Agron KAJA/ Luiza Gega me rekord dhe AR në Baku “shastis” mediat shqiptare

91
Ka më shumë se 10 ditë që në Baku të Azerbaixhanit janë duke u zhvilluar Lojrat Sportive Evropiane në të cilat marrin pjesë edhe 10 sportistë shqiptarë në 10 disiplina sportiv. Për cilindo që ka patur kureshtjen dhe detyrimin profesional për t’i ndjekur këto lojra, natyrisht që mes tyre është pështjellë edhe fakti se aty merr pjesë edhe një delegacion sportistësh shqiptarë prej 30 vetësh që konkurojnë në mbi 10 sporte. E ndërsa këto lojra kanë hyrë në pikun e tyre, në mediat shqiptare publikimi i tyre ka mbetur selektiv dhe “peng” vetëm në gazetat sportive dhe në ndonjë minutazh të papërfillshëm radiofonik dhe televiziv. Për ta “qetësuar” paksa këtë dukuri, le të themi se në këtë “bleck out” ka qenë fushata elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit ajo që u ka penguar shikimin e mundësinë të gjitha mediave që nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur këtij eventi sportiv evropian. Por të gjitha mediat shqiptare (përjashtu gazetat sportive) në këtë rast marrin notë negative, sepse ditën e hënë datë 22 qershor 2015 atletika shqiptare ka njohur një nga kulmet më të mira të saj. 
Atlejtja Luiza Gega u rendit e para në garën e 1500 metrave për femra e njëherësh morri Medalje Ari, por në shumicën e ekraneve televizive shikonim se si numëroheshin votat në bashkitë e reja, pa gjetur një hapësirë qoftë edhe modeste që të numërohej i pari rekord i Luizës. Për atletikën shqiptare të kohës, kjo mund të quhet edhe si “Liza në Botën e Atletikës”, pasi me rezultatet që po fikson në eventet e mëdha veropanë e botërorë, po e çojnë drejt olimpiadës botërore më të sigurtë për të bërë historinë. Dhe më e veçanta që duhej të ishte në pole possition për këtë atlete, është se ajo shënon emrin e saj në këto lojra edhe si një rekordmene e parë shqiptare. 26 vjeçarja dibrane e ngriti flamurin kuqezi në kryeqytetin e Azerbaixhanit, por garimi i saj në pikun e nxjerrjes së rezultateve pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, e errësuan atë dritë që kombit ja zbardhi faqen. Nuk mund të pretendohet se ky ishte tregu i momentit me zgjedhjet si lajm i parë, pasi kështu ka humbur çdo kuptim i anës profesionale, por ky rast le të mbetet si çudira e radhës në mediate shqiptare të politizuara. Dhe më së shumti, ky rast tregon se pjesa dërmuese e mediave shqiptare jo vetëm që janë të varura dhe përdoren nga politika, por duke mos publikuar raste të tilla ato tregohen edhe mohuese të vlerave sportive kombëtare, por inspiruese të momenteve rutinë që u jep atyre ndonjë benefit financiar e servil. Nuk ndjehemi mirë në të tilla raste, kur në retrospektivë kthejmë kujtesën për ndonjë ndeshje futbolli të Kombëtares, për të cilat këto ekrane bëhen më shumë se sa “kombëtarë”, ku veç ndeshjes përcjellin palne edhe të pronarëve të tyre përkrah politikanëve më në zë në Shqipëri. Ky nuk është patriotizëm, aq më shumë që shfaqet edhe LIVE në ekrane dhe kësisoj, kur sportistët shqiptarë nuk gjejnë përkrahjen e duhur edhe mediatike, largohen jashtë Shqipërisë. 
Aatëhere të gjitha mediat përkushtohen për ta dhënë si lajm të parë, pa thënë asnjëherë se edhe ato e kanë “sponsorizuar” këtë eksod me performancën që i kanë bërë sportit, në rastin konkret me Luiza Gegën. Kjo ishte “qershiza mbi tortë” për atletikën shqiptare në Lojrat Evropiane të Bakusë që u shpërfill mediatikisht, ndërsa duhet thënë se sportistët tanë në këtë event nuk dhanë pritshmëritë e synimet, ndërkohë që sportistët e tjerë që e bënë Shqipërinë krenare në këtë Evropian ishin atleti Izmir Smajlaj në kërcim së gjatë në vendin e 2-të dhe në kërcimin tre-hapësh duke u renditur në vendin e 5-të; Brixhilda Qosja në 400 metër dhe Astrit Kryeziu në 800 metër në vendin e 4-t, për të vazhduar me tre vende të tjera të pesta. Nga ana tjetër, duhet thënë se Shqipëria çaloi shumë në këto lojra në disa sporte, aty ky synimet ishin për rekorde e vende nderi, ndërkohë që u zbulua edhe për një rast përdorimi lëndësh narkotike nga një boksier. Kësisoj është garimi i dobët i çiklistit Eugert Zhupa, i pari çikslist shqiptar që ka marrë pjesë në Xhiro d’Italia, ishin vendet e fundit të qitësit Arben Kuçana dhe më shumë se 8 eliminime nga gara të disa sportistëve tanë. Pra, parë në këndvështrimin e rezultateve, ja pse rekordi dhe medalja e Artë e Luiza Gegës meritonin më shumë vëmendje e publikim në tregun mediatik shqiptar. Deri në mbyllje të këtyre Lojrave Evropiane Sportive që janë duke u zhvilluar në kryeqytetin e Azerbaixhanit, Baku, për Shqipërinë do të garojnë notarët Freanc Aleksi e Diana Basho në 200 e 400 metër stil i lirë, si edhe xhudisti Igli Ramosaçaj. Ndoshta për më tej, mediat shqiptare do të preken nga këto radhë këtu në gazetën “Telegraf” e do të korrigjojnë shënjestrat e tyre në transmetimet e lajmeve për rekorde e medalje të arta.