Sadik Mema: “Promovim për të gjithë notarët”

555
Sigal

Trajneri i Akademisë “Te Stela” flet pas fitores së dyfishtë në Kampionatin Kombëtar të Notit për Fëmijë
Sadik Mema, trajneri i njohur i Akademisë së Notit “Te Stela”, ishte tepër i lumtur që të dyja ekipet, si për meshkuj dhe për femra merituan Kupën e Kampionatit Kombëtar për Fëmijë, përkatësisht me 550 e 525 pikë FINA. Trajneri Mema ndau emocionet e tij përmes gazetës “Telegraf”, duke zbuluar “sekretin” e suksesit të notarëve të akademisë “Te Stela”.

– Zoti Mema, ekipet e Akademisë së Notit “Te Stela”, për meshkuj e femra, u renditën të parat në Kampionatin Kombëtar për Fëmijë deri në 14 vjeç, që u zhvilluar në datat 2-3 korrik në pishinën olimpike 50m të “Akuadrom”-it në kryeqytet, duke merituar edhe kupat përkatëse. Si do ta vlerësonit këtë sukses?
– Është fryti dhe rezultati i një pune të madhe, pavarësisht i një periudhe relativisht jo të gjatë me këta notarë. Është një shpërblim i sakrificave dhe përkushtimit të notarëve. Akademia jonë është shumë e organizuar. Punojmë me gjashtë trajnerë dhe instruktorë, kemi në dispozicion dy pishina, kështu që normalisht puna jonë duhet të jetë të diferencuara në raport me ekipet e tjera. Kampionati është një promovim për të gjithë notarët e rinj.
– Njëzetetetë gara të fituara nga notarët e “Te Stela”. Si do ta vlerësonit këtë arritje?
– Kemi një grup notarësh shumë të rinj, tepër të talentuar, të përkushtuar dhe që stërviten shumë seriozisht. Emrat janë të shumta, por unë dua të përmend Gloria Ndojën, Alesia Dajën, Esli Xhoxhaj, Erin Vasili, Anxhela Xhillari, Telma Harshova, Emra Harshova, Jonus Fuga, Klesti Ndoja, Vasil Lavdaniti, Hubert Çurçia, Xhoi Lavdaniti, Ledi Metalla, Ared Ruçi, Dion Daja, të cilët kanë dalë kampionë në garat e tyre, por dhe shumë të tjerë.
– Si është gjendja e notarëve mbi 14 vjeç, pra të rinjtë e të rriturit. Deri ku shkon “Te Stela”?
– Edhe në garat e kampionatet të rinjve dhe të rriturve që, do të zhvillohet në fillim të muajit shtator, mendoj se “Te Stela” me të reja e të rritura do të dalë në vend të parë, ndërkohë që me meshkuj kemi konkurrencë më të fortë me ekipet rivale. Le t’ia kohës, pasi në fund të korrikut (29-30) do të jetë Kupa e Shqipërisë dhe ajo do ta tregojë më mirë.
– Cili është sekreti i suksesit i punës suaj?
– Ne “Te Stela” punojmë shumë për stilet, sidomos të notarët e vegjël, pra duke filluar nga ata të moshës 9-10 vjeç, të cilët mësojnë të katër mënyrat e notimit në raport me moshën e tyre. Këtë e konsideroj si një përparësi, pasi fëmijët kanë mundësi të shprehin aftësitë e tyre në të gjitha llojet e garave me diferenca shumë të vogla me garën që ata kanë si të thuash personale.
– Si paraqitet noti shqiptar në arenën ndërkombëtare, atë ballkanike, ku ne marrim pjesë vazhdimisht në mitingjet e Maqedonisë, Malit të Zi apo Kroacisë?
– Notarët tanë marrin vazhdimisht pjesë në ballafaqimet ballkanike, si “Mimoza Cup”, Hercegovni. Unë besoj se, ekipet tona përfaqësohen denjësisht. Dhe këtë e them me plot gojën. Niveli ynë, duke përjashtuar ato vende të Ballkanit që kanë cilësi të lartë, në mitingjet që ne përfaqësohemi si në Maqedoni, Mali i Zi, Kroaci, jemi të barabartë. Notarët kthehen me medalje të shumta, çka tregon se niveli ynë është rritur gjithmonë e më shumë. Ekipi im “Te Stela” mori 15 medalje, ndërsa Tirana e Partizani morën më tepër.
– Zoti Mema, ju jeni rritur me notin, keni qenë kampion dhe rekordmen me ekipin e Dinamos në vitet 1971, 1972 dhe 1973, por dhe trajner i Dinamos, Tiranës dhe ekipit Kombëtar. Duke parë rezultatet e arritura në Kampionatin për Fëmijë që sapo u mbyll, a mund të themi se kemi të ardhme në not?
– Unë mendoj se, tani e kemi të qartë se çfarë kërkojmë dhe ku duam të arrijmë. Ata që ngriti Tirana para disa vitesh, “Te Stela” e bëri më të plotë e më të organizuar e tani mund ta konsiderojmë si një institucion më vete. Edhe në Durrës do të kemi një tjetër akademi pasi është një pishinë. Mendoj se, është një punë e nisur shumë mirë. Në fakt, e ajo që më vjen keq është se po punohet më shumë në Tiranë e Durrës, ndërkohë që qytetet e tjera kanë mbetur prapa, sidomos rrethet me traditë siç janë Saranda e Vlora. Gjithsesi, puna që po bëhet në Tiranë është për t’u lavdëruar. Mbi 200 notarë morën pjesë në Kampionatin Kombëtar për Fëmijë, ndërkohë që mungonte Saranda e Vlora me nga dy-tre ekipe që ato kanë.
– A ka ardhur koha që, shteti të shohë për investime thelbësore në not, pra në infrastrukturën e tij?
– Ne trashëgojmë një bazë minimale, në raport me të gjitha vendet e tjera që na rrethojnë. Mendoj se, drejtuesit e Federatës po bëjnë një punë të mirë, por për kryerjen e investimeve në pishina duhet mendojë Bashkia ose Qeveria shqiptare, duhet të mendojë për fëmijët. Pishina e “Akuadrom”-it është ndërtuar nga shteti para më shumë se 25 vjetësh, ndërkohë që ka dy pishina të tjera private në Tiranë: ajo te “Te Stela” dhe te “Nobel”-i. Kjo ka mbetur në pasionin e atyre njerëzve që e duan notin dhe investojnë në të, ndërsa shteti është i fundit që kujtohet.

