Rrëfimi i ish-ushtarakut topograf, Mustafa Koçerri

117

Si ndjenja një muaj në malin e Tomorrit, në çukën “Partizane” 2417 metër të lartë, për matjet e triangolacionit. Për ujë bashkoja dy gurë dhe në mes vendosja një top bore që shkrinte në pagure. Rruga çdo ditë drejt majës së malit, rreziku nga rrufetë dhe vuajtjet e topografëve

Intervista/ Flet ish-ushtaraku topograf, Mustafa Koçerri: Për ujë bashkoja dy gurë dhe në mes vendosja një top bore që shkrinte në pagurë

 Si ndenja një muaj në malin e Tomorrrit në çukën “Partizane” 2417, metër i lartë për matjet e triangolacionit                                 

-Rrufetë ishin të shpeshta dhe disa herë kemi shpëtuar për mrekulli

Albert Z. ZHOLI

Në një bisedë për malin e Tomorrit ju më patët thënë se keni punuar një muaj aty në Çukën “Partizane” për matje topografike. Për kur bëhet fjalë dhe cila ishte detyra?

 

Bëhet fjalë për muajin qershor të vitit 1976, ku si oficer i Ushtrisë Popullore  isha duke matur pikën e triangolacionit të klasit të parë në malin e Koshnicës në rrethin e Gramshit, e cila ndodhet në kufirin me rrethet Korçë e Skrapar. Ishte muaji i dytë që punoja në teren atë vit, në grupin e triangolacionit. Mbas një jave shi pa ndërprerje koha u hap dhe bashkë me dy punëtorët që kisha me vete nxorëm nga çadra të gjitha teshat e fjetjes për tu tharë,pasi ishin bërë gjithë myk nga lagështira, dyshekun e kisha vënë mbi disa dega përtokë. Një ditë njëri nga punëtorët që kisha lënë në qendër të fshatit Vidhan më vjen në mesditë dhe më thotë, kanë ardhur dy oficerë nga Tirana dhe duan të të takojnë. Porosita dy punëtorët që mbaja lartë në mal se po zbres poshtë në fshat dhe do të kthehem në darkë me ndonjë nga punëtorët që lija atje. Për afro gjysmë ore shkova në qendër të fshatit dhe atje takohem me Drejtorin e Institutit Topografik të Ushtrisë,Limoz Alimucin, kushëririn e nënës time, për të cilin kam shkruar herë tjetër, si dhe me Përparim Pikën, inxhinier i sektorit. Këtu do të theksoja për Përparimin, si një njeri me vlera të rralla, sa intelektual e inxhinier i zot aq edhe njeri i thjeshtë i dashur dhe i respektuar, i cili më pas edhe ky u bë drejtor i institutit. Pasi u përshëndetëm me njëri tjetrin, ata më pyetën për vete dhe për punëtorët, a isha stabilizuar, deri ku kisha arritur me matjet, etj. Ndenjëm bashkë afro një orë dhe para se të largoheshin Përparimi më thotë, e shikon atë majën atje, për malin e Tomorrit, po i  thash, ti do ta matësh se je kandidat partie.

-Pra matjet ë kësaj maje do ti bëje si detyrë për kandidat partie?

