Flamurtari i vitit 1987 që tronditi Evropën

727
Sigal

Nga Moisi Dalipi

Vijon nga numri i kaluar

Për Fadil Vokrrin që ka marrë leje tek trajneri i tij ka shtrëngim duarsh, por dhe një takim 15 minutësh me disa disa të afërmit e tij me orgjinë nga Kosova dhe, me banim në fshatrat e Kavajas. Intervista, mendime dhe vlerësime nga gazetarët që gjuajtën futbollistët vlonjate. Futbollistët vlonjatë priten dhe përshëndeten kudo në qytet si heronj. Të gjithë duan t’i shohin e përshëndesin. Në atë mbrëmje dhe dritat e qytetit prodhonin entuziazëm për këtë fitore të bukur , të merituar dhe plotë shkëlqim. Por është vetëm hapi parë drejt kualifikimit. Në 30 shtator në Beograd do luhej drama e dytë , edhe më spektakolare, që brenda saj ka kalimin në turin e dytë të Kupës UEFA për Flamurtarin e madh që atë vit të 1987-s do të trondiste Evropën. Edhe pse ditët kalonin pas fitores 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Partizanit te Beogradit jehona e saj ishte e pranishme ne çdo bisedë për sportin. Dhe ndodhte kështu jo vetëm në Vlorë, por në mbarë opinionin sportiv të vendit. Shumë parashikime, shumë hipoteza e dëshira për ndeshjen e kthimit në Beograd, më 30 shtator të 1987. Për më tepër akoma që klima politike midis dy vendeve fqinje nuk ishte e mirë. Gjithsesi, stafi drejtues i Flamurtarit dhe vetë skuadra e kishte shumë të qartë, se ndeshja e kthimit do ishte shumë herë më e vështirë. Në kampionat Flamurtari fiton bindshëm në Vlorë në javën e pestë përballë Partizanit me rezultatin 3-0. Stafi drejtues i skuadrës besonte tek morali dhe gjendja psikologjike e skuadrës. Një dietë më parë se skuadra të nisej për në Beograd, në Tirane pranë skuadrës kishin qenë për “vizite” një grup i intelektualëve vlonjatë me punë e banim në Tiranë me në krye regjisorin Albert Minga, gazetarin Gëzim Nushi dhe trajnerin Agron Sulaj.  Mengjesin e së hënës të 28 shtatorit 1987 ekuipazhi vlonjat do niset nga Tirana drejt Shkodres. Bashkë me skuadrën do udhëtonin dhe gazetari sportiv Baku Gjoni dhe komentatori RTSH –së Vladimir Grillo. Në të gjithë  opinionin sportiv të vendit tonë, por më shumë në Vlorë ishte përhapur lajmi se “Ndeshja e kthimit Partizani i Beogradit – Flamurtari do transmetohej ditën e mërkurë,  më 30 shtator  1987, ora 17.00 nga ekrani i RTSh-së. Në Vlorë të gjithë ata që nuk kishin televizor në shtëpitë e tyre u “abonuan” tek miqtë e tyre që e kishin këtë mundësi. Itinerari i udhëtimit të skuadrës drejt Beogradit ishte Tirane – Hani Hotit – Podgoricë (Titograd) me autobus. Dhe nga Podgorica (Titograd)- Beograd me linjë ajrore. Në pikën kufitare të Hanit të Hotit u konstatua se shoferët e autobusit  nuk kishin me vete pasaportat personale. Ne këto kushte zgjidhja u bë e shpejtë , skuadra udhëtoi drejt aeroportit të Podgoricës (Titogradit) me disa taksi. Në taksinë që udhëtonte Vasil Ruci me disa shokë të tjerë, shoferi malazez iu tregoi vlonjateve: “Unë me këtë taksi, në vitin 1985, kam udhëtuar me dy pasagjerë shqiptarë që ishin peshëngritësit Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, të cilët ktheheshin nga një aktivitet në Poloni dhe këtu në Titograd (Podgoricë) kërkuan strehim politik për t’u arratisur nga Shqipëria” -kujton Mjeshtri Vasil Ruci. Rreth mesditës të asaj dite ekipi akomodohet ne Beograd ne hotelin “Jugosllavja” fare pranë brigjeve të lumit Sava. Stadiumi “Narodna – Armija” ku do të zhvillohej dhe ndeshja ndodhej vetëm 15 kilometra larg rezidencës vlonjate qe ruhej nga forca të shumta policie. Moti ishte i kthjellët, por pak i ftohtë, edhe pse ishin ditët e fundit të muajit shtator. Në ora 17.00 të asaj dite që përkonte dhe me orarin e zhvillimit ndeshjes skuadra e Flamurtarit zhvillon rreth dy orë stërvitje në stadiumin e Partizanit të Beogradit “Narodna- Armija” ose (Armata Popullore” me një kapacitet prej 50 mijë shikuesish. Kur skuadra u kthye ne hotel një grup studentesh kosovarë që studionin në Beograd kërkuan të takonin futbollistët vlonjate, por policia nuk i lejoi. “Jemi vllazën bashkë! Do jemi ne stadium, me ju mbështet fort ju!” – ishin fjalët e tyre në drejtim të futbollistëve vlonjate, të cilët iu përgjigjën vetëm duke i përshëndetur me dorë. Për skuadrën, regjim i fortë sportiv dhe asnjë prononcim për shtypin vendas. Ndërkohë skuadra e Partizanit te Beogradit përgatiste ndeshjen diku në kompleksin e saj sportiv dhe ishte i grumbulluar prej disa ditëve në hotelin “Putnik” në pjesën e Beogradit te Ri. Trajneri Jusuf në një konferencë për shtyp ishte shprehur: “Kualifikimi është më se i mundshëm. Ne kemi një skuadër të re dhe të mirë me Vokrrin, Smajiç, Katannec dhe Xhurovskin… Nga na tjetër trajneri Çuri me ndihmësin e tij Elmazin me qetësinë që i karakterizonte përgatitnin me kujdes ndeshjen. Edhe të nesërmen, pra ditën e martë skuadra del në një seancë stërvitje ku konstatohej  gjendje e mirë morale. Shpesh herë nga dhomat e futbollistëve në hotel dilnin fjalët e këngës “Kur del në fushë kuqezi“, e cila këndohej shpesh nga Alfred Ziaj me shokët e tij. E mërkura,dita e ndeshjes, si dita e fundit  e muajit shtator të atij viti të 1987, ka sjellë me vete një mot pak të ftohtë. Në ora 16.00 Flamurtari i drejtohet stadiumit “Narodna – Armija” dhe, porsa futbollistet marrin kontaktin e parë me fushën e lojës, me mijëra vërshëllima të tifozëve ultras janë drejtuar ndaj tyre. E njëjta “mikpritje” dhe gjatë procesit të nxehjes, por dhe më të forta bëheshin ato gjatë ndeshjes kur futbollistët e Flamurtarit ishin ne kontakt me topin. Skuadrat dolën në fushën e lojës me këto formacione:

