De Biazi në udhëkryq, lojtarët e kombëtares ende pa një ekip

448
Ecuria e Shqipërisë është në rrugën e duhur në kualifikimet për në kampionatin europian “Francë 2016” dhe grupi aktual i futbollistëve të Kombëtares janë të entuziazmuar me formën që po shfaq skuadra e tyre. Por problemi, i cili së fundmi e ka futur De Biazin në mendime është fati i disa lojtarëve të grupit të cilët kanë mbetur pa skuadër. 
Aktualisht merkatoja është e hapur për transferimin e futbollistëve dhe në vend numëro kanë mbetur katër lojtarë të Kombëtares së Shqipërisë, të cilët nuk po gjejnë dot skuadër. Kjo problematikë e ka shqetësuar mjaft trajnerin e kombëtares, i cili po mendon për fatin e katër lojtarëve të mbetur në udhëkryq. Lojtarët të cilët nuk kanë ende një skuadër janë: Lideri i mbrojtjes dhe njëkohësisht kapiteni i skuadrës Lorik Cana, ka shkëputur përfundimisht kontratën me Lazion dhe ende nuk e ka të qartë se ku ai do shkojë. 
Po ashtu edhe qendërmbrojtësi tjetër Arlind Ajeti është përfolur se mund të transferohet në Bundesligen gjermane, por që ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Për Canën flitet se do të transferohet në Katar te skuadra e El Jaish, por akoma për kapitenin tonë nuk ka një verdikt përfundimtar. Ndërkohë kjo situatë është edhe me dy mesfushorët si Migjen Basha dhe Andi Lila, të cilët kanë të njëjtin problem. Basha thuhet se është shumë afër transferimit tek skuadra e Kievos në Serie A , por ende pa një rezultat, ndërsa sa i përket fatit të Lilës, ende nuk dihet se ku do të jetë destinacioni i tij i ri.
Sigal