Safet N. Ramolli: Skënderbeu mitik por edhe burrë shteti shqiptar

758
Sigal

Në qoftë se perandorët grekë (bizantinë, S.R) do të kishin qenë Skënderbe, Perandoria e Lindjes do të ekzistonte edhe sot…

 (Skënderbeu u shua fizikisht, më 17 janar 1468, për të mbetur i përjetshëm në memorien e popullit shqiptar e më gjerë).

Skënderbeu ka qenë e mbetet figurë historike me përmasa mbarëkombëtare, rajonale dhe më gjerë. Ai mbetet lapidar graniti në piedestalin e lavdisë dhe të nderit të popullit shqiptar. Vlerësimet për Atë kanë qenë të shumta në formë e përmbajtje gjatë udhëtimit të popullit shqiptar ndër shekuj, por gjithsesi vlerësimi më i plotë mbetet ai që ka formuluar biografi i Tij më i besueshmi, Marin Barleti, që do të citohet në vijim. Edhe në ditët e sotme ka patur përpjekje për të mjegulluar shkëlqimin e pashuar të Skënderbeut, i cili me meritë të veçantë do të mbetet Kryehero Legjendar.

Cila është etimologjia e emrit “Shqipëri?”

  • Çfarë përfaqëson Skënderbeu?
  • Cila është rruga luftarake dhe shtetare që Ai ka përshkuar?
  • Ç’vend zë Ai në memorien e popullit shqiptar?
  • Është një figurë mitike apo një Burrë Shteti i kombit tonë?…

Këto dhe të tjera pyetje meritojnë vëmendje të veçantë, por edhe përgjegjësi.

Në parathënien e librit “Historia e Skënderbeut” (Kryezotit të Arbërisë), botuar më 1949, F. Noli, përmes emocionesh shprehet: “Jam i lumtur që pas 28 vjetësh, po u jap shqiptarëve sot revizionin e një historie të Skënderbeut, që kam shkruar më 1921”. Njëherësh pohon se, që të kuptosh mirë historinë e Skënderbeut është e domosdoshme të hidhesh më prapa në histori nga ardhja për herë të parë e turqve (në vitin 1385, S.R.) dhe deri në Kuvendin e Lezhës (mars 1444, S.R.). “Dijetari”, (poligloti Sami Frashëri, S. R.), me synimin për të argumentuar tezën e autoktonisë së shqiptarëve në këto troje, nocionin “Arbëri”, dhe disa të tjerë që lidhen me atë, përpiqet t’i shpjegojë me argumentin që, banorët e këtyre trojeve ishin njohës të mirë të zanatit të bujkut; ata punonin mirë tokën, pra e bënin “Arë”. Ky nocion më vonë merr pamjen morfologjike “Arbër”. Me kalimin e kohës bashkëtingëllorja “R” zbutet në “L”, e kështu nocioni “Arbëri” merr pamjen “Albani”, nocion i përdorshëm masivisht për vendin tonë edhe tashmë.

Ndërkohë nocionin “Shqipëri”, dhe të tjerat të ngjashme me ‘të, S. Frashëri, por edhe disa të tjerë, e shpjegojnë me faktin se, vendi ynë është kryesisht malor, pra troje të përshtatshme kryesisht për “Shqiponjat”, zog i rrallë, trim e i qëndrueshëm, “Zog i Yjit”, sikurse e epiteton S. Frashëri. Edhe banorët njerëz u quajtën “Shqiptarë”, Atdheu i tyre “Shqipëri”; emërtim i shtrirë sidomos në shek. XIII–XIV, që përfshin të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.

Cila është origjina e Kastriotëve?

