Josa: “Futbollin e konsideroj luftë”

74

Tekniku i Skënderbeut: “Të marrësh një pikë në transfertë ndaj Partizanit është kënaqësi”

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, u shpreh i kënaqur me pikën e marrë ndaj Partizanit, në barazimin pa gola me të kuqtë në “Qemal Stafa”. “Të luash jashtë fushës tënde, kundër Partizanit të vendit të dytë, dhe të marrësh një pikë, pavarësisht se diferenca ishte dhjetë pikë, është kënaqësi”, – tha Josa për gazetën. Për trajnerin e kampionëve të Shqipërisë titulli ende nuk është siguruar, dhe se ai do të jetë i qetë vetëm kur matematika t’i lejojë atë. Josa theksoi se, skuadra e tij është e lodhur, pasi vuan shumë nga dëmtimet dhe ndeshjet e shumta. “Futbolli është si një luftë dhe duhet t’i kesh të gjithë lojtarët në dispozicion”, – tha ai.

 – Josa, a jeni i kënaqur me një pikë, me mungesat dhe kushtet e fushës?

– Normalisht, kur luan jashtë fushës dhe me vendin e dytë dhe merr një pikë, them se duhet të jem i kënaqur me një pikë. Ndeshja filloi shumë mirë për ne. Dhjetë minutat e para ishin më të mirë për ne. Duhet të kishim shënuar shumë shpejt, por Partizani e ekuilibroi lojën. Skuadra pati mungesa dhe ishte disi i lodhur, kjo dhe për faktin e ndeshjeve që janë luajtur të mërkurë dhe të diel. Ato e lodhin skuadrën. Sot kishim disa ndërrime në pozicione. Gjithsesi, ekipi ka shumë lojtarë, por nuk dëshiroja të prishja ekuilibrat. Megjithatë, të luash jashtë fushës tënde, kundër Partizanit të vendit të dytë, pavarësisht se diferenca ishte dhjetë pikë me Partizanin dhe me ekipet e tjera që të ndjekin, për mua tregon karakter skuadre, që lojtarët e mi nuk janë të ngopur me titujt që kanë marrë, por kërkojnë të tjerë që të marrin. Kështu që, unë jam i kënaqur me pikët dhe me sakrificat që po bëjnë lojtarët gjatë kësaj periudhe.

– Mund të konsiderohet i hipotekuar tashmë titullin?

– Më është bërë shumë herë kjo pyetje nga të gjitha mediat. Unë, personalisht nuk e konsideroj titullin e mbyllur, pasi duhet të përfundojë edhe matematikisht. Kjo, për faktin se duhet të jemi në luftë edhe për Kupën e Shqipërisë. Unë e konsideroj futbollin luftë dhe jo hajde të dalim dhe të luajmë, dhe çfarë të fitojmë të fitojmë. Futbolli është luftë dhe beteja përfundon kur mbyllen llogaritë.

– Tashmë është e qartë se, ndeshjen e fundit të kampionatit do ta luanin në Korçë. Titullin vitin e kaluar e festuat në Kukës, teksa më parë e keni arritur atë dhe në Vlorë. Tani e keni këtë mundësi ta bëni në shtëpi, a do të keni më shumë kënaqësi?

– Nuk ka të bëjë me kënaqësinë, titujt janë tituj. Janë të gjithë njësoj. Për mua, e rëndësishme është që skuadra të mbajë karakterin e saj deri në fund të kampionatit.

– Me atë që patë në fushë, a e meriton Partizani vendin e dytë?

– Nuk mund të flas për skuadrën e Partizanit. Partizani është një skuadër që, është formuar dy herë gjatë këtij sezoni, fillimisht gjatë merkatos së verës dhe tani në atë dimërore. Ka pasur shumë lëvizje lojtarë. Duhet të keni durim, pasi skuadra e Partizanit do të vijë duke e ngritur nivelin e lojës, sidomos nga ana cilësore, pasi luftë sportive ka shumë brenda për brenda skuadrës.

– Sipas llogarive tuaja, me kë skuadër do të luajë Skënderbeu në javën e parë të fazës së tretë?

– Nuk mund ta them se me kë do të luajë Skënderbeu, por ajo që mund të them është se në do të luajmë në fushën tonë.

