“Agjërim” zyrtar, apo futbolli ka marrë “lejen e zakonshme”?!

428
Sigal

FUTBOLL/ Ka afërsisht dy muaj “stopim” që Superiorja shqiptare bën “faturat” hyrje-dalje për këstin e dytë

 Në këtë janar të ftohtë, me lagështi e amulli sociale, teksa qëndrojmë të mbërthyer në ekranet e televizioneve për të soditur ndeshjet e kampionateve të ndryshme që luhen në Evropë dhe në Botë, nuk shpëtojmë dot nga nostalgjia për futbollin tonë, për stadiumet tona e për skuadrat, të cilat ashtu-kështu, e venë në lëvizje jetën tonë futbollistike. Por, nga 2 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, kanë kaluar gati 50 ditë që kampionati ynë i Superiores i ka mbyllur fletët e kalendarit të tij, natyrisht për këstin e parë të sezonit dhe pjesa më e madhe e skuadrave më shumë janë duke “agjëruar”, se sa duke prodhuar energji për vazhdimësinë. Ka skuadra të cilave u janë larguar shumë lojtarë, të tjera që u janë larguar trajnerët, e ndonjë e veçantë që ka ndryshuar edhe sponsorin, e midis tyre ka edhe nga ato që në letra kenë bërë merkato lojtarësh pa ndonjë deklarim zyrtar në FSHF. Tradicionalisht, në Shqipëri kjo është një periudhë e gjatë që nuk ngjason të paktën edhe me kampionate shumë më inferiore në Europë e në Botë, të cilët ose nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre nga faza në fazë, ose kanë bërë pushime të shkurtra mes tyre. Ndërkohë që, për këtë shkëputje që ndodh në kampionatin tonë, e cila po bëhet vazhdë nga sezoni në sezon, nuk mund t’ia dalësh dot për të thënë se ky është me të vërtetë një kampionat profesionist që kërkon t’i ngjasojë homologëve në kontinentin tonë. Shumëkush që e ndjek futbollin shqiptar edhe mund të ketë ndonjë gjykim ndryshe, pasi skuadrat janë duke u përgatitur në Shqipëri e jashtë saj, ku nuk ju kanë munguar edhe ndeshjet miqësore. Po, është e vërtetë (jo për të gjitha skuadrat), por këto janë ndeshje që ngjasojnë më shumë me ish-Spartakiadat e 30-40 viteve më parë, aty ku për masivitet të vetë futbollit, futeshin shumë lojtarë. Kësisoj, aty, në ato miqësore e përgatitore jashtë e brenda vendit, nuk mund të pretendohet se ato kanë seriozitetin e një ndeshjeje zyrtare (Kampionat apo Kupë). Më së shumti, në të tilla hapësira kohe kaq të gjata, individë të veçantë përfitojnë me “hopa-hopa” nga një skuadër në tjetrën për të treguar sa më shumë nga vlerat e tyre kur provohen nëpër skuadra, ndërsa për trajnerët që  kërkojnë të gjejnë modulet më të mira që do t’i përdorin gjatë kësaj faze të dytë, përshtatja e futbollistëve me skuadrën mbetet një handikap që çedon qysh në ndeshjet e para të fazës së dytë. Kështu nuk veprohet në botën e futbollit dhe po t’i referohemi skuadrave inferiore në Itali, Angli, Spanjë, apo edhe Gjermani, të cilat pushuan vetëm në ditët e festive e ndërruan ambient për 10-15 ditë në shtete e kontinente të tjera, në 10-ditëshin e parë apo të dytë të janarit ato i nisën kampionatet, madje duke futur në mes edhe ndeshje të kupave në futbollin e tyre. Ndërsa tek ne nuk ka një vazhdimësi të tillë nga faza në fazë edhe pse është merkato nëpërkëmbë. Kështu, duke mos pasur një element të tillë, natyrisht që kemi të drejtë të themi se në Superligën shqiptare hyjnë e dalin futbollistë e trajnerë pa lënë gjurmën e duhur, jo vetëm se bëhen merkato të pastudiuara dhe me afate qesharake, por edhe pse pagesat shpesh nuk i përgjigjen nivelit të emrave që publikohen gjatë çdo periudhe merkatoje. Nëse do të flisnim për një merkato që do të lëvizë Balotelin, Kaka-në apo Shnaijderin, do t’ia bënim hallall këto radhë Superiores sonë, por kur themi që në lojën e merkatos vërdallosen ata që më shumë nuk kanë luajtur shumë gjatë fazës së parë, atëherë kujt mund t’i shërbejë më shumë kjo “leja e zakonshme” që futbolli ynë ka marrë që nga 2 dhjetori 2012 e deri më sot. Kësisoj, këto ditë të gjata shkëputjeje, nuk do të kenë shumë vlerë për rikuperimin e skuadrave, apo për kolaudimin e tyre, përderisa ato kanë këtë distancë kohore edhe mes seriozitetit të zyrtares me miqësoret. Duke ju rikthyer kësaj pauze të gjatë pa ndeshje zyrtare, stadiumet dhe fushat sportive të futbollit tonë duket sikur janë në lëngatë të dyfishtë: nga mungesa e spektatorëve dhe nga “tekat” e motit të keq që po mban gjatë këtij janari kaq të ftohtë dhe të lagësht, i cili më shumë i dëmton se sa i mbron këto fusha e stadiume pa ndeshje e spektatorë. Dhe duke i shtuar kësaj hapësire kohore edhe aktualitetin me hyrje-dalje futbollistësh e trajnerësh, edhe faktin që pjesa më e madhe e futbollistëve e trajnerëve nuk i kanë mbyllur shlyerjet financiare për vitin 2012; le të shpresojmë që ndeshjet e fazës së dytë të nisin në fushë, por të mos përfundojnë në spitale e klinika mjekësore, pse jo, shpesh edhe në tavolinat e trukimeve. Ka edhe të tjerë elementë në të cilët do të zvarritet faza e dytë e Superiores, e cila ndoshta nuk do të jetë “binjake” me të parën, të paktën për elementët e dhunës dhe të ndonjë trukimi ndeshjeje, pasi në futbollin shqiptar këto fenomene plasin më hapur në gjysmën e dytë të sezonit, e cila pritet të nisë pas një “agjërimi” shumë gjatë në këtë sezon. Një pyetje për mbyllje: A duhet të flasin specialistët e futbollit për këtë dukuri, apo edhe ata janë në agjërimin dimëror?