Po! Ndaj ju përgjigja dakord, nuk ka problem, megjithëse ishte pikë e vështirë nuk më trembej syri, pasi isha mësuar me vështirësi. Po kush e kishte ndërtuar këtë pikë, në ato kushte të vështira, në lartësinë 2417 m të lartë, në një teren të thyer e shkëmbor?! Një vit më parë se të bëheshin matjet, në vitin 1975 ishte topografi Mersin Bici nga Lenia e Gramshit që e kishte ngritur këtë pikë dhe shumë të tjera në këtë zonë. Qenia e Mersinit nga kjo zonë e kishte mundësuar atë për ta ngritur atë në ato kushte të vështira tereni dhe në lartësi të madhe. Mersini ishte jo vetëm një topograf i mirë, ku në  shkollën e Bashkuar të Oficerëve përveç  studimeve për topograf, ai ka  vazhduar edhe ato për xhenio dhe në fund është titulluar oficer për topograf dhe për xhenio. Por ai është edhe një njeri me aftësi e komunikim të rrallë si me shokët ashtu edhe me banorët e zonave ku shkonte dhe me punëtorët që merrte për punë. Ai ishte një njeri  punëtor  dhe i sakrificës dhe i papërkulur para vështirësive sado të mëdha të ishin ato si në ë rastin e ngritjes së pikës në malin e Tomorrit. Ai edhe sot vazhdon të jetë në muhabet e komunikim plot shaka dhe humor. Pasi mbarova matjet në malin e Koshnicës, ngarkova materialet në makinë dhe u nisa për në Berat duke kaluar nga Elbasani e më tej në Rrogozhinë. Arrita në Berat në  drekë dhe pasi pushuam pak, u nisa për në fshatin  Dardhë, duke u orientuar në hartë dhe duke pyetur edhe banor. Rruga ishte shumë e keqe, në afërsi të malit të Tomorrit ajo ishte e ngushtë si rezultat i rrëshqitjes së dheut dhe makina nuk mund të kalonte dot ndaj së bashku me shoferin morëm kazmën dhe lopatën dhe filluam ta zgjeronim. Punuam gati gjysmë ore,dhe më pas me kujdes e siklet kaluam dhe arritëm në Dardhë, pas disa orësh që ishim nisur nga Berati. Fshati Dardhë është pika më e afërt për tu ngjitur në majën më të lartë të Tomorrit. Pasi takova kryetarin e këshillit të fshatit i kërkova atij të na ndihmonte duke na gjetur një dhomë për materialet dhe të na jepte disa punëtor për të punuar afro një muaj. Nuk diskutohet që ai u tregua i gatshëm dhe na ndihmoi. Të nesërmen organizova punën, duke marrë ato pajisje dhe gjëra më të domosdoshmet dhe u nisa për në malin e Tomorrit. Para se të dilnim nga fshati i hipa një mushke, për të shfrytëzuar atë pjesë të rrugës që ishte më e shtruar, por mushka bëri disa hapa dhe u qorrollis,por un vura të dyja duart në samar dhe u hodha duke rënë në këmbë. Në këtë çast më shikojnë disa punëtor që ishin para një stalle dhe dëgjova  që thanë, O ra ai oficeri nga mushka. Por kur panë se unë qëndrova në këmbë, i kapa mushkës zinxhirin e kapistrës dhe e godita në turi, ata përsëri u shprehën, Jo, jo nuk ra, qenka i shkathtë. Sa dolëm nga Dardha, në krye ishte një pyll me arra, që unë kisha parë vetëm në Trebisht të Peshkopisë në afërsi të kufirit shtetëror. Ecnim jo me nxitim pasi rruga që do të bënim ishte 5 -6 orë e gjatë dhe mushkat ishin të ngarkuara. Por me që ra fjala te mushkat, kafshë që është e përshtatshme për transport në mënyrë të veçantë  në zonat e larta alpine, aty i kam parë me trup më të madh. Ato ishin trup madhe të shëndetshme dhe nuk u bënte përshtypje fare ngarkesa. Edhe vet punëtorët më shoshnin, se në këto anë nuk ka mushka si të fshatit tonë. Pasi kishim ecur afro 3 orë dhe po ngjiteshim drejtë malit, ju afruam një sipërfaqeje të madhe e cila kishte qenë me pyll ahu dhe ishin rrëzuar përtokë. I pyeta punëtorët dhe ata më thanë se këta drurë kanë rënë nga stuhia që ka bërë para disa vitesh. Qëndruam te stani që ishte afër këtij pylli të rënë, aty ishte edhe burimi i ujit ku do të merrnim edhe ne për të pirë. Pasi u përshëndetëm me barinjtë midis të tjerave ju kërkova të më jepnin çdo ditë nga një litër qumësht për afro një muaj që do të rrija në mal, për këtë u thash kam folur edhe me kryetarin e kooperativës dhe lekët do ti paguaj në  llogari të saj. Pasi pushuam pak u nisëm përsëri drejt malit, punëtorët që kisha me vete i pyeta,j u e njihni vendin, ndaj më thoni ku është vendi më i përshtatshëm e sa më afër majës për të ngritur një çadër. Ishte e vështirë të gjeje vend të  rrafshët në këtë pjesë të malit. Ata më thanë se para kemi një vend që i thoshin te gropa, ku më parë kishte patur raste që ishin ngritur edhe stane dhe ne dalëngadalë po i  afroheshim. Nga dreka arritëm te ky vend dhe pasi hëngrëm bukë filluam punën për të ngritur çadrën dhe sistemuar ato pak materiale që kishim marrë. Më lartë ishte e pamundur të gjeje vend për të ngritur çadrën. Pamja te vendi ku qëndruam ishte e bukur, ishim mbi mesin e malit, në jug ishte një grykë e madhe e cila në të dy anët  ishin dy faqe shkëmbore me lartësi afro 300 m të larta dhe larg njëra tjetrës afro 200 m. Të dyja këto faqe shkëmbore dukeshin sikur na rrinin mbi kokë, ne ishim vendosur në fillimin e tyre. Për këtë grykë ose hon flet edhe legjenda e Tomorit me Shpiragun. Në veri  tereni  vinte pak sa më i ngritur se vendi ku vendosëm çadrën dhe ishte i mbuluar me pisha. Atë natë fjetëm me të keq,  ndenjën të gjithë punëtorët, pasi po vinte nata dhe ishte e vështirë të zbrisje nëpër ato rrugë të këqija deri në fshat. Midis punëtorëve kam të fiksuar një burrë të moshuar e nevojtar nga ana ekonomike, mbi 6O vjeç, i cili të nesërmen që unë u ngjita në majën e malit të Tomorrit erdhi me mua megjithëse i thash  të mos vinte, por ai si njeri i papërtuar dhe i mirë nuk pranoi, por na ndiqte neve hap pas hapi. Ditët e tjera nuk e merrja me vete por e lija në çadër. Për njerëzit e moshuar, të vuajtur dhe punëtor kam patur gjithmonë respekt të veçantë.

