Julian Ahmataj: Kukësi, Flamurtari e Partizani, “Tre moskëtierët” që do kapin Evropën

676
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, ja si i përshkruan skuadrat e Kategorisë Superiore në 22 javë
Çfarë kanë treguar skuadrat e Kategorisë Superiore në 22 javët që janë zhvilluar?
Mendoj se të gjitha skuadrat kanë treguar gjithçka kanë pasur në mundësitë e tyre, dhe në renditje janë të pozicionuara si rrjedhojë e kësaj logjike. Përveç Skënderbeut, të gjitha skuadrat e tjera kanë treguar oshilacione, dhe nuk kanë pasur vazhdimësi në rezultatet pozitive.

Ju mendoni se Skënderbeu është skuadra që është shprehur më mirë nga skuadrat e tjera?
Pa diskutim po, që Skënderbeu i ka shprehur mirë vlerat e tij në fushën e lojës në këto 22 javë të luajtura. Skuadra korçare është treguar profesioniste në këtë sezon, pasi nuk ka larguar 11 futbollistët e sezonit të kaluar, sikundër është vepruar në disa skuadra të tjera.

Pas skuadrës korçare, cilën veçoni tjetër si më të suksesshme në këto 22 javë të Kategorisë Superiore?
Përveç Lushnjes që nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i fundit, të gjitha skuadrat e tjera janë duke bërë maksimumin për të kapur synimet e tyre. Ka një grup me 4-5 skuadra që kërkojnë Evropën, ndërsa Teuta e Vllaznia kërkojnë mbijetesën. Këto besoj se veçohen në këtë situatë.

Nisur nga renditja aktuale, mendoni se Kukësi, Flamurtari e Partizani do të jenë skuadrat që do të renditen në zonën e Evropës në tabelën e klasifikimit?
Nëse do ti quaja si “Tre moskëtierë”, besoj se Kukësi, Flamurtari dhe Partizani, janë skuadrat që bindin më shumë se të tjerat për një vend në zonën e Evropës. Fitorja e Kukësit dhe e Partizanit, si dhe humbja e Flamurtarit në javën e 21-të, e bëjnë edhe më të afërt këtë treshe në renditje.

Si asnjëherë në histori, diskutojnë mbijetesën Vllaznia e Teuta, cila nga këto skuadra është më e rrezikuara?
Së pari, më vjen keq që dy skuadra të mëdha në futbollin tonë ndodhen në këtë situatë në renditje. Të dyja nuk doja ti shikoja në këtë renditje, por futbolli kështu e ka, kur nuk ja bën hyzmetin. Të dyja duhet të bëjnë maksimumin në këto 14 javë, duhet të fitojnë 3-4 ndeshje rresht.

Duke qenë e pozicionuar e fundit në renditje, e ka zbehur Lushnja garën me skuadrat e tjera?
Zbehje nuk ka, por duhet thënë se Lushnja gaboi në ndërtimin e skuadrës në këtë sezon. Sepse ajo u bazua te skuadra e sezonit të kaluar në Kategorinë e Parë, duke mos ju përshtatur tërësisht nivelit të Superiores. Deri në këto javë, Lushnja ka treguar garë, por nuk ka mundësi më shumë se kaq.

Për skuadrat e kreut të renditjes që marrin pjesë edhe në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, mendoni se do të ketë ndikim, apo ndonjë tolerim prej tyre?
Nuk besoj, sepse janë kualifikuar skuadra që ndodhen sipër në renditjen e Superiores (Skënderbeu, Kukësi, Flamurtari e Laçi). Asnjëra prej skuadrave nuk ka garanci që të bëjë të tilla manovra, sepse secila do të kërkojë të jetë prezent edhe në këtë event që të çon në Evropë.

Në 14 javët e mbetura, çfarë ndryshime mendoni se do të ndodhin në renditjen e Superiores?
Do të ketë luftë të fortë nga të gjitha, do të shohim një garë ku skuadrat që do të gabojnë më pak në fushë, dhe ato që do të kenë më pak dëmtime e skualifikime, do të jenë më pranë synimeve të tyre. Janë 42 pikë në lojë, ndaj çdo gjë mund të ndodhë.
Nëse do ti quaja si “Tre moskëtierë”, besoj se Kukësi, Flamurtari dhe Partizani, janë skuadrat që bindin më shumë se të tjerat për një vend në zonën e Evropës. Fitorja e Kukësit dhe e Partizanit, si dhe humbja e Flamurtarit në javën e 21-të, e bëjnë edhe më të afërt këtë treshe në renditje
14 javë
Deri në mbylljen e Kampionatit 2017-2018, Kategoria Superiore do të luajë edhe 14 javë, të cilat kanë brenda tyre 42 pikë
Ndeshjet-Java e 23-të
Të dielën, 4 mars 2018 
Lushnja-Kukësi 14:00 
Skënderbeu-Laçi 14:00 
Teuta-Partizani 17:00 
Të hënën, 5 mars 2018 
Luftëtari-Kamza 14:00 
Vllaznia-Flamurtari 17:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 22 50
2. Kukësi 22 38
3. Flamurtari 22 36
4. Laçi 22 33
5. Kamza 22 32
7. Partizani 22 31 
6. Luftëtari 22 31
8. Vllaznia 22 22
9. Teuta 22 21
10. Lushnja 22 10
Sigal