Eduard Zhupa: Kjo është java e së vërtetës, Partizani luan për Evropën, Teuta për mbijetesën

107
Nga Agron KAJA
FOKUS/ Për ndeshjet e javës së 33-të të Kategorisë Superiore, flet për “Telegraf” ish-futbollisti e ish-trajneri i Partizanit e Dinamos
Si e përshkruani futbollin shqiptar në tërësinë e ndeshjeve të luajtura në të gjitha nivelet e kategoritë?
Duke iu referuar më shumë Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, ka qenë një javë me pak interes për rezultatet që u arritën. Në tërësi, janë zhvilluar ndeshje normale, por veç rezultateve të javës së 32-të të Superiores, fatkeqësisht, elementët e dhunës bënë të veçantën.

Cilat kanë qenë për ju rezultatet që nuk priteshin në këtë javë që u mbyll?
Humbja e Partizanit me Teutën, besoj se mbetet e tillë, ndërsa në Kategorinë e Parë, vetëm skuadrat në zonën Play-out duket se janë në garë, ndërsa të tjerat në Play-off i kanë siguruar synimet e tyre. Gjithsesi, në këtë fund-sezoni, të gjitha surprizat janë të pritshme.

Në ndeshjet e kësaj jave u shfaqën edhe elementët e dhunës, edhe këtë situatë e sjell adrenalina e synimeve?
Natyrisht që, çdo gjë që prodhon fusha e lojës dhe jashtë saj, sa i përket dhunës, janë pjesë e mosarritjes të synimeve në ndeshje përkatëse. Çka ka ndodhur në Vlorë jemi njohur vetëm nga mediat, dhe kur të flasin trupat gjykuese në FSHF, atëherë gjithkush e ka mundësinë të jetë më i kthjellët në mendimet e tij.

Në analizën tuaj teknike, ku gaboi treshja e gjyqtarëve në ndeshjen Flamurtari-Vllaznia?
Ka qenë një ndeshje që u transmetua direkt, dhe gjithkush që e ka parë, e nxjerr një konkluzion. Por, duke qenë se askush veç atyre në Vlorë, nuk kanë parë me zë e figurë për dhunën që është ushtruar, atëherë nuk duhet që të gjykojmë elementë teknikë, para këtij fenomeni.

Në Kategorinë e Parë ka pasur pretendime nga beratasit, për dhunë gjatë ndeshjes në Ballsh, ju keni dijeni?
Kam lexuar diçka dje (të dielën), por asnjëherë nuk jam i bindur profesionalisht për çka thuhet e shkruhet. Në fakt, në Kategorinë e Parë nuk mund të themi se ky është rasti i parë që ndodh me Tomorin, pasi jemi dëshmitarë të ndodhive që kanë çuditur edhe Evropën.

E gjithë kjo situatë, ku mendoni se e ka “burimin” e saj të parë?
Jemi në fundin e sezonit, dhe ngarkesat psikologjike të lojtarëve, trajnerëve e drejtuesve janë shumë të larta. Kjo ushtron trysni edhe tek arbitrat, të cilët, gjatë gjykimit të ndeshjeve, nga paaftësia apo edhe pa dashje, gabojnë e krijojnë situata për të cilat po diskutojmë.

Në Superiore janë edhe katër javë, si e mendoni ecurinë e skuadrave në tabelën e renditjes?
Kjo është java e së vërtetës, Partizani luan për Evropën, Teuta për mbijetesën. Por, më interesante janë ndeshjet ku do të luajnë skuadrat për mbijetesë, dhe këtu unë mendoj se do të jetë gara më e fortë, nisur edhe nga kalendari që kanë Kamza, Vllaznia e Teuta.
Në cilat ndeshje mendoni se do të jetë java e së vërtetës?
Në këndvështrimin tim, në ndeshjet Vllaznia-Kamza dhe Luftëtari-Partizani, ku të tria rezultatet janë të pranueshme. Janë skuadra të cilat vijnë me një ngarkesë psikologjike sa i përket situatave që kanë në renditje, ndaj edhe nga rezultatet në këto ndeshje do të ketë më shumë dritë vazhdimësia në renditje.