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIII

01-02 dhjetor 2012

Shkumbini-Luftëtari        2-1

Kastrioti-Vllaznia         3-2

Teuta-Tomori               3-1

Skënderbeu-Kukësi          2-0

Tirana-Laçi                2-1

Besa-Bylisi                1-3

Flamurtari-Apolonia       3-1

JAVA XIV

9 shkurt 2013

Laçi-Kukësi

Skënderbeu-Vllaznia

Kastrioti-Apolonia

Flamurtari-Bylis

Besa-Laçi

Tirana-Tomori

Teuta-Shkumbini

 RENDITJA

1  Skënderbeu   13   +19  33

2  Teuta        13   +3   23

3  Tirana       13   +5   22

4  Bylis        13   +6   21

5  Kukësi       13   +5   21

6  Laçi         13   +1   21

7  Flamurtari   13   +5   19

8  Vllaznia           13   +1   17

9  Besa         13   -2   16

10 Kastrioti    13   -7   15

11 Shkumbini    13   -7   12

12 Luftëtari    13   -6   11

13 Apolonia           13   -11  8

14 Tomori       13   -12  6

Sulmuesi i Kombëtares rikthehet në Serinë A italiane

 Katania blen gjigantin shqiptar Edgar Çani

   Edgar Çani rikthehet në Serinë A, pas eksperiencës së tij me Polonia Varshavën në kampionatin polak. Katania firmosi një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2016. Sipas mediave italiane, sulmuesi i Kombëtares shqiptare zgjidhi në mënyrë të njëanshme kontratën me ish-klubin e tij polak dhe pranoi një kontratë me terma të reduktuar financiarë, pra “ekonomikë’. Çani u prezantua dje në klubin e tij të ri dhe do të mbajë numrin 32 në fanellë. Ai do të jetë në dispozicion të skuadrës italiane, në momentin që do të mbërrijë edhe transferimi i tij ndërkombëtar, i cili parashikohet të lëshohet nga zyrat e FIFA-s në harkun e 20-30 ditëve. Në Itali, sulmuesi 23-vjeçar, 192 cm, ka luajtur më parë me Peskarën, Palermon, Askolin, Padovën, Piaçencën dhe Modenën. Çani do të jetë zëvendësi i Bergesios te Katania.