– Mirel, Skënderbeu nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Shqipërisë, edhe pse ka qenë para dy sezonesh në finale. Edicionin e kaluar u eliminuat nga Bylisi në gjysmëfinale, ndërkohë që këtë edicion në gjysmëfinale janë përveç jush edhe Kukësi, Flamurtari e Teuta, me këto dy të fundit që e kanë fituar nga tri herë secili. Kë do të preferonit në short?

– Nuk dëshiroj të flas shumë për Kupën e Shqipërisë, pa mbaruar me kampionatin. Për shortin nuk kam asnjë lloj preference. Është Zoti që ta jep shortin dhe kur të hidhet ai ne duhet të jemi të zotë për t’u ballafaquar me atë skuadër. Gjithsesi, ka kohë deri në Kupën e Shqipërisë. Pres kthimin e disa lojtarëve, dhe kthimi i tyre do të më mundësojë të kem më shumë alternativa, kjo dhe për të çlodhur lojtarët, pasi janë tepër të lodhur, edhe për faktin se ka shumë lojtarë që po luajnë nga nëntëdhjetë minuta të mërkurë e të diel.

 Golat, Mavraj shokon Kapllanin

 Mërgim Mavraj shënoi golin e fitores për Grojther Fyrthit 3-2 ndaj FSV Frankfurtit të Edmond Kapllanit, me të dy lojtarët e Kombëtares shqiptare që shënuan nga një gol në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të Bundesligës 2 gjermane. Goli fitues i mbrojtësit kosovar i dhuroi fitoren e para gjatë këtij vitit Grojther Fyrthit, duke e ringjitur në vendin e dytë, me një pikë më shumë se Padeborni i Alban Mehës.  Ndeshja ishte shumë dramatike në “Troli-Arena” të Furthit. Gieselman shënoi në minutën e 10-të për Grojtherin, ndërkohë që barazoi me penallti Epshtajn (35’) për FSV Frankfurtin, por me 11-metërshin e fituar nga Kapllani. Sulmuesi durrsak përfitoi nga një pozicionim i gabuar i Mavrajt  i çoi shifrat në 1-2 me një goditje të kalibruar me kokë në minutën e 44-t – goli i tij i dhjetë sezonal – përpara se ai të zëvendësohej në minutën e 77-të. Fyrshtner barazoi me penallti për Grojtherin në minutën e 73-të, ndërkohë tri minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, mbrojtësi gjigant Mërgim Mavraj shënoi me kokë golin e fitores së çmuar pas asistit të Shtiberit. Goli i tij parë sezonal dhe i treti me Grojtheri, qysh kur u bashkua në janar të vitit 2011.

  Mustafi: “Ndihem më shumë shqiptar”

 Shkodran Mustafi ka pranuar se ndihet më tepër shqiptar se gjerman, pavarësisht se ka marrë ftesën surprizë nga trajneri i Gjermanisë, Joahim Lëv, për miqësoren e së mërkurës, kundër Kilit. Lëv e sheh 21-vjeçarin e Sampdorias si një opsion për Kupën e Botës. Mustafi është lindur e rritur në Gjermani, fëmijë emigrantësh shqiptarë nga Maqedonia. “Jam me fat që jam rritur si futbollist në Gjermani. Si lojtar i kombëtareve gjermane të të rinjve nuk e kam menduar kurrë të luaja për ndonjë vend tjetër”, Por, në shtëpi flasim gjithmonë shqip dhe hamë ushqim shqiptar. Ndihem më shumë shqiptar se gjerman, edhe pse jam lindur në Gjermani. Megjithatë, të luaja me Shqipërinë nuk ka qenë kurrë si variant”, – tha Mustafi.

Bardheblutë barazuan 1-1 me Flamurtarin, duke regjistruar ndeshjen e pestë pa humbje

