Gol i Vilës, gjunjëzohet Olimpiakosi

445
Sigal

Durrsaku mposht kampionët e Greqisë. Shkëlqejnë Berisha dhe Cana në fitoren e Lacios

Emiljano Vila shënoi një gol të mrekullueshëm në fitoren e bujshme 2-0 të PAS Janinës ndaj kampiones së Greqisë, Olimpiakosit të Pireut, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të kampionatit grek. PAS Janina zhvilloi një ndeshje të madhe, e mbështetur nga disa mijëra tifozë të zjarrtë në “Zosomadhes”. Takimi nisi me gol nga “dhomat e zhveshjes”, pasi mbrojtësi Aleksandër Mihal shënoi pa kaluar 40 sekonda lojë, pas një asisti të dhënë nga serbi Brana Iliç. Pas vetëm 13 minutash do të vinte dhe goli i realizuar nga mesfushori i Kombëtares shqiptare, Emiljano Vila, i cili shfrytëzoi në maksimum pasimin e Tasos Kritikosit pas një kundërsulmi të shpejtë të PAS Janinës. 2-0 për PAS Janinën pas vetëm 14 minutash lojë! Për durrsakun ky ishte goli i tij i tretë sezonal, pas atyre të realizuar me Asteria Tripolis dhe Platanias. PAOK-u i Selanikut fitoi 2-0 me një rival direkt si Atromitosi, me Ergys Kaçen që luajti gjatë gjithë ndeshjes. PAOK-u konfirmoi vendin e dytë, tashmë me gjashtë pikë më shumë se Atromitosi i vendit të tretë. Aris i Selanikut i Kristi Vangjelit barazoi 2-2 me Asteria Tripolis, por skuadra e shqiptarit ka rënë nga Superliga greke. Në Itali, Portieri Etrit Berisha bëri një tjetër performancë të shkëlqyer me Lacion, në fitoren 2-0 kundër Sampdorias, suksesi i dytë rresht pas atij 3-2 kundër Parmës. Trajneri Edi Reja preferoi shqiptarin në vend të Federiko Marketit, ndërkohë që në aksion ishte edhe Lorik Cana, me mesfushorin që luajti nëntëdhjetë minuta të plota. Në fakt, ndeshja Lacio-Sampdoria nisi e qetë me dy skuadrat që përpiqeshin të studionin në maksimum lojën e njëra-tjetrës. Për të parë golin e parë në këtë takim duhej pritur minuta e 42-të kur Kandreva pasi mori një pasim të saktë nga Keita, goditi ulët brenda zone duke mposhtur portierin Da Kosta. Fraksioni i dytë i lojës nisi më mirë për Sampdorian. Në të 53’, Gabiadini tentoi me një goditje standarde nga një distancë prej 30 metrash por Berisha u shfaq në lartësinë e duhur duke devijuar topin në goditje këndi. Në minutën 57-të gjithçka u ndërlikua për Lacion pasi mesfushori argjentinas Lucas Biglia pas një faulli që shkaktoi ndaj Krsticic mori kartonin e dytë të verdhë duke i lënë kryeqytetasit me 10-të vetë. Por pavarësisht kartonit të kuq Lacio kishte më shumë dëshirë për të fituar dhe në të 74’ dyfishoi shifrat me boshnjakun Senad Luliç. Lacio tashmë e sheh vetën në kuotën e 48 pikëve, dy më pak se Interi i vendit të pestë. Në përfundim të takimit, të dy lojtarët tanë morën vlerësime pozitive. Berisha u vlerësua me notën 6, ndërsa Cana, më mirë, 6,5. “Ndalimi i ri i Marketit e bëri që të luante nga minuta e parë. Ka cilësi teknike të mëdha të disa lojtarëve që janë në mesfushë. Mirë midis shtyllave”, ishte vlerësimi për Berishën në faqen “Lalaziosiammobnoit.it”. “Breg me breg: Loriku k vapuar në të gjithë fushën. Shqiptari luajti i përqendruar nga fillimi deri në fund”, ishte vlerësimi për Canën. Në një intervistë të dhënë disa ditë më parë, mesfushori shqiptar i Lacios, Lorik Cana hapi derën për një largim të mundshëm nga skuadra kryeqytetase. Sipas faqes zvicerane, Infoticker.ch, Red Bull Salcburgu ka hedhur grepin për të transferuar në Austri kapitenin e kombëtares shqiptare, i cili kërkon më shumë hapësira. Për Canën, i cili ka luajtur në Francë, Angli dhe Turqi, interesohen edhe ekipe të tjera.

