Telo Hoxha: Historia e brigadës së XX S. në 75-vjetorin e krijimit

1359
Sigal

 

Nga Telo Hoxha

Ajo e pagëzoi emrin e saj në luftë në fillim me një grup të vogël prej 20 vetësh, që më 16 janar 1943, formuan çetën “Tomorri”

 

 

Brigada XX Sulmuese në 75- vjetorin e krijimit të saj / 09 shtator 1944-2019

 Lindja e Brigadës XX Sulmuese i ngjan një përroi që ka një burim dhe, duke ecur rrugës

        merr me vete degë të tjera, ndërsa kthehet në një lum të vërtet.

 

Ajo e filloi luftën dhe fitoi emrin e saj me një grup të vogël prej 20 vetësh, që më 16 janar 1943,  ku u formuan çetën “Tomorri” dhe më 10 qershor 1943, në afërsi të Leshnjës së Vithkuqit, u krijua batalioni “Tomorri”, i cili u kalit në shumë luftime, fitoi eksperiencë luftarake duke u kompletuar me partizanë e armatime për të zhvilluar veprime luftarake në shkallë- e kohë më të madhe. Më 29 qershor 1943, pa mbushur akoma muajin e inaugurimit  iu dha detyrë të organizonte pritën e Barmashit, kundër forcave gjermane që po hynin për herë të parë në tokën tonë. Kolona  gjermane e përbërë prej 30 makinash me rreth 300 ushtarë, u ndesh në atë pritë dhe mbas luftimesh të ashpra lanë në fushën e betejës 60 të vrarë dhe shumë të plagosur. Për humbjen e shkaktuar nga forcat partizane, ata iu vërsulën me tërbim Borovës, duke e shkatërruar atë plotësisht dhe duke vrarë 107 njerëz të pafajshëm. Më 8 gusht 1943 batalioni “Tomorri” siguroi krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Luftimet e batalionit, më 22 gusht 1943 në Vithkuq, në Qafën e Qarrit, përpjekjet luftarake në Polenë, Kolonjë, Potom,  më 31 dhjetor 1943 në zonën e Skraparit, Gor-Opar, e kalitën dhe e forcuan këtë batalion për luftime dhe beteja më të mëdha në të ardhmen.

Më 9 shtator 1944, duke pasur si bosht këtë batalion sulmues dhe komandantin e çetës së të këtij batalioni, trimin e urtë  të mençur,  të sprovuar në të gjitha këto luftime, Riza Kodhelin, së bashku me batalionet e tjera: “Reshit Çollaku”, “Hakmarrja” , “Fuat Babani” dhe “Skënder Çaçi”, në Protopap të Elbasanit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm u krijua Brigada e 20-të Sulmuese, me komandant Brigade Riza Kodhelin dhe komisar Misto Treskën. Ditën e inaugurimit, Brigadës iu shtuan edhe mjaft të rinj e të reja, të ardhur nga Korça, Skrapari dhe Elbasani, të cilët u rreshtuan në formacionet e kësaj Brigade dhe luftuan me trimëri deri në fund.

?

 

Prej Qukësit e deri në Urakë

Më 10 shtator 1944 një ditë pas krijimit, Brigadës iu dha Urdhri i parë Luftarak për goditjen e grupeve të armikut, prej Qukësit e deri në Urakë, për të bllokuar rrugët e kalimit nga Korça në drejtim të Ohrit, të spastronte zonën e Mokrës, Pogradecit, Starovës, të forconte pushtetin dhe prapavijat atje ku ishin ngritur e t’i ngrinte atje ku nuk ishin ngritur,  ose prishur. Në këto kushte batalioni i parë, i tretë sulmues u caktua në rajonin: Pogradec-Qaf Thanë- Prrenjas-Mokër. Batalioni i dytë sulmues vepronte në rajonin Zvezdë, Mali i Thatë- Grabovë. Batalioni i katërt sulmues, së bashku me forcat e Brigadës II Sulmuese u ndeshën me forcat e Korparmatës 22 gjermane, që vinin nga Janina-Tre urat- Kolonjë, Korçë -Manastir, duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz e teknikë. Batalioni i katërt sulmues pati detyrë të pengonte forcat naziste që lëviznin në rrugën Bilisht-Korçë. Batalioni i parë dhe i tretë sulmues u ndeshën me forcat gjermane që lëviznin nga Struga për të vajtur në ndihmë forcave të tyre  të garnizonit të Tiranës.

