Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, do të ketë përballë Valon Berishën e Norvegjisë
Norvegji-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, do të këtë edhe një sfidë të veçantë brenda saj. Madje midis dy lojtarëve kosovarë, të cilët mbajnë të njëjtin mbiemër: Berisha. Nga një njëra anë do të jetë portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ndërsa përballë tij, mesfushori Valon Berisha i Norvegjisë. Etriti luan në Suedi me Kalmarin dhe tashëm ështëa shndërruar në portierin titullar të Kombëtares sonë (5 ndeshje), duke lënë në stol Samir Ujkanin. Etrit Berisha është nga Prishtina dhe nga korriku i vitit 2008 luan me Kalmarin (madje sezonin e kaluar shënoi dhe një gol me penallti). Valon Berisha luan me Red Bull Salzburgu në Austri, teksa me Norvegjinë ka tetë paraqitje. Berisha ka luajtur nëntë herë për U-21 të Norvegjisë, ndërsa është paraqitur edhe me U-19 e U-17. Berisha shihet si një ndër lojtarët e rinj më të mirë në Norvegji, teksa ka kryer disa prova madje në ekipet e Premier Ligës në një moshë të re. Me Norvegjinë ka debutuar në janar 2012. Vetë lojtari pat theksuar se ishte i emocionuar se do të luante kundër Shqipërisë. Në listën e Norvegjisë për ndeshjen me Shqipërinë nuk bën pjesë Ardian Gashi. 31-vjeçari luan me Helsingborgun në Suedi dhe në përfaqësuese ishte kthyer në tetor të vitit të kaluar pas shtatë vitesh. Shqipëria dhe Norvegjia janë takuar dy herë midis tyre, për kualifikueset e Euro 2000: 2-2, në Oslo (14 tetor 1998: për Shqipërinë shënuan Bushi dhe Tare, përpara se norvegjezët me dy gola në minutat e fundit), ndërkohë që takimin e Tiranës humbëm 2-1 (më 5 qershor 1999, goli i Tares për Shqipërinë). Në të dyja takimet trajner ishte Astrit Hafizi.
SKEDA
Emri: Etrit
Mbiemri: Berisha
Ditëlindja: 10.03.1989
Mosha: 23 vjeç
Pozicioni: Portier
Gjatësia: 1,93
Klubi aktual: Kalmar, Suedi
Vendlindja: Prishtinë, Kosovë
SKEDA
Emri: Valon Berisha
Mbiemri: Berisha
Ditëlindja: 07.02.1993
Mosha: 20 vjeç
Pozicioni: Mesfushor
Gjatësia: 1,78
Klubi aktual: RB Salzburg, Austri
Vendlindja: Malmoe, Suedi
Valdet Rama, surpriza e Xhanit
Valdet Rama është grumbulluar nga Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Xhani De Biazi për ndeshjen kundër Norvegjisë dhe Lituanisë. Lajmin e dha portali spanjoll “Terra.es”.Real Valadolid ka tashmë një tjetër lojtar ndërkombëtar në skuadrën e tyre. Valdet Rama nuk ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm deri më tani në skuadrën spanjolle, por është grumbulluar nga Shqipëria për dy ndeshje ndërkombëtare. E para, është një ndeshje zyrtare e vlefshme për Kupën e Botës 2014, që do të zhvillohet në 22 mars kundër Norvegjisë, e dyta më 26 në një miqësore në Tiranë kundër Lituanisë. Rama ka luajtur deri më sot dy ndeshje me skuadrën bardhekaltër, në fillim me Betisin dhe më pas kundër Espanjollit, pa qenë në asnjë ndeshje titullar, por blerja e dytë e janarit për spanjollët, Rama, i shtohet listës së lojtarëve të Valladolidit që luajnë në skuadra kombëtare si Dani Hernandez, Sereno, Rukavina, Manuço. Shqipëria ndodhet në grupin E eliminator së bashku me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën, Slloveninë dhe Qipron. Pasi kanë luajtur katër ndeshje, kuqezinjtë ndodhen në vend të tretë në klasifikim me gjashtë pikë, dhe ndeshja e Oslos është një ndeshje kyçe për të shpresuar deri në fund drejt një kualifikimi për Kupën e Botës “Brazil 2014”. Lorik Cana, kapiteni i Kombëtares shqiptare, e priti më gëzim lajmin e afrimit të Valdet Ramës në përfaqësuesen A. Loriku e uroi mesfushorin e Real Valadolidit përmes faqes së tij në rrjetin social “Facebook”: “Mirë se na vjen Valdet!”. Komentet ishin tepër të ngrohta për Ramën edhe nga tifozët shqiptarë.
