Gentjan Begeja: Me Flamurtarin barazimi ishte i kënaqshëm, jemi të denjë për Kategorinë Superiore

108
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Teutës, pas barazimit në javën e 21-të me vlonjatët, deklaron se skuadra ka karakter e personalitet
Pas barazimit 0-0 me Flamurtarin, trajneri i Teutës, Gentjan Begeja nuk foli për arsye shëndetësore, ndërsa dje për gazetën “Telegraf”, ai tregoi për situatën në skuadrën durrsake, njëherësh edhe për mundësitë e mbijetesës në Kategorinë Superiore. “Fokusi ynë do të jetë te fusha e lojës, te ndeshja e radhës. Gara do të jetë e fortë dhe e ashpër deri në fund, por me karakterin e personalitetin që skuadra tregoi në ndeshjen me Flamurtarin, ne besojmë se do t’ia dalim”, kështu deklaroi mes të tjerave në intervistën e tij Gentjan Begeja.
Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga barazimi 0-0 me Flamurtarin në Durrës, ju e keni nxjerrë konkluzionin se çfarë i mungoi Teutës në atë sfidë?
Ndoshta këto janë mundësitë në përballje me skuadra të tilla si Flamurtari. Në mendimin tim, mangësi është se skuadrës i mungon njeriu “Gol”, pra një lojtar “pykë”. Gjithsesi, rëndësi ka që nuk pësuam gol, sepse golat pres të vijnë shpejt.

Cili ishte synimi juaj para fillimit të ndeshjes me Flamurtarin?
Në çdo ndeshje skuadra hyn për të dhënë maksimumin, pra për tri pikët. Kështu ishte synimi edhe para ndeshjes me Flamurtarin, sepse e kishim vlerësuar si një sfidë të rëndësishme për ne. Futbollistët e shpërblyen në lojën e tyre, dhe motivimi gjatë javës dha efekte pozitive.

Nga synimi për fitore, arritët barazimin, është ky rezultati juaj më i mirë në atë ndeshje?
Unë ja u përmenda më sipër motivimin që ne i kishim bërë skuadrës për këtë përballje, sepse është parësor në psikologjinë e lojës në çdo ekip. Nuk arritëm fitoren dhe morëm barazimin, them se nuk është keq. Mbi të gjitha, skuadra tregoi rritje në nivelin e lojës së saj.

Ju e quani shtysë për vazhdimësinë këtë barazim me vlonjatët?
Patjetër që ky barazim i shërben moralit të Teutës, sepse ishte rezultat i kënaqshëm. Por, nëse do të kishim marrë pikë edhe me Luftëtarin e Vllazninë, sot situata për Teutën do të ishte më ndryshe se kjo aktualja. Por, ne nuk mbetemi peng i renditjes, sepse kemi moralin e besimin se do të ngjitemi në renditje në këto 15 ndeshje të mbetura në Kampionat.

Ku do të fokusohet Teuta në vazhdimësinë e saj deri në mbyllje të këtij sezoni?
Fokusi ynë do të jetë te fusha e lojës, te ndeshja e radhës. Gara do të jetë e fortë dhe e ashpër deri në fund, por me karakterin e personalitetin që skuadra tregoi në ndeshjen me Flamurtarin, ne besojmë se do t’ia dalim.

Të mërkurën (nesër) luani në transfertë me Kamzën, po në këtë përballje cili do të jetë synimi i Teutës?
Natyrisht që tri pikët. Ne nuk kemi arritur rezultatet që prisnim, por skuadra ka rritje në lojën e saj, dhe kjo na bën optimist për çdo ndeshje që do të luajmë. Në përfundim të këtij Kampionati, unë e mendoj Teutën të mbijetuar në Kategorinë Superiore, sepse është e denjë.
Fokusi ynë do të jetë te fusha e lojës, te ndeshja e radhës. Gara do të jetë e fortë dhe e ashpër deri në fund, por me karakterin e personalitetin që skuadra tregoi në ndeshjen me Flamurtarin, ne besojmë se do t’ia dalim
Moti dhe futbolli, java e 22-të e Superiores në dyshim
Duke qenë se në vendin tonë po mban një mot i ftohtë dhe me reshje bore, nga FSHF-ja mund që të shtyhet zhvillimi i ndeshjeve të javës së 22-të, të planifikuara të luhen të mërkurën dhe të enjten. FSHF-ja është në monitorim të situatës, dhe në rast se do të ketë reshje të dendura shiu apo bore, ndeshjet që do të shihen si problematike, mund të luhen në një datë tjetër që do të vendoset nga FSHF-ja. Si më e rrezikuar duket supersfida e kësaj jave, Kukësi-Skënderbeu, pasi në Kukës ka reshje dëbore dhe temperaturat janë të ulëta. Sinoptikanët kanë parashikuar ulje të temperaturave dhe stuhi gjatë ditës së mërkurë, pikërisht kur në kalendar është planifikuar të luhet kjo ndeshje, ndaj shtyrja mbetet shumë pranë.
Ndeshjet-Java e 22-të
E mërkurë, 28 shkurt 2018 
Kukësi-Skënderbeu 14:00
Kamza-Teuta 14:00
Laçi-Vllaznia 14:00
Partizani-Lushnja 17:00
E enjte, 1 mars 2018 
Flamurtari-Luftëtari 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 21 49
2. Flamurtari 21 36
3. Kukësi 21 35
4. Kamza 21 32
5. Laçi 21 30
6. Luftëtari 21 28
7. Partizani 21 28
8. Vllaznia 21 22
9. Teuta 21 18
10. Lushnja 21 10