Gjermania dërgon “gjelat” në shtëpi

70

“Pancerat” mposhtën 1-0 Francën. “Bild”: “Triumfuan me kokën e Humelsit e duart e Nojerit” 

Gjermania mposhti 1-0 Francën në çerekfinale në “Maracana”, duke vendosur dy rekorde njëherësh: hera e katërt rresht që del në gjysmëfinale dhe e 13-ta në historinë e Botërorëve. “Pancerat” e Johakim Lëvit fituan falë një goli të shënuar që në minutën e 13-të të takimit, kur Mats Humels mposhti Varane në një duel ajror dhe kaloi topin mbi duart e portierit Hugo Loris. Toni Kros ekzekutoi një goditje të lirë dhe Mats Humeles shënoi nga rreth tetë metra. Goli i dytë për lojtarin e Borusias së Dortmundit, i cili kishte shënuar më parë edhe në fitoren 4-0 kundër Portugalisë (dhe sërish asistin e dha Kros, nga goditja e këndit). Portieri Manuel Nojer u bë edhe njëherë tjetër shpëtimtari i Gjermanisë, kur të paktën tri raste: në minutat 34’, 76’ e 94’ nuk lejoi prekjen rrjetës. Francezët u përpoqën të reagojnë në pjesën e parë, por ishin të paqartë në fazën finale të aksioneve të tyre, ndërkohë që gjermanët rrezikuan në pak raste për të dyfishuar rezultatin. Në pjesën e dytë të kushtëzuar nga rezultati francezët ishin atë që morën iniciativën, por ashtu si në pjesën e parë, mungonte finalizimi kjo falë edhe organizimit të mirë të gjermanëve në prapavijë. Me kalimin e minutave presioni ndaj francezëve rritej vazhdimisht, teksa e goditën portën në minutat 11’, 13’, 34’, 35’, 42’, 44’, 53’, 62’, 76’dhe 90’+4. “Gjelat” gjithnjë e më shumë avanconin në sulm duke lënë mjaft hapësira në mbrojtje, hapësira këto që nëse do të shfrytëzoheshin si duhej nga Shurrle në të paktën dy raste, humbja për francezët do të ishte akoma më e thellë. “Faleminderit Manuel” shkruan mediat gjermane, ndërkohë që gazeta franceze “L’Equipe” e kishte titulluar dhimbshëm komentin e ndeshjes: “Fundi i historisë”. Tabloidi gjerman “Bild” shkruante në stilin e tij: “Humels kokën, Nojer duart”. Gjermania e kishte eliminuar Francën edhe në vitin 1982 e 1986.

Humels, lojtari i ndeshjes

Mbrojtësi i Gjermanisë, Mats Humels, u votua si “njeriu i ndeshjes”. Ai shënoi golin fitues ndaj Francës

Trajneri i “Djajve të kuq”: “Edhe ne kemi kualitete. Presim një ndeshje torturuese”

Një Belgjikë e tërë kundër… Mesit

Trajneri i Belgjikës, Mark Vilmots, nuk i druhet aspak Argjentinës. “Albiçelestët” shihen si favoritë ndaj belgëve, kjo dhe për faktin se kanë në skuadër lojtarin më të mirë në Botë, Lionel Mesin. Gjithsesi, Vilmots, u kujtoi mediave se dhe ai ka emra të mëdhenj në ekip, të tillë si Eden Hazard e Kevin De Bruyne, që me kualitetin e tyre do të dinë si ti bëjnë ballë Messit me shokë. “Nëse Mesi do të jetë në një ditë të mirë unë e di që ne do të kemi probleme, por pavarësisht kësaj unë kam besim te skuadra ime. Të gjithë thonë se Argjentina ka Mesin megjithatë edhe Belgjika ka në ekip lojtarë shumë cilësorë si Hazard, De Bruyne, por edhe shumë futbollistë të tjerë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment”. Edhe pse zhvilloi një lojë shumë të mirë përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Belgjika vuajti shumë për të siguruar biletën e çerekfinaleve. Megjithatë trajneri i përfaqësues europiane nuk dëshiron t’i kthehet më asaj ndeshjeje duke deklaruar se përballë Argjentinës skuadra e tij do ta ketë akoma më të vështirë dhe frika e tij më e madhe është se edhe ky takim mund të shkojë në kohën shtesë. “Përballë Argjentinës ne na pret një ndeshje torturuese. Nuk e di nëse do të zgjidhet për 90 minuta dhe ky fakt po më shqetëson shumë. Prandaj edhe ditët e fundit kemi zhvilluar seanca stërvitore disi më te lehta dhe shtrydhëse”. Për sfidën mes Belgjikës dhe dy-herë kampionëve të Botës foli edhe mbrojtësi Jan Verthongen. Sipas lojtarit të Totenhemit në Premier League, Belgjika ka në skuadër lojtarë shumë të mirë në repartin e tërhequr dhe ata do të dinë si t’i bëjnë ballë Lionel Messit por edhe Angel Di Marias e Gonzalo Higuainit. Verthongen shtoi se ai dhe shokut e skuadrës kanë besim te trajneri i tyre dhe janë të bindur se Vilmots do ta gjejë mënyrën për t’u treguar atyre se si ta ndalin Leo Mesin. Ndoshta në ndeshjen e madhe kundër Argjentinës do të ketë edhe disa minuta për shqiptarin Andnan Januzaj (vetëm një ndeshje në këtë Botëror).

Kosta Rika kërkon kokën e Holandës

E konsideruar si skuadra surprizë e këtij Botërori të “çmendur”, Kosta Rika kërkon të eliminojë në çerekfinale Holandën, të konsideruar si një nga favoritet për titull. Kapiteni i Kosta Rikës, Bryan Ruiz, si dhe njeriu simbol i kësaj skuadre është gati për sfidën me Holandën. Ruiz aktualisht pjesë e PSV Eindhoven në kampionatin holandez i njeh shumë mirë cilësitë e tulipanëve. ““Ne mposhtëm Uruguain dhe Italinë kështu që pse mos ta bëjmë diçka të tillë edhe me Holandën. Përballë Holandës do të jetë një tjetër finale dhe ne nuk dëshirojmë të ndalemi. Van Gaal ka ndërtuar një skuadër të madhe, megjithatë ne kemi shanset tona përballë Holandës. Fakti që kemi mbërritur deri në këtë fazë të turneut ka bërë që të gjithë të na respektojnë por edhe të na konsiderojnë si një skuadër shumë të vështirë për t’u mposhtur. I njoh futbollistët e Holandës në perfeksion pasi jam përballur në shumë raste me disa prej tyre. Për këtë arsye edhe trajneri ynë Horge Luis Pinto më ka kërkuar informacione mbi ta. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë intensive ku do të dyja skuadrat do të përpiqen të ruhen në maksimum nga njëra-tjetra”. Në këtë sfidë numri 10 i Kosta Rikës do të ketë përballë dy shokët e tij të skuadrës te Psv-ja mesfushorin Georgino Wijnaldum si dhe sulmuesin Mempis Depay.