PRURJET E DE BIAZIT
Lojtari Roli Vendi ku luan
Etrit Berisha portier Suedi
Mërgim Mavraj mbrojtës Gjermani
Elseid Hysaj mbrojtës Itali
Alban Meha mesfushor Gjermani
Burim Kukeli mesfushor Zvicër
Armando Vajushi mesfushor Bullgari
Valdet Rama mesfushor Spanjë
Ledian Memushaj mesfushor Itali
Edgar Çani sulmues Itali
Armando Sadiku sulmues Zvicër
Bekim Balaj sulmues Çeki
Lorik Cana, mesazhe “dashurie” për Marsejën
Olimpiku i Marsejës u lë një shije të veçantë të gjithë lojtarëve që kanë veshur në të kaluarën bluzën blu e bardhë të klubit francez. Lorik Cana, i cili la luajtur për Marsejën midis viteve 2005 dhe 2009, sot te Lacio në Serinë A, u shpreh përmes adresës së tij në rrjetin social “Twitter” në lidhje një rikthim të mundshme të Marseja. “Përse unë u largova nga Olimpiku i Marsejës? Unë nuk isha më në planet e trajnerit Deshamp. Një rikthim të Marseja nuk do ta refuzoja kurrë. Do të ishte një kënaqësi shumë e madhe të ribashkohesha me Olimpikun e Marsejës për klubin dhe tifozët. Atë që unë kam jetuar te Marseja, nuk e kam jetuar në asnjë klube tjetër”. Nga portalet franceze, deklaratat e Canës shihen si një mesazh dashurie për drejtuesit marsejez, atje ku Loriku mbajti dhe shiritin e kapitenit. Cana ka luajtur në Francë me Paris Sën Zhermenin dhe Olimpikun e Marsejës; në Angli, me Sandërlendin; në Turqi, me Gallatasarajin dhe tani në Itali, me Lacion.
KATEGORIA SUPERIORE
Mision i lehtë për Skënderbeun
Skënderbeu do të përballet sot me Tomorin e Beratit, teksa skuadra korçare pritet të hedhë sot një tjetër hap të sigurt drejt fitimit të titullit të tretë rresht (2011, 2012, 2013) dhe të katërtit në historinë e klubit, përfshirë atë vitit të largët 1933. Lideri i kampionati kryeson me 42 pikë, 9 m shumë se Teuta që do të luajë të dielën në Vlorë me Flamurtarin e vendit të tretë, dhe diferenca ka të ngjarë të shkojë në +12 nëse durrsakët do të humbasin. Tomori është në vendin e parafundit, dhe kurrë nuk ka fituar një ndeshje jashtë Beratit gjatë këtij sezoni. Në aksion sot do të zbresin edhe çiftet Luftëtari Apolonia (ndodhen në zonën e rënies), si dhe Kastrioti-Shkumbini. E diela, përveç supersfidës Flamurtari-Teuta, ofron edhe Kukësi-Laçi, Besa-Tirana dhe Vllaznia-Bylis.