– Cili është mesazhi për fëmijët i një ish-notari kampion dhe tashmë një trajner që nxjerr kampionë?
– Mesazhi im përmblidhet me pak fjalë: “Ejani notoni, pasi noti është sporti më i bukur për moshat e vogla, është sporti që i korrekton sistemin eshtëror, është sporti i bukurisë fizike, që u jep shëndet të plotë. Ejani notoni të gjithë!” Mua më gëzon një fakt që, tashmë edhe prindërit janë shumë të angazhuar për t’u krijuar fëmijëve të tyre mundësinë për të notuar. Ne te Akademia “Te Stela” kemi mbi 500 fëmijë të regjistruar.

“Pupi” i notit

Sadik Mema, i njohur nga të gjithë me nofkën “Pupi”, gjithë jetën e tij ia ka kushtuar notit. “Jam rritur me notin. Kam notuar qysh nga viti 1968, duke qenë kampion dhe rekordmen në stilin e delfinit me ekipin e Dinamos në vitet 1971, 1972 dhe 1973. Kam qenë anëtar i ekipit Kombëtar. Kam qenë trajneri i Dinamos, Tiranës si dhe trajner i ekipit Kombëtar, sikundër më parë kam qenë edhe sekretari i Federatës së Notit”, – tha ai për “Telegraf”.

Notarët më të mirë

Kategoria A: për femra Diana Basho (Tirana) me 1964 pikë FINA dhe për meshkuj Aleksandër Ngresi (Teuta Suiming) me 1841 pikë FINA. Kategoria B: për femra Ledia Allaraj (Partizani) me 1547 pikë FINA dhe për meshkuj Bianti Danaj (Shoqata Jon) me 303 pikë FINA. Kategoria C: për femra Sonja Kapedani (Tornado) me 1151 pikë FINA si dhe për meshkuj Laert Selimi (Tirana) me 762 pikë FINA.

