Gianni De Biasi: Nëse fitojmë me Italinë, do të jem shumë i lumtur

566
Nga Agron KAJA

KOMBËTARJA/ Trajneri i Shqipërisë ka treguar të pathënat e pragndeshjes me Italinë, shpalli listën zyrtare, synimet e, njëherësh, prezantoi zëvendësin e tij, Marko Veroneze
Nga dita e djeshme, ndoshta do të na duhet ta shpërngulim fokusin tonë te Kombëtarja, e cila në këtë pranverë do të rikthehet në ndeshjet eliminatore të “Botërori Rusi 2018”. Më në fund, edhe De Biazi e shpalli listën e skuadrës sonë, e cila do të luajë më 24 mars 2017 ndeshjen eliminatore të “Botërori 2018” me Italinë në Palermo, dhe katër ditë më vonë në “Elbasan Arena” miqësoren me Bosnje Herzegovinën. Në “elegjinë” e tij të zakonshme para çdo ndeshjeje, De Biazi foli për gjithçka që u pyet, apo edhe ai mendoi të deklaronte, por shpesh edhe u gjend në vështirësi apo i kaloi me sportivitet përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën e shtypit. Njëherësh, ai shpalli edhe listën e lojtarëve që ka menduar t’i ketë në dispozicion për të dyja ndeshjet në fjalë, duke deklaruar se të gjithë i ka ndjekur në skuadrat ku ata luajnë aktualisht në Evropë. “Kam parë shumë futbollistë gjatë periudhës pas ndeshjes me Izraelin, në çfarë gjendje fizike e psikologjike ata ndodhen. Ka shumë prej tyre që stërviten me seriozitet, por nuk angazhohen në formacion, pasi trajnerët nuk u japin shumë hapësirë në lojë. Gjithsesi, skuadra do të tentojë dhe do të përpiqet të bëjë një ndeshje perfekt”, kështu deklaroi mes të tjerave trajneri Xhani De Biazi, në konferencën për shtyp, por edhe në bisedën enkas për gazetën “Telegraf”.
Mos është ky një moment i papërshtatshëm për Kombëtaren tonë që do të ndeshet në fundjavë me Kombëtaren e Italisë?
Natyrisht që do të kemi përballë një skuadër të madhe dhe nuk është e thjeshtë që ta vendosësh skuadrën përballë kundërshtarëve të tillë. Por përtej pengesave e situatës aktuale, ne do të bëjmë maksimumin dhe skuadra do të tentojë dhe do të përpiqet të bëjë një ndeshje perfekt.

Cilat janë problemet që ju keni evidentuar tek lojtarët e grumbulluar dhe çfarë do të synoni përpos gjendjes së tyre?
Unë gjatë kësaj periudhe jam takuar apo kam biseduar me të gjithë lojtarët që sot (dje) i paraqita në këtë listë. Deri më tani, problem fizike nuk ka asnjeri, duke veçuar vetëm Hysajn që ka mbingarkesë në këmbë, për shkak edhe të aktivizimit të ngjeshur të tij te Napoli.

Nisur deklarata e Presidentit Duka për post-Evropianin, nga vëzhgimi që ju u keni bërë këtyre futbollistëve, sa ka ndikuar tek ata euforia e Evropianit?
Ajo çka ka deklaruar Presidenti Duka, për mua përkthehet si situatë normale, pas dy disfatave që kemi pësuar me Spanjën dhe Izraelin. Besoj se do ta shmangim këtë situatë, e cila më shumë ka të bëjë me anën psikologjike të përballimit të eventeve të mëdha. 

Nëse Duka ju thërret të nënshkruani kontratë të re, cilat janë kushtet tuaja?
Unë jam profesionist dhe nuk flas për hipoteza. Mua nuk më ka pyetur njeri për kontratën dhe e shoh që keni informacion të pasaktë, pasi ju duket që i referoheni vetëm mediave, ndërkohë që asnjeri prej tyre nuk më ka pyetur për ato që kanë shkruar. Jo çdo gjë e tyre është e vërtetë. 