 Tirana reziston në Vlorë

 Tirana mori një barazim heroik 1-1 në Vlorë, ndaj një Flamurtari që e kërkoi me ngulm fitoren, shijen e së cilës nuk njeh gjatë vitit 2014. 24 hërë kampionët e Shqipërisë, të udhëhequr nga një trajner “anti-krizë”, si Gugash Magani nuk e njohin humbjen në pesë ndeshjet e këtij viti. Një pikë e marrë në një transfertë të vështirë ishte me shumë vlera për bardheblutë, që tashmë e shohin veten në vendin e dhjetë, por gjithsesi në pozita delikate në renditje. Tirana kaloi në avantazh në minutën e 23-të me blerjen dimërore, lojtarin nga Burundi, Selemani Ndikumana.  Fraksioni i dytë ishte nën dominimin e Flamurtari, me vlonjatët që ishin më luftarakë dhe të vendosur për të barazuar shifrat. Lëvizja e kryer nga trajneri Gjoka, duke e bërë sulmin me dy lojtarë, pas hedhjes në fushë të Ardit Shehajt në vend të Zeqirit (kalon në modulin 4-4-2) jep rezultat. Në minutën e 68-të ka qenë pikërisht sulmuesi i ri vlonjat, i hedhur në fushë në minutën e 46-të, ai që ka barazuar shifrat me një eurogol. Minutat e mëpastajme janë të ethshme, ku portat respektive kalojnë rreziqe serioze, por goli që do të bënte diferencën nuk del në dritë.

KUKËSI-LAÇI 1-0

Kukësi parakalon të kuqtë dhe rrëmbejnë vendin e dytë. Skuadra e Starovës ka triumfuar ndaj Laçit me rezultatin minimal, por ka marrë tri pikë tepër të çmuara, që e ngjisin atë dukshëm në klasifikim. Goli i hershëm i Cikalleshit (3’) ka mbetur i pandryshuar për minuta të tëra, sepse kurbinasit nuk kanë qenë në gjendje të reagojnë e të ndryshojnë fatin e kësaj transferte. Skuadra e Nicës pëson humbjen e dytë ndaj Kukësit, si në fazën e parë, edhe në të dytën, duke u pozicionuar për momentin në vendin e katërt. Kjo tregon se verilindorët janë më superiorë se Laçi, ndërkohë që beteja për zonën europiane mes tyre duket se do të vijojë edhe në vijim të kampionatit.

BYLIS-VLLAZNIA 0-0

Vllaznia ka arritur të marrë një barazim me shumë vlerë në transfertën e Ballshit ndaj Bylisit vendas në ndeshjen e mbyllur në barazim 0-0. Ndeshja ka qenë përgjithësisht e dominuar nga kuqeblutë të cilët kanë luajtur më mirë dhe në pjesën e parë ka patur 2-3 raste me anë të Bushiç e Shtubinës por pa arritur dot të konkretizojë. Në pjesën e dytë ndërkohë është ndjerë mungesa e sulmuesit kroat Bushiç që është larguar i dëmtuar nga fusha e lojës që gjatë pjesës së parë. Megjithatë, Shtubina, Hajdari e Gjini duhej të kishin shënuar në këto 45 minuta. Rasti më I mirë ka qenë ai i Shtubinës që ka goditur tranversën 10 minuta para fundit të takimit kur në fakt duhej ta kishte dërguar topin në rrjetë. E atë që se bëri Vllaznia, mund ta kishte bërë Bylis në fundin e ndeshjes por ka qenë portieri Vujadinoviç ai që ka shpëtuar portën e tij pas ekzekutimit të një goditje dënimi perfekte nga ana e Kulit. Kujtojmë se java e 21-të e Superiores nisi të shtunën me dy ndeshjet e para, ku u regjistruan dy barazime. Besa barazoi 1-1 me Lushnjën, edhe pse luajti me një lojtar më shumë nga minuta e 32-të (Bjelkanoviç me të kuqe). Berisha shënoi në minutën e 7-të për Besën, teksa kavajasit nuk realizuan nga pika e bardhë me anë të kapitenit Erand Hoxha, e pritur nga Spaho. Barazoi Trashi në minutën e 83-të. Në Krujë nuk pati gola në Kastrioti-Teuta.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XXI

02.03.2014, ora 14:00

FLAMURTARI-TIRANA  (17:00)

KUKËSI-LAÇI 1-0

Golat: Cikalleshi 3’

BYLISI-VLLAZNIA 0-0

PARTIZANI-SKËNDERBEU 0-0

01.03.2014

BESA-LUSHNJA 1-1

Golat: Berisha 7’/ Trashi 83’

KASTRIOTI-TEUTA 0-0

RENDITJA

1     Skënderbeu         21   +15 42

2     Kukësi         21   +1   33

3     Partizani             21   +4   32

4     Laçi                     21   +3   31

5     Teuta                  21   +3   30

6     Besa                    21   +1   29

7     Flamurtari           21   +0   27

8     Vllaznia       21   -1    24

9     Bylis                   21   -1    24

10   Tirana          21   -8    23

11   Lushnja        21   -10  23

12   Kastrioti             21   -7    22