Qyprilinjtë, Ali Pasha dhe besimi fetar në Poliçan

819

Në Ballkan ndryshimi fetar filloi menjëherë pas betejës sëFushë Kosovës më1378

Sami SHMILLI

Sigal

(Vijon nga numri i kaluar)

Prerja e kokës së Ali Pashë Tepelenës nga turqit në Janinë, është edhe faza përmbyllëse e një periudhe plotë shpresë e Shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre të mëvetësishem, gjë që s’u realizua në këtë periudhë për faktin e thjeshtë, se prijsat e atëhershëm Bushatllinjtë në Veri dhe Ali Pashai në Jug, ishin të përçarë dhe s’u morën vesh dhe s’u bashkuan mes tyre asnjëherë.

Periudha pas kësaj rënie, është një tjetër mynxyrë për krejt vendin. Otomanët me shpejtësi vazhduan sulmin për të myslimanizuar krejt vendin. Në këtë periudhë besohet të ketë ndodhur edhe ndryshimi i plotë fetar në Poliçan. Por ndryshimi fetar edhe këtë radhë përsëri ka qenë sipërfaqësor dhe jo i plotë. Kjo edhe për faktin se edhe sot gjenden elementë që, dhe pse të deformuar apo disi të tjetërsuar, në thelb ruajnë autenticitetin e tyre fetar. Le të marrim për shembull mbiemrin Shmilli, që me gjithë ndryshimet e pësuara dhe zbutjen që mund t’i jetë dhënë nga mbartësit e tij për efekte mbijetese, apo qoftë dhe priviligjuese individuale, apo dhe kolektive, prej shtetit turk apo kushdo tjetër, ky mbiemër ngado ta rrotullosh mendimin s’është gjë tjetër veçse një mbiemër tipik fetar i krishterë, mbiemër që në thelbin e tij ka të bëjë me Shën Millin, (Xhebrailin e fesë muslimane) një nga engjëjt kryesorë të Zotit, i cili, sipas besimit ortodoks, vjen t’i marrë shpirtin njeriut të gjallë në momentin e fundit të jetës, ose vendos ta lerë në jetë përsëri pra ta shërojë, nëse mendon dhe vendos më parë Zoti për një gjë të tillë. Me këtë mbiemër të shenjtë fetar për të mos shkuar larg, lidhet edhe njëra nga kishat më të vjetra, koha bizantine dhe më të bukura të Beratit; kisha Shën Milli, ndërtuar në shkëmb të kalasë, në pjesën perëndimore të saj. Besohet që nga ky shenjt e ka emrin edhe një fshat i thellë e malor i trevës së Elbasanit që edhe mund të ketë, por edhe mund të mos të ketë lidhje direkt me emrin e lagjes Shmill, në Poliçan por që gjithsesi ka lidhje me besimin fetar që përfaqëson. Por kjo është një temë tjetër. E rëndësishme është të kuptohet në këtë rast se, sikurse iu ndërrua emri dhe besimi fetar Gjergj Kastriotit, duke e kthyer në Skënderbe, ashtu edhe mekanizmi shtetëror turk pas rënies së Ali Pashë Tepelenës ndërmori fazën e fundit dhe arriti të ndërrojë dhe tjetërsojë fenë edhe tek banorët e të gjithë zonës së Nahijes dhe të Poliçanit. Në këtë periudhë duket se turqve u qeshi suksesi përfundimisht. Dihet tashmë se që më parë ai kishte hedhur themelet, sidomos në epokën e Qyprillinjve roshnikas, pushtuesi e përfundoi, “skicimin” për reformën fetare të shqiptarëve. Mund dhe të ketë ndodhur edhe ndryshe që myslymanizimi këtu të jetë kryer tërësisht në kohën e ardhjes në fuqi të Qyprillinjve roshnikas dhe kjo s’ka çudi që mund edhe të ketë ndodhur dhe kështu por gjithsesi, duke e parë ndryshimin e fesë si proces reformues dhe depërtues thelbësor të pushtuesit, i cili sigurisht në Ballkan e filloi këtë ndryshim fetar menjëherë pas betejës së Fushë Kosovës më 1378 ku siç dihet ushtria e bashkuar ballkanase u thye dhe ballkanasit humbën përfundimisht lirinë e gadishullit të tyre. Të lind mendimi që ky proces ka filluar edhe këtu në Poliçan menjëherë me ardhjen e pushtuesit dhe ka përfunduar fazën e parë jo më vonë se ardhja në pushtet e Qyprillinjve roshnikas. Përfundimi i plotë i reformës, faza e