 MIGJEN BASHA

Torino e Migjen Bashës fitoi 2-1 me Katanian në transfertë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare luajti si zëvendësues nga minuta e 89-të, kur rezultati ishte fiksuar. Pas javës së 32-të, Katanian ndodhet në vendin e 10-të me 45 pikë.

VULLNET BASHA

Sioni i Vullnet Bashës fitoi 1-0 me Lozanën, në fushën e kësaj të fundit, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme për mbijetesë n kampionatin maksimal zviceran. Mesfushori, i thirrur dhe nga Kombëtarja jonë, luajti si zëvendësues nga minuta e 61-të.

GJASULA-VAJUSHI

Liteksi Loveç, ku aktivizohen dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Jurgen Gjasula dhe Armando Vajushin humbi 2-1 në transfertën me Botev Plovdiv, në ndeshjen e grupit që lufton për titullin kampion. Vetëm Gjasula u aktivizua, por nga minuta e 76-të.

ÇANI-HYSAJ

Bari i Edgar Çanit fitoi 3-0 me Empolin e Elseid Hysajt, në javën e 33-të të Serisë B në Itali. Sulmuesi Çani luajti si zëvendësues nga minuta e 78-të, ndërkohë që mbrojtësi Hysaj si zakonisht luajti si titullar, duke bërë një paraqitje të mirë.

 Besart Berisha rikthehet në Kombëtare

 I ka munguar Shqipërisë nga tetori i vitit 2009, por tani Besart Berisha ka vendosur të rikthehet pas pesë vitesh në Kombëtaren shqiptare. Sulmuesi prodhimtar i Brisbejn Roarit në kampionatin australian i është përgjigjur pozitivisht ftesës së trajnerit Xhani De Biazi, për të qene pjesë e grupit të lojtarëve që do të përballojnë fushatën eliminatore të Kampionati Europian “Francë 2016”. Shqipëria ndodhet në një grup shumë të vështirë me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë, ku për në finalet e Francës shkojnë dy vendet e para direkt, ndërkohë që vendi i tretë luan në “play-off” pasi europiani do të jetë me 24 skuadra. Kosovari Berisha ka vendosur të luajë sërish me Shqipërinë duke kapërcyer dhe kilometrat që ndajnë Australinë me vendin tonë. Ai ka qenë i preferuari i Oto Bariçit, por u la mënjanë nga Ari Hani. Me Berishën është planifikuar të veprohet sipas precedentit “Salihi”, në periudhë kur ky i fundit aktivizohej në Kinë, pra me shumë gjasa Berisha do të grumbullohet vetëm për ndeshjet zyrtare. Berisha me Shqipërinë ka luajtur deri më 14 Tetor 2009 duke veshur fanellën kuqezi për 17 ndeshje në total, gjatë të cilave ka realizuar dhe një gol në një miqësore ndaj Anglisë B, të luajtur në vitin 2007. Berisha, i cili ka luajtur në Gjermani me Hamburgun, është lojtari i vetëm shqiptar që ka shënuar në Ligën e Kampioneve të Europës si dhe në Ligën e Kampioneve të Azisë.

