Studenti për meshkuj dhe Step për femra, Kampionët që shkruan historinë

679
PËRFUNDIMTARE/ U mbyll Kampionati Mbarëkombëtar i Notit, në pishinën e Durrësit, event i vlerësuar maksimalisht nga pjesëmarrësit e veteranët

Nga Agron KAJA
Dita e djeshme, e treta në kalendarin e Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit Shqipëri-Kosovë, ishte e fundit e kësaj veprimtarie të parë të këtyre përmasave, në të cilën morën pjesë rreth 300 notarë (femra-meshkuj). Me një mot tejet të nxehtë, të gjithë aktorët e kësaj veprimtarie e sfiduan vapën me garat që zhvilluan, ku duhet thënë se edhe uji i pishinës nuk i rezistoi. Sepse, sipas kryegjyqtarit të këtyre garave, ish-kampionit Emin Lishi, uji në pishinë i kaloi 25-27 gradë, duke e bërë paksa të vështirë notimin. Gjithsesi, në këtë situatë, të gjithë u përshtatën, duke treguar se, për veprimtari të përmasave të tilla, të dyja shtetet shqipfolëse kanë nevojë të shkëmbejnë eksperiencë. Le të themi se, dita e tretë tërhoqi më shumë vëmendjen e garuesve, por edhe të pranishmëve të shumtë, edhe për rivalitetin që treguan notarë të veçantë. Nëse Nikol Merizaj e Albania-s u shpall Notarja më e Mirë për Femra në këtë Kampionat Mbarëkombëtar, duhet thënë se, Fjorda Shabani e Step të Kosovës dhe Flaka Pruthi e Zenit, po e Kosovës, ishin rivale të denja në këtë Kampionat. Të dyja ishin absolute në garat që zhvilluan, duke qenë njëherësh edhe protagoniste në kampionatin e vendit të tyre. Sepse me masivitetin që Kosova kishte në këtë Kampionat, mbi të gjitha tregoi se sportit të notit i ka dhënë prioritet, përpos kushteve jo fort favorizuese të motit dhe të infrastrukturës. Po kështu edhe për meshkujt, por këtu veçohet se, të tre fituesit ishin nga ekipet shqiptare të notit, dhe vendin e parë e “hipotekoi” një notar i Albania-s, Klavio Meça. Durrsaku Frenc Bërdaku, me pak pikë u rendit në vendin e dytë, por ai tregoi se është një kampion në disa gara, ndërsa në vendin e tretë u rendit një tjetër talent i notit shqiptar, Deni Baholli i ekipit Te Stela, i cili me performancën e tij garuese, tregoi njëherësh edhe dorën e “ustait” të trajningut në notin shqiptar, trajnerit Sadik Mema. Ndryshe erdhi renditja përfundimtare, ku për Femra ekipi kosovar Step mbeti absolut. Në vendin e dytë e të tretë u renditën Studenti dhe Te Stela, ekipe me përbërje talentesh që premtojnë për të ardhmen. Për meshkujt, në renditjen përfundimtare spikatën ekipet e Studentit, Teutës e Te Stela, duke treguar se ky sport, progresin e ka si “detyrë shtëpie” në çdo veprimtari.
Agim Çiraku (Presidenti i FSHN-së)
Ky Mbarëkombëtar nuk do të jetë i fundit
Duke qenë organizatori i Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, në mbylljen e kësaj veprimtarie, premtoi se ky kampionat nuk do të jetë i fundit. “Unë jam i kënaqur për ritmikën e zhvillimit të këtij kampionati, ku në tre ditë garuan 300 notarë nga të dyja shtetet tona, Shqipëri-Kosovë. Falënderimet e para u shkojnë bashkatdhetarëve tanë nga Kosova, të cilët sollën përvojën e tyre, duke e bërë edhe më interesant menaxhimin e gjithë aktivitetit. Notarët dhe prindërit e tyre, njëherësh edhe trajnerët, treguan se këtë sport ata do ta çojnë në nivele më të larta. Për gjyqtarinë dypalëshe, natyrisht që fjalët janë nga më të mirat. Suksese të gjithë aktorëve të kësaj veprimtarie, që për ne këtu në Shqipëri do të mbahet mend, por nuk do ta lemë shumë gjatë”.
Ymer Rama (President i FKN-së)
Për ne, ishte një përvojë shumë e mirë
Duke qenë me profesion piktor, Presidenti i FKN-së, Ymer Rama, e “dizenjoi” që në fillim zhvillimin e Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit që u zhvillua në pishinën “Taq Dafa” të Durrësit, duke e quajtur atë, si një event që i kaloi përmasat e pritshmëritë. “Ne erdhëm në këtë Kampionat Mbarëkombëtar, jo vetëm për të garuar, por edhe për të mësuar nga homologët tanë këtu në Shqipëri. Pritshmëritë ndoshta nuk i kishim menduar të tilla, por sot në këtë mbyllje, unë kam kurajën të them se ata janë kaluar shumëfish. Kjo është një përvojë e mirë, pse jo, si për ne në Kosovë, ashtu edhe për ju këtu në Shqipëri, dhe përpos falënderimit për gjithçka, do të shtoja se ne obligohemi që të stimulojmë të tjera veprimtari mbarëkombëtare. Sukseset do jenë të mira”.
Sigal


KAMPIONATI MBARËKOMBËTAR
INDIVIDUALE
Për Femra
1. Nikol Merizaj, Alb (Shqipëri)
2. Fjorda Shabani, Step (Kosovë)
3. Flaka Pruthi, Zenit (Kosovë)
Për Meshkuj
1. Klavio Meça, Alb (Shqipëri)
2. Frenc Bërdaku, Teuta (Shqipëri)
3. Deni Baholli, Te Stela (Shqipëri)
EKIPORE
Për Femra
1. Step (Kosovë)
2. Studenti (Shqipëri)
3. Te Stela (Shqipëri)
Për Meshkuj
1. Studenti (Shqipëri)
2. Teuta (Shqipëri)
3. Te Stela (Shqipëri)