Por Presidenti i FSHF-së ka thënë se nuk do t’u “lëshojë”, cila është e vërteta sipas jush?
E vërteta është se De Biazi është këtu, në bankinën e Kombëtares së Shqipërisë. Unë jam tërhequr nga ofertat që më kanë bërë skuadra shumë të rëndësishme dhe do të thosha që, nisur nga gjendja aktuale e skuadrës dhe nga pozicioni që kemi në renditjen e Grupit G, ne do të synojmë vendin e dytë, duke menduar se vendi i parë është objektiv shumë i vështirë.

Është ky momenti më kritik i Kombëtares sonë gjatë kësaj periudhe që ju jeni trajner i saj?
Ky nuk mendoj se është moment më kritik i kësaj periudhe që ju përmendni, por ajo që nuk mungon aktualisht në skuadër është së pari përkushtimi që kanë të gjithë futbollistët, njëherësh edhe përgjegjësia e tyre për të ndryshuar këtë situatë. Personalisht e ndjej shumë mirë veten kur shoh se ky moment pas Evropianit duhet që të kalohet, duke ditur edhe faktin se situata të tilla i kanë kaluar skuadra edhe më të mëdha se sa Shqipëria. 

Ju mendoni për ndryshim situate që në ndeshjen me Italinë, ndërkohë që në formacion ju mungojnë tre futbollistë bazë, sa do të ndikojë kjo te performance e skuadrës?
Portieri Berisha e mbrojtësi Gjimshiti, tashmë dihet që janë të skualifikuar me kartonë, ndërkohë që Mavraj është i dëmtuar. Nuk mendoj se duhet të ketë ndikim negative te skuadra, sepse të gjithë i dinë arsyet e mungesave të tyre, por ne do ta shohim gjendjen e të gjithë futbollistëve, do stërvitemi çdo ditë për tu përmirësuar sa më shumë dhe që sot (dje) do të konstatoj gjendjen e grupit në zbatim të planit tonë.

Ka pasur kontakte me mbrojtësin Mavrajn nga mjekët tanë për gjendjen e tij?
Nuk kemi pasur kontakte të tilla, por me mjekun tonë kemi dalë në konkluzionin se Mavraj e ka të pamundur që të luajë. Ai ka shprehur dëshirën se është i gatshëm të luajë edhe duke çaluar, por kjo nuk është as të të mirën e tij, as edhe të skuadrës.

Ndërkohë që ju keni thirrur lojtarë nga Kampionati shqiptar, janë për emergjencë?
Nuk e kam humbur përqendrimin tim për kampionatin shqiptar, i cili në vitet e fundit e ka rritur ndjeshëm nivelin e tij. Të gjithë këta futbollistë që unë kam sjellë në këtë listë për këtë dy ndeshje, i kam ndjekur me vëmendje, duke nxjerrë konkluzionin se i shërbejnë skuadrës, për aq sa mund tu jepet mundësia të aktivizohen në këto ndeshje. 

Me gjithë këto mungesa, nuk e mendoni inferioritetin me Italinë?
Unë mendoj se ne nuk kemi ndryshim të madh, nëse skuadra jonë do të japë 110% të mundësive të saj në fushën e lojës. E përmenda më sipër se, do të ndeshemi me një skuadër të madhe dhe nuk është e thjeshtë që ta vendosësh ekipin përballë kundërshtarëve të tillë. Por përtej mungesave, pengesave e situatës aktuale, ne do të bëjmë maksimumin dhe skuadra do të tentojë dhe do të përpiqet të bëjë një ndeshje perfekt.

Me Italinë do ta vendosni skuadrën sikundër me Spanjën e Izraelin, apo do të ndryshoni në taktikë e formacion?
Varet nga këndvështrimi që kemi për Italinë. Ndërsa Spanja na goditi në dy moment nga dy gabime tonat në fushën e lojës, me Italinë do të kemi strategji tjetër.