-Në çfarë lartësie e ngritët çadrën?

Vendi ku kishim ngritur çadrën ishte afro 17OO – 18OO m i lartë. Prej këtej unë ecja çdo ditë dy deri në dy orë e gjysmë në mëngjes për të arritur në majën e malit. Në lartësinë 21OO m është një pus  shekullor me borë ku unë çdo mëngjes qëndroja dhe mbushja duart me borë, e bëja top dhe me të freskohesha rrugës kur ecja. Mbi këtë pus bore nuk kishte asnjë dru pishe dhe ahu,por vetëm kullota alpine. Bari ishte i ashpër. Lulet ishin lloj-lloj me ngjyrat nga më të bukurat e të ndryshme dhe do ti gjeje deri afër majës së malit. Nga që vendi ishte i pjerrtë, barinjtë i nxirrnin rrallë dhëntë për kullot, pasi kishte patur raste që ishin vrarë nga gurët. Në majën tjetër më të ulët e në veri të asaj ku unë bëja matje ishte Vend i Mirë, ku njerëz të ndryshëm e kishin përdorur për tu falur, bërë kurban e rite të ndryshme. Nga pusi i borës deri në qafën midis këtyre dy majave, njerëzit kishin bërë në vite një rrugë ku mund të kaloje me kafshë lirshëm.

-Kur zgjoheshit në mëngjes?

Ora  6 e mëngjesit më zinte në majën e malit. Zgjimin në mëngjes e kisha të garantuar nga ai burrë i moshuar. Ai më fliste porsa fekste drita, çohu biro se po zbardh, se keni shumë rrugë për të bërë. Kur shkoja në majë të malit ndjeje një kënaqësi të veçantë, të gjitha malet në afërsi dukeshin më poshtë, shikimi shkonte nga veriu deri në jug. Midis shumë drejtimeve që do masja ajo me Lapardhan, Shpiragun dhe Tunjën ishin të vështira, nuk mund ti shikoje piramidat, pasi disniveli  me to arrinte deri në 2200 m, ndaj matjet me këto drejtime do të bëheshin me anë të reflektimit të dritës së diellit. Ishin të rralla ditët që kishte shikim të mirë dhe me të gjitha drejtimet, pasi mali mbulohej me re. Por edhe në ato ditë që koha ishte e vërejtur, unë ngjitesha në majën e malit, me shpresë mase do të hapej. Rruga për në majë ishte e lodhshme, me vete për siguri kisha marrë edhe një automatik, të cilin nuk e ndaja kurrë nga vetja ,nga meraku dhe kujdesi për të mos e marrë e luajtur punëtorët. Natën kur fija gjumë së bashku me pistoletën i mbaja poshtë jastëkut. Mbi 5 – 6 herë më ka zënë shiu në majën e malit. Porsa shikoja që dilnin retë e shiut, largohesha me shpejtësi nga maja, futesha në rrëzë të një shkëmbi në qafën që ishte në mesin e dy majave dhe mbulohesha me fletë çadër së bashku me dy punëtorët që kisha. Asnjëherë nuk mbaja afër pajisje metalike që të mos më goditur rrufeja.

