Albert Bozhani: E veçoj Agim Çirakun për këtë Mbarëkombëtar

494
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” anëtari i Kryesisë së FSHN-së, Albert Bozhani
Nga Agron KAJA
Kryesia e FSHN-së ka zbritur në bazë, si po e ndiqni këtë Kampionat Mbarëkombëtar?
Gjatë tri ditëve, e kam ndjekur me kureshtjen më të madhe, me interesin e një specialisti të sportit, njëherësh edhe me këndvështrimin e anëtarit të kryesisë së FSHN-së. Ka një organizim perfekt nga federata, dhe unë e veçoj Presidentin Agim Çiraku për këtë Mbarëkombëtar, i cili i kishte munguar notit shqiptar.

Po qytetit të Durrësit, mund të themi se i kishte munguar “zhurma” e notit në pishinë?
Natyrisht që, mungesa e pishinës në Durrës për një periudhë të gjatë, ndoshta na ka krijuar mendimin se ky ambient do të mbetej i “shkretë”. E këtu, me kurajë qytetare e profesionale, unë shoh një bashkëpunim perfekt mes federatës e bashkisë së Durrësit, duke na dhënë këtë impiant me përmasa olimpike. Zhurma e munguar, tashmë është reale. 

E kishit menduar që në pishinën e Durrësit do të zhvillohej një Kampionat i tillë Mbarëkombëtar?
Kam pasur shumë besim, dhe e kam mbështetur zotin Çiraku në këtë nisiativë. Sot ajo tregoi se, kur në krye të federatave vendosen specialistë e njerëz të përkushtuar, progresi është pjesë e suksesit. Ndaj ky event, do ti shërbejë jo vetëm eksperiencës së të dy vendeve tona, por do ta shtojë më shumë atdhedashurinë tonë.

Në këndvështrimin tuaj, kishte ndonjë mangësi në këtë veprimtari?
Në sport, nëse ulesh dhe shikon se ku është mangësia, nuk është keq. Sepse duke përmirësuar ato, progresi është më i afërt në rezultate. Por, nuk e di pse nuk po gjej një fjalë të “keqe” për ta thënë. Sot (dje) në ditën e tretë, pati edhe pak hallakatje, por të pranueshme, sepse ngarkesae garave dhe kushtet e motit ishin që e sollën këtë situatë, e cila në këndvështrimin tim e bukur dhe e pranueshme.

Mendoni se edhe gjyqtaria dypalëshe ka “dorën” e vet në këtë sukses?
Patjetër që po, sepse ishin ata që e menaxhuan gjithë këtë veprimtari. Unë mund të them se edhe gjyqtarët nga Kosova, treguan nivel e përkushtim, që së bashku, menaxhuan një Kampionat Mbarëkombëtar, i cili nga dita e parë e deri më sot (e treta), nuk pati asnjë kundërshti nga notarët e trajnerët e tyre.

Në këtë normalitet, ndikoi edhe tabela elektronike?
Ndikimi i tabelës elektronike mendoj se ishte primar në këtë veprimtari. Ishte hera e parë që në Shqipëri garohej me tabelë elektronike, dhe këtu përsëri do tu “bezdis” me falënderimin për Presidentin Agim Çiraku, i cili këmbënguli që ky Mbarëkombëtar të zhvillohej me tabelën elektronike.

Nisur nga ky Mbarëkombëtar, mendoni se tashmë në Shqipëri janë kushtet për të organizuar periodikisht veprimtari të tilla?
Nuk e teproj të them se, në këtë pishinë me përmasa olimpike, nga FSHN-ja do të organizohen shumë veprimtari. Shpresoj edhe ndonjë të përmasave më të mëdha se ky Kampionat Mbarëkombëtar.
Ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini: Na krenuat me këtë veprimtari
Nuk mungoi, të paktën në ditën e tretë të garave, por Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, u ndje krenar për këtë veprimtari. “Kam qenë i mendimit se ky Kampionat Mbarëkombëtar do të na shërbente për gjithçka, ne shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Për mikpritjen që është treguar këto ditë, ju na krenuat me këtë veprimtari, e cila nuk duhet të jetë as e para, por as edhe e fundit. Respektoj zotin Çiraku për këtë organizim të arrirë”.
Viron Bezhani: Veprimtari që meriton notën maksimale
Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, i ndodhur në tri ditët e garave të Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit, dje në mbyllje të tij u tregua shumë vlerësues dhe entuziast. “Nëse e shohim si një veprimtari të përmasave të mëdha (me 300 notarë), dhe të parën e këtyre përmasave, për mua FSHN-ja meriton notën maksimale. Nga presidenti i federatës e deri tek notari më i ri, kanë regjistruar emrin e tyre në këtë sukses, për të cilin unë i falënderoj maksimalisht”.
Sigal

KAMPIONATI SHQIPTAR
INDIVIDUALE
Kategoria të Rinj/ Për Femra
Alesia Neziri, Tirana me 984 pikë
Kategoria të Rinj/ Për Meshkuj 
Frenc Bërdaku, Teuta me 1322 pikë
Kategoria të Rritur/ Për Femra
Nikol Merizaj, Alb me 1207 pikë
Kategoria të Rritur/ Për Meshkuj 
Klavio Meça, Alb me 1355 pikë

EKIPORE
Kategoria të Rinj
Për Femra: Te Stela me 221 pikë
Për Meshkuj: Teuta me 220 pikë
Kategoria të Rritur
Për Femra: Studenti me 198 pikë
Për Meshkuj: Studenti me 213 pikë
KAMPIONATI KOSOVAR
EKIPORE
Për Femra
Kategoria E-F: Step me 203 pikë
Kategoria D: Step me 130 pikë
Të Reja, Kategoria B: Step,90 pikë
Kampion: Step me 486 pikë
Për Meshkuj
Kategoria E: Step me 257 pikë
Kategoria C: Step me 230 pikë
Kategoria B: Step me 177 pikë
Të Rinj: Besa me 113 pikë
Kampion: Step me 308 pikë