E mërkurë, më 30 shtator 1987, ora 17.00 në stadiumin “Narodna –Armija” të Beogradit .

PARTIZANI i BEOGRADIT: Omeroviç, Klincarski, Xhorxheviç, Vermezoviç, Katanec, Radanoviç, Smajiç, Stefanoviç (Shçepoviç 80`), Vokrri, Xhurovski (M.Bajoviç 26`), Vuçiçeviç. Trajner: F. Jusufi.

FLAMURTARI i VLORËS: Arapi, P. Ruci (Memushi 75`), Çipi. Taho, Iljadhi, Ferko, Ziaji, Gjondeda, V, Ruci (Ziu 51`), Kushta, Bubeqi. Trajner: L. Çuri.

Shënues: Stefanoviç, 44` (11-metërsh), Vokrri 60` /Kushta 76`.

Gjyqtarë: A. Libih, A. Suhanek, P. Verner (Poloni)

Shikues: 40.000. Korrnet:8:3.

Loja ka filluar e shpejt për vendasit që i drejtohen më shpesh portës së Flamurtarit. Trajneri Jusuf ka vendosur skuadrën me skemën 3-4-3, ku në sulm Zhurovski nga e djathta, Vuçiçeviç nga majta dhe Vokrri në majën e sulmit janë kërcënues. Mbrojtësit vlonjate P. Ruci, Taho, Çipi dhe Iljadhi të ndihmuar dhe nga mesfusha janë  përballuar me një volum  të madh loje sulmuese. Në minutën 15 `Katanec me gjuajtje qendrore ka goditur traun e portës së Arapit. Mbrojtësi Iljadhi me lojën e fortë e racionale nxjerr jashtë loje sulmuesin Zhurovski, që e detyron trajnerin Jusuf ta zëvendësojë që në minutën e 26` të pjesës së parë. Portieri Arapi amortizon disa gjuajtje të rrezikshme të sulmuesve vendas. Flamurtari me Kushtën si sulmues të deklaruar mbrohet fort, ku dhe Bubeqi e V. Ruci luajnë të tërhequr në mesfushë. Me pasime të shumta dhe qarkullim të dendur të topit vlonjatët kërkojnë ta mbajnë kundërshtarin larg portës së tyre. Kur pjesa e parë i afrohej minutës së 44` një vertikalizim i sulmit vendas ka bërë që topi të hidhet brenda zonës për Vokrrin që në pozicion pas shpinës së mbrojtjes vlonjate ka simuluar dukshëm, duke fituar penallti për skuadrën e tij. Kapiteni Çipi ka protestuar tek gjyqtari polak Libih për simulim dhe pozicion jashtë loje të Vokrrit, por topi është vendosur tek pika e bardhë e penalltisë që kthehet në gol nga Stefanoviç. Këshillat që merr skuadra në pushim të ndeshjes kishin të bënin me mobilizimin e madh, deri në sakrificë për të mos rrezikuar kualifikimin. Pjesa e dytë ka nisur me sulme të Partizanit që i mbështetur nga tifozët e tij kërkon përsëri gol. Dhe në minutën e 60` ka qenë Vokrri që ka shënuar golin e dytë me kokë pas atij krosi që ka ardhur nga Radanoviç nga goditja e këndit. Partizani i Beogradit 2-0 Flamurtari! Ka dhe 30` minuta lojë. Kush do të kualifikohej? Trajneri Çuri ka bërë dy zëvendësime duke freskuar mesfushën. Ziu në vend të V. Rucit dhe Memushi në vend të P. Rucit, duke vendosur Ziajin mbrojtës të djathtë dhe Memushi-Ziu-Ferko-Gjondeda  në mesfushë që luan më ndryshe duke nisur në sulm Bubeqin dhe Kushtën. Dhe nuk zgjat shumë , por në minutën e 76` pasi është thyer një sulm i vendaseve Ziu e ka nisur topin në krahun e majtë për Kushtën që mban në fanelle numerin 6. Pas një kontrolli të mirë të topit, Kushta bën një levizje diagonale drejt zonës, shmang qendërmbrojtësin Vermezoviç, në pozicion të priret pak me portën lëshon një gjuajtje të kalibruar duke e dërguar topin në këndin e majtë të portës të Omeroviçit. Dhe gooool! Plot gjashtë herë e ka përmendur me shumë emocione fjalen ‘gol’ komentatori Vladimir Grillo. Në Vlorë dhe kudo ne Shqipëri një tërmet  entuziazmi ka pushtuar gjithçka. Flamurtari drejt një suksesi historik! Kualifikim  për turin e dytë të Kupës UEFA. është shumë pranë një realiteti! Sukses i madh i futbollit vlonjat! Kushta dhe Flamurtari heronjtë e kësaj mbrëmjeje! Minutat e fundit të ndeshjes konfirmojnë vetëm suksesin e Flamurtarit. Heshtje në shkallët e stadiumit. Gëzim i ligjshëm tek skuadra vlonjate. Festë në Vlorë.

