Altin Rraklli “dallëndyshja” e parë që “pushtoi” futbollin e e Evropës

739
Sigal

Ilir J. Hoxha

Kavajasi që do të befasonte median dhe gjermanin Koppke me atë gol spektakolar të vitit 1994

Ishte vera e 1991, koha kur shqiptarët kërkonin veç të largoheshin nga vendi. Kështu do bënte edhe Altini, por jo me skaf dhe duke u kacavjerrë në anije, por do të vinte në shërbim talentin për të “dezertuar” në mënyrë dinjitoze. U largua për të mbërritur atje ku kishte ëndrrën, tek futbolli më elitar i Botës siç ishte ai gjerman. Nuk kishte as menaxher dhe as skaut, por si të tillë përdori performancën prej një futbollisti profesionist, të futur në një kasetë të thjeshtë, gjë për të cilën kishin nevojë edhe gjermanët e Fraiburgut. Karriera e futbollistit do të ishte nga më brilantet, teksa do të bëhej titullar i disa ekipeve në Bundesligë, por njëherazi një nga titullarët e përfaqësueses sonë për shumë vite. Në karrierën e kavajasit kaçurrel ka shumë episode goli dhe performance të shkëlqyer, por padyshim sulmuesi i kombëtares identifikohet me atë gol spektakolar që i shënoi portierit të shquar Andi Kopke në ndeshjen Gjermani – Shqipëri 2-1. Ndoshta dikush mund t’ia ketë harruar emrin nga koha, por goli asnjëherë nuk mund të hiqet nga memoria, kur djaloshi kavajas me plot talent sulmuesi lëshoi atë parabël duke e befasuar portierin “nevrik”. Kavaja e traditës së futbollit nuk kishte si mos të ndikonte në talentin e djalit të saj, Altin Rrakllit, teksa kudo në lagjet e Kavajës luhej dhe flitej vetëm për futboll. Altini do t’i rrëmbente Kavajës më të mirën e futbollit.

Tradita dhe talentet ndër vite si Qerolli, Bajaziti, Shtini, Pagria, Germani etj., do të ishin gurë themeli i ngjizjes së talentit të kombëtarasit tonë, Rraklli. Padyshim në karrierën e sulmuesit nuk kishte si mos të kishte kontribut edhe futbollisti dhe trajneri i shquar kavajas Dashnor Bajaziti, teksa do të zbulonte se Altini nuk ishte një futbollist i zakonshëm, por një e ardhme e futbollit të Kavajës dhe Shqipërisë. Viti 1988 do të shënonte fillesat e para për futbollistin ri, ndërsa do të bëhej pjesë e Kavajës së “madhe” në vitin 1991 Fati do të ishte me më të mirin dhe më i miri patjetër që ishte Rraklli, sepse shumë shpejt ai do të bëhej pjesë e Kombëtares së të rinjve, por edhe të madhes, ndërsa goli i shënuar në 1991 në fitoren ndaj Greqisë do të ishte një “bonus” që, më shumë se vlerë patriotike, do të kishte edhe atë të zbulimit të një futbollisti talent. Nuk kishte më mirë, kjo do t’i shërbente si shtysë për të vazhduar fort për të besuar te vetja dhe te futbolli. Talenti i tij do të spikaste tek një miku i vet dashamirës që banonte në Gjermani dhe, si fare rastësisht ai do t’i kërkonte një kasetë. Kaq u desh dhe më tej ishin gjermanët që do merreshin me afrimin e sulmuesit. Karriera e sulmuesit numëron 63 ndeshje me kombëtaren. Është një nga sulmuesit e Kombëtares me një numër të konsiderueshëm golash. 13 gola ka shënuar duke qenë një nga 3 golashënuesit më të mirë të Kombëtares.

Erion Bogdani 18 gola
Alban Bushi    14 gola

Altin Raklli     13 gola
Ervin Skela      13 gola
Hamdi Salihi   11 gola
Sokol Kushta 10 gola
Igli Tare           10 gola
Adrian Aliaj    8 gola

Futbolli i femrave në zhvillim progresiv, por kërkon mbështetje.

Me një eksperiencë të shkurtër si trajner i Kombëtares së femrave, në një intervistë për gazetën “Telegraf” sulmuesi kavajas do të shprehej duke vlerësuar si të arrira rezultatet modeste të futbollit të femrave, duke specifikuar gjithnjë në kontekstin e periudhës së shkurtër që ka filluar ky kampionat si dhe në masivizimin ende jo të plotësuar të këtij kampionati. Sulmuesi vlerëson dhe e quan bazale për formimin e një futbollisti periudhën 12-18 vjeç dhe, siç shprehet ai, është koha kur futbollisti merr formën teknike dhe personalitetin. Në këtë kuadër vlerëson dhe e quan fat që në këtë periudhë moshe është stërvitur nga personalitete e shquar të futbollit Hasan Germani dhe Fisnik Kosova. Për golin emblematik thekson se më kënaqi si sukses personal por nuk i shërbeu ekipit sepse jemi mundur 1-2. Padyshim i shërbeu karrierrës time .

