Ervin Bulku: “Ia dimë pikat e dobëta Sllovenisë”

33

Mesfushori golin e vetëm të tij me Kuqezinjtë, ia ka shënuar sllovenëve në një miqësore

Ervin Bulku është një prej lojtarëve, të cilin trajneri Xhani De Biazi ndihet i lumtur që e ka në ekipin Kombëtar. Mesfushori i fuqishëm i Sepahanit është dhe futbollisti më i “moshuar” i Kombëtares, 32 vjeç (vetëm tre muaj më i madh se Admir Teli). Bulku,një “digë” e vërtetë në mesfushën shkatërruese, ishte kapiteni i Shqipërisë në barazimin 1-1 me Norvegjinë, pasi ai zyrtar, Lorik Cana, mungoi për shkak të pezullimit. Me një përvojë të madhe ndërkombëtare, numëron 47 ndeshje dhe një gol, pikërisht kundër Sllovenisë, në një miqësore të humbur 2-1 në “Qemal Stafa”, më 9 shkurt 2011. Gjashtë herë kampioni i Shqipërisë me Tiranën ka luajtur në Ukrianë, Kroaci, Azerbajxhan dhe tani në Iran. Ervini konsiderohet si “mushkëria” e kuqezinjve, kjo për shkak të volumit të lojës që ai krijon, por dhe grintës që ai shfaq. Lojtari i Sepahanit, vlerëson në maksimum përballjen e parë në Slloveni, duke kërkuar që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë. 32-vjeçari e pranon se mungesa e Mavrajt në mbrojtje është një minus për ekipin, por shprehu bindjen se trajneri i ka alternativat e duhura për ta zëvendësuar.

 – Bulku, Kombëtarja do të luajë të premten kundër Sllovenisë, një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj. A jemi gati për hapin e madh?

– Është e vërtetë që gjithnjë Shqipëria kur ka dashur të bëjë kapërcimin e këtij hapi ka gabuar, ose më thjesht ka pasur dhe raste kur nuk kemi patur fat, kemi pasur probleme të mungesave të lojtarëve të rëndësishëm që kanë qenë të pezulluar me kartonë, kemi pasur lojtarë të dëmtuar.

– Trajneri ka thirrur një listë të gjatë lojtarësh…

– Besoj se, këtë herë trajneri ka mundësi të zgjedhë më të mirët, sepse ka shumë alternativa, ndaj do të jetë ndryshe dhe i kemi mundësitë për të bërë diçka të mirë. Te ekipi jonë nuk ka shumë diferenca për sa i përket lojtarëve, vërtet nuk kemi Mesin, por forca jonë është te grupi dhe aty do të bazohemi.

– De Biazi tha gjatë konferencës për shtyp se, i njeh pikat e dobëta të Sllovenisë. A jua ka treguar?

– Kjo është një çështje që i përket trajnerit për të parë pikat e dobëta dhe të forta të Sllovenisë. Ne do të marrim detyrat tona nga trajneri dhe nuk kemi pse të druhemi apo të mendojmë neve si lojtarë të shohim se ku janë pikat e dobëta apo të forta të kundërshtarit, por do të shohim e do të mundohemi të bëjmë atë lojë që kemi bërë në ndeshjet e kaluara.

– Sa ndihet optimizmi përpara sfidës me Slloveninë?

– Ambienti i skuadrës është shumë i mirë, çka ju e shihni edhe vetë. Ka optimizëm, por e rëndësishme është që ne të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe mos të na kapë euforia, pasi për momentin jemi në një pikë shumë delikate. Për ne tani fillojnë ndeshjet. Nëse nuk do të bëjmë mirë siç kemi bërë në këto ndeshje që kemi luajtur, do të thotë që nuk kemi bërë asgjë.

Çfarë pritshmërish keni për këtë ndeshje?

E thashë dhe më përpara, ne do të shkojmë për rezultat pozitiv. Sesa do t’ia arrijmë qëllimit apo sa do të mundemi të jemi konkretë në fushë, sa do të arrijmë ta realizojmë këtë objektiv, më mirë le t’ia lëmë fushës atje, pasi se çfarë themi këtu është e kotë. Duhet të japim më të mirën të gjithë bashkë në fushë.

 1 gol

ka shënuar Bulku në 47 ndeshje me Përfaqësuesen, pikërisht kundër Sllovenisë, në një miqësore të humbur 2-1 në “Qemal Stafa”, më 9 shkurt 2011.

Mesfushori i Torinos: “Sa herë kam luajtur, Shqipëria nuk ka humbur asnjëherë”

 Migjen Basha: “Rezultat pozitiv edhe në Slloveni”

 Ka vetëm katër ndeshje që luan me Kombëtare, por Migjen Basha mund të konsiderohet si një titullar i padiskutueshëm në skemat e trajnerit Xhani De Biazi. Mesfushori i Torinos – 1 gol kundër Lituanisë në miqësoren e fituar 4-1 në “Qemal Stafa” –  premton rezultat pozitiv kundër Sllovenisë në transfertën e Lubjanës. Ai nuk ishte pjesë e Kombëtares në fitoren 1-0 kundër Sllovenisë, por luajti në fitoren 1-0 kundër Norvegjisë. Basha shprehu kënaqësinë që një tjetër lojtar shqiptar, portieri Etrit Berisha, zbret në kampionatin italian.

 – Migjen, na ndajnë vetëm tri ditë nga ndeshja me Slloveninë. I kemi pasur të pakta fitoret në transfertë. Çfarë parashikoni?

