Korça nderon doktorin e shquar human Sotir Polenën

1123
Sigal

Presidenti i Republikës  Ilir Meta  nderon Dr. Polenën me urdhërin “Nënë Tereza” . Historia tronditëse e familjes Polena, vdekjet e njëpasnjëshme të  8 fëmijve, Dr, Polena, hapi klinikën e parë në vend me aparat rëntgen

 

Mbesa e dr. Polenës, Shirli Polena dhe bashkëshorti i saj, koncert përkujtimor

 

Nga Vepror Hasani

 

Të martën, ora 11.30, në ambientet e katedrales “Ngjallja e Krishtit” në qytetin e Korçës, mbesa e doctor Polenës, këngëtarja e mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, Shirli Polena, së bashku me bashkëshortin e saj, tenorin Adrian Xhema, do të japin për publikun artdashës korçar një koncert përkujtimor në shenjë nderimi për doctor Polenën i cili gjithë jetën e vet ia kushtoi pasientëve të tij për tu shëruar sëmundjet dhe lehtësuar dhimbjet. Për këtë arsye ai mbetet i adhuruar jo vetëm nga banorët e korçës porn ë mbarë vendin, pasi gjatë kohës që ushtroi profesionin e vet nuk mbeti njeri pa e njohur. Mbi të gjithë në këtë concert do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili do të nderojë përkushtimin e tij si mjek me udrdhërin “Nënë Tereza:
Prania e Presidentit të Repubilikës u vlerësua veçanërisht nga mbesa e dr. Polenës, të afërmit e tij dhe qytetarët e korçës. Mes të tjerash këngëtarja Shirli Polena tha: “Jo vetëm si mbesa e tij, por edhe si qytetare e Korçës kam detyrimin të nderoj këtë figurë të nderuar të qytetit tonë,  cili i ka dhënë shumë si nga ana profesioale, ashtu edhe nga ana humanitare qytetit të Korçës dhe mbarë vendit, por shumë e vlerësuar mbetet prania e Presidenit të Repubilkës, Z. Ilir Meta,  i cili do të nderojë doktor Sotir Polenën me urdhërin “Nënë Tereza”. Unë dhe bashkëshorti im Adrian Xhema, tenor, do të japim një koncert në nderim të figurës së doctor Polenës. Me këtë rast falenderoj shumë gjithë njerëzit që bënë të mundur realizimin e këtij, e venimenti, pasi pa ndihmën e tyre nuk do të ishte arritur. E shoh me shumë vlerë që figura e tij të nderohet në qytetin e tij ku kontribuoj gjithë jetën.   Me këtë rast ne po sjellim të plotë për publikun jëtën e familjes Polena

Historia tronditëse e familjes Polena, vdekjet e njëpasnjëshme të  8 fëmijve, Dr, Polena, hapi klinikën e parë në vend me aparat rëntgen

Lajmi i ngjante pikës së lotit. Më i trishtuar dhe më i dhimbshëm nuk mund të bëhej. As qyteti i Korçës nuk pati forcë ta mbante fshehur në shpirtin e tij. Njerëzit që ecnin në rrugë kishin vetëm lotë në sytë e tyre. Një djalë i ri së bashku me të fejuarën ishte mbytur në liqenin e Ohrit, në afërsi të Shën Naumit. Ishte 30 mars i vitit 1930. Kishte vdekur fëmija i tetë i familjes Kostandin Polena, doktorit më të vjetër të Korçës. Tragjedia nuk po ndalej. Të gjithë kishin vdekur njëri pas tjetrit. Shtëpia e Polenasve rrinte gjithnjë me të zeza. Tashmë kishte mbetur vetëm një djalë, Sotir Polena, njeriu që do të merrte famën e doktorit të operacioneve gati të pamundura për kohën, por edhe ai atë çast nuk ndodhej aty… Lajmi kishte dalë befas nga valët e liqenit, kishte vrapuar ankthshëm drejt Korçës, te familja e të vdekurit për të qëndruar aty vetëm për një çast, aq sa për të veshur qytetin me të zeza dhe pastaj ishte nisur me të njëjtin nxitim rrëqethës drejt Gjermanisë… Atje ndodhej Sotir Polena, djali i nëntë i kësaj familjeje, për të cilin do të flitet në këtë rrëfenjë tronditëse… Ai kishte vetëm tre vjet që kishtë përfunduar studimet e larta për mjeksi në Mynih të Gjermanisë dhe vetëm dy vjet që kishte mbrojtur doktoraturën në Universitetin “Ludvigo Maksimilan” të Bavarisë…Më pas do të punonte edhe në Shtutgard, aty i mbërriti edhe lajmi…Që të gjitha këto i tregon çdo qytetar i Korçës, por kjo histori e trishtë do të vijojë me rrëfimin e Adhonit, djalit të Sotir Polenës, tashmë mjek obsetër-gjinekolog në spitalin e Korçës.