* * *

 Kombëtarja shqiptare e femrave do të luajë të enjten kundër Holandës për Botërorin e Kanadasë

 Femrat, të veçantat e Shqipëri-Belgjikë

 Shqipëria e femrave humbi 6-0 me Belgjikën të shtunën e kaluar në “Niko Dovana”, për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Por, përtej rezultatit 0-6, ekipi ynë Kombëtar i femrave pati disa të veçanta në përballjen e vet të 16-të ndërkombëtare. Kështu, dy futbollistet Albina Rrahmani dhe kapitenia Aurora Seranaj luajtën ndeshjen e tyre të 16-të për ngjyrat kuqezi, pra kane qenë të pranishme në të gjitha ndeshjet e luajtura deri më tani, por me një ndryshim: ndërsa Seranaj nuk i ka luajtura të gjitha ndeshjet nga minuta e pare deri te e fundit, Rrahmani vazhdon të zgjasë edhe më tej rekordin e saj duke luajtur ne te gjitha takimet e pazëvendësuar asnjëherë, pra ka qenë aty e pranishme në çdo minutë. Në përballjen ndaj Kombëtares belge kanë debutuar Esmeralda Franja e Vllaznisë së saposhpallur kampione për të katërtën herë radhazi si dhe lojtarja e re dhe premtuese Arta Rama e Kinostudios. Ndërkaq, kreu i listës së shënuesve të Kombëtares mbeti i pandryshuar me Suada Jasharin dhe Furtuna Velajn me nga 4 gola secila. Velaj nuk mundi të luajë ndaj Belgjikës, për arsye të një dëmtimi që ka pësuar kohët e fundit në kampionatin norvegjez ku ajo lan. Humbja e fundit ishte njëkohësisht edhe takimi i 16-të nën drejtimin e Altin Rrakllit që mbetet i pari dhe i vetmi kryetrajner i Kombëtares sonë. Nën drejtimin e Rrakllit, Shqipëria ka koleksionuar 8 fitore, 7 humbje, dhe 1 barazim me golaverazhin e përgjithshëm 25-41. Fitorja më e thellë mbetet ajo e arritur ndaj Maqedonisë në Strugë me rezultatin 1-4, ndërsa humbja më e thellë është humbja 7-0 në Sarpsborg ndaj Norvegjisë, nënkampione në fuqi e Europës.

Pas humbjes ndaj Belgjikës, Shqipëria vazhdon të lërë prapa Greqinë e cila ende ndodhet ende në kuotën e 0 pikëve ndërsa është vetëm 3 pike larg Portugalisë së vendit të katërt. Nuk është pak edhe keq për një Kombëtare që është akoma në hapat e veta fillestare, pavarësisht humbjeve të fundit. Takimi i radhës do të zhvillohet me datën 10 prill, ku vajzat tona do të kenë një ndeshje tepër të vështirë ndaj Holandës në fushën e kësaj të fundit.

Florian Hoxha

Europiani i Peshëngritjes, pretendime për medalje

 Shqipëria do të marrë pjesë me katër shtangistë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që ka startuar që nga 5 prilli në  Tel Aviv të Izraelit. Erkand Qerimaj është nisur të shtunën drejt Izraelit, ndërsa në orët e fundit delegacionit shqiptar i janë bashkuar edhe Romela Begaj e Daniel Godelli, të cilët janë përgatitur për një kohë të gjatë në Athinë në kushte shumë të favorshme, të mbështetur nga ish-peshëngritësi shqiptar Luan Shabani. Konkurrimi për ekipin shqiptar nis më 8 prill me Daniel Godellin dhe Erkand Qerimajn në kategorinë 77 kg, si dhe me Romela Begajn në kategorinë 64 kg. Ervis Tabaku i kategorisë 94 kg, i cili gjithashtu është stërvitur jashtë Shqipërisë, do të ngjitet në pedanë i fundit më 11 prill. Ekipi shqiptar shkon me pretendime serioze në këtë europian, me të paktën tre shtangistë: Romala Begaj, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj, të cilët kanë një eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe kanë koleksionuar një numër të madh medaljesh në aktivitetet e mëdha.

Datat e garave

Të martën, 8 prill

Romala Begaj     64 kg

Daniel Godelli    77 kg

Erkand Qerimaj  77 kg

Të premten, 11 prill

Ervis Tabaku      94 kg