Duke qenë se ju luani ndaj Italisë, kombit të origjinës suaj, e njëherësh keni pasaportë shqiptare, e mendoni fitoren ndaj italianëve?
Jam shumë krenar që jam pjesë e këtij kombi dhe do të jem shumë i lumtur nëse fitojmë me Italinë, edhe pse jam italian. Kam ardhur këtu për të punuar seriozisht, duke e bërë këtë punë me zemër dhe ne kemi arritur të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Jam ndjerë shqiptar në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale.

Po himnin Italian, do ta këndoni para ndeshjes?
Nuk ka asnjë problem nëse e këndoj apo jo himnin Italian dhe atë shqiptar, për mua në atë ndeshje problem është vendosja e skuadrës në fushën e lojës. Himnet do të këndohen dhe të dy janë psikologji motivuese për mua në bankinë, që ta drejtoj skuadrën për të bërë më të mirën.

Do të keni dilema për për portierin Strakosha, i cili te Lacio po tregon një formë shumë të mirë dhe Igli Tare ka deklaruar se ai është gati për portën e Kombëtares?
Gjatë përgatitjeve, ne do ta shohim gjendjen e të tre portierëve, gjendjen e tyre fizike e parametrat që do të ketë në stërvitje. Para ndeshjes me Italinë, pikërisht në Palermo ku do të luhet ky takim, unë do të dal në një konferencë shtypi, ku njëherësh do të zbardh edhe formacionin titullar për ndeshjen me Italinë. Vetëm atëherë mund të flas për cilindo lojtar.

Në drejtimin tuaj Kombëtarja shqiptare ka arritur edhe rezultate surprizë, si me Portugalinë e Francën, e mendoni të ndodhë kështu edhe ndaj Italisë më 24 mars?
Ishalla ndodh (përgjigjet në shqip). Ne do të përgatitemi që të bëjmë më të mirën për t’i bërë rezistencën më të madhe Italisë. Surprizat janë të bukura, sidomos, nëse ndodhin në të tilla situata dhe me skuadra të mëdha si Italia.

Do të jetë kjo përfaqësuesja më e mirë e taktikave të De Biazit në fushën e lojës?
Besoj dhe shpresoj shumë të ndodhë kështu, kjo do të varet shumë nga forma e lojtarëve në fushë. Sa më pak gabime të bëjnë ata, aq më pranë synimit tonë do të jemi. Historia e kundërshtarit duhet të na detyrojë që të nxjerrim një ndeshje perfekt, dhe aty të gjejmë edhe një rezultat sa më të mirë.

Homologu juaj Italian, Ventura, e ka quajtur të sigurt fitoren e Italisë ndaj Shqipërisë, mendoni se e ka gabim këtë deklaratë?
Nuk besoj shumë te media e shtypi se, një trajner i një skuadre të madhe të japë një deklaratë të tillë. Besoj se kjo është një batutë që për mua nuk ekziston, pasi Xhanpiero Ventura është një profesionist që nuk bën të tilla gabime.