Në Gjermani

“Po , lajmi kishte mundur të mbërrinte në Shtutgard të Gjermanisë, nis rëfimin e tij, Adhon Polena. Në atë kohë babai im ishte vetëm 28 vjeç. Kur po delte nga klinika, dikush e kishte ndalur dhe i kishte dhënë lajmin: “Të kthehesh në shtëpi sa më parë …”. Aludohej për një të sëmurë në familje, por ai, (Sotir Polena), sapo kishte dëgjuar lajmin, kishte mbetur një çast si i ngrirë dhe pastaj me frikë kishte pyetur veten: “Çfarë të ketë ndodhur vallë…”? “Vdekje…”? Vetëm këtë gjë nuk donte ta mendonte. Një pikë loti i kishte rrëshqitur nëpër faqe. “Më paska marrë malli”, mendoi. “Ndoshta mund të jetë i sëmurë babai, tha me vete … ndoshta nëna …” Ai ende nuk e dinte se vëllai i tij, Nikollaq Polena së bashku me të fejuarën e tij, Julia Fundo ishin mbytur aksidentalisht në liqenin e Ohërit, jo shumë larg nga Shën Naumi, së bashku me disa të tjerë. Tashmë kishte mbetur fëmija i vetëm i Kostandin Polenës. Të gjitha këto ai do të na i tregonte kohë më vonë, kur binte rasti të flitej për familjen tonë…”, tregon biri i doktor Sotir Polenës, Adhoni Polena.

Dy fjalë për gjyshin, Kostandin Polenën

“Që në çastin e parë të mbërritjes së lajmit, babai kishte nisur të bënte gati bagazhet,. Lutej që vetëm vdekje të mos kishte qënë ai lajm që sapo kishte marrë, vijon më tej rrëfimin e vet, Adhon Polena. Babai im, Sotir Polena, kishte qënë fëmija i vogël i familjes Polena. Deri në atë kohë kishte parë vdekjet e njëpasnjëshme të vëllezërve, të motrave të tij, të fëmijvë të tjerë, të të moshuarve… Ata vdisnin në duart e babait të tij. Pas kësaj kishte të qara dhe ulërima nënash, thirrje deri në kupë të qiellit për fëmijën e humbur… Babai i Sotirit, Kostandin Polena, në çaste të tilla trishtohej dhe në heshtje përjetonte dhimbjen e thellë që i reflektohej te sytë si një pikë loti që mbetet fshehur nën qerpikë. Gjithçka kishte nisur me rënien e një epidemie të frikshme në qytetin e Korçës. Ai kishte shpëtuar nga vdekja me dhjetra e qindra njerëz, por kjo epidemi po ia rrëmbente njerëzit nga duartë. Fëmijët vdisnin njëri pas tjetrit. Konstandin Polena, babai i Sotir Polenës, ose gjyshi im, tregon Adhon Polena ishte doktor, kishte studiuar në Athinë për kirurgji, gjinekologji dhe farmakologji. Në spitalin e Korçës që u hap nga amerikanët në vitin 1916 ai punoi si kirurgu i parë obsetrik Në shtëpinë e tij vinin çdo ditë fëmijë të sëmurë, në prag të vdekjes, por befas do të sëmureshin edhe dy fëmijët e tij. Kostandin Polena ishte furnizuar me vaksina në Athinë, por ato nuk mjaftonin… Ndodhte që në çastin që do t’i bëntë një gjilpërë fëmijës së tij, një nënë sillte gjysëm të vdekur fëmijën e vet dhe atëherë, Kostandin Polena atë gjilpërë e shpenzonte për të sjellë në jetë një fëmijë që ishte duke vdekur…” Në rrethana të tillë i vdiqën edhe dy fëmijët e tij të parë…ishte koha kur mungonin medikamentet, kur as një vaksinë nuk kishte mbetur as për fëmijët e tij.”