-Pse ka pasur raste që ka rënë rrufeja pranë metaleve apo armatimeve të ekspeditave të tilla?

Kishte rastisur disa herë që unë isha larguar jo më shumë se 200 m dhe në majën ku bënim matje të qëllonte rrufeja. Vendi rreth piramidës që bënim matje ishte gjithë gropa nga shkarkimet e tyre. Mu desh afro gjithë korriku që të përfundoja matjet në këtë mal,pasi siç thash edhe më lartë koha nuk më bëri e mirë, megjithatë  rezultatet e matjeve më dolën të mira. Nata ishte e freskët, mbuloheshim me dy batanije dhe në darkë ndiznim zjarr. Ujin për të pirë e merrnim afro një orë larg, ndërsa gjatë ditës në majën e malit dërgoja një punëtor dhe më merte në vende ku kishte një top  bor dhe e vija mbi dy gurë që ajo të shkrinte në pagurin që e merrja me vete. Kur mbushej pagurja i vija shaminë e dorës dhe e thithja ujin, pasi ai kishte lloshra të ndryshme të cilat mbeteshin në shami. Sado që të shkruaj nuk mund të përfytyrohet sa kam vuajtur unë por edhe shumë shok të tjerë topografë, në male të tilla duke filluar nga veriu deri në jug të vendit. Rruga që bëja çdo ditë ishte gjithë gurë e çakëll dhe këpucët me qafa që na i jepte instituti të grisen e të copëtohen.

-Po kontrolle a ke patur?

Nga mesi i muajit më erdhi për të më parë një nga shefat që kishim, një shok  shumë i mirë, inxhinier Stefan Shahini. Ai ishte shpirt njeriu, i dashur dhe i respektuar, i qetë dhe shumë cilësi të tjera të mira. Fjeti një natë në ato kushte që kishim në çadër dhe të nesërmen u ndamë, unë u nisa për në maj të malit dhe ai zbriti i shoqëruar me një punëtor në fshatin e Dardhës. Nuk më harrohen vështirësitë që mu krijuan gjatë matjeve sidomos me pikën e Lapardhasë. Një shok tjetër kishte organizuar punën me dy punëtor nga ai fshat që të jepnin dritë me anë të një pajisje që reflektonte dritën e diellit, në orët që unë dilja në majë të malit. Por ata si çuna të rinj që ishin dhe që nuk kishte njeri ti kontrollonte përditë, kishin ngatërruar majën dhe nuk më vinte drita atje ku isha unë por në një majë më të ulët. Nuk kisha se çfarë të bëja, mjete komunikimi nuk kishim, prandaj u detyrova dhe çova punëtorin e moshuar që kisha, duke e sqaruar se ku duhet të jepnin dritë në cilën majë të malit, i thash se do të lodhesh për të vajtur deri në Lapardha dhe se më mirë se ti nuk ka kush të ma bëjë këtë punë. Ai si njeri i papërtuar mu tregua i gatshëm dhe u nis që në mëngjes. Atë natë fjeti në shtëpi dhe të nesërmen me mushkën e tij ishte nisur për në Lapardha. Mbas dite kur unë po rrija në majën e Tomorrit, shoh dritë që po reflektonte nga Lapardhaja. Kështu unë kuptova që punëtori kishte vajtur dhe kishte ndihmuar ata djem që ishin atje. Mbas dy ditësh ky njeri i mirë dhe punëtor erdhi  lart në mal dhe u takuam në mbrëmje. Pasi e falënderova për punën e lodhshme, ai po na tregonte si ja kishte kaluar dhe ne filluam të qeshnim,pasi e tregonte shumë bukur, ku midis të tjerave ai tha: Kur arrita në fshat pyeta një fshatar, a keni parë të vendosur një çadër këtu në fshatin tuaj. Ai më tregoi ku ishte dhe unë u drejtova drejt saj, nëpër vapën e asaj mesdite. Kur ju afrova çadrës,nuk pash njeri jashtë, atëherë u futa brenda dhe pash dy djem të shtrirë në krevate. U bërtita fort ç’bëni ju këtu, përse ju kanë marrë në punë, kur e keni orarin e punës për të dhënë dritë. Kur pash në fund të çadrës një arkë me domate, u bërtita edhe më shumë, duke ju tundur edhe shkopin, pa le mi keni me arka domatet dhe ne atje nuk i dimë si janë, shpejt te vendi i punës se po ju presin, duke i orientuar në majën që ne ishim duke matur. Kështu u normalizua puna me këtë pikë dhe mbas disa ditësh mbarova krejt matjet. Kur u ktheva në Tiranë, nuk ndjeja të lodhur fare doja të ecja tërë dirën dhe nuk më bënte përshtypje. Pas kësaj më prisnin maja të tjera si ajo e Strakavecit në Çajup të Gjirokastrës, Tartarit dhe Bogonicës në Vlorë.