Është shkruar shumë. Janë prononcuar me nuanca të ndryshme intelektualë shqiptarë, ballkanas, evropianë, por edhe më tej. Falmerajeri, me një farë pesimizmi pohon se, kush kërkon rrënjën e kapedanëve të Shqipërisë, humbet kohë kot dhe mundohet po kot. Shumica e tyre kanë patur një emër të parë grek, sllav apo arab, shumë rrallë shqip; ndërsa një mbiemër nga fshati, bajraku apo krahina nga janë si: Kastrioti, Balsha, Muzhaqi, Arianiti, Shpata, Dukagjini, e të tjera. Në emërues të përbashkët bien disa studiues, të cilët artikulohen në mendimin, se origjina e Kastriotëve është nga fshati Kastriot i Malësisë së Hasit, pranë lumit Drin. Më 1368 Branillo Kastrioti, që mendohet se është stërgjysh i Skënderbeut, firmos në një dokument me të cilin ka bërë betimin Aleksandër Komnen Aseni, princ i Vlorës me origjinë bullgare. Një varg studjuesish për këtë problem shprehin mendimet e tyre. Marin Barleti vlerëson se Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut vjen nga një shtëpi e vjetër matjane, por Gjon Muzhaqi shpjegohet se, i gjyshi i Skënderbeut quhej Pal dhe kishte në zotërim dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Më tej Andrea Anxhelo Florio Komneni pohon se, stërgjyshi i Skënderbeut quhej Kostandin, i gjyshi Gjergj dhe jo Pal, pohim që mund të jetë më pranë së vërtetës, sepse i ati i Skënderbeut në fakt, edhe sipas traditës zakonore, dy nga djemtë i quan Kostandin dhe Gjergj.

Për babanë e Skënderbeut, Gjonin, të dhënat janë më të plota. Trashëgoi nga i ati dy shatrat e cituara më sipër, mandej pushtoi Dibrën e Madhe, zgjeroi Principatën nga Prizreni deri në Shufadajë, (trevë përgjatë bregdetit Durrës-Shëngjin, S.R.) Më 1395 zaptoi Krujën, ishte mjaft i fuqishëm sa që e mbështeste Venedikun me 2300 kalorës për një pension vjetor prej 1000 dukatësh. Nga martesa me Vojsavën, bijë e kryezotit të Pollogut pranë Tetovës, u shumua me pesë vajza (Mara, Vllajka, Angjelina, Jella e Mamica) dhe katër djem (Stanishi, Reposhi, Kostandini e Gjergji). Konkluzioni është i qartë: Gjergji është nga prindër shqiptarë.

Për rreth 40 vjetët e parë të Skënderbeut (1405-1443) gjykohet nga disa të dhëna apo dokumente të kufizuara që na ofrohen më së shumti në formë legjende. Marin Barleti dhe At Dhimitër Frangu më tepër i përmbahen legjendës, sipas së cilës Gjon Kastrioti, i mundur nga sulltan Murati II, u detyrua të dorëzonte peng të katër djemtë, më i vogli ishte Gjergji, atë mot 9 vjeç. U rritën si myslimanë në Shkollën Ushtarake të Portës së Lartë në Edrene, tre të mëdhenjtë vdiqën të helmuar në pabesi, më i vogli u mbiemërua Skënder dhe mbijetoi vetëm si favorit i sulltanit. Kur ishhe 26 vjeç u gradua “Sanxhak–bej”, më vonë fitoi gradën e gjeneralit të kalorësisë turke. Më 1442, i vdiq i ati, dhe Skënderbeu si trashëgimtar i ligjshëm duhej të merrte në dorëzim Principatën, por sulltani e aneksoi vetë atë, prandaj vendosi ta rifitojë atë si dhe të hakmerrej për vëllezërit me mjete të dhunshme. Mundësia u krijua në betejën e Nishit më 1443, prandaj ndihmoi princin hungarez, Huniadin, duke dezertuar nga ushtria turke. Forcërisht i mori kancelarit turk një ferman me të cilin urdhërohej dorëzimi i Krujës. Me 300 kalorës u kthye në Shqipëri dhe, më 28 nëntor 1443 (koincidencë e çuditshme një datë me Shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 S.R.) ngriti në kalanë e Krujës flamurin shqiptar. Por Barleti sugjeron që edhe kjo legjendë duhet marrë me rezerva, sepse një fëmijë i edukuar si mysliman deri në moshën 43 vjeç, vështirë të besohet se mund të kthehej në një mbrojtës mjaft fanatik i Krishtërimit, ashtu si për gati 30 vjet u përgatit në shkollat ushtarake të Turqisë si dhe shërbeu si oficer deri në gradën më të lartë, nuk mund të besohet lehtë se mund të bëhej një mjeshtër i luftës së parregullt të maleve. Njëherësh duhet dhënë një përgjigje më e arsyetuar se: përse dhe si Skënderbeu iu kundërvu sulltanit turk? Përgjigja më e besueshme mund të jetë se, ai ishte i përgjegjëshëm plotësisht se një ditë, ashtu sikurse edhe princërit e tjerë të Ballkanit, medoemos që do të përballej me sulltanin. E dinte fare mirë, se mungesa e fortesave, e bënte të ndihej i pafuqishëm për t’u përballur me sukses me stuhinë osmane, prandaj duhej të zotëronte fortesat ekzistuese si dhe të ndërtonte të tjera në zonat strategjike. Nga ana tjetër nuk i pëlqente që, përmes rolit të taksidarit të mblidhte haraçin për Portën e Lartë. Por, ai pati si motiv rolin e çliruesit dhe jo të pushtuesit, prandaj nuk mund të pranonte të merrte pjesë në përbërje të forcave turke për të shtypur fqinjët ballkanas.

