Shtesa e pensioneve, më pak se indeksimi i çmimeve…!

972
Sigal

Evdal NURI

1- Çfarë bleva me 740 lekë shtesë të pensionit…?

Tek stacioni pranë “Shkollës Baletit’, vajta për të blerë fruta-perime. Shtesën e kisha vendosur në xhepin tjetër. Mendova, sa do të ble me këto lekë? Peshova një kg domate, dy kg qepë, një speca, një patëllxhan=700 lekë, I hipa autobusit 40 lekë. Kaq ishte shtesa! Kam bërë hesap. Shtesa indekson rritjen e çmimeve për dhjetë ditë. Diferenca e rritjes së çmimeve për njëzet ditë të tjera paguhet nga pensioni bazë. Të nesërmen me sasinë e lekëve që merrja më parë fillova të laja dritat, ujin, telefonin, ilaçet, më mbetën aq pak sa s’ua them dot! Vite më parë ‘shtesën” e merrnim në korrik. Tani, nga data 1 prill me 2.8 %, duket për t’na ”ëmbëlsuar” para zgjedhjeve të 30 qershorit, që s’dihen do të bëhen apo jo! Edhe këtu ka diçka që s’ecën! Kush e ka pensionin 4000 lekë me 2.8 %, shtesa shkon 120 lekë. Ai që e 1500 s’merr më tepër se 300 lekë! Sa mirë do t’ishte të rritesh pagat dhe mijëra familje që jetojnë më ndihmë ekonomike! B.B thekson, se nga 75 mijë familjet të varfra të vendit, vetëm 22 mijë prej tyre marrin ndihmë, ndërkohë që 53 mijë familje të tjera u përjashtuan! Kjo masë ekstreme u ndërmor vitin e kaluar. Këto ditë mësova se është viti i katërt që shteti me vendim gjyqi detyrohet t’i pagojë çdo vit 20 milionë euro personave që ka larguar me pa të drejtë nga puna. Kjo shifër është sa dyfishi i shpenzimeve që i jep familjeve për ndihmë ekonomike. Me një kujdes më të madh e jo me emërime partiake, kjo sasi mund të kishte shkuar për shtresat në nevojë! Me shpërdorime, abuzimet, keq menaxhimet që shkojnë në qindra milionë euro ka qenë e është mundësia që pensionet të rriteshin shumë më tepër se kaq. Kjo për kontributin, përkrahjen që pensionistët i kanë dhënë kësaj force politike në ditët më të vështira, e jo për mëshirë. Shitësi i lagjes, Qerameti më tregoi fletoren e pensionistëve që marrin se s’kanë mundësi të paguajnë! Me tej më sqaroi, që s’janë vetëm pensionistët, por dhe ata që punojnë në ndërmarrje private. Ka raste që ato s’i paguajnë dy apo tre muaj! Vjen fundi i muajt e ata s’kanë të shlyejnë detyrimet. Kështu dhe muajin tjetër e borxhi zë borxhin! Të gjendur në këtë situatë ata nxiten për akte të dënueshme! Keni indeksuar çmimet e jo rritje pensioni, të paktën pranojeni! Pse kjo gjendje, kur tokën e kemi pjellore, klimën me diell e plot oksigjen, por politikanët i kemi antipopullorë dhe të korruptuar.

2- Pensionet, më të ulëta se kudo!