Po në këndvështrimin tuaj, duke qenë të dy trajnerë italianë, do të jetë një sfidë Ventura-De Biazi?
Unë nuk e mendoj kështu, sepse kjo është një sfidë që do të luhet mes Italisë e Shqipërisë, ku të dyja skuadrat do të futen në fushë si dy makina, ku secila do të kërkojë ta fitojë këtë ndeshje. Italia ka të tjerë futbollistë në dispozicion, e Shqipëria ka lojtarët e saj, të cilët ndryshojnë mes tyre. Trajnerët bëjnë përshtatjen e vlerave që ata kanë në fushë, dhe kjo më shumë do të varet nga vetë lojtarët, sepse diferencat nuk janë shumë të mëdha. Por, do të jetë një sfidë shumë e vështirë.
1
Nuk ka asnjë problem, nëse e këndoj apo jo himnin Italian dhe atë shqiptar, për mua në atë ndeshje problem është vendosja e skuadrës në fushën e lojës. Himnet do të këndohen dhe të dy janë psikologji motivuese për mua në bankinë, që ta drejtoj skuadrën për të bërë më të mirën
2
Ishalla ndodh që të marrim një rezultat pozitiv, unë i kam qejf surprizat në futboll. Ne do të përgatitemi që të bëjmë më të mirën për t’i bërë rezistencën më të madhe Italisë. Surprizat janë të bukura, sidomos, nëse ndodhin në të tilla situata dhe me skuadra të mëdha si Italia
Ndihmësi Marko Veronese: Jam këtu për të punuar për kombin shqiptar
Dje, në konferencën për shtyp, trajneri i Kombëtares sonë Xhani De Biazi, ka bërë edhe prezantimin e zëvendësit të tij, i cili tashmë e ka marrë miratimin edhe nga Presidenti i FSHF-së. Marko Veronese ka folur për pranimin e ofertës në këtë pozicion, njëherësh ai ka treguar se për futbollin shqiptar, në veçanti ka pasur interesim gjatë zhvillimit të ndeshjeve në Evropianin e Francës. “Ndjehem i nderuar dhe i vlerësuar që më besuan të jem ndihmës i De Biazit te Kombëtarja shqiptare. Kam folur me Misterin (De Biazin) për situatën në skuadër dhe ai më ka treguar se mes nesh është një mundësi shumë e mirë për të punuar edhe si trajnerë. Për futbollin shqiptar kam pasur mundësinë më shumë mundësi që të njihem gjatë ndeshjeve të Evropianit në Francë. Aty kisha të gjitha mundësitë për ti njohur ata futbollistë që u aktivizuan në të tria ndeshjet që Kombëtarja shqiptare luajti”, deklaroi fillimisht ndihmësi i De Biazit, i cili më pas theksoi se, edhe pse nuk e njeh mirë gjuhën shqipe, kjo nuk do të ketë ndikim kryesisht në ndeshjen me Italinë. “E vërtetë është se, kjo situatë duket si e vështirë për mua që jam Italian, por këtu jam për të punuar për kombin shqiptar. Trajneri De Biazi më ka treguar se ai ndjehet krenar këtu në Shqipëri gjatë kësaj periudhe që drejton Kombëtaren, edhe si shqiptar, dhe kjo situatë mua më bën të lumtur nëse do ta mundnim Italinë”, ka deklaruar dje ndihmësi i Xhani De Biazit. 
Listë e “rinovuar”, ndaj Italisë e Bosnjës, katër nga Superiorja
Në konferencën e shtypit dje, trajneri Xhani De Biazi ka publikuar edhe listën zyrtare të futbollistëve që do të ketë në dispozicion për ndeshjen me Italinë, dhe katër ditë më vonë në miqësoren me Bosnjën. Në 23 futbollistët e thirrur, natyrisht që veçohen katër nga Kategoria Superiore shqiptare, ndërsa tre të tjerë grumbullohen për herë të parë. Për arsye pezullimi nga kartonët, do të mungojnë portieri Berisha e mbrojtësi Gjimshiti, ndërsa për arësye dëmtimi do të mungojë mbrojtësi Mavraj. Jashtë kësaj liste, De Biazi ka lënë dy sulmuesit e Pizës, Çani dhe Manaj, ndërsa vazhdon t’i mbajë larg edhe mesfushorët Kaçe dhe Gashi.