Për të realizuar këtë qëllim të lartë atdhetar e moral, duhej të krijohej situata e përshtatshme dhe e mundëshme më efektive. Rasti më i volitëshëm erdhi më 1443, kur krali i Serbisë, Gjergj Brankoviçi, kërkoi përkrahjen e Papës Eugen IV dhe të të gjithë krishtërimit, për të rifituar mbretërinë e zaptuar nga sulltani. Papa në fjalë, bindi Vladislavin e Hungarisë e të Polonisë, i bëri thirrje krishtërimit evropian, (përfshi edhe atij shqiptar, S.R.) për një kryqëzatë antiosmane në Evropë. Kushtrimit iu përgjigj Araniti dhe Gjin Zenëbisha, që ngritën Kolonjën e Devollin. Kështu që “… jo vetëm Shqipëria, por edhe Evropa e tërë…, e thërriste Skënderbeun atje ku e kishte nderin…”, pohon qartë M. Barleti. Ai thirrjes iu përgjigj pozitivisht në verë 1443, kur si vasal i sulltanit mori pjesë kundër forcave të krishtërimit. Por urdhërit të komandantit turk Kasëm Pashës për të kaluar në sulm kundër Huniadit pranë Nishit, Skënderbeu iu përgjigj me rrebelim të menjëherëshëm e të papritur, duke u tërhequr nga fushëbeteja, për të arritur pas 7 ditësh në Dibër, veprim që ndikoi drejtpërdrejt në shkoqitjen e forcave turke. Në Dibër, në takimin me krerët e fiseve, u vendos që ta merrnin kalanë e Krujës me një testament fals duke realizuar ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 1443.

Cila është rruga e përshkuar paskëtej ?

Historia tashmë është jo vetëm më e qartë por edhe më bindëse. Skënderbeu atë mot e kishte shkelmuar vasalitetin ndaj Turqisë, prandaj duhej të merrte masa në fushën diplomatike, ushtarake, e të tjera, që të përballonte mësymjet e osmanëve.

Së pari, qe emergjente nevoja e bashkimit të principatave, çka do t’i jepte mundësinë të bashkonte forcat kundër rrezikut turk si dhe të forconte Shtetin Shqiptar. Në kohë të shkurtër u çliruan gjithë territoret me përjashtim të Korçës, Përmetit, Gjirokastrës dhe Vlorës. Në situatën e re, mori nismën për të thirrur një Kuvend të Përgjithëshëm të krerëve të Principatave. U vendos që të bëhej në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, në 2 mars 1444, e cila në histori ka hyrë nën emrin “Kuvendi i Lezhës”. Në Kuvend muarën pjesë: Gjergj Araniti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Theodhor Koroni Muzaka, Pal Dukagjini, Lek Zaharia, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Stani, Stefan Çernojeviçi, e të tjerë. Kjo parësi nga i gjithë vendi vendosi formimin e “Lidhjes Shqiptare”, e njohur me emrin “Lidhja e Lezhës”, me kryetar Skënderbeun. U vendos të formohej një ushtri e përbashkët shqiptare me komandant të përgjithëshëm Skënderbeun. Do krijohej një arkë (financë, S.R.) me kontribut të përbashkët në sasinë e 200.000 dukate ari. Lidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake për të përballuar sulmet turke. Njëherësh filloi organizimi i ushtrisë dhe përgatitja e saj për të përballuar me sukses vargun e sulmeve që nuk do të rreshtnin në të pastajmen. Nën udhëheqjen e Tij populli bëri qëndresë stoike të rrallë, që ka zënë vend në memorien e popullit si një legjendë. Kjo qëndresë e organizuar mirë dhe e motivuar qartë, mundësoi që të përballohej kundërshtari, një nga më të fuqishmit e kohës, sikurse vuri para provave të vështira, por edhe para thyerjes e tërheqjes me turp sulltanët më të mëdhenj, më të egër, më gjakpirës. Kjo qëndresë u bë objekt i kancelerive diplomatike të kohës, i thurjes dhe prishjes së mjaft aleancave, i krijimtarisë së popujve në fusha të ndryshme të artit. Qëndresa shqiptare është bërë objekt i vlerësimeve, i klasifikimeve dhe i qëndrimeve, por që gati nga të gjithë, është konsideruar si një barrierë e fuqishme kundër sulmit të egër osman, një portë e mbyllur për Evropën dhe për shpëtimin e kristianizmit. Nën drejtimin e Skënderbeut populli shqiptar mori pjesë në 25 beteja kundër makinës më të madhe ushtarake të kohës, duke fituar 24 prej tyre. Ato datohen në harkun kohor 29 qershor 1444 – janar 1467, dhe mbajnë për emra viset shqiptare si: Torviolli e Mokrena, Drini e Fushë-Kosova, Kruja e Modrica, Pollogu e Berati, Oraniku e Albulena, Mokrra e Ohri, Vajkali e Kashari, e disa të tjera. Në janar 1468 forcave shqiptare iu desh të thyenin një sulm të forcave turke në drejtim të Shkodrës, por këtë herë pa komandantin legjendar në krye. Kryetrimi Arbëror dergjej i sëmurë rëndë nën zjarrminë e etheve të malarjes, për të ndërruar jetë më 17 janar 1468, kur duhej të ishte jo më shumë se 63 vjeç.

