Joakim Lëv, strategu i Gjermanisë

523
Sigal

“Jogi” është në klubin e trajnerëve kampionë: Herberger (1954), Shën (1974) dhe Bekenbauer (1990)

 Fitimi i Kupës së Botës është kulmi për një trajner të ekipit kombëtar. Dhe kësaj radhe ky sukses i takoi me meritë gjermanit Johakim Lëv. Nga 20 kampionate të zhvilluara, vetëm italiani Vitorio Poco ka arritur ta fitojë atë dy herë: “Itali 1934” dhe “Francë 1938”, gjithë të tjerët e kanë fituar ata nga një herë. Në fakt, në “Brazil 2014”, dy fitues të mëparshëm: braziliani Luis Felipe Skolari (fitues në “Kore/Japoni 2002”) dhe spanjolli Visente Del Boske (fitues në “Afrika e Jugut 2010”) e patën shansin për “dopjetën”, por Brazili u eliminua në gjysmëfinale (nga Gjermania), ndërsa Spanja nuk e kaloi dot fazën e grupeve.

“Jogi” është vetëm 54 vjeç, por tani ai e ka siguruar një vend në muzeun e futbollit gjerman, ku më parë kishte vend për Sep Herberger (1954), Helmut Shën (1974) dhe Franc Bekenbauer (1990). Lëv pasoi trashëgiminë e Jurgen Klinsmanit në vitin 2006, duke vendosur menjëherë një marrëdhënie transparente me lojtarët dhe publikun, madje personaliteti i tij reflektohet edhe në veshjen karakteristike, këmishë e errët pa kravatë me mëngët e kthyera. Lëv u hap ndaj ideve të reja që erdhën nga shumë teknikë të tërhequr nga “Guardiolizimi” i futbollit. “Tika-taka” kishte lindur në Gjermani me mbërritjen e teknikut katalanas, Pep Guardiola, Lëv nuk qëndroi indiferent ndaj kësaj rryme. Ai spostoi Lahm përpara mbrojtjes, ndërsa fillimisht në sulm nuk dha pika referimi. 4-0 ndaj Portugalisë nuk mjaftoi që ideja të ngurtësohej sepse barazimi me Ganën dhe fitorja e vuajtur me SHBA-në dhe Algjerinë rikthyen shtypin kundër tij. Ky ishte momenti kur Loë reflektoi duke e kthyer kapitenin në krah dhe me rikuperimin e plotë të Klozes ai vendosi të mos e përqendronte pikën e rëndesës te Myler që gjeti më shumë hapësira në sulm. Lëv ka gjithashtu, edhe meritën e madhe të korrigjimit të ndeshjeve në zhvillim e sipër dhe shembullin më të mirë e kemi nga finalja me Shurle dhe Gëce të futur si zëvendësues. Lëv është një perfeksionist i vërtetë, pasi ai është një nga të paktët trajnerë që studion çdo detaj të përmbledhur në databazë për çdo lojtar që ka në dispozicion. Ai kontrollon edhe detajet më të vogla të jetës së futbollistëve. Tani sfida e re e Lëvit dhe Gjermanisë është Euro 2016, me finalet që do të zhvillohen në Francë.

Sep Herberger (1954)

Helmut Shën (1974)

Franc Bekenbauer (1990)

Johakim Lëv (2014)

Fjalët magjike të Lëvit për Gëcen

 Gjermania fitoi titullin e katërt botëror, pasi mposhti 1-0 Argjentinën në finalen e “Brazil 2014”, falë në goli të realizuar nga zëvendësuesi Mario Gëce në minutën e 113-të. Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, tregoi për mediat edhe “fjalët magjike” që i kishte thënë Gëces, përpara se ai të futej në fushë në minutën e 88-të. “I thashë Mario Gëces, që t’i tregonte të gjithëve se është më i mirë se Lionel Mesi dhe se mund ta vendoste ai fatin e Kupës e Botës. Gëce është i mrekullueshëm, mund të luajë në çdo pozicion dhe gjithmonë e kam ditur se mund të jetë deciziv, ashtu siç bëri kundër Argjentinës”.

 Xhevahirët e Gjermanisë

 Në Botërorin e vitit 2006, të zhvilluar në shtëpi, Gjermania u rendit e treta ashtu si edhe 4 vjet më vonë në Afrikën e Jugut ku u eliminua nga Spanja në gjysmëfinale. Euro 2008 i katapultoi “pancerat” në finale ku gjetën Spanjë më të mirë të të gjitha kohërave, ndërsa 4 vjet më pas ata u kualifikuan sërish deri në gjysmëfinale ku u mundën nga Italia. U afruan disa herë, madje edhe e prekën përkohësisht suksesin por mundi dhe djersa e derdhur në vitet e fundit u shpërblyen në atë minutë magjike të Rios ku Mario Gëce i kurorëzoi kampionë bote. Një gol që erdhi pikërisht nga këmbët e dy talenteve për të cilët Gjermania ka investuar aq shumë, Andre Shyrle dhe Mario Gëce. Një brez i artë lojtarësh të lindur pikërisht në fidanishtet e ndërtuara 14 vjet më parë që së bashku me shumë të tjerë si Myler, Draksler, Kros apo edhe Marko Rojs që mungoi në këtë Botëror, janë yjet e vërtetë të futbollit botëror. Gjermania është e ndërtuar rreth yjeve të tillë sepse ata janë xhevahiret që lakmohen nga klubet më të mëdha europiane. Gjermania ka në grupin e saj plot 14 lojtarë të moshës nën 25 vjeç, ndërsa këtë Botëror e mbylli me 18 gola në total, si askush tjetër, duke barazuar madje edhe rekordin e Brazilit në vitin 2002. Një histori suksesesh!

