Sigal

De Vrij dhe Asamoah, Interi bën një tjetër goditje të madhe me parametër zero dhe sërish në repartin e prapavijës, këtë herë nën shenjën e administratorit të deleguar Beppe Marotta i cili është një mjeshtër i vërtetë përsa i përket lojtarëve me peshë që mund të afrohen me 0 euro.

Zikaltrit kanë arritur marrëveshjen me uruguianin e Atletico Madrid, Diego Godin i cili që nga vera e ardhshme do të jetë futbollisti më i ri i Interit dhe do të luftojë për një vend titullari në qendër të prapavijës me dyshen Skriniar-De Vrij.

Kapiteni i Los Colchoneros vendosi të mos rinovojë kontratën që i skadon në fund të këtij sezoni me klubin madrilen për të provuar një eksperiencë të re në futbollin italian. Në ditët e para të shkurtit, do të vijë edhe zyrtarizmi i kalimit të Godin te Interit.

Klubi zikaltër i ka ofruar një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Me afrimin e Godin bëhet gjithnjë e më i sigurtë largimi i brazilianit Miranda nga Interi me të cilin uruguiani ka formuar një dyshe të frikshme në qendër të prapavijës përpara disa vitesh te Atletico Madrid duke fituar edhe La Liga-n.