– Nuk mund të them për sa i përket kohëve më parë, se çfarë arsyesh ka pasur Shqipëria të fitojë ndeshjet jashtë fushe. Por, për aq kohë sa unë kam qenë pjesë e kombëtares, ne kemi fituar. Tani nuk mund të them për herën tjetër a do të kemi rezultat pozitiv apo jo, por them që kemi bërë shumë përmirësime në ndeshjet e fundit. Unë jam shumë optimist, sepse edhe në ndeshjet e fundit, sidomos në ato miqësore, kemi treguar se mund të arrijmë rezultate pozitive dhe ne këtë do të mundohemi të bëjmë në Slloveni.

– Afrimi i trajnerit Sreçko Katanec te Sllovenia ka ndryshuar shumë gjëra te kundërshtari i radhës. Sllovenia e fitoi ndeshjen e fundit në Islandë…

– Me të vërtetë ne nuk na intereson shumë skuadra e Sllovenisë, ne duhet të mendojmë për veten tonë, që të mos bëjmë gabime. Duhet të jemi kompakt përgjatë 90 minutave dhe të mos bëjmë gabime siç bëmë në Norvegji, duke humbur topin në mesfushë dhe të rrezikohemi nga kundërsulmet e tyre. Për Slloveninë kemi respekt të madh, është ekip i mirë, ka lojtarë të mirë, por ne duhet të mendojmë për të zhvilluar lojën tonë.

– Mendoni se kjo ndeshje është e ngjashme me atë që keni zhvilluar në Norvegji, të cilën e fituam?

– Mendimi im është që Sllovenia është një ekip më teknik se Norvegjia. Kemi parë që Norvegjia e bazoi ndeshjen që luajti me ne te topat e gjatë, ndërsa besoj se këtë herë do të jetë ndryshe. Sllovenia ka lojtarë shumë më teknikë, ne besoj se do të shohim videot e tyre së bashku me trajnerin dhe do të vendoset se si do të luajmë atje.

– Në miqësoren me Armeninë pamë një skuadër shumë të zhdërvjellët në mesfushë dhe në sulm. A do të jetë e njëjta skuadër edhe në Slloveni?

– Kemi fituar besim në veten tonë nga lojërat që kemi zhvilluar, por edhe prej rezultateve që kemi marrë. Nga rezultatet pozitive fiton shumë besim në vetvete, kështu që edhe në lojë ke më shumë guxim dhe kjo sjell efikasitet. Ndaj duhet të luajmë kështu edhe në Slloveni, të lirshëm.

Dy seanca stërvitore

 Kombëtarja shqiptare është duke u përgatitur intensivisht, për ndeshjet eliminatore të Botërorit 2014 ndaj Sllovenisë dhe Islandës. Dje u zhvilluan dy seanca stërvitore, të bazuara kryesisht në anën taktike dhe minindeshjeve. Takimi i parë ndaj Sllovenisë në datën 6 Shtator është jetik për fatet e grupit E ku kombëtarja shqiptare mban vendin e dytë me 10 pikë, ndërsa Sllovenia renditet e parafundit me 6 pikë. 4 ditë më vonë, kuqezinjtë do të përballen me një tjetër test delikat në transfertën e Islandës pasi nordikët mbajnë vendin e tretë me 1 pikë më pak se Shqipëria.

 

Trajneri i Sllovenisë flet për mediat: “Shqiptarët janë të fortë dhe shumë agresivë”

  Sreçko Katanec: “Nuk na Falet barazimi me Shqipërinë”

  Trajneri i Sllovenisë, Sreçko Katanec, paralajmëroi lojtarët e tij se, i pret një ndeshje shumë e vështirë kundër Shqipërisë, me të cilën humbën 1-0 në Tiranë. Sllovenia vjen pas fitores 4-2 në transfertë me Islandën, por kundër Kuqezinjve, Kataneci pret një ballafaqim jo të lehtë, madje ai dukë këkuar që të ulë disi tensionin në kampin e tij ka thënë se, në takimin me Shqipërinë kërkon lojë të mirë dhe jo fitore me çdo kusht. “Do të ishte bukur sikur t’i fitonim dy ndeshjet që kemi, por nuk do t’u kërkoj një gjë të tillë lojtarëve. Mua më intereson loja, por jam i bindur se nëse skuadra arrin të prodhojë lojë, atëherë edhe rezultatet mund të vijnë logjikshëm”, është shprehur dje trajneri i Sllovenisë. Në intervistën e tij të gjatë, Katanec tha se e njeh mjaft mirë Shqipërinë: “Ne e dimë shumë mirë se si luajnë shqiptarët. Janë të fortë dhe pasojnë saktë, ndërkohë që janë edhe jashtëzakonisht agresivë. Pres një ndeshje shumë të fortë të premten dhe do të kërkoj një mesfushë më agresive”. Ashtu si Shqipëria, edhe Sllovenia ka problemet e saj me formacionin, për shkak kartonësh ose dëmtimesh. Megjithatë, Katanec nuk qahet në këtë pikë: “Askush nuk e ka të çimentuar vendin në formacion. Do të luajnë lojtarë të tjerë, të cilët janë gati. Lojtarët e kombëtares duhet të jenë të gatshëm të luajnë nga një deri në 90 minuta. Ajo që ka rëndësi është skuadra, edhe golat i shënon skuadra, jo individët”, tha Katanec, i cili e ka marrë skuadrën sllovene, pas humbjes së kësaj të fundit Tiranë. Atëherë në stolin e Sllovenisë ishte Stojanoviç.