 Mbrojtësi shqiptar i Gjermanisë: “Unë e kam fituar këtë trofe edhe si gjerman, edhe si shqiptar”

 “Përralla” e Shkodran Mustafit: nga i përjashtuar në Kampion Bote

 Shkodran Mustafi është heroi i momentit i mediave shqiptare dhe ato mbarëkombëtare. Një foto e mbrojtësit me Kancelaren Angela Merkel dhe më pas një tjetër me trofeun e Kupës së Botës, me  përshëndetjen tipike me duart që valëviteshin si shqiponjë po bëjnë xhiron e botës: qindra mijëra “like” e dhjetëra mijëra “share”. Këto ishin dy fotot e para që Shkodran Mustafi publikoi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, duke dashur të kujtojë me veprime se në triumfin gjerman në Botëror ishin dhe duart e një shqiptari ato që ngritën lartë trofeun. “Falënderoj të gjithë shqiptarët për mbështetjen, ky trofe shkon edhe për ata që janë fansat e mi. Jam i lumtur që në Shqipëri dhe Maqedoni, edhe në Kosovë janë gëzuar për mua. Unë e kam fituar këtë trofe edhe si gjerman edhe si shqiptar. Është një ëndërr për mua”. Në fakt, historia e Mustafit i ngjan vërtetë një përrallë të bukur. Ai nuk do të nisej për në Brazil. I përfshirë e meritë në listën e paraprake për Botërorin brazilian nga trajneri Johakim Lëv, zgjedhjet e teknikut gjerman e përjashtuan nga momenti i parë nga lista përfundimtare e 23 të thirrurve që do të duhej të merrnin avionin për në Amerikën e Jugut. Por, pak orë përpara se Shkodrani të nisej për pushime me shokun e tij të Sampdorias, Roberto Soriano, “cërrja” e telefonatës nga ana e Johakim Lëvit ishte një surprizë e bukur. “Bëj gati valixhet Shkodran, je në vend të Rojsit – të dëmtuar në ndeshjen miqësore kundër Armenisë. – Në Brazil do të vish ti!” Filloi kështu ëndrra botërore e Shkodran Mustafit, qendërmbrojtësit të Sampdorias më Itali. Fluturon drejt Brazilit dhe luan minutat e tij, qysh në ndeshjen e parë. Hyn si zëvendësues në minutën e 72-të në vend të dëmtuarit Mat Humels në ndeshjen Gjermani-Portugali, me gjermanët që shpartallojnë 4-0 Kristiano Ronaldo me shok. Në barazimin 2-2 kundër Ganës, Shkodrna Mustafi luan në pjesën e dytë pas dëmtimit të Zherom Boatengut. Në një të tetat, kundër Algjerisë luan ndeshjen e tij të parë si titullar në vend të Humelsit të sëmurë me grip. Por, në minutën e 69-të një dëmtim muskulor e detyron ta lërë para kohë fushën dhe t’i jap fund Botërorit të luajtur. Por, 22-vjeçari qëndron në Brazil për të shijuar triumfin e skuadrës së tij. Magjia e Mario Geces vetëm pak minuta nga “lotaria e penaltive” i jep trofeun e katërt Gjermanisë. Nis festa e Shkodran Mustafit, i cili vetëm një muaj më parë as që nuk mund ta ëndërronte. E më pas fotot me kupën, medaljen dhe Kancelaren Angela Merkel. “Një foto flet më shumë se 10000000 fjalë…” Kjo është përralla e Shkodran Mustafit të lindur Bad Hersfeld të Gjermanisë (rreth 30 mijë banorë), por prindërit e tij janë nga qyteti shqiptar i Gostivarit të Maqedonisë.

 Fatmire Bajramaj, Kampionia e Botës

 Shkodran Mustafi është i pari shqiptar që arriti të shpallej kampion bote në futboll, ndërsa për femra kishte triumfuar më parë dhe Fatmire Bajramaj, në Botërorin e vitit 2007, sërish me fanellën e Gjermanisë. Fatmire Bajramaj, e martuar me futbollistin shqiptare Enis Alushi, në vitin 2010 ajo ishte dhe në garë për “Topin e Artë” si futbollistja më e mirë e vitit, duke dalë e treta.

Bajerni: “Nuk e shesim Shaqirin”

 Xherdan Shaqiri e fitoi botërorin e tij. Sulmuesi me origjinë shqiptare që shënoi tre gola në Brazil, duket se i ka bindur drejtuesit bavarezë për të mos e lënë të lirë. Në një intervistë dhënë për mediat gjermane, drejtori sportiv, Matias Zamer thekson se mesfushori nuk do të largohet nga “Allianc Arena” në merkaton e kësaj vere. Zamer shton se, Bajerni është i kënaqur nga ajo çfarë ka dhënë për këtë skuadër deri tani Shaqiri. 22-vjeçari i lindur në Gjilan ndiqet prej disa kohësh nga Liverpuli por gjatë ditëve të fundit, interes për të ka shfaqur edhe Roma. Xherdan Shaqiri u transferua te Bajern Munih në vitin 2012 duke zhvilluar 43 ndeshje me ekipin bavarez.