Mirela Karabina, ish-ministre e MASR: Vendimi i qeverisë para provimeve të Maturës lë mijëra maturantë jashtë dyerve të universitetit

642
Sigal

Vendimi i qeverisë para Provimeve të Maturës lë mijëra maturantë jashtë dyerve të universitetit

Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit

Këto ditë, me një vendim të befasishëm për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë, Këshilli i Ministrave vendosi rritjen e pragut të notës nga 6 në 6.5 dhe në programet mësuesi nga 7 në 7.5. Me një të rënë të lapsit, në shkelje të së drejtës kushtetuese për arsim të lartë qeveria lë jashtë studimeve universitare mijëra maturantë (p.sh nëse i referohemi vitit të kaluar nga 35 mijë maturantë, 23 mijë prej tyre ( 65%) kanë mbaruar me mesatare mbi 6 dhe, nëse zbresim ato me mesatare deri ne 7.5 dhe nën 6.5 një përqindje e madhe mbetet jashtë studimeve universitare). Këtë hap qeveria e bën disa ditë para provimeve të maturës duke ndryshuar rregullat e lojës në fund të saj.

Dhe ky ndryshim, sipas qeverisë, u bëkërka për të rritur cilësinë në universitete. Por, kjo nuk është e moralshme!

Pasi qeveria përdor standard të dyfishtë: Cilësi vetëm në formë note, por jo cilësi në arsimim të maturantëve dhe studentëve.

Pasi, për cilësi të munguar arsimimi protesta studentore ka kryqëzuar qeverinë dhe ministrinë e arsimit, sepse reforma e tyre në arsimin e lartë është e dështuar, sepse ligji i tyre, qëllimisht i pazbatueshëm, pengon rritjen cilësore dhe zhvillimin normal të universiteteve dhe qeveria ka lënë në kushte jo normale jetese studentët.

Po, si mund t’i ndalosh maturantët nga e drejta dhe dëshira për studim kur qeveria dhe ministria e arsimit me politikat e saj nuk i ka mbështetur ata sepse:

  1. a) nuk ka siguruar nevojën e parë, ajrin në klasa, oksigjenin, por i ka lënë në klasa të mbipopulluara me rrezik për shëndetin e tyre,
  2. b) nuk ka mbështetur mësuesin për një formim të mirë universitar dhe rritje profesionale, por e ka goditur dhe shpërfillur atë,
  3. c) nuk ka siguruar një program mësimor të zbatueshëm por ka çorientuar sistemin para universitar me reformën kurrikulare të pazbatueshme për kushtet tona duke dëmtuar thelbin, dijen e maturantëve,
  4. d) nuk ka siguruar infrastrukturë të domosdoshme të zhvillimit të mësimit me mjete mësimore dhe laboratorë por i ka lënë akoma vetëm me laps e letër,
  5. d) nuk ka siguruar teknologji në mësimdhënie, sot në 2019-n, por i ka dhënë modelin e gabuar, 1 klasë digjitale për 1800 nxënës.
  6. e) nuk ka planifikuar mbështetje financiare për institucionet shkollore por i ka lënë lënë të përballen me sfidën e pamundësisë.

E pra, me ç’të drejtë janë duke folur për cilësi kur e kanë minuar atë?!

Gjithashtu, Vendimi i Këshillit të Ministrave ka gjetur të papërgatitur aktorët kryesorë, maturantët dhe familjet e tyre të cilët, tashmë, kanë planifikuar drejtimin universitar. Gjithashtu ka gjetur në befasi universitetet, të cilët në vend të rritjes së buxhetit marrin nga qeveria uljen e numrit të studentëve. Dhe, në një shtet të së drejtës, në një shtet ligjor shkolla do të reagonte, maturantët duhej të ishin ngritur në këmbë sepse është vendim tinëzar dhe i pabesë që përcakton të ardhmen e tyre, universiteti duhej të reflektonte pasi e vendos atë në vështirësi institucionale.

Por, deri më tani nuk kemi asnjë reagim!

Po, ky vendim nuk ishte i befasishëm për qeverinë.

Kështu, në të njëjtën periudhë vitin e kaluar, në emër të cilësisë, qeveria rriti notën mesatare në 7 në mësuesi për vitin akademik 2018-2019, vendim që vuri në vështirësi universitetet rajonale të mësuesisë me uljen e numrit të studentëve ( Elbasan, Shkodër, Gjirokastër) dhe duke promovuar shndërrimin e tyre nga qendra të kërkimit shkencor, në qendra kursesh kualifikuese jouniversitare. Dhe, mesa duket, këtë vit do t’i japë formë më të plotë, formën e kolegjeve dy vjeçare. Pra, në mënyrë arbitrare, të njëanshme, jotransparente duke i mohuar të drejtën e studimit fëmijëve shqiptarë, duke mos i krijuar mundësinë e arsimimit të tyre qeveria ndërmerr këtë hap. Dhe, ky hap nuk është zhvillim, ky hap nuk siguron cilësi. Pasi, ky vendim i mohon maturantëve të drejtën themelor kushtetuese të vazhdimit të arsimit të lartë. Dhe, ia ndalon njëherë e përgjithmonë, pasi sipas standardeve të Procesit të Bolonjës, studentët me rezultate të mira pas përfundimit të studimeve jouniversitare dy vjeçare, mund të transferojë kredite edhe në studimet universitare Bachelor. Por, qeveria ia mohon këtë të drejtë sepse ka vendosur kufirin e mesatares së shkollës së mesme.

Ky vendim i njëanshëm lë jashtë dyerve të universitetit mijëra maturantë të paorientuar drejt karrierës dhe i detyron ata ose drejt studimeve jouniversitare në vend, ose drejt universiteteve të Rajonit, përtej kufirit.

Ky vendim arbitrar është i shkëputur nga konteksti i arsimit mbështetur në nevoja tregu, nuk është mbështetur në studime dhe në strategji drejtimi të tillë përgjatë viteve te studimit, d.m.th. nuk është bërë drejtim profesional në vitet e shkollimit të tyre, dhe në mënyrë të papritur ata gjenden përballë kësaj dileme.

Ky vendim jotransparent me uljen e numrit të studentëve dhe mbylljen e programeve universitare “shpëton” qeverinë nga rritja e buxhetit për arsimin, pasi ulja e numrit të studentëve, mesa duket, do justifikojë buxhetin e planifikuar prej saj.

Dhe kjo ndodh tani, kur për studentët në universitetet simotra evropiane investohet për një shoqëri të dijes të shekullit 21, (10500 USD për student është buxheti) ndërsa investimi për studentët tanë nga qeveria është shpërfillës, (690 USD për student, 15 herë më i ulët se mesatarja e OCDE-së) .

Pra, kjo është politika arsimore, kjo është politika e arsimit “cilësor”, kjo është politika e dëbimit të studentëve tanë jashtë dyerve të universitetit, si ata me rezultate të mira që largohen për arsye të mungesës së arsimit cilësor, ashtu dhe studentët që penalizohen nga e drejta e studimit universitar për arsye të ndryshimit të notës mesatare. Dhe, këtë ia mundëson me” ligj” Qeveria dhe Ministria Arsimit në mënyrë paradoksale, në emër të “cilësisë”.