Motrat dhe vëllëzërit e Sotir Polenës

“Babai im, Sotir Polena, shtyn më tej tregimin e tij, Adhon Polena, së fundi kishte përgatitur gjithçka për kthimin e tij në Korçë. Gjithçka e kishte përgatitur me shpejtësi. Ankthi e kishte pushtuar krejt. “Vetëm vdekje të mos jetë ky lajm që sapo mora”, kishte menduar sërish ai. Babai im i dinte dy vdekjet e ndodhura në shtëpinë e tij gjatë kohës së epidemisë. Në fillim kishte vdekur motra e tij, Agllaia, kishin shkuar për të varrosur atë, por kur u kthyen në shtëpi gjetën të vdekur motrën tjetër të tij, Rodhopin. Ato kishin qenë të vogla, jo më shumë se 5- 6 vjeçe. Vdekjet e kishin tronditur vazhdimisht. Në shtëpinë e tij vdekja kishte qenë gjithnjë e pranishme. Pas dy motrave të para, vdiq edhe motra e tretë, Eterpi, edhe ajo kishte qenë e vogël. Pastaj, në vitin 1903, u nda nga jeta edhe vëllai i tij, Vasili, kur ishte vetëm 17 vjeç. Pas la vetëm një tufë pikturash, sepse ishte i dashuruar pas artit, por nuk mundi të përjetone gëzimin e artit të tij. Në 10 nëntor të vitit 1909, në shtëpinë e babait tim do të ndodhte një tragjedi tjetër. Themistokli Polena, një nga vëllezërit e babait u gjet i vdekur: e kishin helmuar turqit. Ai në atë kohë vazhdonte studimet në SHBA për Astronomi dhe sapo ishte kthyer në Korçë me pushime, por pa e ditur kurthin që e priste. Në vitin 1924, vdiq një motër tjetër e babait, Elena, e cila sapo kishte mbushur të 19-tat. Nga 9 fëmijë që kishte patur gjyshi im, Kostandin Polena, i kishin mbetur vetëm dy: Nikoja që tashmë ishte mbytur aksidentalisht në liqenin e Ohrit, dhe djali i vogël, Sotir Polena, që në ato çaste po përgatitej të kthehej në Shqipëri, ndërsa vazhdonte të lutej: “O Zot, vetëm lajmi që sapo mora të mos jetë vdekje…”.

Kthimi i Sotir Polenës

“Para se të largohej nga Gjermania, Sotir Polenës iu desh të takohej me profesor doktor Hecker, sepse kishte punuar me të, dhe sepse nën drejtimin e tij kishte mbrojtur edhe doktoraturën në Universitetin “Ludvigo Maksimilan” në Bavari. “Mos ik, qëndro këtu, i kishte thënë profesor doktor Hecker, klinikat tona kanë nevojë për ju”, por Polena i ishte përgjigjur: “Më duhet të iki profesor, atje në Shqipëri vdesin shumë njerëz, ka nevojë për mjekë…”. Të njëjtën gjë i kishte thënë edhe kryekirurgu i klinikave të Mynihut, Ferdinand Sauerbruk, por tashmë babai im e kishte ndarë mendjen: “Vendi im është Shqipëria, do të shkoj të punoj në qytetin e Korçës”, ishte përgjigjur. Veç kësaj e kishte marrë malli për të atin, për nënën e tij, për të vëllanë, Nikon. (Sotiri ende nuk e dinte që vëllai i tij ishte mbytur). Mendonte të ulej me Nikon dhe të bisedonin gjatë, sepse Nikos i pëlqentë të fliste për pacientët e tij, për pneumatologjinë, për shpëtimin e jetës së njerëzve… madje thoshte gjithnjë: “Ah, sikur të kisha qenë mjek në kohën që ra epidemia dhe të kisha patur këto aparatura…” Niko Polena kishte përfundur studimet e larta për mjekësi në Athinë dhe Gjermani. Gjithnjë kishte dëshiruar të bëhej pneumatolog, sepse kur kishte qenë i vogël, në kohën e epidemisë, gjithnjë kishte parë se si vdisnin njerëzit nga turbekulozi. Sigurisht, Niko Polena, jo pa ndonjë lloj krenarie do t’i tregonte të vëllait, Sotirit, se kishte qenë ai që në vitin 1926, kishte sjellë për herë të parë në Shqipëri aparatin Rëntgen me shkëndijë elektrike. Korça për herë të parë pati energji elektrike në vitin 1925. Bashkë me aparatin Rëntgen, Nikoja solli edhe një laborante nga gjermania, të cilën e quqnin Ollga. E punësoi në klinikën private të familjes. Edhe babai im (Sotir Polena) do t’i tregonte së fundi se pas marrjes së titullit doktor ishte specializuar në Shtutgard edhe për kirurgji dhe obsetri – gjinekologji. Kishin vendosur që të dy së bashku të punonin çdo ditë për të mposhtur vdekjen që në ato vite kishte mbërthyer Korçën. Por kur babai im mbërriti në Korçë mori vesh se vëllai i tij, së bashku më të fejuarën, ishin mbytur aksidentalisht në liqenin e Ohrit. Dhimbja për të atë çast nuk pati kufi. Nuk do të kalonin shumë kohë dhe po atë vit, në 10 dhjetor 1930, në moshën 77- vjeçare u nda nga jeta edhe babai i tij, Konstandin Polena”.

