Abazaj i Luftëtarit ndëshkon të ardhmen, Flamurtari likuidon Partizanin në ekstrem

444
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Nisi dje java e 17-të, në Durrës, tifozeria lushnjare e nis me dhunë, korçarët thyhen në Gjirokastër
Dje u rikthye zyrtarisht futbolli shqiptar, dhe ishte elita, Kategoria Superiore, e cila luajti ndeshjet e javës së 17-të. Të gjitha sfidat u zhvilluan interesante, ku dukshëm skuadrat u munduan të sillnin përshtatjen më të mirë në fushën e lojës, pas përgatitjeve dhe merkatos që kishin zhvilluar në këtë periudhë. Dhe ishte i pari Luftëtari, i cili në stadiumin e tij tregoi se është rikthyer në formën më të mirë. Që të mundësh kryesuesit, skuadrën më të mirë për momentin në Kategorinë Superiore, Skënderbeun, ky është një moral, që për trajnerin Hasan Lika, është një tripikësh që erdhi nga këmbët e Abazajt, por që i përket gjithë skuadrës. “Ne kemi një skuadër që po rritet nga ndeshja në ndeshje, me lojë dhe rezultate. Jo vetëm ata të dy, Abazaj e Bregu, por të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Si Abazaj, si Bregu, edhe kundërshtari kanë meritat e tyre. Nuk ishin vetëm meritat e dy lojtarëve, por e të gjithëve”, ishte kjo një pjesë e deklaratës së Likës menjëherë pas kësaj fitoreje, duke e lënë Skënderbeun në dilemën e kryesimit. Ndërkohë që në këtë ndeshje u dha një karton i kuq për mbrojtësin e Skënderbeut, Marko Radas, por edhe një gjest i tij që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, tregoi se nervat të tradhtojnë kur të lenë këmbët. Duke e kaluar me një heshtje këtë humbje, trajneri i skuadrës korçare, Ilir Daja, ndoshta do të ketë kohën e duhur për të parë, se çfarë nuk shkoi mirë nga kjo përballje e vështirë në Gjirokastër. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar dje në Vlorë, skuadra e Flamurtarit luajti më mirë nga Partizani, e administroi lojën në harkun e gjithë minutave të luajtura, dhe u shpërblye në ekstremin e saj me një penallti. Ky vendim i arbitrit Enea Jorgji nga Elbasani solli tension te Partizani, madje më shumë te trajneri Sulejman Starova, i cili për protestat e tij ndaj vendimit të arbitrit u ndëshkua me karton të kuq. Do të presë kështu vendimin e Komisionit të Disiplinës, i cili në të tilla raste, “gjobën” e ka nga 2 ndeshje e sipër. Për trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro, ndeshje të tilla vendosen nga situatat e momentit. “Fitorja është shumë e bukur, sepse u ngjitëm në klasifikim. Këto ndeshje të tilla janë, vendosen nga situatat, ndërsa për Starovën, nuk kam ndonjë koment. E kuptoj, humbjet në fund janë të hidhura”, theksoi Duro menjëherë pas ndeshjes, duke pranuar se skuadra e tij ka rritje në lojën e saj dhe vendi i dytë është pjesë e kësaj gjendjeje. Nga ana tjetër, Partizani me shumë probleme në 16 javët e kaluara dhe në gjendjen brenda skuadrës, dje tregoi se harmonia jashtë fushe trajner-lojtar, ka më shumë vlera në fushën e lojës. 
E VEÇANTA E JAVËS
Tifozët e Lushnjës kundër Finos, kandidatit të propozuar nga Bashkia e tyre!
Në ndeshjen e djeshme në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta-Lushnja 2-2, pati edhe momente të përplasjes fizike të tifozëve lushnjarë me policinë të pranishme në stadium. Një grup i tyre ka goditur policinë, duke lëshuar edhe sharje e fyerje në adresë të kandidatit për President në FSHF, Bashkim Fino, i cili është propozuar për këtë post nga Bashkia e Lushnjës. Ndërhyrjes së policisë, tifozët i janë kthyer me goditje, e për pasojë, rreth 13 prej tyre janë shoqëruar në policinë lokale të Durrësit, ndërsa gjatë përplasjes, ka mbetur e lënduar edhe një police femër. Pas ndeshjes, drejtues të klubit lushnjar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë, ndërsa në Facebook, tifozët ia kanë faturuar këtë arbitrit të ndeshjes, Emirion Sino.
Sigal