Jo në Evropë, por ndofta dhe në rajon. Pensionistët i mbajnë fëmijët, sidomos ata që janë jashtë, ndryshe do kishin marrë rrugët. Në treg çmimet janë rritur kudo. Edhe pse ti mund të kesh më tepër lekë në xhep siguron më pak të mira materiale ! Kur mendon se norma e inflacionit rritet, kjo shifër zvogëlohet. Ai ndikon në mënyra të ndryshme te njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Nga inflacioni vuajnë njerëzit që jetojnë me të ardhura fikse, mbase çmimet rriten. Kjo çon në rritjen e kostos së jetesës. Për këtë arsye qeveria e ka për detyrë në pamundësi të rritë pensionet, të mbajë të pandryshueshëm standardin e jetesës, të paktën sa është dhe norma e inflacionit. Me fjalë të tjera, një person që merr 20.000 lekë në muaj e inflacioni rritet me 5%, për të ruajtur të njëjtin nivel jetese ai duhet të marri 21.000, që në fakt s’e merr! Pagë nominale quajmë pagën që marrim me lekë në dorë. Kuptohet sa më shumë të marrim aq më mirë do të jetojmë. Por kjo është relative. Ajo nuk përcakton standardin e jetesës. Edhe pse paga nominale rriten çdo vit, niveli i jetesës ulet. Arsyeja është se çmimet rriten me një përqindje më të madhe sa përqindja e rritjes së pensionit, kështu që niveli i jetesës ulet! Atë e përcakton paga reale. Paga reale është sasia e të mirave materiale që siguron me pagën nominale. Rritja e çmimeve më tepër se paga nominale ul ndjeshëm standardin e jetesës si po ndodh këtë vi! Si pasojë, të ardhurat reale ulen. Jetesa bëhet më e vështirë, edhe pse ti merr më tepër lekë. Nga rritja e pensioneve tek ne përfitojnë mbi 7400 mijë persona. Ky indeksim ndodh në Shqipëri, aktualisht kur ka vetëm 12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Por numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se dyfish, në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Të dhënat tregojnë se, plakja në Shqipëri do të ndodhë edhe më shpejt se në disa nga vendet më të vjetra. Shqipëria parashikohet të ketë popullsi më të madhe me moshën mbi 65 vjeç se sa vende të tilla si: Franca, Suedia, Serbia, Mali Zi e tjerë. Ndoshta disa, pensionistët quajnë të tepërt, harraqë të bezdisur, të rrjedhur, siç kemi dëgjua , por kjo s’është e vërtetë. Po kush janë këtë harraqë? Ja, ai atje që i bie kryq e tërthor Tiranës në vapë e në të ftohtë është një ish-mësues me dy universitete. Ka punuar 40 vjet në arsim. Ka mësuar mijëra nxënës, që sot janë mjekë, biznesmenë, politikanë, pedagogë e tjerë. Ky tjetri është një ish-oficer, që ka mbrojtur atdheun në shi e dëborë, kurse tani punon si kambist. I treti në minierë, në naftë, tjetri në shëndetësi. Të gjithë punojnë se nuk iu del pensioni. Pra, pensionistët e sotëm kanë qenë, arsimtarë, mjekë, ekonomistë, punëtorë e inxhinierë të nderuar e të respektuar që kanë drejtuar shkolla, ndërmarrje, klinika e dikastere. Shumë nga ata kanë qenë profesorë e doktorë të shkencave. Tani si mos më keq! Është e kuptueshme që pleqëria bën punën e saj, por një i moshuar është mbartës i një përvoje shumë vjeçare profesionale dhe jetësore që i transmetohet të rinjve në forma nga më të ndryshmet dhe që i bën ata më të nderuar e respektuar për gjithë shoqërinë. Në dialektikë funksionon një ligj sipas të cilit, e reja e mohon të vjetrën, por nuk e asgjëson plotësisht. Ajo merr pozitivet e të vjetrës dhe këto i çon përpara. Pra, brezi i ri, ka çfarë merr nga ai paraardhës. Këto i ka për detyrë ta çojë më tej, ndryshe do mohohet zhvillimi. Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme të rritet interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim në strukturë. Pra, krijimi i një rrjeti profesional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus të moshuarit, do të ishte gjithashtu një tjetër arsye e fortë për përmirësimin e jetës së pensionistëve Plakja është një fenomen shumëformësh, e në qoftë se vdekja është e paevitueshme, plakja e kujdesi për të moshuar është përgjegjësi e shtetit, por dhe shoqërisë civile që e ka përjashtuar veten nga kjo detyrë. Ne s’kemi nevojë që njëherë në vit, ditën e të moshuarve t’na vini e t’na jepni një garuzhde supë. Jo, ne duam një përkujdesje të vazhdueshme.

Të nderuar pushtetarë, jeni sepse jemi ne! Keni hipur mbi shpatullat tona dhe po shihni më larg, ndryshe dhe ju do të kishit mbetur në vend. Shoqëria e sotme është më e emancipuar. Humanizmi dhe mundësia ekonomike është në një shkallë më të lartë, prandaj mos na nënvlerësoni se do t’ju dënojnë brezat e ardhshëm. E di mirë që vendi është në krizë, por kujdesi për pensionistët do t’ju pasurojë më tepër shpirtin së bashku me shpirtin tonë. Do të vijë një ditë e një kohë që dhe ju do të plakeni. Duke u menduar (pasi do të keni shumë kohë të lirë) do të kujtoni e të penduar do të thonë: “Si nuk i ndihmuam më tepër pensionistët kur mundësitë i kishim?” Por atëherë do të jetë shumë vonë, pasi ne do të jemi të gjithë në botën tjetër. E për këtë do t’ju vrasë ndërgjegjja, nëse ju ka mbetur sa do pak!