Bejkush Birçe: Skocia, test shumë i vështirë

680
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-trajneri i Kombëtares, ja si e analizon fitoren me Izraelin, në Gllazgou pret ndeshje të vështirë

BEJKUSH BIRÇE

Me Izraelin nuk ishte ndeshje me “Yll”, Skocia është një test shumë i vështirë

Nga Agron KAJA

Si e përshkruani Kombëtaren tonë pas fitores me Izraelin?

Ne që merremi me këtë punë, trepikëshin e quajmë si kryesor. Këtu është në rregull, por duke iu referuar lojës që zhvilloi skuadra jonë me Izraelin, them se ajo e tregoi qartë që ka nevojë për kontingjent tjetër. Ekipi aktual nuk garanton për më shumë në vazhdimësi.

Cilat ishin risitë që trajneri Panuçi kishte sjellë në këtë sfidë të parë në Ligën e Kombeve?

Pamë disa lojtarë të rinj me pak eksperiencë, ndoshta kjo situatë u kushtëzua nga mungesat e titullarëve të dëmtuar. Por, që nga koha kur Kombëtaren e drejtonte De Biazi, nuk po shohim sulmues që të luajnë së bashku në disa ndeshje. Sot një dyshe sulmi nuk ekziston.

Sa garanci jep kjo Kombëtare, nisur nga ndeshja e së premtes ndaj Izraelit?

Futbollistët e Kombëtares sonë u munduan të luanin pastër, ndërsa Izraeli nuk tregoi ndonjë gjë të mirë, u shpreh si një skuadër e varfër gjatë lojës. Ndoshta kjo e bëri nervoze skuadrën tonë në komponentët e ndeshjes, por gjithsesi, ekipi bëri një lojë të mirë.

Cilët individë apo edhe reparte spikatën më shumë në sfidën e parë ndaj Izraelit?

Në këtë ndeshje, te Kombëtarja jonë nuk kishte lojtarë me “Yll”. Ishte një lojë e qetë dhe kolektive, ku më shumë futbollistët tanë dukeshin të angazhuar të shprehnin bashkëpunim mes reparteve. Por e theksoj se, ekipi ynë ka nevojë për plotësime të tjera cilësore.

Ku mendoni ju se duhet përmirësuar Kombëtarja jonë, në ndeshjen me Skocinë sot?

Përveç portës, në të tre repartet e tjera të lojës, por veçanërisht sulmi është në emergjencë. Ndërsa mbrojtja në disa situata u tregua shumë e hapur ndaj Izraelit, dhe këtu duhet ndërhyrje për sfidën në Skoci. Mesfusha duhet të qartësojë më mirë lidhjen e lojës mes reparteve.

Në ndeshjen me Skocinë, duhet që Panuçi të aktivizojë si titullarë Agollin e Mavrajn, apo edhe ndonjë tjetër?

Agolli me përvojën e tij, e plotëson mirë boshllëkun psikologjik që e mbërthen skuadrën gjatë lojës, sikundër pati situata me Izraelin. Për Agollin, do të doja të jetë titullar ndaj Skocisë, edhe pse Binaku bëri një paraqitje normale ndaj Izraelit në krahun e majtë të mbrojtjes.

Ju si e parashikoni sfidën e sotme Skoci-Shqipëri?

Nga fitorja me Izraelin, ekipi duhet të ketë marrë konsolidim, por do jetë ndryshe si me Izraelin. Skocinë e pashë në humbjen e thellë që pësoi në miqësoren me Belgjikën, por nuk ishte Shqipëria. Fizikisht skocezët janë të fortë, dhe kjo është arma e tyre më kryesore në lojë.

Duke qenë se Liga e Kombeve aplikohet për herë të parë, sa vlerë mendoni se do t’u sjellë ajo kombëtareve pjesëmarrëse?

Ky është një kompeticion i ri, dhe mendoj se duhet mbyllur ky tur i parë, që të shohim vlerat. Liga e Kombeve bëhet edhe një biznes për kombëtaret dhe UEFA-n, njëherësh nuk i le pa ndeshje zyrtare. Duke i mbajtur në aktivitet, në 80% skuadrat krijojnë stabilitet që i bën mirë.