KATEGORIA SUPERIORE
Java XVIII
E shtunë, 9 mars 2013
Luftëtari-Apolonia 14:00
Kastrioti-Shkumbini 14:00
Skënderbeu-Tomori 17:00
E diel, 10 mars 2013
Kukësi-Laçi 14:00
Besa-Tirana 14:00
Vllaznia-Bylis 17:00
Flamurtari-Teuta 17:00
RENDITJA
1 Skënderbeu 17 +24 42
2 Teuta 17 +9 33
3 Flamurtari 17 +15 31
4 Tirana 17 +6 29
5 Kukësi 17 +4 27
6 Vllaznia 17 +4 26
7 Kastrioti 17 -2 25
8 Laçi 17 -2 24
9 Bylis 17 +3 22
10 Besa 17 -5 17
11 Shkumbini 17 -12 16
12 Luftëtari 17 -10 14
13 Tomori 17 -16 9
14 Apolonia 17 -18 8
KATEGORIA E PARË
Java XX
E shtunë, 9 mars 2013
Besëlidhja-Butrinti
Ada-Elbasani
Lushnja-Tërbuni
Partizani-Burreli
Kamza-Dinamo
Naftëtari-Iliria
Himara-Pogradeci
Gramshi-Mamurrasi
Salihi, supergol dhe rekord në Kinë
Një supergol! Një gol i klasit të lartë për nga ekzekutimi! Hamdi Salihi po shndërrohet në një fenomen futbollistik në Kinë. Sulmuesi shkodran shënoi golin e parë në fitoren 2-1 të Jiangsy Sainty ndaj Uallan Zar, në takimin e javës së parë të kampionatit kinez. Një gol absolutisht spektakolar, që do të kishin zili edhe lojtarët më të mëdhenj, pasi erdhi pas një kombinimi me tre pasime: Jiangsy Sainty fiton një top në mesfushë, sulmuesi i krahut të djathtë kroson në zonë dhe atje, “gjahtari” i lindur për zonën e 16-metërshit, zhytet në planzhon me kokë në gjysmëlartësie, duke dërguar një diagonale të ulët që, pasi përplaset me shtyllën e djathtë pingule pushoi në rrjetë. Gjithçka ndodhi në minutën e 56-të. Tre gola në tri ndeshje me Jiangsu Sainty, në tre kompeticione të ndryshme: Liga e kampioneve të Azisë, Superkupa e Kinës dhe Superliga e Kinës. Askush në Kinë nuk ka pasur një fillim të tillë. Më mirë se kaq, as sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk do ta kishte menduar. Golashënuesi i tre kontinenteve – Europë, SHBA dhe Kinë, – Salihi së pari ka bindur trajnerin e tij serb Dragan Okuta se, ai mund të jetë “asi” i bluve kinezë. Golin tjetër për Jiangsu Sainty e shënoi Ke Sun (66’), ndërkohë që për miqtë realizoi Li në të 69’.
TRE GOLAT E SALIHIT
LIGA E KAMPIONËVE TË AZISË
FC Seul-Jiangsu Sainty 5-1
SUPERKUPA E KINËS
Guanzhou-Jiangsu Sainty 1-2
SUPERLIGA E KINËS
Jiangsu Sainty-Vullan Zar 2-1
Telenovela “Golat e Sukajt”,në serinë e 11-të
Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj vazhdon të shënojë. Ai ka bërë këtë gjë edhe pasditen e djeshme, teksa ka dërguar topin në rrjetë dhe ka kontribuar në fitoren e skuadrës së tij Sepahan me rezultatin 2-0 ndaj Saba Qom. Ndeshja ka qenë e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit. Sepahani luante në fushën e tij këtë herë dhe me nga një gol të shënuar në secilën pjesë ka arritur ta fitojë edhe këtë ndeshje. Në pjesën e parë, ka shënuar në minutën e 24-të Amin Jahan Alian. Në minutën e 74-të ndërkohë për të vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes do të mendonte Xhevahir Sukaj që ka shënuar duke i dhënë fitoren 2-0 Sepahanit.
Goli i djeshëm ka qenë i 11-ti në kampionatin iranian të futbollit për këtë edicion i 25 vjeçarit shkodran. Me fitoren e sotme Sepahani është ngjitur në kuotën e 56 pikëve duke mbajtur vendin e dytë pas Esteghlal Tehran (59).