Futbolli, loja që i tha “fund” Luftës së I-rë Botërore

66

Dje, gjithë ditën u shpallen foto në kujtim të 25 dhjetorit të vitit 1914, vit i egër sidomos për Europën që gjendej në kulmin e një prej marrëzive më të mëdha të njerëzimit, Luftës së I-rë Botërore. Ishte “urrejtja” e manipuluar politike, sigurisht e drejtuar nga të fortët dhe e injektuar tek të “butët”, në këtë rast ushtarët. E duke mos dalë shumë nga konteksti i sportit, kujtohet edhe sot e kësaj dite kur një grup ushtarësh anglezë dhe gjermanë, duke lënë mënjanë “urrejtjen” e supozuar që duhej të ndienin për njëri-tjetrin, zhveshën armët dhe i thanë po sportit dhe jo luftës. Ishte kjo lojë kaq e bukur që i bashkoi këto dy kampe armike me njëra-tjetrën për të “luftuar” me një formacion ushtarak 4-3-2-1, ku sulmi nuk përbëhej nga armët dhe ndeshja nuk fitohej me vrasjen e ushtarëve por me shënimin e golave në një portë që kishte vijë fatale, por që nuk vdisje po ta kaloje. Mbetet një datë historike për njerëzimin, për mirëqenien dhe ndryshimin që mund të bëjë sporti në çdo fushë të jetës, duke nxjerrë krye edhe mbi politikat çmendurake. Çdo gjë nisi thjeshtë, disa ushtarë gjermanë u afruan tek kampi anglez, e në nevojën për pak paqe gjetën çdo gjë në lojën e futbollit, në një ditë të veçantë, Krishtlindjen, duke luajtur me njëri-tjetrin, në një armëpushim që duhej të kishte zgjatur më shumë sesa thjeshtë një ditë e ca orë. Kjo është frymë e vërtetë e sportit, që nëse përdoret ashtu siç duhet, shërben vetëm për të afruar të gjithë njerëzit, pa ndarje në mes tyre, pa dallime, ku qëllimi është vetëm të arrihet loja e bukur, qëllimi i vërtetë i fillesave të çdo sporti, e ndër këta edhe futbolli. Në kuadër të kujtimit të këtij “shekulli”, në Premier Ligen angleze u vendos që të recitohej një poemë në lidhje me këtë ngjarje të 100 viteve më përpara, e nga ku morën pjesë futbollistë si Kompani, Szczesny (Shezni), Shneiderlin, Geri Nevil etj që recituan vetëm për të nderuar, jo vetëm ata ushtarë që lanë mënjanë “detyrën” kombëtare, por për të nderuar çdo sportist në çdo vend të botës që me përpjekjet, arritjet, triumfet, bëhen ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre dhe të njerëzimit mbarë, se një sportist i madh nuk është më vetëm i shtetit nga ku lindi dhe u rrit, ai është një qytetar i botës, të asaj bote pa komplekse, pa kufij dhe pa luftë, të një bote ku sporti thotë fjalën e bashkimit dhe jo të përçarjes.

Andi Lila drejt Këlnit, i bashkohet Mërgim Mavrajt

Që ky ishte një vit shumë i mirë për futbollin shqiptar, nuk ka asnjë dyshim, por akoma pa u mbyllur mirë viti futbolli shqiptar vazhdon që të pësojë rritje, të paktën nga ana e lojtarëve. Në këtë rast është futbollisti Andi Lila që po shihet çdo ditë e më shumë drejt skuadrës së Këlnin në Bundesligën gjermane. 28 vjeçari kavajas në fakt po bën shumë mirë edhe në kampionatin grek, ku aktivizohet me PAS Janinën, e nisur nga kjo ka kapur syrin edhe të klubit gjerman që dëshirojnë të përforcojnë skuadrën me të tjerë individë, e në rast se çdo gjë konkretizohet, Lila do ta gjejë veten në prani edhe të mbrojtësit shqiptar Mërgim Mavraj që aktivizohet po për këtë skuadër, madje është një nga më të rëndësishmit aty.

 Vëllezërit Keta dhuruan dje për Bulqizën fitimet e ndeshjes së boksit

 Fundi ishte i lumtur për planet e vëllezërve Keta, Ismail dhe Mike (Gjetan), që paratë e fituara nga biletat në ndeshjen e boksit për titullin e Euro-Azisë dhe Paqësorit ndaj rusit Marat Kasev ti kalonin bashkisë së qytetit Bulqizë. Kujtojmë që kjo ndeshje u zhvillua në Bulqizë, vendi i origjinës së dy vëllezërve, me qëllimin e promovimit të këtij qyteti dhe dhënien e një ndihmese për komunitetin nëpërmjet sportit. Që në fillim këta të dy kishin bërë të ditur se të gjitha lekët që do të grumbulloheshin nga shitja e biletave do të dorëzoheshin të gjitha për bamirësi, e dje çdo gjë ka kaluar në ekzekutimin e planit ku kanë dorëzuar çdo gjë në llogarinë e Bashkisë. Shuma në fjalë është  4.465.500 lekë, të gjitha të vendosura në dispozicion të qytetit të tyre të lindjes. Ismail Keta u shpreh në rrjetet sociale mbi këtë duke thënë: “Përshëndetje miq! Ishte kënaqësi që me mundësitë tona profesionale promovuam qytetin e Bulqizës në të gjithë botën. Do t’i kërkoj ministrit të Financave, z Shkëlqim Cani, që edhe lekët shpërblim, që i takojnë Gjetanit për titullin kampion, t’i bashkëngjiten shumës së mësipërme, për të kontribuar më shumë në realizimin e projekteve sportive”.