Skeda e aktivizimeve .

1986-1988 Besa (të rinjtë)

1988-1991 Besa

1991-1996 Sc Freiburg

1996-1998 Hertha Berlin

1998-2002 SpGG Unterchahing

2002-2003 Diarbakirspor

2003-2004 Jahn Regensburg

2004-2005 Tirana

2005-2006 Besa

  • Me çfarë merret sot Altin Rraklli sot ?

A Rraklli: Menjëherë mbas asaj eksperience pre 2,5 vjetësh në postin e trajnerit të ekipit kombëtar të femrave, deri në rikthimin si trajner, menaxhoj një kompani të zbulimit të talenteve nga 12-18 vjeç.

  • Si arritët që të bëheshit pjesë e një ekipi gjerman. Kush ju ndihmoi që e e kaluat “klasën”. Çfarë ju bëri përshtypje nga ajo Botë tjetër futbolli, a ndjetë diku racizëm ?

Ka qenë një “dashuri” me shikim të parë. Kaseta ka qenë “menaxheri”. Një miku im që ishte në Gjermani më propozoi që të bëja një kasetë, duke menduar se unë mund të luaja aty. Gjermania ka qenë ëndrra ime, dhe ja Zoti ma lexoi ëndrrën. Isha i ri dhe luaja me pasion, ndoshta modestisht kisha bërë një emër të vogël. Paraqitja ime, po luaja këtu me Besën, dhe shënimi i golit me Greqinë, ndoshta kanë qenë të mjaftueshëm që ta kaloja “klasën”, pastaj gjithçka varej vetëm nga unë, që besoj se e justifikova me shumë shumë punë dhe seriozitet. Përshtypje…, po gjithçka edhe pse kisha dalë jashtë, atje e përjetova atë që ishte gjermane; përpikmëria, disiplina, serioziteti, gjithçka funksiononte thjesht dhe pa ndërlikime. Për sa i përket anës sportive, mënyra e stërvitjes dhe trajnimit ishin shumë superior në krahasim me ne. Racizmi… ata janë shumë të kujdesshëm ndaj kësaj çështjeje, as që bëhej fjalë fare sikur dëgjonim në atë kohë këtej nga greku apo diku tjetër, madje kam qenë shumë i vlerësuar dhe i respektuar.

3-Keni qenë trajneri i Kombëtares së femrave, cili është niveli i futbollit të femrave ?

Mendoj se duke parë kohën kur e kemi filluar këtë sport jemi më mirë se parashikimet. Organizimi i kampionateve të futbollit për femra padyshim është një arritje. Për sa i përket cilësisë duhet të jemi koshientë. Është një sport që përveç se ka flakur tej mentalitetin, kërkon mbështetje financiare dhe infrastrukturë. Por edhe pse ne nuk kemi rezultate, mendoj se edhe kaq është arritje. Kemi ardhur nga “hiwi” dhe jemi ndër më të mirët në rajon. Gradualisht po shikojmë se edhe interesimi është rritur dhe, pse jo konkurrenca do ta bëjë edhe më të fortë garën, çka do sjellië edhe cilësinë. Duhet te dimë që në vendin tonë janë 200 futbolliste femra, ku konkurrentët kanë 120 mijë. Organizimi i Kampionatit Kombëtar si dhe i Kupës së Republikës tejet korrekte janë arritje të pamohueshme për futbollin e femrave. Në krahasim me kohën jemi “para” saj, padyshim dëshira është të jemi më mirë, por çdo gjë ka kohën e vet.

4- Cili është mendimi juaj për talentet e munguar të Shqipërisë. Ka qenë një kohë që brezi juaj përveçse aktivizoheshit si liderë në ekipet ku ishit, por edhe me Kombëtaren performuat në mënyrë dinjitoze, më tej “moda” kaloj te kosovarët dhe ja tani ….Mendoni se mungojnë apo nuk kemi “skautë” t’i zbulojnë ?

Mendoj se për të prodhuar talente duhen kushtet dhe infrastruktura sportive, por ajo që është më kryesorja, përveç punës dhe talentit, është edhe mënyra e jetesës, ushqyerja menaxhimi i futbollistëve larg teknologjisë kompjuterike, jetës së natës, të cilat ndikojnë negativisht te formimi i një futbollisti. Nuk mendoj se na mungojnë talentet, por duhen “vaditur” duhen mbështetur, inkurajuar etj. Mendoj se Kosova i ka më të talentuar dhe përgjegjshëm talentet, sepse edhe mentaliteti atje është më perëndimor. Gjithsesi koha po tregon se edhe djemtë tanë po ecin mirë.