Vlerësime për veprën dhe figurën e Skënderbeut

Në harkun kohor (1444–1468, S.R) Skënderbeu organizoi, drejtoi dhe udhëhoqi 25 beteja kundër ushtrisë më të madhe të kohës, të pajisur me armatimin ushtarak më të përparuarin e kohës, por edhe të drejtuar dhe komanduar nga strategë ushtarakë turq e shqiptarë. Fitoi me nder e lavdi të plotë dhe famoze 24 prej tyre duke humbur vetëm 1, në fakt e deklaruar e fituar, por e toleruar. U ballafaqua në fushën e betejave e të diplomacisë me dy nga sulltanët më të mëdhenj të kohës: Muratin e Dytë në 3 beteja dhe Mehmetin e Dytë, i epitetuar “Fatiu–Ngadhnjimtari”, në 4 beteja. U përball në luftime me 15 pashallarë turq, prej të cilëve 3 ishin me origjinë shqiptare (Ibraim beu, Jakup Arnauti dhe Ballaban Badera (Pasha, S.R.) U ndesh 3 herë me pashallarët shqiptarë, të cilët e njihnin mirë terrenin shqiptar dhe taktikën e luftimit të tij. U tradhëtua 2 herë nga gjeneralë në zë: Moisi Golemi, i njohur edhe me emrin Moisiu Dibrës, por edhe nga i nipi, Hamza Kastrioti, me të cilët iu desh të ballafaqohet me dhimbje në fushën e betejës, ashtu sikurse iu desh edhe t’i mëshironte kur i mposhti. Në 2 beteja me këta gjeneralë, Skënderbeu pësoi humbjet më të mëdha. Në Betejën e Dytë të Beratit, forcat turke i komandonte Moisi Golemi, humbi 6.000 jetë shqiptarësh, 8 gjeneralë u kapën rob, që torturuan dhe pas 15 ditësh u rropën të gjallë. Gjatë betejave kapi rob 12 oficerë të lartë turq: Hamza Pashën me shtabin e tij; Jonuz Baderën, (vëlla i Ballaban Pashës, S.R.), si dhe të birin e Karaxha beut me 12 oficerë të lartë. Me dorën e tij vrau pashanë me origjinë shqiptare, Jakup Arnautin, ashtu sikurse ushtari trim Gjergj Aleksi, eleminoi Ballaban Pashën; Moisi Golemi vrau Taip Pashën, por edhe Ibraim Beu është asgjësuar po nga një dorë shqiptari. Sipas të dhënave jo të plota, u ballafaqua me 917.000 forca turke duke patur në dispozicion vetëm 226.000 forca shqiptare. Në gjithë betejat ka marrë pjesë me raport forcash të disfavorëshëm deri edhe në 4:1, që e kompesoi me cilësitë luftarake dhe shpirtin e pamposhtur. I ka shkaktuar palës kundërshtare humbje në njerëz në shumën 116.000 vetë ose një në çdo 8 veta; ashtu si i plagosi e i zuri rob shumë të tjerë, mjaft flamuj dhe materiale të ndryshme. Gjykuar në kompleks, rezulton se kemi të bëjmë me një luftë kolosale, të cilën Evropa e ka vlerësuar pozitivisht, ndërsa Fan Noli e çmon si një luftë me përmasa mitologjike midis Goliathit gjigant, të ushqyer e të armatosur mirë, dhe Davidit të Vogël, të pangrënë e të rreckosur, por që sipas Biblës, fitoi Davidi i Vogël me forcën morale që i jepte e drejta për të mbrojtur fatet e popullit. Për Skënderbeun janë bërë vlerësime të shumta, por portretizimi i personalitetit të tij të madh është vështirë të bëhet me pak rreshta. Biografi i tij më autoritar, Marin Barleti, midis shumë të tjerave pohon: “Figura e Skënderbeut është mrekullia e shekullit, me cilësira fizike të jashtëzakonëshme, me zgjuarësi të veçantë, me urtësi popullore, me prirje morale të përpikta dhe që zgjon admirim të madh…”.

