INTERVISTA/ Sulejman Starova: Konkurrencën në Superiore nuk e bën struktura e Kampionatit, por vlerat e skuadrave

537
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-Sekretari i FSHF-së, ish-futbollist e trajner i Partizanit dhe i Kombëtares, ja skaneri i tij për katër javët në Superiore

Në media jeni përfolur për të marrë drejtimin e Luftëtarit, sa është e vërtetë?

Është absolutisht e pavërtetë. Unë nuk di asgjë për këtë që po më thoni, madje nuk e kuptoj se si, por sot në të gjitha mediat sportive online, lakohej emri im për stolin e Luftëtarit!

Po katër javët e para të Kategorisë Superiore 2018-2019, si i përshkruani?

Është vetëm fillimi për të dhënë mendime teknike më të detajuara, sepse të gjitha skuadrat kanë bërë ndryshime me lojtarë e trajnerë të rinj dhe nuk mund të presim më shumë. Kjo është një kohë e pamjaftueshme që të kolaudohen skuadrat e futbollistët të vijnë në formën më të mirë.

Në këto katër javë, mendoni se skuadrat janë shprehur në vlerat e tyre reale?

Konkurrencën nuk e bën struktura e këtij kampionati (Kategoria Superiore). Unë po ja u përsëris se, vlerat më të mira në një edicion të ri, skuadrat mund ti shprehin pasi kanë kaluar një fazë të kampionatit. Në këto katër javë, nuk mund të pretendohet më shumë.

Cilat skuadra mendoni se i kanë arritur pritshmëritë e tyre në këto javë të para të Superiores?

Asnjëra nga skuadrat që janë në kreun e renditjes nuk është për kampion, sepse deri tani në këto katër javë nuk kanë bërë diferencën. Nuk kemi ndonjë superskuadër, edhe pse Skënderbeu është në krye dhe me gjithë problematikën që ka, nisjen e ka më të mirë nga të tjerat.

Në këto katër javë të luajtura, sa ndikim ka dhënë situata e dhunës që u shfaq në javën e parë në Korçë?

Kjo nuk ka lidhje me fushën e lojës, dhe nuk ka si të ketë ndikim te lojtarët e trajnerët. Për atë rast, fajtorë janë të gjithë: FSHF-Klubi “Skënderbeu”-Policia Private. Sepse ishte e pritshme që, tifozët e Skënderbeut do të provokonin ata të Partizanit, për të sjellë atë situatë.

Por arbitrat, kanë qenë protagonistë në këto katër javë me perfomancën e tyre?

Arbitrat marrin urdhër nga FSHF-ja për çdo ndeshje, ata nuk kanë se çfarë të bëjnë në të tilla kushte. Ende nuk kemi parë nga ato skena që në kampionatet e kaluara arbitrat bënë si deshën me ndeshje të veçanta, madje edhe përcaktuese. Të shpresojmë që ata vetë të korrigjohen për mirë.

Java e 5-të nis të premten me sfidën Partizani-Flamurtari, ju si e parashikoni këtë takim?

Flamurtari nuk ka shumë ndryshim nga sezoni i kaluar dhe për mua është një zhgënjim për tifozët, edhe pse ka marrë 7 pikë në 4 ndeshje. Nuk është për kampion, ndërkohë që Partizani do ta fitojë këtë ndeshje, sepse është më bindës se Flamurtari në këto katër javë.

Po në takimet e tjera të javës së 5-të, presim ndonjë surprizë?

Futbolli është i bukur, edhe për faktin se surprizat i ka pjesë të tij, dhe ato mund të ndodhin në çdo ndeshje. Në këtë javë të pestë, kalendari ka vënë përballë çifte interesante dhe të vështirë, në të katërta këto sfida. Besoj se do të prodhojnë lojë, dhe rezultatet të jenë në sinkron me të.