Hysen Dedja: Ka diletantizëm të theksuar në organizimin e skuadrave

687
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për situatën në futbollin shqiptar, flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares

Në këtë periudhë përgatitore të skuadrave shqiptare të futbollit për sezonin e ri 2017-2018, këndvështrimet e specialistëve të futbollit e afrojnë më shumë dritëhije, ku asnjëra skuadër nuk është sipas tyre në ritmin e duhur. Ndërkohë, specialist i futbollit Hysen Dedja, për Gazetën “Telegraf” deklaroi se, diletantizmi ka kapur shumë skuadra të Superiores. “Shoh se ka një diletantizëm të theksuar, aq sa skuadrat më shumë po funksionojnë vetëm sipas medieve për organizmin e tyre. Për të gjitha ato, nuk ka shumë kohë, sepse nuk kemi lojtarë me shumicë që ata të zgjedhin në limite”.
Hysen Dedja duket si i “fshehur” nga syri dhe veshi i topkëmbës, apo është duke marrë energji për ndonjë projekt të ri?
Unë ende jam në aktivitet, ndoshta mund t’ju duket duket kështu. Ndoshta, se kam rreth shtatë vite që punoj në trajningun e moshave të vogla në Tiranë dhe me median pak jam takuar. Sepse, vetë fakti që mediat nuk kanë shumë interes për këtë grupmoshë, që do të jetë e ardhmja e futbollit tonë në të tjera standarde.

Ju e ndiqni ritmikën e përgatitjeve që bëjnë skuadrat e futbollit shqiptar në këtë periudhë përgatitore verore?
Patjetër që e kam ndjekur, por pjesërisht. Them kështu, sepse më shumë kam ndjekur ndeshjet e skuadrave që kryesonin Kategorinë Superiore në sezonin e kaluar, njëherësh edhe Vllazninë. 

Sipas jush, si po e shfrytëzojnë këtë periudhë, kryesisht skuadrat e Kategorisë Superiore?
Për mua, duke përjashtuar ekipet në Evropë: Kukësi, Partizani, Skënderbeu e Tirana, tek të tjerat shoh se ka një diletantizëm të theksuar, as sa skuadrat duket se po funksionojnë vetëm sipas medieve për organizmin e tyre. Nuk shohim një skuadër që të mblidhet zyrtarisht, pas një muaj e gjysmë nga mbyllja e sezonit.

Nga katër skuadrat që luajnë në Evropë, cilën e mendoni të kualifikuar sot në ndeshjen e dytë?
Unë një përcaktim më të saktë, do mundohem ta bëj pas rezultateve të ndeshjeve të para, që dolën: Botev Plodviv-Partizani 3-1, Sant Hullia-Skënderbeu 0-1, Tirana-Makabi 0-2. Kështu, Partizani dhe Tirana nuk kanë asnjë shans për mendimin tim, Çdo gjë ndodh në futboll, por duke parë rezultatet në takimet e para, nuk mendoj asnjë të kualifikuar. Ndoshta vetëm Skënderbeu, por edhe këtu duhet shumë kujdes nga korçarët.

Po Kukësi me miqësoret e humbura thellë, sa garanton për një kualifikim në Ligën e Kampioneve ndaj Sherif Tiraspolit?
Asnjë gjë nuk garanton, sepse nuk mundet që, një skuadër të kalojë një tur, një skuadër si Sherif Tiraspoli, kur humbet thellë me 7 e 6 gola. Që këtu Kukësi nuk jep asnjë shpresë kualifikimi, madje parashikoj rezultat si këto miqësoret.

Disa nga skuadrat e Superiores nuk janë shfaqur në këtë merkato, mendoni se e kanë kohën e duhur?
Më sipër unë ju deklarova se, shoh se ka një diletantizëm të theksuar, aq sa skuadrat më shumë po funksionojnë vetëm sipas mediave për organizmin e tyre. Për të gjitha ato, nuk ka shumë kohë, sepse nuk kemi lojtarë me shumicë që ata të zgjedhin në limite. Pastaj bëhet ajo rutina e zakonshme, që duhet të lëvizin të mos marrin ata që detyrohen, jo ata lojtarë që ju duhen.

Komisioni Etikës i hoqi titullin kampion Skënderbeut, mendoni se ishte vendimi i duhur?
Të jem i sinqertë me ju dhe lexuesin tuaj, se ky fakt nuk më ka interesuar. Për mua është një vendim që duhet zbatuar, dhe më shumë duhet të flasë drejtësia sportive, se sa mediatikisht. Ato e vendosin se çfarë ndodh me titullin kampion.

Po në kategoritë e tjera, çfarë mendoni se duhet të bëjnë më shumë skuadrat në këtë stinë të nxehtë, ndërkohë që sezoni për to fillon dy muaj më vonë?
Tani ato duhet të lëvizin, ndoshta duhet të kishin filluar me organizimin e skuadrës së sezonit të ri, pse jo, edhe të kishin filluar përgatitjet, me cikle të veçantë stërvitorë. Por, kur janë 6 skuadra diletante në Superiore, mendoni në kategoritë e tjera. Përjashtuar Tiranën, mendoni se çfarë do të bëjnë skuadrat e tjera, e më pas, çfarë do të presim prej tyre në këtë sezon të ri.

Stoli i Kombëtares sot është pa trajner, e mendoni me ndikim në vazhdimësinë e ndeshjeve të radhës për Botërori 2018?
Ma merr mendja se nuk do të ndikojë, se Kombëtarja ka frymë tjetër nga kampionati shqiptar. Pjesëmarrja e saj në Evropian dhe fitorja e fundit me Izraelin, tregojnë se aty ka profesionizëm, në respekt edhe të skuadrave ku ata aktivizohen.

Ndeshja e radhës me Maqedoninë, në 9 ndeshje kemi 2 fitore, 3 barazime e 4 humbje, mendoni se do të se do të ndikojë ky tregues për takimin që është zhvendosur në një stadium periferik maqedonas?
Në këto moment, ne e kemi skuadrën më të mirë se sa Maqedonia, por duke marrë parasysh disa probleme etnike, dhe situatën që kaloi Maqedonia pas zgjedhjeve, mendoj se do ta kemi të vështirë. Kësisoj, një barazim do ta quaj rezultat shumë pozitiv, me urimin që të mos kemi problematika të tjera.

Si shkodran, e mendoni një impuls më shumë faktin që në Kombëtaren shqiptare të futbollit asnjëherë nuk kanë munguar futbollistët shkodranë?
Historikisht kështu ka qenë, sepse të gjithë ata futbollistë shkodranë që kanë veshur fanelën e Kombëtares, kanë qenë protagonist, dhe sot kontributi i tyre (Hysaj e Balaj) do t’i shërbejë skuadrës. Mund të ishin edhe më shumë, gjithsesi, këta janë shumë cilësorë.

Ta mbyllim me Vllazninë, pse në këtë situatë pasive kjo skuadër deri në këtë periudhë?
Nuk më bën asnjë përshtypje situata e dhjetë viteve të fundit të Vllaznia. Këto kanë qenë vite problematike për skuadrën, e cila funksionon me bashkinë, ku diskutohen rrogat nga drejtuesit, mendoni se si do luhet futboll prej saj. Ndaj ende nuk është organizuar dhe nuk ka dalë në stërvitje për sezonin e ri.
Sigal