Rekordet e reja

Rekordet për femra u vendosën nga Sonja Kapedani (Tornado, 3 rekorde); Ledia Allaraj (Partizani, 2 rekorde); Korina Basho (Tirana, 1 rekord) ndërsa për meshkuj nga Bianti Danaj (Jon Vlorë, 2 rekorde); Aleksandër Ngresi (Teuta Suiming, 2 rekorde), Enea Gjoka (Teuta, 1 rekord), si dhe dy rekorde në stafetë për meshkuj nga Teuta Suimming (4x100m stil i lirë dhe 4×200 stil i lirë).

RENDITJET EKIPORE

MESHKUJ
1.Akademia “Te Stela” 525 pikë
2.Tirana 405 pikë
3.Nobis 283 pikë

FEMRA
1.Akademia “Te Stela” 550 pikë
2.Tirana 396 pikë
3.Uilson 126 pikë

Kampionët e Akademisë “Te Stela”

KATEGORIA A

MESHKUJ
50 m shpinë Vasil Lavdaniti (Te Stela) 33”54
100 m shpinë Vasil Lavdaniti (Te Stela) 1’15”20

FEMRA
200 m katërnotim Anxhela Xhillari (Te Stela) 3’28”13
4×100 m stil i lirë Te Stela 5’16”19
4×50 m stil i lirë Te Stela 2’21”56
50 m shpinë Esli Xhoxhaj (Te Stela) 36”78
800 m stil i lirë Anxhela Xhillari (Te Stela) 12’39”76
4×200 m stil i lirë Te Stela 11’27”69
200 m bretkosë Bianti Papinova (Te Stela) 3’02”30

KATEGORIA B

MESHKUJ
200 m katërnotim Xhoi Lavdaniti (Te Stela) 3’03”43
4×100 m stil i lirë Te Stela 6’33”53
4×50 m stil i lirë Te Stela 2’25”80
200 m flutur Jonuz Fuga (Te Stela) 3’37”12
4×100 m e përzier Te Stela 6’21”28
100 m flutur Jonuz Fuga (Te Stela) 1’35”25
50 m bretkosë Xhoi Lavdaniti (Te Stela) 42”47
4×200 m stil i lirë Te Stela 11’51”50
200 m shpinë Ared Ruçi (Te Stela) 3’30”90
200 m bretkosë Xhoi Lavdaniti (Te Stela) 3’25”31
50 m flutur Jonuz Fuga (Te Stela) 38”69
4×50 m e përzier Te Stela 2’53”13

FEMRA
200 m katërnotim Alesia Daja (Te Stela) 3’24”04
4×100 m stil i lirë Te Stela 5’52”19
4×50 m stil i lirë Te Stela 2’34”97
100 m bretkosë Gloria Ndoja (Te Stela) 1’37”20
4×100 m e përzier Te Stela 6’39”65
4×200 m stil i lirë Te Stela 12’55”12
100 m shpinë Gloria Ndoja (Te Stela) 1’31”94
4×50 m e përzier Te Stela 3’00”50

KATEGORIA C

MESHKUJ
200 m katërnotim Hubert Çurçia (Te Stela) 3’37”00
4×50 m stil i lirë Te Stela 2’48”53
100 m bretkosë Klesti Ndoja (Te Stela) 1’48”22
4×100 e përzier Te Stela 7’21”50
100 m flutur Hubert Çurçia (Te Stela) 1’51”63
50 m bretkosë Klesti Ndoja (Te Stela) 48”58
4×200 m stil i lirë Te Stela 14’43”20
200 m shpinë Dion Daja (Te Stela) 3’57”19
200 m bretkosë Klesti Ndoja (Te Stela) 3’50”53

FEMRA
200 m katërnotim Telma Harshova (Te Stela) 4’10”53
4×100 m stil i lirë Te Stela 7’40”94
100 m flutur Emra Harshova (Te Stela) 1’58”10
4×100 m e përzier Te Stela 8’21”17
4×50 m e përzier Te Stela 3’41”40