Lorik Cana mund të largohet nga Lacio

 Asgjë nuk është e vazhdueshme dhe e qëndrueshme në botën e futbollit, dhe duket se këtë e mendon edhe Agim Cana, babai dhe njëkohësisht agjenti i Lorik Cnaës. Sipas A. Canës, Loriku është shumë i kënaqur tek Lacio, pasi po aktivizohet rregullisht me skuadren, duke u bërë kështu një pikë kyçe tek ky ekip. Por ekziston gjithmonë mundësia që Cana të jetë në kërkim të përvojave të reja, sigurisht që jashtë Italisë. Kujtojmë që deri më tani kapiteni ynë, ka luajtur në kampionatin francez, anglez, turk dhe së fundmi italian. Sipas babait të tij, një mundësi tjetër do të ishte kampionati gjerman, e tani për tani Cana po mban kontakte me disa agjentë por që nuk ka asgjë zyrtare, janë vetëm bisedime që nuk e kalojnë fazën e zyrtares. Sipas tij, është bërë një pakt me presidentin Lotito dhe Igli Taren që nëse vjen një mundësi e mirë nga Gjermania ta lejojnë që të largohet.

 Godelli: Në Shqipëri të mbështesin vetëm kur fiton

“Në Shqipëri kur je mirë dhe shpallesh kampion të gjithë të duan dhe respektojnë, ndërsa kur ndodhesh në moment të vështirë, askush nuk kujtohet, por të harrojnë. Edhe pse procesi është ende në vazhdim dhe nuk mund të bëhet asnjë koment, këtu të shpallin fajtor”. Në këtë arsyetim ka arritur peshëngritësi Godelli që së fundmi rezultoi pozitiv në testin antidoping, ku u pa prania e substancës së ndaluar në gjakun e tij. Sipas Godellit, i është dhënë mbështetje minimale nga të gjithë në Shqipëri pas daljes së rezultatit të analizave të testit A. Pas Romela Begajt do të jenë Godelli dhe Pulaku që do të përballen me testin B dhe përkatësisht Pulaku do të jetë i pari që do të testohet, pikërisht me 13 janar, ndërkohë që Godelli do të jetë dy ditë më pas, me 15 janar. Godelli tha se edhe nëse del pozitiv në testin B do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje deri në Gjykatën e Arbitrazhit, e ashtu si edhe Begaj, edhe ky është gati që të shkojë deri në testin e ADN-së për të vërtetuar pafajësinë e tij. Në fakt, peshëngritësi është shprehur se pret që edhe vetë testi B të dalë negativ, pasi është i bindur se nuk ka përdorur asnjë substancë të ndaluar para, gjatë dhe pas garimit.

FSF: Në ndeshjen me Shqipërinë fajin e pati policia

Situatë hidh e prit! Duket se vazhdon akoma të bëjë jehonë në Serbi ndeshja me Shqipërinë, ku akoma nuk munden të shqiten nga përjetimet e asaj nate, a thua se ishin ata në pozicionet e futbollistëve të Shqipërisë. Dje, vetë Federata Serbe e Futbollit bëri një deklaratë aspak miqësore në terrenin sportiv dhe politik serb, duke e hedhur të gjithë fajin e keq menaxhimit të ndeshjes tek policia, që sipas tyre mban peshën kryesore të fajit për shumë nga çfarë ndodhi atë natë. Sipas komisionerit të sigurisë së Federatës, vetë policia ndihmoi huliganin Bogdanov që të futej në fushë, duke mos marrë as veprimin më të vogël që ta ndalonte jo vetëm në hyrjen në fushë, por në hyrjen në stadium. Gjithmonë sipas tij, është e çuditshme se si pamjet e kamerave të sigurisë që ishin të instaluara në pjesën ku qëndroi Bogdanov, janë fshirë, duke mos pasur mundësinë që të gjendeshin edhe personat e tjerë që ishin të përfshirë, pasi Bogdanov u pa qartë që ishte në stadium. Ky reagim në fakt është shumë i vonuar nga Federata, që në fillim të ngjarjeve nuk ngurruan që të bënin fajtorë një grup prej jo më shumë se 40 personash, e shumica prej tyre ishin futbollistë dhe anëtarë të skuadrës. Kujtojmë që në bazë të këtyre zhvillimeve, ku ndeshja u ndërpre në minutën e 41, Shqipëria u dënua me humbjen në tavolinë duke ia atribuuar atë Serbisë e ndërkohë që kjo e fundit u dënua me -3 pikë, e në mënyrë të përbashkët të dyja morën nga 100 mijë euro gjobë.