De Biazi: “Sot nuk na falet të mos fitojmë”

72

 Trajneri i Shqipërisë flet para ndeshjes me Qipron (20:30): “Pretendoj shumë nga lojtarët e mi”.

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të debutojë sot zyrtarisht, kur Shqipëria të përballet me Qipron, për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014” (“Qemal Stafa, 20:30). Në konferencën e tij për shtyp, italiani i dytë në stolin e Shqipërisë, ruajti stilin e tij diplomatik, duke bërë më shumë filozofin, sesa trajnerin, aq sa dhe formacionin nuk guxoi ta deklaronte, gjë që paraardhësi i tij, kroati Josip Kuzhe, e bënte me lehtësinë më të natyrshme. “Formacionin titullar e kam në kokë, – tha De Biazi. – Ndoshta ju do të nxirrni formacionin tuaj, por unë vetë jam i bindur që kush del në fushë del për shkak të shumë detajeve, jo thjesht nga gatishmëria teknike e taktike. Jam i bindur që ata që kam thirrur për këto dy ndeshje  mund të luajnë të gjithë. Duhet të them se kam vështirësi të mëdha zgjedhjeje sepse kam përball meje lojtarë shumë të mirë e  të inmpenjuar  me dëshirë për të luajtur e që na ndjekin me një përkushtim të admirueshëm”. De Biazi e nisi me një përmbledhje të situatës: “Punojmë prej tetë muajsh me federatën, jemi përpjekur të bëjmë punë të mirë me lojtarë me përvojë dhe lojtarë të rinj, të cilët, sipas meje mund të japin rezultat, për të tashmen por edhe për të ardhmen. pretendoj shumë nga lojtarët e mi. Një nga detajet që i kushtoj më tepër rëndësi është se për të krijuar skuadër më parë dueht krijuar një grup lojtarësh që mendojmë më tepër ne se unë. Pastaj meqë skuadra nis nga individi, sigurisht që i kushtoj shumë rëndësi lojtarit. Nëse e kuptojmë që edhe detajet më të vegjël mund të bëjnë diferencën, atëherë jemi në rrugë të mbarë. Besoj se për rezultate pozitive duhet punuar shumë nga pikëpamja tekniko taktike”. De Biazi tha se, e njeh mjaftueshëm kundërshtarin e parë: “Nëse e njeh kundërshtarin, atëherë e di se si ta mundësh. E kemi studiuar me Bullgarinë, Serbinë. Qipro skuadër e bezdisshme, shumë e vështirë për t’u mundur dhe duhet të punojmë shumë për të arritur rezultat pozitiv”. Në lidhje me faktin, se do të luajë me një apo dy sulmues, De Biazi tha: “Do të luaj me ata që janë më të përshtatshëm për të vënë në vështirësi Qipron. Ne kemi lojtarë të mirë, shpresojmë ë bashku të arrijnë të nxjerrin një lojë që mund të vërë në vështirësi Qipron”.