Një jetë me bisturi

Megjithatë, jeta vazhdonte, thotë biri i Sotir Polenës, Adhoni Polena. Babai im me t’u kthyer në Korçë, në vitin 1930, nisi punë në klinikën e familjes. Më 14 janar, 1931 në Korçë ra tërmet dhe klinika e familjes Polena pësoi dëmtime. Babai e ngriti sërish nga e para. Kjo klinikë e ndërtuar nga duartë e tij është Klinika e parë në Shqipëri. Spitali kishte 10 shtretër, aparatin Rëntgen, laboratorin klinik dhe sallën e operacioneve. ( Në Tiranë klinika e parë u hap në vitin 1935). Megjithatë që nga viti 1933 dhe deri në vitin 1962, im at punoi edhe në spitalin e Korçës si kirurg dhe si drejtor i spitalit. Emri i tij shumë shpejt nisi të përhapej në të gjitha anët e vendit. Ai arriti të realizonte operacione gati të pamundura për kohën, ndoshta po kaq të vështira edhe për kohët e sotme. Mbaj mend që në spitalin e Korçës njerëzit vinin nga çdo anë: nga jugu, veriu, Myzeqeja, nga Gora, Opari, Mokra, Skrapari… Vazhdimisht e kalonte kohën me operacione. Dikush operohej nga sytë, një tjetër nga gjoksi, një i tretë për probleme otorino-laringologjike… Babai im ishte atje edhe kur njerëzit vuanin nga shpretka, mëlçia, tiroidet… Një jetë të tërë me bisturi në dorë. Ai pati sukses edhe në neurokirurgji, në kirurgjinë torkale dhe në ortopedi. Qepja e venave ishte një mjeshtëri e rrallë e tij. Kishte guximin dhe kurajon të kryente ndërhyrje të vështra edhe t’u vinte në ndihmë grave shtatzëna, duke u kthyer jetën dhe fëmijën. Befas do të kuptoja se emri i tij kishte shkuar larg. Mjekët evropianë e kishin vendosur emrin e tij në në manualet e mjeksisë për realizimin e operacioneve të vështira, të pamunura për teknologjinë e kohës.

Detyra është gëzim

Në shtëpi kthehej vetëm në mbremje, gjithnjë në orët e vona. Nuk mbaj mend të ketë thënë ndonjëherë: u lodha. Sa herë që nxirrte ndonjë pacient nga “kthetrat” e vdekjes, dhe kjo gjë ndodhte shpesh, ne arrinim ta merrnim vesh edhe pa na i thënë ai. Në raste të tilla babai, sapo hynte në shtëpi më hidhte një vështrim të gëzuar dhe më thoshte: “Adhoni, pa na luaj diçka të bukur në piano”. Sigurisht unë nuk isha pianist, por më pëlqentë muzika. Përpiqesha të luaja ndonjë melodi të gëzueshme që tingujt e saj të mbushnin gjithë shtëpinë. Në çaste të tilla, ai ulej pranë meje dhe diça mendonte. Më dukej sikur ai bisedonte me Nikon që nuk arriti të martohej, me Themistokliun që e helmuan, me motrën e tij Elenën, me vëllanë tjetër, Vasilin, me nënën dhe babain e tij. Dukej sikur bashkë me tingujt që nxirrnin tastierat, ai bënte një bashkëbisedim të gjatë me të atin: “Baba, kam filluar t’u kthej jetën njerëzve, bëj të gjitha përpjekjet ashtu siç përpiqeshit ju për gjithë fëmijët e Korçës, sepse për ju që të gjithë ishin njëlloj, sikur të ishin njerëzit e familjes. Unë ju kam adhuruar gjithnjë baba, dëshiroj të jem një doktor po aq i mirë sa ju. Shpesh më duket sikur punoj edhe me duartë e Nikos. Aparati rontgen që solli në vitin 1926 e kemi akoma në spitalin e familjes…”. Por nëse babai nuk më kërkonte të luaja në piano atëherë ai ose merrte librat e Gëtes, Dantes, Shilerit, Frojdit, Niçes, apo Hajnes dhe lexonte, ose merrte lapsin dhe vizatonte diçka, sepse i pëlqente mjaft arkitektura, (madje edhe shtëpia ku jetojmë sot është e projektuar nga vetë ai në stilin eklektik), ose shkonte te kopështi zologjik që kishte ngritur pranë shtëpisë dhe luante me pëllumbat, duke dëgjuar gugitjet e tyre. Në çaste të tilla ai ndihej jashtëzakonisht i lumtur. Një ditë në xhepin e xhaktës së tij gjeta të shkrura vargjet e shkrimtarit të madh indian, Rabindrand Tagares: “Fjeta dhe ëndërrova se jeta është gëzim/, u zgjova dhe pashë se jeta është detyrë/, veprova sipas saj dhe nxora një përfundim/: Detyra është gëzim”.

Familja Polena

Babai im, Sotir Polena, tregon biri i tij, Adhoni Polena, u lind më 5 gusht 1902 dhe u nda nga jeta më 3 korrik të vitit 1967. Gjatë kohës që ai punonte me bisturi, në një çast pati prerje të dorës. Ajo prerje iu shndërrua në plagë. I dhënë gjithnjë pas pacientëve të vet, e harroi plagën e tij, ndërsa ditët kalonin… Vetëm dy vjet më vonë ai u nis drejt Vjenës në Austri për të kuruar plagën e bisturisë. Mjekët e Vjenës u kujdesën për të, bënë të pamundurën, por babai nuk mundi të mbijetonte. U nda nga jeta kur ndodhej në spitalin e Vjenës. Megjithatë ai mbahet mend për operimin e parë të kancerit të rectiumit, për operacionin e parë të kancerit të gjirit, për operimin e parë të zemrës, për qepjen e vazave të gjakut, për operimet në kokë etj, etj. Tashmë tre fëmijët e tij: unë, thotë Adhoni dhe dy motrat e mia: Rea dhe Ida u bëmë mjekë. Edhe vajza ime, Viola, punon si mjeke, gjinekologe në Paris në spitalin “Tenon” dhe në Bordin shkencor, edhe nipi i tij, Sotiri i Ri u specializua për kardiologji, edhe një besë e tij, Elda Naumi, punon si mjeke dhe pedagoge në institutin e Infermierisë. Ndoshta familja e Doktor Polenës nuk do të rreshti kurrë së nxjerri doktorë brez pas brezi për të qënë në shërbim të njerëzve të njerëzve, përfundon rrëfimin e tij, biri i doktorit të dëgjuar, Adhoni Polena, tashmë mjek obsetër-gjinokolog, por duke shtuar edhe diçka tjetër: “Vetëm njëra prej vajzave të mia, Shirli Polena, nuk iu përkushtua mjeksisë, por muzikës, sot ajo është Soprano e Operas së Mynihut në Gjermani. Sa herë vjen në Korçë, i them: “Shirli, ulu në piano dhe luaj diçka, ndërsa mua, në çastë të tilla, më pëlqen të nis një bashkëbisedim të gjatë me babain tim që nuk jeton më, ashtu siç bënte ai dikur me babain e tij, Kostandin Polena…”.