Haxhiosmanoviç, malazezi që po “shëron” Vllazninë

465
Sigal

Shkodranët regjistruan fitoren e tretë radhazi me “Dedën” në bankinë dhe janë në vendin e gjashtë

Vllaznia mori tri pikë të tjera të arta pas fitores 2-0 me Lushnjën në “Roza Haxhiu”, suksesi i tretë rresht që pritet të pasohet edhe me një të katërt, pasi në javën e 28-të, kalendari i ofron shkodraneve Bylisin, tashmë të përjashtuar nga kampionati i Kategorisë Superiore. Tri pikë jetësore për kuqeblutë, të cilët nën drejtimin e trajnerit malazez Dervish Haxhiosmanoviç kanë marrë 100 për qind të pikëve, pra: tri ndeshje, tri fitore. Pra, “Deda”, trajneri që i ka dhënë Vllaznisë: kampionatin e fundit (2000-2001), Kupën e fundit (2008) dhe Superkupën e fundit (2008), është njeriu që e njeh më mirë se kushdo tjetër ambientin në “Loro Boriçi”. Ai e gjeti skuadrën të “sëmurë”, edhe pse ish-trajneri i njohur Agim Canaj u përpoq mjaft për ta shpëtuar. Vllaznia, në përfundim të javës së 27-të ndodhet në vendin e gjashtë me 35 pikë, po aq sa Flamurtari, duke pasur nga një pikë më shumë se Besa e Tirana, të dyja në kuotën e 34 pikëve kur kanë mbetur edhe gjashtë javë nga përfundimi i sezonit.

NDESHJA

Lushnja-Vllaznia ishte dhe takimi i fundit i javës së 27-të, nisur edhe nga fakti se Kastrioti-Bylis nuk e luajt, me krutanët që i fituar tri pikët në në tavolinë. Në “Roza Haxhiu” u pa një Lushnjë totalisht e dorëzuar dhe tepër tolerante ndaj agresivitetit të Vllaznisë, me këtë të fundit që e kërkoi me ngulm fitoren, pasi rivalet e saj, Tirana dhe Flamurtari i kishin fituar ndeshjet e tyre respektivisht me Skënderbeun dhe Laçin.

Dy gola të shënuar që në pjesën e parë i mjaftuan formacionit të Dervish Haxhiosmanoviç për të vijuar serinë e rezultateve pozitive, që nuk do të ndalet as javën e ardhshme, ku kuqeblutë do të marrin tri pikë në tavolinë me Bylisin. Myzeqarët e nisin mirë ndeshjen, duke rrezikuar në minutën e 5 me Mihanin, me kavajasin që vë në provë portierin Vujadinoviç, por vetëm dy minuta më pas Vllaznia zhbllokoi sfidën me Bushiç, i cili e dërgoi me kokë topin në rrjetë pas një krosimi pa shumë pretendime të Gocajt. Ky gol i çliron psikologjikisht shkodranët që në minutat në vazhdim janë zot të fushës. Në të 11’ Elvin Beqiri humbet një mundësi të mirë me kokë në shtyllën e dytë, ndërsa në të 14’ Bakiasi i mohon golin Hajdarit, i cili mposhti portierin Spaho, por pa i dhënë forcën e duhur topit. Në minutën e 24 Bushiç për pak shënon golin e dytë, ndërsa në të 35’ vjen edhe rasti më i pastër për Lushnjën, me vendasit që nuk arrijnë të shtyjnë drejt rrjetës një top të mbetur në zonën shkodrane. Në momentin më të mirë të lushnjarëve ndëshkon sërish Vllaznia me të riun Kruja, i cili lëshon një diagonale të pakapshme për Spahon në minutën e 37-të. Në pjesën e dytë mungojnë rastet për ndryshim tjetër rezultati, edhe pse në minutën e 78 pas një gabimi të Xhafës nga e majta e mbrojtjes së Lushnjës, Kruja, i asistuar nga Bushiç godet dobët me portën e boshatisur.

HAXHIOSMANOVIÇ

Në fakt, sipas Haxhiomanoviçit, vendi i gjashtë në renditje nuk duhet ta gënjejë Vllazninë, pasi për qëndrimin në Superiore ende nuk ka ardhur pjesa më e vështirë e fazës së tretë. Sipas trajnerit malazez, Vllaznia duhet të përmirësojë lojën e saj e futbollistëve të saj dhe duhet të mendojë ndeshje pas ndeshjeje derisa ta sigurojë mbijetesën. “Arritëm fitoren e tretë radhazi dhe duhet të vijojmë kështu me këtë ritëm, pavarësisht se javën e ardhshme do të pushojmë. Do ta kemi më të vështirë në takimet në vazhdim, të shohim çfarë do të ndodhë. Ne duhet të kemi në fushë sjelljen e një ekipi më të fortë, pra duhet të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje. Ndonëse kemi marrë tri fitore radhazi, duhet të kemi më shumë autoritet në fushë, sepse na pret një kalendar shumë i fortë”, – tha Haxhiosmanoviç pas ndeshjes.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXVII

Të shtunën, 5 prill

Skënderbeu-Tirana    2-3

Laçi-Flamurtari          0-1

Partizani-Besa           1-0

Kukësi-Teuta             3-0

Nesër, 6 prill

Lushnja-Vllaznia              0-2

Kastrioti-Bylis*         3-0

Bylisi është përjashtuar nga kampionati. Kastrioti e fiton takimin 3-0 në tavolinë

