Flamuri i Pavarësisë në Elbasan u ngrit tri ditë më parë se në Vlorë

731
Sigal

INTERVISTA/ Flet Drejtori i Trashëgimisë Kulturore dhe drejtori i Muzeut Etnografik në Elbasan, Kreshnik Belegu

Kreshnik Belegu, siç janë në përgjithësi muzeologët, të qetë, seriozë dhe shpesh herë pasionantë për ato që zotërojnë, na shoqëron në të gjitha mjediset e Muzeut Etnografik të Elbasanit, që është nga më të mirët dhe më të ruajturit në Shqipëri. Duke u ndalur pranë çdo objekti ai shpjegon në detaje historinë se si është gjetur ky objekt, për çfarë është përdorur dhe çfarë vlere ka. Për të çdo gjë këtu është e shenjtë, pasi materializohet dhe konkretizohet historia. Ja p.sh, në një  foto të muzeut  na zuri syri një logo me flamurin tonë kombëtar krejt ndryshe. E pyesim Belegun për këtë foto:

Ç’është ky flamur?

Kjo logo është flamuri i përdorur në festën për nder të njëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, pra më 28 Nëntor 1913. Një logo interesante  që besoj do të jetë marrë si shëmbëlltyrë nga flamuri i asaj kohe i përdorur në qytetin tonë, të cilin deri tanimë nuk e kemi gjetur. Kjo logo është krejt e veçantë dhe ka karakteristikat e veta. 

Pse mendoni se ka karakteristikat e veta në krahasim me logot apo flamujt e tjerë të asaj kohe?

Dua të theksoj se flamuri kombëtar i pavarësisë në Elbasan është ngritur tri ditë më përpara se në Vlorë, më 25 Nëntor 1912. Ky është fakti i pakundërshtueshëm me dokumente të sakta historike. Padyshim se Elbasani ka merita të veçanta në shpalljen e Pavarësisë është qyteti i parë  që e ngriti këtë flamur dhe po të shohësh firmëtarët e aktit të pavarësisë, pjesëmarrësit janë nga të gjitha besimet fetare, pa diskutuar për shoqata apo klube të ndryshme të kohës. Pra, në ngritjen e flamurit në Elbasan pjesëmarrja ishte gjithëpërfshirëse me një flamur, me një qëllim. Është një veçori kjo që ndoshta vetëm Elbasani e ka pasur, pasi në këtë  periudhë dihen kontradiktat që kanë ekzistuar midis besimeve fetare (feve) të asaj kohe dhe Elbasani është i veçantë në llojin e tij në këtë mënyrë bashkëjetese ndërfetare, ku janë bërë shumë përpjekje për përçarje.

Mund të na sillni shembull konkret për tentim përçarje?

Po, në vitin 1876 në periudhën e pushtimit osman, duke pasur mbështetjen e ushtrisë osmane të nxitur nga ato, u  bë një përpjekje për të sulmuar ortodoksit e kalasë, përpjekje e cila nuk funksionoi, pasi ishte vetë babai i Aqif Pashë Elbasanit, i cili e ndaloi këtë përpjekje me autoritetin e vet. Ai ishte një burrë që i dëgjohej fjala dhe kishte të kultivuar ndjenjën e mirësisë. Pastaj mbas pushtimit osman, pikërisht më 26 nëntor 1912 (një ditë pasi Elbasani shpalli Pavarësinë) në Elbasan erdhën trupat serbe, të cilat në janar të vitit 1913 bënë një përpjekje tjetër për të ngritur ortodoksët elbasanas ndaj myslimanëve elbasanas. Pikërisht këtu, në këtë kohë kemi një fjalim që ka mbajtur Veniamin Nosi, i cili i thotë gjeneralit serb se asnjëherë s’do të sulmojmë vëllezërit tanë myslimanë, ata i kemi miq shtëpie, kemi ndarë çdo gjë bashkë, madje dhe bukën e gojës. Pra kjo ishte përpjekja e dytë që pushtuesit bënë që të ndanin njëherë e përgjithmonë myslimanët nga ortodoksët e qytetit tonë. Në telegramin që përfaqësuesit e popullit të Elbasanit i çojnë popullit të Vlorës, Ismail Qemalit, me rastin e shpalljes së pavarësisë,  marrin pjesë të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare krahas atyre figurave patriotike që ishin përfaqësues të popullit (të zgjedhurit e tyre).

E kujt kohe është godina që është ndërtuar muzeu etnografik i qytetit?

Kjo ndërtesë është tipike elbasanase e ngritur në fund të shekullit të 18-të,  dhe ka një pamje interesante. Këtu, në këtë ndërtesë, janë paraqitur shumë dokumente, veshje me karakter etnografik që me të vërtetë e bëjnë të veçantë nga muzetë e tjerë në Shqipëri.

Diçka të veçantë për simbolin e qytetit tuaj, Aqif pashë Elbasanin?

Aqif Pasha ishte një njeri i ditur, bujar, por mbi të gjitha, patriot. Dihet roli i tij në Shpallen e Pavarësisë, që jo vetëm fizikisht, por edhe ekonomikisht ka dhënë një ndihmë të madhe për Ismail Qemalin. Aqif  Pasha ka vdekur në shkurt të vitit 1926. Në vdekjen e tij kanë marrë pjesë edhe çifutët (hebrenjtë). Kjo duket nga një foto e asaj kohe, ku ata kanë në kokë kapelet e tyre karakteristike që dallojnë nga kapelet vendase (qylafët). Janë dy tre përfaqësues nga komuniteti i tyre ku në këtë qytet ata kanë qenë një komunitet goxha i gjerë, dhe më vjen keq që askush nuk e përmend këtë fakt. Në muze  kemi tre objekte me origjinë hebreje (çifute), të cilat tregojnë për një lidhje kulturore midis tyre dhe pjesës myslimane apo ortodokse.