Universi detar, lumor dhe liqenor dhe larmia e peshqve në vendin tonë

2666
Bregdeti shqiptar fillon në veriperëndim në grykëderdhjen e Bunës, që është dhe kufiri midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe vazhdon deri në Kepin e Stillos në jug të vendit, në kufi me Greqinë. Gjatësia e tij, prej 450 km duke përfshirë dhe lagunat, fillon në detin Adriatik dhe mbaron në detin Jon. Ky bregdet është mjaft i bukur dhe i larmishëm. Nga njëra anë ofron plazhe masive ranore, shumë të përshtatshme për pushimet e familjarëve, si dhe plazhe të vegjël ekzotikë, intimë dhe të thellë. Format e bregut janë të pasura me kepe, gjire të mbrojtur, laguna dhe delta të shumta. Shumë pjesë të këtij bregdeti janë të pastra ekologjikisht dhe ende të pa cenuara nga veprimtaria njerëzore. Gjithashtu, lagunat dhe deltat janë disa nga vendet më të mrekullueshme për të dashuruarit me natyrën, si dhe për amatorët e peshkimit dhe të gjahut. Ato përbëjnë ekosisteme shumë të rëndësishme dhe janë potenciale për zhvillimin e ekoturizmit. Bota nënujore është e pasur me objekte arkeologjike. Të apasionuarit mund të shohin florën, faunën e mahnitshme nënujore, anijet dhe objekte që nga kohët e lashta, deri në kohët moderne. Çdokush mund të shijojë bukurinë e kështjellave dhe parqeve arkeologjike, që zbukurojnë bregdetin shqiptar.
Shqipëria është shumë e pasur me liqene 
Shqipëria është shumë e pasur edhe me liqene. Krahas liqeneve të mëdhenj të Shkodrës,Ohrit dhe Prespës gjenden disa dhjetra liqene të vegjël të mrekullueshëm dhe shumë liqene artificiale mjaft atraktivë. Interesant është fakti që çdo liqen i madh në Shqipëri përbën një rekord më vete në gadishullin e Ballkanit. Liqeni i Shkodrës është liqeni me sipërfaqe më të madhe në Ballkan, 368 km2, nga të cilat 149 km2 me një gjatësi brigjesh prej 57 km i takojnë Republikës së Shqipërisë. Liqeni i Ohrit është liqeni me thellësinë më të madhe në Ballkan, 289 metër i thellë. Liqenet tektonike të Prespës ndodhen në lartësinë 850 metër mbi nivelin e detit duke përbërë liqenet më të larta tektonike të gjithë gadishullit ballkanik. Liqeni i Shkodrës gjendet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai ka një breg shumë të larmishëm të tipit të ulët të “marsheve” në Veri dhe shkëmbor në Jug. Në bregun jugor shquhen plazhet e Shirokës dhe të Zogajt. Fauna e liqenit të Shkodrës është një nga më të pasurat në Shqipëri. Në këtë liqen dhe në natyrën përreth tij jetojnë 45 lloj peshqish dhe 281 specie shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87 % të gjithë Ortinofaunës (shpendëve) të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është patjetër pelikani, zogu më i madh në Europë. 
Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit është një nga liqenet tektonike më të bukur të Ballkanit dhe të Europës. Ai është midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky liqen ka një sipërfaqe 358 km2 dhe ndodhet në lartësinë 695 metër mbi nivelin e detit. Ai ofron një klimë mjaft të shëndetshme, sidomos në stinën e nxehtë të verës. Liqeni i Ohrit ka një moshë 4 milionë vjeçare. Në këtë liqen gjenden 30 lloje molusqesh. Sfungjeri i liqenit të Ohrit gjendet vetëm këtu dhe në liqenin e Bajkalit. Në këtë liqen rritet peshku i famshëm Koran dhe Belushka, një lloj trofte shumë e shijshme. Bregu i këtij liqeni ofron një infrastukturë të rehatshme dhe komode për turizmin duke përfshirë hotele, restorante peshku, bare, etj. Kjo zonë është e njohur veçanërisht për turizmin familjar. Ky breg përveç qytetit të Pogradecit ka dhe pika të tjera të njohura turistike si Lini, Pojska, Tushemishti, etj .10
Liqenet e Prespës 
Liqeni i Prespës së Madhe ndodhet në territorin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë, me një sipërfaqe prej 285 km2 nga të cilat Shqipërisë i takojnë 44 km2. Liqeni i Prespës së Vogël, me një sipërfaqe 44 km2, ndodhet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ujërat e liqeneve të Prespës, sidomos Prespës së Madhe, shquhen përnjë bukuri dhe kthjellësi të lartë. Përreth këtyre liqeneve është mjaft i zhvilluar turizmi rural, ekoturizmi, si dhe sporte të ndryshme të ujit. Për të apasionuarit e natyrës liqenet e Prespës përbëjnë një spektakël mbresëlënës, sidomos për ata që janë të interesuar për florën ujore. 