RENDITJA

1 Skënderbeu      54

2 Kukësi             46

3 Partizani    44

3 Laçi           40

5 Teuta         39

6 Vllaznia           35

7 Flamurtari 35

8 Besa          34

9 Tirana       34

10 Kastrioti  29

11 Lushnja          26

12 Bylis       24

Bano: “Lushnja mendon tani për Kategorinë e Parë”

Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, tashmë i vetëdijshëm se sezonin e ardhshëm skuadra e tij do të luajë në Kategorinë e Parë, kujtoi se rënia nga kategoria nisi që në muajin janar, me situatën e pakëndshme të krijuar në kampin myzeqar. “Duhet të nisim të mendojmë që tani për sezonin e ardhshëm. Kjo punë filloi keq që në Janar me fazën përgatitore, periudhë kur futbollistët një këmbë e kishin në Lushnjë e këmbën tjetër në merkato. Filloi keq, ndaj detyrimisht do të mbaronte keq”, – tha Bano pas ndeshjes.

Në fund të prononcimit të tij Bano thumboi edhe gjyqtarët, që sipas tij po e paragjykojnë Lushnjën meqë po bien në Kategorinë e Parë.

Trajneri i bardhebluve: “Nuk na lejohen gabimet, jemi ende në pozita aspak të mira”

Magani: “Tirana ende s’ka shpëtuar”

Tri pikët e çmuara të marra ndaj kampionëve në fuqi dhe favoritit kryesor për titull, Skënderbeut, i kanë dhënë një kënaqësi të madhe trajnerit të Tiranës, Gugash Magani. Por, gjithsesi, bardheblutë janë sërish në zonën e rrezikut të rënies nga Kategoria Superiore, pasi renditen në vendin e 9-të me 34 pikë, po aq sa Besa e vendit të 8-të që ka një golaverazh më të mirë se bardheblutë. “Nuk e kemi arritur akoma mbijetesën. Do të luftojmë deri në ndeshjen e fundit, por në pjesën e dytë nuk më pëlqyen shumë gjëra nga ekipi. Gabuam në minutat e fundit, nëse do të pësonim golin e trete do te ishte e rëndë për ne”, – u shpreh Magani për mediat. Tekniku peqinas foli edhe për akuzat e tifozëve korçarë ndaj ekipit të tyre, Skënderbeut: “Secili ka të drejtë të mendojë atë që do, por nuk më duket e drejtë të akuzosh dikë pa prova. Ne duhet te jemi më të kujdesshëm në çdo ndeshje pasi jemi në pozita aspak të mira. Fitorja na jep shumë shpresë dhe nuk na lejohen gabimet. Kemi rikuperuar pikë në këtë fazë por janë humbur shume në fazën e parë”. Me formulën “vrasëse” të kampionatit, ku bien direkt katër skuadra, lufta për mbijetesë do të prodhonte ndeshje të forta, por dhe akte dhune. Bylisi është përjashtuar nga kampionati, kështu që mbetet për të përcaktuar edhe tre skuadrat e tjera që d ta shoqërojnë drejt Kategorisë së Parë. Kastrioti (24) dhe Lushnja (26) thuajse kanë dalë, edhe pse matematika u lejon të shpresojnë për mbijetesë. E ashpër pritet gara për vendin e fundit që të çon në kategorinë e parë, pasi përveç Tiranës, Flamurtarit dhe Vllaznisë në lojë është edhe Besa, kjo për pasojë të humbjes me Partizanin. Me kalendarin më të favorizuar duken bardheblutë e kryeqytetit, që do të luajnë në shtëpi katër nga gjashtë ndeshjet e mbetura, teksa një prej tre transfertave është ajo e Ballshit e cila do ti shkojë në tavolinë 24 herë kampionëve. Ndaj rivalëve direkt skuadra e Maganit ka vetëm një transfertë, atë të javës së parafundit në Vlorë, teksa Kastriotin, Besën dhe Vllazninë i pret në shtëpi. Pavarësisht se renditja e lejon të jetë e qetë për momentin, Besa rrezikon shumë, pasi përveç faktit që do të ketë tre ndeshje në shtëpi, duhet të bëjë llogaritë me kundërshtarë direkt. Ashtu si Tirana apo edhe Vllaznia e Flamurtari, kavajasit kanë në rrugën e tyre të sigurt fitoren me Bylis dhe transfertat pritet të jenë pika kyçe e sezonit.

NDESHJET E MBETURA DERI NË PËRFUNDIM TË SEZONIT

Java 28/(12 prill)

Flamurtari-Skënderbeu

Besa-Laçi

Teuta-Partizani

Kukësi-Kastrioti

Tirana-Lushnja

Vllaznia-Bylis

Java 29/(19 prill)

Skënderbeu-Besa

Laçi-Teuta

Partizani-Kukësi

Lushnja-Flamurtari

Bylis-Tirana

Kastrioti-Vllaznia

Java 30/(26 prill)

Teuta-Skënderbeu

Kukësi-Laçi

Partizani-Kastrioti

Besa-Lushnja

Flamurtari-Bylis

Tirana-Vllaznia

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Bylis-Besa

Vllaznia-Flamurtari

Kastrioti-Tirana

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari