Të vrarët në Shqipëri, me bilancin e një lufte civile

592
Sigal

Policia e Shtetit, e shpartalluar përballë krimit të organizuar, ndërsa Burgaj përcjell Kuliçin për studime pasuniversitare në SHBA

Çdo qytet i Shqipërisë, tashmë është kthyer në skemat e krimit të Palermos, derisa përditë kryhen  ekzekutime mafioze  në mes të qytetit.

Dy biznesmenë, janë ekzekutuar ditën e djeshme në Durrës dhe Bulqizë pa u mbyllur ende 24 orë. Një ekzekutim me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në zonën e plazhit në Durrës, ku  biznesmeni   i ndërtimit Plaurent Cani ka mbetur i vrarë. Vrasja e dytë u shënua mesditën e djeshme në qendër të qyteti të Bulqizës ku u ekzekutua me armë zjarri 40-vjeçari Qerim Marku.

Bilanc i një  lufte civile

 22 të vrarë vetëm gjatë muajve korrik-gusht 2013. Statistikat tregojnë se, një herë në tri ditë, ose çdo 72 orë humb jetën një shqiptar nga plumbat e ekzekutimit. Pavarësisht motiveve të vrasjeve, ajo që është karakteristikë, shumë prej këtyre atentateve dhe ekzekutimeve mafioze, nuk është bërë e mundur zbardhja dhe gjetja e autorëve të krimit nga ana e policisë së shtetit, e cila, nga ana tjetër, prezanton si sukses të punës së saj zbardhjet e vrasjeve ordinere, për shkak të gjakmarrjes, apo jo me motive kriminale. Vetëm në buletinet e lajmeve në vendet që ndodhen ne luftë civile, apo në vendet si në Irak e Afganistan, mund të ndeshësh shifra kaq të larta të vrasjeve, sikurse ndodh këto muajt e fundit në Shqipëri.

Policia e Shtetit  u bën sehir ekzekutimeve mafioze

Para disa ditësh, në Vlorë një atentat mafioz tronditi sërish  qytetarët, teksa panë në mes të ditës, një makinë të hidhet në erë me bombë me telekomandim, ku për fat, drejtuesi i automjetit shpëtoi nga vdekja. Në shumicën e vrasjeve, Policia e Shtetit nuk arrin të gjejë dot autorët. Askush nga drejtuesit e policisë nuk është vënë përpara përgjegjësisë të shpërdorimit dhe abuzimit të detyrës, derisa nuk është thjesht paaftësi profesionale, që nuk arrijnë të gjejnë autorët e krimit. Një nga arsyet kryesore që nuk zbardhen ngjarjet kriminale është se policë bashkëpunojnë me elementët kriminalë.

Është ironi e ngjarjeve dhe e faktit, që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në vend që të shqetësohet për përmasat e frikshme që ka marrë krimi i organizuar, i cili kryen ekzekutime mafioze në qendër të qyteteve dhe në mes të ditës, po kryen veprime cirku administrativ, duke bërë disa kontrolle në komisariate dhe dënon policë, që ndoshta nuk kanë vënë…kapelën, në orën e kontrollit.

Qyteti i Bulqizës, është sa një shesh qendror i një qyteti të madh. Dhe ekzekutorët mafiozë, qarkullojnë me makinë, kanë kurajon që të ekzekutojnë në mes të ditës, por policia e shtetit e Hysni Burgës e ka shumë të vështirë që të kapë kriminelët, që lëvizin me “Benz” të kuq në qytetin e Bulqizës? Kriminelët e dinë që policia është e paaftë që të reagojë, ose policët janë pjesë e krimit, ndaj veprojnë lirshëm, në çdo orë të ditës, edhe në qendër të qytetit.

Premtimi i Ramës: Tahiri si ministër do të luftojë mafien brenda 300 ditëve

Kryeministri i ri Edi Rama ka premtuar se brenda 300 ditëve do të luftojë krimin e organizuar dhe do të çmontojë inkriminimin e policisë në botën e krimit. Madje, ka premtuar që drejtuesit e policisë së shtetit do t’i vërë para përgjegjësisë penale, pasi i ka akuzuar drejtpërdrejt si njerëz të inkriminuar me botën e krimit. Mirëpo, nëndrejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Kuliçi, ende pa u ndërruar qeveria, ikën nga detyra për …studime pasuniversitare në SHBA. Ndoshta edhe mosveprimi dhe mosreagimi i Policisë së Shtetit, tani, në ndërkohën e ndërrimit të pushteteve, ka të bëjë me frikën që ndjejnë se do të hiqen nga detyra, ndaj nuk duan të rrezikojnë dhe kështu, policia e shtetit, edhe për motive politike, është e shpartalluar dhe nuk kundërvepron ndaj krimit. Me të tilla mentalitete, pa profesionalizëm, a do të mundet policia e shtetit, e drejtuar nga një maxhorancë e re, me drejtues që ishin deri tani “ish” që të vendosë rendin, të kthejë te qytetarët sigurinë për jetën dhe pronën? Koha do të japë përgjigje dhe shpresojmë që të mos zhgënjejë pritshmërinë!

Marko Bello, deputet: Kaq e lirë është bërë jeta tek ne? Siguria për jetën mbetet pa dyshim sfida kryesore e qeverisë së ardhshme. Më pas, e drejta për një vend pune, e drejta e garantimit të pronës, shërbim shëndetësor falas etj…etj…

Petro Koçi, politikan: Me këto atentate Shqipëria është kthyer në një Palermo jashtë kontrollit! Duket se mafia është forcuar shumë këto vite. Sfida e përkuljes së krimit do të jetë më e vështirë nga sa duket!