Liqenet e vegjël 
Në hapësirën e Shqipërisë ndodhen edhe dhjetëra liqene të vegjël me origjinë akullnajore, karstike dhe artificiale. Nga liqenet e shumta me origjinë akullnajore dallohet kompleksi i 12 liqeneve akullnajore të Lurës, liqenet e Doberdol – Sylbicës në Alpet e Tropojës, Balgjait në Bulqizë, liqeni i Zi në Martanesh, liqeni i Dushkut në Gramsh, liqenet e Rajcës në Librazhd dhe liqeni i Shelgurit në Ersekë. Liqenet karstike përfaqësohen nga 69 liqenet e pllajës së Dumresë, ku dallohet liqeni i Merhojës, liqeni i Çestijes, liqeni i Gjatë, i Belshit, Liqeni i Lurës – Dibër i Seferanit, etj. 
Liqenet artificiale 
Liqenet artificialë më të mëdhenj janë ato të Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës, Ulzës e Shkopetit. Liqene të tjera artificiale janë ato të Tiranës, ujëmbledhësat e Farkës, të Thanës në Lushnjë dhe Gjançit në Vithkuq të Korçës. Liqenet ofrojnë kënaqësi argëtuese dhe sportive. Ato karakterizohen nga një florë dhe faunë mjaft e pasur në bimë, lule, pyje, kafshë dhe shpendë nga më interesantët. Gjithashtu liqeni i Komanit shërben edhe si rrugë lundruese duke ju ofruar pamje të ngjashme me “fiordet norvegjeze”.
Burimet ujrore
Natyra shqiptare është e pasur me burime ujore, lumenj dhe përrenj të shumtë. Burime me vlera kurative janë edhe ato të ujërave termale të quajtura llixha. Këto burime ndodhen në Leskovik (Vronomero), Dibër, Elbasan, Fushë Krujë (Bilaj) dhe në afërsi të Përmetit (Bënjë). Burimet e ujërave të Syrit të Kaltër në Delvinë, të Ujit të Ftohtë në Tepelenë, të Syrit të Sheganit pranë liqenit të Shkodrës, të Drilonit afër liqenit të Ohrit, të Viroit në Gjirokastër, të Poçemit në Mallkastër janë të shquar për bukurinë dhe veçantinë e tyre. Rrjeti hidrografik i territorit të Shqipërisë përbëhet nga 11 lumenj kryesorë, që së bashku me degët Vronomero – Leskovik dhe Bënja – Përmet
Pauria lumore e Shqipërisë
Natyra e tyre dhe përrenjtë e mëdhenj me ujë të vazhdueshëm arrijnë numrin 152. Lumi më i gjatë është lumi i Drint të Zi, 285 km. Dega kryesore e Drinit të Zi buron nga liqeni i Ohrit dhe hyn në Shqipëri nëpërmjet grykës së Radikës. Lumenj të tjerë janë Valbona, Buna, Fani, Mati, Erzeni, Shkumbini, Semani, Vjosa, Osumi, Shushica, Devolli, Langarica, Drino, Bistrica, etj. Lumenjtë krijojnë hapësira, lugina dhe kanione të mreku- llueshëm. Disa nga luginat më të bukura janë lugina e Valbonës dhe e Shalës në Alpet e Shqipërisë, lugina e Tomorricës, gryka e Këlcyrës në lumin Vjosë, kanionet e përroit të Bënçës e Osumit, etj. Këto kanione, përveç bukurisë dhe madhështisë së tyre natyrore, janë dhe një vend ideal për praktikimin e sporteve të ujit si vozitja me kanoe dhe rafting. Një element tjetër i lumenjve të Shqipërisë janë kataraktet e mrekullueshme, si ai i Grunasit në përroin e Thethit në Alpet e Veriut, i Shoshanit në luginën e Valbonës, i Kokotrafit në Konispol, ujëvara e Progonatit në Kurvelesh, etj. 