-Po herë tjetër a je ngjitur në majën e Tomorrit?

Për interes të punës jam ngjitur edhe një vit më vonë, në prill 1977 në pikën e malit të Tomorrit. Meqenëse unë e kisha matur atë pikë dhe e dija rrugën, nga shefat përkatës më caktuan mua. Unë ju thash drejtuesve të  sektorit, se vetëm e kam të vështire, pasi në mal ka akoma borë, prandaj më jepni edhe një shok tjetër për Asim Bejën dhe drejtuesit ishin dakord.  Asimi ka qenë kuadro me kërkesa të larta ndaj vetes, i përkushtuar e korrekt në punë e shoqëri. Pas disa vitesh ai u përzgjodh së bashku edhe me Mersin Bicin  nga kuadrot më  mirë të institutit pse jo edhe të ushtrisë dhe u caktuan me detyra të rëndësishme në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Brendshme, ku edhe atje me aftësitë dhe përgatitjen e tyre si kuadro të denja të ushtrisë, u dalluan për korrektësi dhe zbatim me rigorozitet të detyrave të ngarkuara. U nisëm me mikun tim Asim Beja dhe pasi arritëm në fshatin Dardhë, u gdhimë atë natë atje dhe të nesërmen u nisëm për në majën e malit. Qëndruam te stani që ishte vendosur në faqe të malit dhe kemi ngrënë secili më shumë se nga një litër qumësht deleje të zier në prushin e zjarrit. Kur kaluam vendin që kisha patur çadrën filluam të shkelnim nëpër borë. Sa vinte dhe rruga në vendet që nuk e zinte dielli bëhej më e vështirë. Të dy djemtë që kishim marrë ishin të rinj dhe të dobët fizikisht dhe u lodhën shpejt, nuk mund ti mbanin dot instrumentet në krah. Në këto kushte ne u detyruam ti mbanim vet ato deri sa kaluam vendet e vështira dhe nuk na mbetej veçse një orë për të shkuar në maj të malit. Mbasi arritëm filluam menjëherë punën pasi mali po mbulohej me re. Punën që kishim e mbaruam më pak se gjysmë ore. Zbritëm poshtë dhe arritëm në mbrëmje vonë në qendër të fshatit.  Kuptohet ishim tepër të lodhur, pasi hëngrëm bukë në mensën e kooperativës, ramë të flemë dhe të nesërmen u kthyem në institut me detyre të realizuar. Kështu u mbyll edhe ky udhëtim i vështir por i këndshëm në malin e Tomorrit. Sa herë që udhëtoj në jug të vendit e shikoj me vëmendje dhe mendoj duke përfytyruar ato vështirësi për ushqim, lodhje, për të fjetur e për tu larë, të cilat më kanë bërë vetëm mirë duke më kalitur edhe më shumë. E kujtoi gjithashtu si një mundësi që më është dhënë një herë dhe që nuk më vjen më për ta parë nga afër e jetuar në këtë mal gjigant.