dyte duket se është bërë menjëherë pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës. Ndaj dhe s’ka përse të ketë dyshim pse në kodrën që edhe sot quhet Kodra e Kishës, jo vetëm mungon kisha por në Poliçan dëgjohet të thuhet se këtu s’ka pasur të krishterë, gjer në fillim të viteve 1960, kohë në të cilat nisi ndërtimi dhe puna për kombinatin e ri ushtarak. Emërtimi edhe sot i lagjes së krishterë Shmill me banorët të gjithë myslimanë, të sektit Bektashi, besim fetar tradicional i krejt zonës ky, flet shumë për çfarë mund të ketë ndodhur edhe këtu në Poliçan pavarësisht mungesës së datimeve e dokumentacionit. Ky fakt s’është gjë tjetër veçse një dëshmi reale e ngjarjeve që kanë ndodhur edhe në këtë vendbanim pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ngritjes dhe rënies së Qypërllinjve roshnikas, dhe rrebelimit e prerjes së kokës së Ali Pashë Tepelenës. 500 vjetët e pushtimit otoman, si për gjithë kombin ishin vite robërie edhe për Poliçanin dhe poliçanasit. Sipas gojëdhënave në fillim të vitit 1900 Poliçani kishte gjithsej jo më shumë se 35 familje. Pra një rritje relativisht tepër e vogël, po të marrim parasysh shumë shekuj të shkuar nga dita kur pushtuesit sllavë mendohet që i kanë vënë emrin vendbanimit të Poliçanit. Por po të marrim parasysh të dy pushtimet barbare dhe gjithë luftërat që në këto periudha zhvilluan shqiptarët për të fituar lirinë dhe pavarësinë e tyre, dhe shkaqe të tjera anësore, si varfëria e tejskajshme, jetëgjatësia e pakët, sëmundjet ngjitëse dhe të pashërueshme, gjaqet dhe vdekjet natyrore, bindësh që ky numër shpreh në vetvete një realitet historik të pashkëputur nga realiteti historik,demografik tepër tragjik i të gjithë vendit tonë. Kurbetllëku ose emigrimi i njerëzve për arsye thjesht ekonomike është një tjetër dukuri që sipas kujtimeve të të parëve tanë, ka shfaqje më të vonë në këtë vendbanim. Mendohet se vetëm në mesin e shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX pa e përmendur këtu dhjetëvjeçarin e fundit të tij dhe fillimin e shekullit XXI, ku emigrimi drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore kapi masa të gjera punonjësish, si rezultat i krizës së thellë ekonomike që përfshiu mbarë vendin dhe për rrjedhojë edhe kombinatin ushtarak, tek tuk pati banorë vendas që morën rrugën e kurbetit, kryesisht drejt Turqisë. Stabilizimi i tyre në kurbet dhe përmirësimi disi i kushteve ekonomike i familjeve të tyre në Poliçan, bëri që në fillim të shekullit XX të rritej ndjeshëm numri i njerëzve që morën rrugët e kurbetit. Edhe pse nuk ka ndonjë të dhënë të saktë se kush ishte i pari emigrant që la Poliçanin, dihet që nga lagja Shmill kanë shkuar kurbetllinj, në këtë periudhë këta njerëz: Idriz Shmilli, Ali Shmilli, Xhaferr Shmilli, Isa Shmilli, Jashar Shmilli, Haki Shmilli dhe Petref Shmilli. Bashkë me ta ose me të tjerë morën rrugët e kurbetit edhe të tjerë persona poliçanas si Zenel Kalluçi, Ceno Toçka, Beshir Spaho, File Lulai, Hamit Sherri, Xhemal Frashëri, Dule Spaho, Myslim Koroni, Hysen Xhaferri, Ilmi Xhaferri, Ceno Lavdari, Hajdar Lavdari etj… Kapërcimi nën varfëri dhe vuajtje i shekullit XIX dhe fillimi përsëri nën pushtimin otoman i shekullit XX, si të gjithë Shqiptarët edhe poliçanasit i ngarkonte me detyrime të mëdha për të ardhmen. Mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me atdhetarë të trevës së Beratit, Skraparit, Përmetit dhe me kurbetlinjtë vendas, ndikuan tek banorët dhe, veçanërisht, tek moshat e reja, për tu përgatitur edhe më mirë për sfidat e reja që do të sillte koha.