Ishujt e mrekullueshëm
Ishulli i vogël i Franc Jozefit ndodhet në grykëderdhjen e Bunës. Ishulli mbulohet nga korije të bukura kryesisht me pemë plepi, verri dhe drurë të tjerë flutorë. Ai shquhet për natyrën e tij të qetë dhe është vend ideal për ata të cilët dëshirojnë të qëndrojnë larg zhurmave. Ishulli ranor i Kunës ka një sipërfaqe 125 ha dhe ndodhet pranë deltës së Drinit në rrethin e Lezhës. Aty do të gjeni një bimësi të harlisur që nga shkurret tipike mesdhetare, lianet e bukura kacavjerrëse, pyje të vegjël me shelgje lotues dhe pemë frashëri. Fauna e këtij ishulli është nga më të pasurat në Shqipëri me 70 lloj shpendësh, 22 lloj reptilesh, 6 lloj amfibësh dhe 23 lloj gjitarësh. Nga shpendët shquhen rosat e egra, fazanët, qukapikët, karabullakët, shapkat dhe rosa e madhe kryekuqe. Që në kohët e lashta perandorët e Romës merrnin nga kjo zonë peshk dhe shpendë të ndryshëm, të cilët shquheshin për shijen e tyre unike dhe cilësitë e larta gastronomike.
Ishulli i Zvërnecit
Ishulli i Zvërnecit është një nga ishujt e lagunës së Nartës në Vlorë. Ai është një ishull mjaft piktoresk i mbjellë i gjithi me pemë qiparisash. Në këtë ishull ndodhet kisha e Shën Marisë, një kishë e vjetër dhe me mjaft vlera. Ishulli i Shurdhahut është ishull i vogël, por mjaft piktoresk që gjendet në liqenin e Vaut të Dejës. Në këtë ishull ndodhen rrënojat e lashta të qytetit mesjetar të Sardës. Këtu ka qenë rezidenca e familjes feudale të Dukagjinasve.
Ishulli i Sazanit 
Ishulli i Sazanit është ishulli më i madh i Shqipërisë me një sipërfaqe 5.7 km 2, me gjatësi 4.8 km dhe gjerësi 2 km. Ishulli kryesisht është shkëmbor dhe ka një plazh të vogël në formë gjiri në drejtim të Vlorës. Emri i lashtë i ishullit të Sazanit është Sason. Ky ishull është një vend i përsosur për amatorët e nënujit dhe peshkimit. 
Ishulli i Maligradit
Ishulli i Maligradit është në liqenin e Prespës së Madhe pranë fshtatit të Liqenasit. Ai është një ishull mjaft i vizituar me lundra për kishën e tij eremite të Shën Marise. Ishujt e Ksamilit. Katër ishujt e mrekullueshëm të Ksamilit kanë një sipërfaqe prej 8.9 ha. Ato janë shumë afër bregut dhe ofrojnë një spektakël të rrallë natyror. Këto ishuj janë të gjelbër në çdo stinë të vitit. Disa prej tyre kanë dhe plazhe të vegjël shumë të pastër. Deti përreth këtyre ishujve shquhet për një kthjellësi të mahnitshme dhe peisazhi i tyre të dhuron një kënaqësi të veçantë.
Larmia e peshqve në ujërat detare, lumore dhe liqenore
1.Qefulli është peshk i ujërave të kripura që gjendet si në Jon dhe në Adriatik. Jeton në tufa dhe arrin deri në 5 kg. Në Shqipëri numërohen rreth 8 lloje qefujsh si cumra, kryeholli, kryeziu, veshverdhi, qefulli me buzë.
2.Levreku është një ndër peshqit më të shijshëm që rritet në detet tona. Gjendet më shumë në muajt e dimrit, pranë brigjeve. Ushqehet me peshq të tjerë, qefull, shtiza. Arrin me raste edhe në 14 kg. 
3.Trofta rritet më shumë në ujërat e lumenjve. Gjendet në Valbonë të Tropojës, por edhe në lumenjtë e tjerë.
4.Bishtmëllenja ka shumë në Adriatik. Ky lloj peshku jeton në vendet që kanë fund ranor. Ushqehet me peshq të tjerë. Është shumë karakteristik, pasi është në formë rombi dhe ka aftësinë të fshihet në rërë, ku ruhet nga gjuetarët e tjerë, si dhe gjuan për vete. Ka mish të mrekullushëm. Gjendet në afërsi të brigjeve pothuajse gjithë vitin, por më shumë në tetor-nëntor. Është 2 llojesh: njeri prej tyre është me disa si gjemba në kurriz dhe është më i shijshmi.