Sami Frashëri, një nga ideologët më brilantë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, formuloi edhe mendimin se: “… Skënderbeut, kujt istoria s’i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit, në dituritë të luftësë, në forcët dhe në dijet, në mendimet të drejtë, në njerëzitë, në ëmbëlsitë të zëmrësë e në madhëritë të shpirtit, Skënderbeu që i ka dhënë edhe do t’i japë gjithë jetën nder Shqipërisë, ky Burrë i pashok…”.

Interes të veçantë paraqesin edhe vlerësimet që kanë formuluar të huajt. Janë mjaft personalitete franceze si Ronsari, Agripa d’Obinje, Florian Kreton, Amadri Zhamen, Mondenj, Volter, e disa të tjerë, që e vlerësojnë veprën e Skënderbeut si edhe atë të Vladislavit, (mbretit famoz të Hungarisë e Polonisë, S.R.) Volteri pranon dhe pohon autoktoninë shqiptare të Skënderbeut, si dhe vlerëson cilësitë luftarake të shqiptarëve, kur shprehet edhe sa vijon: “… lindur në Shqipëri. Ai ishte biri i një despoti apo zotërie të asaj krahine, domethënë i një princi vasal…”, apo “.. Ata janë ushtarët më të mirë të atyre anëve…”, prandaj Skënderbeu “…me pak trupa ndali gjithmonë armatat e shumta turke…”, konkludon Volteri i mirënjohur.

Një autor tjetër shprehet: “… Në qoftëse perandorët grekë (bizantinë, S.R.) do të kishin qënë Skënderbenj, Perandoria e Lindjes do të ekzistonte edhe sot…”. Xhems Uellf, gjeneral anglez, teoricien i strategjisë ushtarake, në vitin 1756 e vlerëson Skënderbeun edhe sa vijon: “… në qoftë se mund të shtinim në dorë një përshkrim të mjaftueshëm të trimërive të Skënderbeut, ky do të ishte një material i paçmueshëm, sepse ai shkëlqen mbi të gjithë kapedanët e vjetër dhe të rinj në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse…”.

Epitetimet për Skënderbeun janë të shumta. Ishte mbret dhe udhëheqës ushtarak iluminist. Ai i dha popullit shqiptar lirinë duke e derdhur gjakun me kursim dhe vetëm kur duhej. Ishte kryetrim, human, arkitekt i luftës, përfaqësues i unitetit kombëtar. Ishte njeri me virtyte e moral të lartë shqiptar. Ishte kurajoz dhe me shpirt të madh. Vdekja e Skënderbeut më 17 Janar 1468 ishte vdekje e natyrshme. Kur shqiptarët zhvillonin betejën e 26-të në Kir, fare pranë Shkodrës, për herë të parë pa komandantin e tyre, Kryetrimi i sëmurë rëndë nga malarja, jepte shpirt me dhembje, por edhe me shpresë se, bashkëkombësit e tij të një gjaku, do të gjendeshin kurdoherë të bashkuar në rrugën e Nderit, Atdheut, Kombit.