 Lorik Cana

Kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, tha: “Sigurisht që një fillim i mbarë është shumë i rëndësishëm për ne. Detyra jonë është të arrijmë rezultate sa më të mira, për të përfaqësuar denjësisht vendin. Nuk mund të fluturojmë dhe të themi se do ta mbyllim të parët në grup. Qëllimi ynë është të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe pse jo të kualifikohemi, por para së gjithash duhet të jemi me këmbë në tokë për mundësitë që kemi”. Cana shtoi” Jemi në një grup më të ekuilibruar se në të kaluarën. Luajmë ndaj ekipeve, të cilat kanë thuajse një nivel me ne, ndërkohë që nga vazo 1 dhe 2 kemi kapur kundërshtarët më të mirë të mundshëm. Sigurisht, disa nga skuadrat që kemi në grup, duhet ta pranojmë se janë më lart se në në kualitet dhe në rezultate. Kjo nuk na bën neve që të jemi favoritë apo ndoshta surpriza e grupit. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se Kombëtarja jonë nuk është ambicioze për të arritur më të mirën. Kombëtarja e ka pasur grupin më të fortë 10 vite më parë, kur unë kam qenë në hapat e para të mijat me fanellën kuqezi. Më vjen keq, pasi në atë periudhë mund të kishim arritur edhe më shumë. Në kohën kur trajner ka qenë Brigel, cilësia e lojtarëve ishte e madhe. Megjithatë, jam shumë i sigurt se në vitet e ardhshme Kombëtarja do të jetë shumë më e fortë, duke e krahasuar me dy dekadat e fundit. Momentalisht në ekip kemi të rinj, por edhe lojtarë që kanë arritur një farë pjekurie. Është momenti që ky grup të shpërthejë dhe unë jam optimist se do t’ia dalim”. Cana ripërsëriti mbështetjen e tij për lojtarët e rinj që vijnë në ekipin Kombëtar. “Besoj se Meha dhe Kukeli do të jenë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne. Gjithsesi, këtë do ta tregojë koha. Personalisht mundohem t’i ndihmoj për çdo gjë. Për një lojtar nëse ndihet mirë psikologjikisht dhe moralisht, e ka më të lehtë në fushë”.

 “Brazil 2014” do të jetë hera e 11-të

 Dhjetë botërorët e Shqipërisë

 Shqipëria do të luajë sot kundër Qipros, për eliminatoret e “Brazil 2014”, duke nisur kështu edhe aventurën e 11-të të saj në kualifikueset e një Botërori. Vendi ynë ka marrë pjesë në vitin Kupën e Botës së vitit 1966, 1974, 1982, 1986, 1990, 1994, 1998, 2002, 2006, 2010 dhe 2014, por ka munguar në tetë kampionatet e viteve 1930, 1934, 1938, 1950, 1954, 1958, 1962 dhe 1978. Gazeta “Telegraf” boton një speciale me kuriozitet në lidhje me pjesëmarrjet e Shqipërisë.

 PJESËMARRJET

Shqipëria nuk ka marrë pjesë në botërorët e periudhës 1930-1962, 1970 dhe 1978. Kombëtarja jonë ka marrë pjesë në 1966, 1974 dhe nga 1982-2014. Në “Itali 1934” edhe pse u ftua nuk mori pjesë.

 NDESHJA E PARË

Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në eliminatoret e një botërori në “Angli 1966”. Ndeshja e parë e saj është ajo kundër Holandës (24 maj 1964), të humbur 2-0 në Roterdam.

 NDESHJA E FUNDIT

Ndeshja e fundit është ajo e humbur 4-1 me Suedinë në Rasunda (14 tetor 2009) për eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. Golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi Hamdi Salihi.

 84 NDESHJE

Kombëtarja jonë ka zhvilluar 84 ndeshje në eliminatoret e kampionateve të ndryshme botërore, duke pasur pasur një bilanc shumë negativ: 11 fitore, 11 barazime dhe 62 humbje.

 FITORET

Shqipëria ka regjistruar 11 fitore në kualifikueset e botërorëve e para 1-0 kundër Finlandës (1963, gol i R.Ragamit me penallti), e fundit 3-0 kundër Maltës (2008, Bogdani, Duro, Dallku).

 GOLAT

Golin e parë në eliminatoret e botërorëve e ka shënuar Robert Jashari, në humbjen 4-1 kundër Irlandën së Veriut (“Angli 1966”), të Hamdi Salihi në humbjen 4-1 në Suedi (“Afrika e Jugut 2010”).

 FINALISTËT

Ndeshjet kualifikuese luhen nga 7 shtator 2012 deri më 15 tetor 2013. Zona europiane përfaqësohet në “Brazil 2014” me 13 finalistë, që dalin nga 53 vendet pjesëmarrëse.