“Flamurtar  ynë i dashur

ty t’u shtoftë nami/

për suksesin tënd sot/

gëzohet sot Karaburuni dhe Sazani

– vargëzonte atë mbrëmje të magjishme një rapsod popullor. Skuadra kur po largohej nga ambientet e stadiumit është përballur përsëri  me etusiazmin e studentëve kosovarë që kërkonin të përqafonin të gjithë futbollistët vlonjate. Rruga deri në hotel është bërë shpejt dhe me një ndjenje gëzimi që pak kush e përshkuan. Ajo mbrëmje kaloi shpejt, se kishte brenda gëzimin, triumfin dhe moralin e një suksesi të madh. Të nesërmen në mesdite skuadra me linjë ajrore Beograd –Titograd (Podgoricë) do kthehej drejt Shqipërisë. Është bërë një pushim i shkurtër në kryeqendrën malazeze, në pritje të autobusit për të udhëtuar drejt Vlorës. Ky moment është shfrytëzuar nga e gjithë skuadra për bërë pazar në një market pranë aeroportit. Me kursimet e bëra të gjithë kanë blere diçka të veçante për familjet e tyre pas atij suksesi të arritur. Por kur skuadra ka mbërritur në pikën tonë kufitare të Hanit të Hotit, doganierët dhe kontrolluesit e kanë përshëndetur skuadrën për suksesin dhe me një kontroll rutinë të bagazheve po bëheshin gati t’iu uronin futbollistëve udhëtim të mbarë. Por jo. Një urdhër i dytë bëri që të kryhej rikontroll përsëri i bagazheve, ku pesë televizorë 12-polsh, katër magnetofona, gjashtë orë dore  janë sekuestruar dhe nuk u janë lejuar futbollisteve. Doganierët dhe kontrolluesit si të zënë në gabim me vetveten janë shprehur: “Është urdhër, nuk është faji ynë…”. Paradoks i kohës dhe i regjimit në fuqi! Ky moment i keq  dhe sot kur kujtohet tregohet si një barsoletë me doza humori, të prodhuar nga sistemi kaluar. Gjithsesi Flamurtari në Shkodër, Vlorë dhe kudo që udhëtoi është pritur si fitues, si hero dhe shumë madhështor. E ka merituar gjithçka të bukur, të mirë dhe të lavdërueshme, sepse ka bërë krenar një popull të tërë. Dhe për këtë sukses tepër të madh, si shpërblim për futbollistët kanë qenë veprat e Enver Hoxhës dhe nga tre metra stof për kostum, por nuk kanë munguar “dhuratat” dhe masat disiplinore për futbollist të veçantë për “thyerjen e rregullave doganore”. Vërtet këto veprime ishin paradoks i atyre viteve që kemi jetuar…

Vijon në numrin ardhshëm ku do të lexoni :

-Flamurtari më fitoren e ndeshjen e kthimit në Vlorë 2-0 ndaj Vismut-Aue kalon në turin e tretë të Kupës UEFA

-Në turin e tretë përsëri përballë Barcelonës. Humbja 4-1 në “Kamp-Nou” dhe fitorja e Flamurtarit 1-0 në Vlorë mbyllën “aventurën” e bukur evropiane të Flamurtarit të vitit 1987.