 KARRIERA – Sulmuesi Edgar Junior Çani (zyrtarisht ka këtë emër, pasi i ati i tij quhet Edgar Çani) është lindur në Tiranë, më 22 korrik 1989, por mbërriti në Itali, me familjen e tij, kur ai ishte vetëm 11 muaj. Hapat e parë në futbollin profesionist i pati në sezonin 2007-2008, kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç, duke shënuar tre gola në 11 ndeshje me Peskarën, asokohe në Serinë C1 (kategoria e tretë në Itali). Në Serinë A, Edgari debutoi më 27 prill 2008, në ndeshjen Palermo-Atalanta, duke qenë pjesë e sicilianëve, që kishin blerë kartonin e shqiptarit. Për tre sezone, nga 2008-2009 deri në 2010-2011, Çani u dha në huazim  dhe luajti në Serinë B: me Askolin, Padovën, Piaçencën dhe Modenën, duke u aktivizuar në 90 ndeshje dhe shënuar 15 gola. Më 18 korrik 2011, ai u transferua nga Palermo te Polonia Varshava, në kampionatin maksimal polak. Sezonin e kaluar, në 26 ndeshje realizoi 11 gola, duke realizuar edhe dy gola në Kupën e Polonisë. Tashmë, Edgari do të luajë për Katanian, që ndodhet në një pozicion shumë komod në Serinë A: vendi i 8-të.

 KOMBËTARJA – Qendërsulmues tipik, me fuqi të madh dhe zot në lojën në ajër, falë edhe lartësisë së tij të dukshme (192 cm). Çani është shndërruar tani në titullar të Kombëtares shqiptare, teksa numëron deri tani 8 paraqitje dhe 3 gola me përfaqësuesen e drejtuar nga trajneri italian, Xhani De Biazi. Edgari e firmosi golin e tij të parë, pikërisht në debutimin e tij, në miqësoren kundër Gjeorgjisë, më 29 shkurt 2012, ndeshje që përkoi edhe me debutimin e trajnerit De Biazi në bankinën e Shqipërisë. Në kualifikueset e Botërorit 2014, Çani është aktivizuar në katër ndeshje, duke realizuar dy herë: kundër Qipros dhe Islandës. Ai është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në këtë kompeticion ndërkombëtar.

Box:

Katër shqiptarët e Serisë A

Edgar Çani do të jetë lojtari i katërt shqiptar që do të luajë këtë sezon në Serinë A. Sulmuesi Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare, luan për Sienën, dhe të dielën shënoi një gol të rëndësishëm kundër Sampdorias. Bogdani luan në Itali nga viti 2000. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është në sezonin e dytë te Lacio dhe tashmë e ka gjetur veten në zemër të mbrojtjes. Portieri Samir Ujkani, edhe ky një “kuqezi” luan me Palermon, por mund të ndryshoj destinacion: Inter, Napoli, Kievo, Lacio dhe Fiorentina kanë shprehur interesim për të.

  Skënderbeu, në “Kupën e Atlantikut” në Portugali

  Skënderbeu ndodhet në Portugali, do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Kupa e Atlantikut 2013”, ku përveç kampionëve të Shqipërisë do të marrin pjesë edhe suedezët Silkeborgut, si dhe dy ekipe austriake: Rapidi i Vjenës dhe Matersburgu. Trajneri Mirel Josa, në një prononcim për mediat nga aeroporti i Rinasit, theksoi se Turneu miqësor i Portugalisë do t’u shërbejë futbollistëve të tij për të qenë gati për fazën e dytë. Josa nuk mendon se përballjet me kundërshtarë të fortë europiane zhvillohen për ta parapërgatitur Skënderbeun për Ligën e Kampioneve. Skënderbeu do të zhvillojë 3 takime miqësore në Portugali me Silkeborgun, Rapidin e Vjenës dhe Matersburgun. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin me 30 mijë vende “Algarvo Estadio”, ku janë luajtur edhe ndeshje të Euro 2004-ës. Turneu do të nisë më 24 janar dhe do të mbyllet më 31 janar. Për fituesin e turenut do të ketë një shpërblim prej 10 mijë eurosh. Skuadra korçare është akomoduar në qytetin Faro, në Portugali.

  Ndeshjet

“Kupa e Atlantikut 2013”

(24-31 janar)

 24 janar, ora 17:00 Skënderbeu–Silkeborg

24 janar, ora 20:00 Rapid Vjenë–Farense

28 janar, ora 17:00 Silkeborg–Matersburg

28 janar, ora 20:00 Rapid Vjenë–Skënderbeu

31 janar, ora 17:00 Skënderbeu–Matersburg

31 janar, ora 20:00 Rapid Vjenë–MSilkeborg