BILANCI I SHQIPËRISË ME KUNDËRSHTARËT

 Shqipëria ka zhvilluar ndeshje me të gjithë kundërshtarët e grupit E: me Norvegjinë (2 takime), me Slloveninë (5), Zvicrën (4), Qipron (4) dhe Islandën (3).

 Bilanci me Qipron

4 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 2 humbje, golat: 9-6

19/08/1998    Nikosia:     Qipro-Shqipëri 3-2

15/08/2000    Tiranë:      Shqipëri-Qipro 0-0

18/08/2004    Nikosia:     Qipro-Shqipëri 2-1

12/08/2009    Tiranë:      Shqipëri-Qipro 6-1

11 fitoret e Kombëtares

 Shqipëria ka arritur të fitojë vetëm 11 nga 84 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (11 barazime dhe 62 humbje). Fitorja e parë në eliminatoret e një Botërori i përket trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, të përsëritur ndaj këtij kundërshtari edhe nga Zyber Konçi, por me rezultatin 2-0, më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Triumfi pasues i përket Shyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, me golat e Arben Mingës dhe Mirel Josës, një fitore që vinte pas një barazimi spektakolar 2-2 në Poloni. Bejkush Birçe ditët e tij me fat i pati, 26 maj 1991 kur mundi 1-0 Islandën dhe më 3 qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0. Astrit Hafizi mundi Irlandën e Veriut (2-1, një ndeshje e zhvilluar në fushë asnjanëse, në Zyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997) dhe Gjeorgjinë (1-0), ndërkohë që Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për Botërorin e vitit 2002. Më pas nis edhe seria e fitoreve me trajner të huaj në bankinë. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari, madje me fitoren me të bujshme dhe simbolike, aji kundër Greqisë (2-1), më katër shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Euripës. Brigel arriti dhe dy fitore me Kazakistanin: 1-0 në Alma Ata dhe 2-1 në Tiranë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi kundër Maltës (3-0), për eliminatoret e Botërorit 2010.

“Brazil 2014”

Ndeshjet e zonës eruopiane

 Grupi A

Kroacia, Serbia, Belgjika, Skocia, Maqedonia, Uellsi

 20:15      Kroaci-Maqedoni

20:45      Uells-Belgjikë

16:00      Skoci-Serbi 08.09

Grupi B

Italia, Danimarka, Çekia, Bullgaria, Armenia, Malta

 20:00      Maltë-Armeni

20:45      Bullgari-Itali

20:45      Danimarkë-Çeki 08.09

 Grupi C

Gjermania, Suedia, Irlanda, Austria, Ishujt Faroe, Kazakistani

 18:00      Kazakistan-Irlandë

20:45      Gjermani-Ishujt Faroe

 Grupi D

Holanda, Turqia, Hungaria, Rumania, Estonia, Andorra,

 20:00      Estoni-Rumani

20:30      Andorrë-Hungari

20:30      Holandë-Turqi

 Grupi E

Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, SHQIPËRIA, Qipro, Islanda

 20:30      Slloveni-Zvicër

20:45      Islandë-Norvegji

20:30      Shqipëri-Qipro

 Grupi F

Portugalia, Rusia, Izraeli, Irlanda e Veriut, Azerbajxhani,

Luksemburgu

17:00      Rusi-Irlanda e V.

18:00      Azerbajxhan-Izrael

20:45      Luksemburg-Portugali

 Grupi G

Greqia, Sllovakia, Bosnjë-Hercegovina, Lituania, Letonia,

Lihtenshtejni

 19:00      Lihtenshtejn-Bosnjë H.

20:15      Lituani-Sllovaki

20:30      Letoni-Greqi

 Grupi H

Anglia, Mali i Zi, Ukraina, Polonia, Moldavia,

San Marino

 20:30      Mali i Zi-Poloni

20:45      Moldavi-Angli

 Grupi I

Spanja, Franca, Bjellorusia, Gjeorgjia, Finlanda

 19:00      Gjeorgji-Bjellorusi

20:30      Finlandë-Francë