5.Ngjala e egër është në formë gjarpri, me ngjyrë si karrotë. Ka dhëmbë të mprehtë dhe ushqehet me peshq të tjerë, kryesisht të ngordhur. Gjendet si në Adriatik ashtu edhe në Jon. Preferon fundet shkëmbore dhe arrin deri 2 metra gjatësi dhe peshon deri 50 kg. 
6.Morena ngjason me vrongon, por vetëm nga karakteristikat. Është me të vërtet gjarpri i detit. Jeton në shkëmbinj, ku zakonisht ka 1 zonë të sajën, por që mund të jetojë me 2-3 ekzemplarë të tjerë. Trupin e ka si kafe e errët me njolla të çrregullta të verdha. Shkon në mbi 1,5 metra dhe i kalon të 50 kg. Ka qenë objekt legjendash në Greqinë e lashtë, për egërsinë e saj. Është shumë e shijshme. Më tepër gjendet në Jon, por nuk mungon dhe në Adriatik. Ka dhëmbë të mprehtë e të rrezikshëm. 
7.Peshku shtizë ka ngjyrë të argjendtë dhe gjendet në të 2 detet tona. Është ushqim shumë i shijshëm si për njerëzit, ashtu edhe për peshqit e tjerë. Quhet shtizë, pasi e ka gojën në formën e shtizës, me dhëmbë të imët. Ushqehet me peshq më të vegjël, si dhe me shtiza më të vogla. Karakteristikë e këtij peshku është se ka hala, perveç shtyllës kurrizore që ka ngjyrë blu si të detit…
8.Gofo ose Lica është peshk që jeton në thellësitë 20-30 m, por që në stinën e verës i afrohet bregut deri në disa cm ujë. Quhet edhe tigri i deteve. Dhëmbët e mprehtë, egërsia e tij e bëjnë tmerrin e shumë peshqve të tjerë. Vret edhe kur s’i hahet. Arrin deri në 2,5 metra gjatësi dhe peshon deri 65 kg.
9.Delfini është gjitar ujor i konsideruar si kafsha e tretë më e mençur në botë. Delfini ushqehet kryesish me peshq, është mjaft paqësor dhe krijon miqësi me njerëzit. Delfini është gjitar deti me trup deri ne 3,7 metra, me ngjyrë hiri ne kurriz dhe me bark te bardhe, me lëkure te lëmuar, me turi te zgjatur. Delfini jeton mbi 100 vjeç. Kjo kafshe pëlqen detet e ngrohta të klimës mesdhetare. Ai jeton ne thellësi prej 2 deri 9 metra. Ekzistojnë 34 lloje delfinësh.
10.Oktapodi ka tre zemra dhe gjaku i tij ka ngjyrë blu. Oktapodi i rritur mund të struket në një vrimë duke marrë formën e një monedhe 10 centshe. Oktapodët janë të verbër.
11.Kali i detit. Është kafsha e vetme në mbretërinë e kafshëve ku mashkulli lindë në vend të femrës. Vezët e femrës kali i detit i mbledhë në një qese të veçantë në bark, të ngjashme me atë të kangurit. Ata janë kafshë monogamike dhe jetojnë me të njëjtin partner përgjatë gjithë jetës së tyre. Çdo mëngjes kërcejnë, ndryshojnë ngjyra, bëjnë gjithçka me partnerin e vet, ndërsa gjatë ditës ndahen. Kur çiftëzohen prodhojnë tinguj muzikorë. Janë nga kafshët më të pangopura. Kanë shumë oreks. Konsumojnë mbi 3000 karkaleca të kripur në ditë.
12.Breshka e detit sekretojnë kripën e detit përmes syve të tyre, ndaj dhe duket sikur qajnë. Jetojnë në çdo kontinent, përveç Antarktidës.
13.Kandili i detit ekziston këtu e 650 milionë vjet më parë, gjë që do të thotë se është po aq i vjetër sa peshkaqenët dhe dinosaurët. Rreth 95% e kandilit të detit përbëhet nga uji. Disa kandilë deti kanë 65 tentacle. Kandilët e detit (shumëkëmbësh) vrasin më shumë njerëz se çdo lloj tjetër kafshe deti. Vrasin brenda tre minutash, ndërsa mund të lëvizin në dy metra largësi brenda një sekonde.
14.Gaforrja i kanë dhëmbët në stomak. Një lloj gaforreje në Japoni është më e vjetra në botë. 8.1 milionë gaforre konsumohen çdo vit në restorante dhe shtëpira të ndryshme anembanë botës.
Sigal