s’e turpëruam Gjergj Kastriot Skënderbenë. Tani që shkolla jonë nuk është më, të gjithë e kuptojmë se s’janë muret, klasat, fjetoret, mensat e sheshet sportive që e bëjnë aq të dashur atë shkollë të papërsëritshme, por njerëzit, nxënësit, oficerët, dhe mësuesit që në vite u lidhën, falë përkushtimit, ndershmërisë e atdhedashurisë me një miqësi të pashembullt. Në parathënien e një romani kushtuar skënderbegasve, kam shkruar: “Gjithmonë kam pyetur veten se ç’është ajo forcë magjike që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë na e shton mallin e dashurinë për shkollën ushtarake “Skënderbej”, së cilës, të gjithë ne që kemi kaluar në bankat e saj vitet e moshës më të bukur, i detyrojmë brumosjen tonë si kuadro e qytetarë, e mbi të gjitha, edukimin me veti të tilla morale, ku duke gdhendur në zemrat tona me germa të arta kryefjalën Shqipëri, na ka dhënë të drejtën që duke përballuar me kurajë rrebeshet e jetës, jo vetëm të mos turpërohemi asnjëherë, por edhe të ndihemi krenarë?! Kësaj shkolle që si një nënë e mirë dhe e kujdesshme, na mori qysh fëmijë në gjirin e saj të ngrohtë, duke na mbajtur përdore, na tregoi rrugët e ndershme se nga duhet kaluar, për të kryer me ndërgjegje të lartë detyrat para popullit e Atdheut, i jemi veçanërisht mirënjohës për kulturën që na dha, karakterin burrëror, përkushtimin dhe iniciativën në punë, kalitjen fiziko – ushtarake dhe shpirtin e pastër poetik.” Ja pse më vjen parasysh përherë e freskët, ajo ditë fund gushti e vitit 1960, kur ende fëmijë kalova pragun e asaj shkolle dhe kapiten Paskali, një burrë babaxhan, i shëndoshë e me syzet me xhamat rrathë – rrathë, na tha: “Këtu ku futët këmbët, u rënçin dhëmbët!” Aso kohe, ne u çuditëm, por më pas, kur u larguam prej saj, kuptuam se kapiteni kish pasur te drejtë, pasi, sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë ne ndiheshim skënderbegas. U bë një kohë relativisht e gjatë që vdekja e ndau nga ne dramaturgun e shquar Minush Jero që banonte si unë në Durrës. Kur ishte i sëmurë, i shkoja herë pas here për ta parë dhe një ditë, kur e pyeta si me shaka, se a mërzitej nga ajo gjendje jo shumë e pëlqyeshme, seriozisht m’u përgjigj; “Aspak! Mua më mbajnë të ri kujtimet e shkollës “Skënderbej”! Të denjë për penën e Plutarkut, skënderbegasit janë të virtytshëm. Në kundërshtim me përcaktimin e Makiavelit të bërë te “Princi” i tij, se vesi i parë i njerëzve është mosmirënjohja, ata në radhë të parë janë mirënjohës. Për skënderbegasit është e shenjtë miqësia. Ata e ruajnë të paprekur për tërë jetën miqësinë. Me ta ngjet si me Arsakomin e Lukianit, i cili kur iu desh të tregonte pasurinë, për të parë në e meritonte për grua bijën e mbretit, tha: “Unë nuk kam as qerre, as kope me bagëti, por kam dy miq trima që s’i ka kush në Skiti.” Mjafton të ndodhesh vetëm një herë në ato takimet, shpesh spontane, që organizon matura e parë, ajo e vitit 1954, për të parë se si ata burra të moshuar, gati të gjithë me tituj shkencorë, vërtiten rreth po asaj fizarmonike që kumbonte atëherë mjediseve të shkollës, e tashmë e ronitur e me zë pak të çjerrë nga pesha e viteve, s’i tradhton miqtë e saj, dhe keni për të parë, se në bisedat e tyre, asgjë nuk ka ndryshuar. E parë kështu, mund të themi pa pikën e dyshimit, se shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” nuk është mbyllur. Ajo vazhdon të ndriçojë me të njëjtin shkëlqim si dikur, se ajo shkollë jemi ne. E Shqipëria, ndofta më shumë se kurrë, ka nevojë për fjalën e mençur, për kurajën, ndershmërinë, unitetin, drejtësinë, burrërinë, krenarinë kombëtare që skënderbegasve, kudo që të ndodhen, nuk u ka munguar asnjëherë. Skënderbegasit, me kulturën e tyre të gjithanshme, si ushtarakë të talentuar, shkencëtarë të zot, poetë e shkrimtarë të dëgjuar, sportistë fenomenalë, e duan ndofta më shumë se kushdo demokracinë, qytetërimin e përparimin. Por ata e kuptojnë se ato vinë të pastra si idealet, vetëm kur merren në duar nga vetë bijtë e këtij vendi të cilët, as më shumë e as më pak, por janë stërnipër të denjë të Gjergj Kastriotit që çuditi botën, e bashkatdhetar të shenjtores Nënë Tereza. Në këtë këndvështrim, mendoj se forcimi e gjallërimi i shoqatës tonë kombëtare, nuk është vetëm çështje reminishencash e nostalgjie, por një vazhdim i drejtpërdrejtë i betimit që kemi bërë, për t`i shërbyer sa të kemi frymë, Atdheut tonë, tamam ashtu siç thoshte Pushkini te “Çadajev” dhe që ne gjithë entuziazëm e deklamonim klasave e korridoreve të shkollës tonë: 
Gjersa me nder të rrojmë mbi dhe 
E për liri ne të luftojmë, 
O miku im, veç për Atdhe, 
Çdo çast ne duhet të mendojmë.
Ndaj në këtë ditë të shënuar, e gjykova të udhës të shpreh ndjenjat e mia të pastra të dashurisë së pakufishme për shokët e mi dhe mësuesit tanë të mrekullueshëm. Dhe të kujtoj pse kërkojmë herë pas here, të dëgjojmë tingujt e asaj fizarmonikës së vjetër, të cilët na kujtojnë gjithsesi, se sa i bukur është Atdheu ynë dhe sa shumë duhet ta duam atë. 
Sigal