LISTA E PLOTË
Portierë: 
Emri e mbiemri Ku luan Dt/lindja
Alban Hoxha Partizani 23.11.1987
Orges Shehi Skënderbeu 25.09.1977
Thomas Strakosha Lacio, Itali 19.05.1995
Mbrojtësa: 
Ansi Agolli Karabak, Azer 11.10.1982
Arlind Ajeti Torino, Itali 25.09.1993
Albi Alla Kukësi 01.02.1993
Naser Aliji K’slauter, Gje 27.12.1993
Elseid Hysaj Napoli, Itali 02.02.1994
Frederik Veseli Empoli, Itali 20.11.1992
Mesfushorë:
Burim Kukeli Zyrih, Zvicër 16.01.1984
Amir Abrashi Freiburg, Gjer 27.03.1990
Migjen Basha Bari, Itali 05.01.1987
Andi Lila Janina, Greqi 12.02.1986
Ledian Memushaj Peskara, Itali 07.12.1986
Taulant Xhaka Bazel, Zvicër 28.03.1991
Eros Grezda Loko. Zagreb 15.04.1995
Jahmir Hyka San Hoze, USA08.03.1988
Odise Roshi Terek, Rusi 22.05.1991
Liridon Latifi Skënderbeu 06.02.1994
Sulmuesa:
Bekim Balaj Terek, Rusi 11.01.1991
Sokol Cikalleshi Akhisar, Turqi 27.07.1990
Azdren Llullaku Astana, Kaza 15.02.1988 
Armando Sadiku Lugano, Zvicër 27.05.1991
Formacioni mundshëm
1-4-5-1

Strakosha (Hoxha)

Hysaj Ajeti Aliji Agolli

Kukeli
Abrashi Memushaj
Roshi Xhaka 

Sadiku
Erdhën dje në Durrës
“Trembet” Ventura: Në Palermo, mbipopullim me shqiptarë
Në konferencën e djeshme për shtypin, trajneri i Italisë Xhanpiero Ventura, ka folur për ndeshjen me Shqipërinë më 24 mars, e cila për të është e një rëndësie të veçantë në optikën e kualifikimit të mëtejshëm. “Ne nuk e kemi frikë Shqipërinë, por ndërgjegjësim për rëndësinë e ndeshjes, është ajo që do të na mundësojë të luajmë në Spanjë me diçka konkrete në duar. Rezultati i të premtes do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, deklaroi trajneri i Kombëtares së Italisë në konferencën e tij për shtyp, duke vazhduar se, ai nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e fushës së Palermos për këtë ndeshje, me idenë për ti mbajtur larg tifozët shqiptarë. “Unë nuk kam ndikuar asnjëherë mbi zgjedhjen e fushave ku mund të luajmë. Kam qenë i pranishëm në Xhenova për miqësoren kundër Shqipërisë, dhe më bëri shumë përshtypje prania masive e shqiptarëve. Isha edhe në Marsejë për Evropianin dhe tre të katërtat e stadiumit ishin shqiptarë. E marr të mirëqenë se ata do të mbushin edhe tribunat e Palermos, por edhe kjo është e bukur, pasi do të jetë një ndeshje historike për ta. Por Palermo nuk ka zhgënjyer asnjëherë nga pikëpamja e publikut, i cili ka qenë gjithmonë pranë Kombëtares, gjithmonë i ngrohtë me të, ndaj uroj që të jetë kështu edhe këtë radhë”, ka deklaruar trajneri i Kombëtares së Italisë, Xhanpiero Ventura, dje në startin e javës anti-Shqipëri.
Arbitër në Itali-Shqipëri, slloveni “pro” racizmit anti-shqiptar
Dje, në faqen zyrtare të FIFA-s është shpallur zyrtarisht edhe grupi i arbitrave që do të gjykojnë ndeshjen Itali-Shqipëri. Ky takim do të gjykohen nga një treshe sllovene me kryesor Sllavko Vinçiç dhe asistentë Tomaz Klançnik dhe Andraz Kovaçiç. Por, në aktivitetin e 37-vjeçarit Vinçiç si arbitër kryesor, përfshihet edhe një ndeshje tjetër e Shqipërisë, miqësorja e 15 nëntorit 2011 mes Maqedonisë e Shqipërisë, e cila u luajt në Prilep. Tashmë dihen ato thirrje raciste të tifozëve maqedonas kundër shqiptarëve, të bëra kryesisht nga tifogrupi “Majmunët”. Edhe pse veprimet raciste janë të ndaluara në futboll, arbitri slloven nuk mori asnjë masë për t’i ndaluar ato, ndërsa ai takim miqësor përfundoi me rezultatin 0-0.
Sigal