Si u vra Heroina, Qibra Sikoli

Më 30 tetor 1944 Brigada mori Urdhër Luftarak për t’u përqendruar në rrugën: Qukës -Elbasan, që kjo rrugë të bëhej e pakalueshme për forcat gjermane, që do tentonin për t’u ardhur në ndihme forcave të garnizonit të Tiranës. Këto masa tregonin se Shtabi i Përgjithshëm po përgatiste luftën për çlirimin e Tiranës. Më 8 nëntor forcat gjermane filluan lëvizjen nga Struga për në Qafë thanë- Përrenjas- Elbasan-Tiranë. Brigada e 20-të Sulmuese organizoi pritën nga Prrenjasi deri te shkëmbi i Xhyrës. Forcat gjermane, të ndodhura në këtë pritë, mbas disa orë luftimesh, lanë 300 ushtarë e oficerë të vrarë dhe 200 robër, kurse nga forcat e Brigadës së 20-të Sulmuese u vranë 20 luftëtarë dhe midis tyre, vajza nga Korça Heroina e Popullit, Qibra Sikoli. Më 10 nëntor forcat e Brigadës së 20-të Sulmuese hynë në Librazhdin e çliruar dhe më 17 nëntor në Elbasanin e çliruar.  Detyra e saj vazhdonte: te ndalonte çdo tentativë të gjermanëve për të hyrë në Tiranë nga Elbasani-Qafa e Kërrabës- Tiranë. Më 29 Nëntor 1944 ajo festoi çlirimin e gjithë Shqipërisë, si gjithë njësitë e tjera partizane. Në ditët e fundit të vitit 1944 Brigadës iu dha urdhri të vendosej në Berat, kurse batalionet e saj të vendoseshin në Lushnjë, Fier, Mallakastër, Skrapar, Tomorricë e Këlcyrë. për  të asgjësuar mbeturinat e fundit të armiqve dhe bandave të tyre kriminele, detyrë që ajo e realizoi me sukses. Përfundimisht ajo u vendos në Lushnjë, duke realizuar me sukses të gjitha detyrat e ngarkuara. Kaluan vite e në Flamurin Luftarak të Brigada e 20-të Sulmuese u vendosën shumë  medalje dhe  urdhra të Luftës dhe të përgatitjes luftarake.

Marrshi i saj luftarak

Marrshi i saj luftarak, i njohur dhe i kënduar lehtësisht nga të gjithë ushtarët e kuadrot e ushtrisë nuk do të harrohet kurrë. Në përvjetorët e saj do të lexohen dhjetëra emra që ranë në Luftë dhe ngelën yje të pashuar të Atdheut tonë. Ne që kemi marrë pjesë në përvjetorët e Brigadës, kujtojmë me dashuri komandantët e Brigadës së 20-të Sulmuese që nuk jetojnë më, kujtojmë me dashuri Kryeredaktorin e revistës Hosteni të asaj kohe, Niko Nikollën, ish-Sekretar i përgjithshëm i rinisë së Brigadës së 20-të Sulmuese, kujtojmë fjalët e ngrohta dhe plot humor të tij, kujtojmë burrin e urtë Misto Treskën, ish-Komisarin e Brigadës së 20-të Sulmuese, Kujtojmë këngët e bukura të Skraparit e të Korçës të kënduara nga ata veteranë flokëthinjur, që kur bashkoheshin në përvjetorë, iu dukej vetja të rinj, si në kohërat e luftës. Ne pasardhësit që punuam në këtë njësi,  që mbante këtë emër të nderuar, kurrë nuk do të rreshtim pa e kujtuar emrin dhe marrshin e Brigadës së 20-të Sulmuese si dhe emrin e Komandantit të saj të shquar e të paharruar, Riza Kodheli.

Askush nuk mund të fshijë nga kujtesa  këto sakrifica dhe këtë gjak të derdhur për këtë Atdhe që u fitua me sakrifica të panumërta.

“Më 10 shtator 1944 një ditë pas krijimit, Brigadës iu dha Urdhri i parë Luftarak për goditjen e grupeve të armikut, prej Qukësit e deri në Urakë, për të bllokuar rrugët e kalimit nga Korça në drejtim të Ohrit, të spastronte zonën e Mokrës, Pogradecit, Starovës, të forconte pushtetin dhe prapavijat atje ku ishin ngritur e t’i ngrinte atje ku nuk ishin ngritur, ose prishur.”

Më 29 nëntor 1944 ajo festoi çlirimin e gjithë Shqipërisë, si gjithë njësitë e tjera partizane. Në ditët e fundit të vitit 1944 Brigadës iu dha urdhri të vendosej në Berat, kurse batalionet e saj të vendoseshin në Lushnjë, Fier, Mallakastër, Skrapar, Tomorricë e Këlcyrë. për  të asgjësuar mbeturinat e fundit të armiqve dhe bandave të tyre kriminele, detyrë që ajo e realizoi me sukses.

Ish-Komandant i Brigadës së 20-të Këmbësorisë Lushnjë- në vitet 1985-1993