Prof. Dr. Bernard Zotaj: Prralli i Verbasit që mbart një shekull histori

1434
Sigal

Në Verbas, më 29 nëntor 1942, erdhën demonstruesit nga Brataj, që më 28 nëntor 1942, kishin organizuar një manifestim popullor me rastin e 30-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Prralli i Verbasit

Prralli i Verbasit, gjendet në fshatin Verbas të Smokthinës (Vlorë). Ai përbën një objekt natyral, por deri më sot nuk gjendet në listën e monumenteve natyrore të rrethit të Vlorës. Për të arritur deri aty duhet rreth 40 km rrugë nga qyteti i Vlorës drejt zonës së Smokthinës, për t’u ngjitur në Ramicë dhe shkuar në Verbas. Prralli është një lëndë drusore që njihet në krejt zonën e Labërisë. Më i zhvilluar është në zonën e Smokthinës në formë shkurre. Prralli është një dru që formon gjethe, ku në majë të të cilave ka gjemba që janë shpues, pra gjethja e tij ka gjemba. Bimët si organizma të gjalla janë përshtatur dhe ambientuar me zonën e Smokthinës, e cila është e veçantë në llojin e vet. Por prralli i Verbasit është një monument natyre. Pozicioni i tij nuk është drejt qiellit, por gjysmë i shtrirë. Ky dru ka ecur gjithë jetën e tij shtrirë, duke parë jo nga lartësia, por nga perëndimi. Në kushtet ku ndodhet, aktualisht, pranë tij është një lapidar me një pllakë. Poshtë është veshur nga fasada e një muri rrethor, ndërsa, sipër tij, është kurora, e lartë diku deri në 3-4 m. Trupi i bimës ka një përthyerje të vogël. Shkon deri 30-50 cm trashësi. Bima është ruajtur dhe nuk është dëmtuar edhe gjatë ndryshimeve të sistemeve. Lartësia nga toka, në pozicionin e shtrirë e kalon 1 metër. I paraqitur në një pozicionim të tillë, ky monument mbetet i veçantë, madje është një atraksion i rrallë në zonën e Smokthinës. Vetë fshati Verbas është pjesë e fshatrave të Smokthinës, por që përfshihet në fshatin Ramicë.

Rreth prrallit është shkruar histori pasi ka folur Hysni Kapo

 

Në Verbas, më 29 nëntor 1942, erdhën demonstruesit nga Brataj, që më 28 nëntor 1942, kishin organizuar një manifestim popullor me rastin e 30-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Midis fshatrave të krahinës së Mesapliku ishin edhe shumë smokthinjotë, që ishin të organizuar sipas fshatit, e që kryesisht ishin aktivistë të lëvizjes, të grupeve edukative, pjesëtarë të njësitit gueril. Demonstruesit para postkomandës dhe komunës lëshonin thirrje: “Poshtë fashizmi!”, “Rroftë Liria!”, “Rroftë Flamuri ynë kombëtar!”. U organizua dhe një miting ku folën Ibrahim Dervishi i deleguar dhe Hysni Kapo, si djalë vendi. Të gjithë oratorët evokuan këtë ngjarje të madhe dhe u bënë thirrje karabinierëve të largohen paqësisht nga Brataj. Karabinierët kështu vepruan si bij të vendit. Në ditën e manifestimit të madh politik në Brataj, Smokthina si tërë krahina e Mesaplikut tashmë ishte zonë e Lirë. Në Verbas, më 29 nëntor 1942 demonstruesit u kthyen në të gjithë fshatrat e tyre tepër entuziastë dhe shpirtërisht të çliruar. Manifestim shërbeu për të qenë më të organizuar dhe për t’i kuptuar më mirë detyrat e luftës. Me këtë frymë optimiste, të nesërmen e manifestimit në Brataj, populli i Smokthinës u mblodh në prrallin e Verbasit. Midis pjesëmarrësve ndodhej dhe i deleguari i Qarkorit të Vlorës, Ibrahim Dervishi. Ai foli për situatën politike të brendshme dhe atë ndërkombëtare, për rëndësinë e Konferencës së Pezës, ku u hodhën themelet e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, u fol për rëndësinë dhe rolin e Këshillave Nacionalçlirimtare, për detyrat që do të kryenin momentalisht dhe në perspektivë, si dhe për kriteret dhe rezultatet e zgjedhjes së tyre. Pas kësaj populli u nda në bazë fshati dhe pasi diskutuan në formë të lirë dhe demokratike kandidaturat, zgjodhën anëtarët e këshillit me vota të hapura. Në fshatin Rameçë, në këshill u zgjodhën Lëvdosh Çaçe Zota, Bardhosh Çalim Dervishaj, Hate Qamil Agaj, Shem Lamçe Veshaj, Isak Met Dulaj, Bajram Limo Gabaj, Fejzi Alem Banushaj. Në fshatin Matogjin: Musa Ramo Hasaramaj, Qemal Xhelo Musaraj, Mihal Shaban Leskaj, Islam Sejdi Rrapaj, Brahim Hamzo Rukaj. Në fshatin Bashaj: Elmas Myslim Derraj, Sefer Nuredin Birçaj, Bexho Iljaz Selmanaj, Maze Emin Jaupaj, Aliko Zenel Hodaj. Ndërsa në fshatin Shalës-Mesaplik këshilli i emëruar pushteti i sovjetëve zgjedhur më 7 shkurt 1942, tani emërohej Këshilli Nacionalçlirimtar dhe bëhej legal. Për Mesaplikun në shtator të vitit 1942, tek Përralli i Pikos në Qafë të Hijes së Idrizit është zgjedhur një këshillë i tillë i përbërë prej Nazar Velos, Novruz Jaupit, Shefit Laze, Cano Hamiti, Sabri Hamzo.

Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit bazoheshin në ndershmërinë, trimërinë, në besueshmërinë që gëzonin në bashkëfshatarët e tyre. Këshilltarët edhe për Smokthinën ishin burra të dëgjuar, që kishin bërë emër për mirë dhe që Smokthina u besoi fatin e udhëheqjes së luftës.

Pushteti i rajonit të çliruar

Pas mitingut demonstrues tek prralli i Verbasit, e gjithë krahina e Mesaplikut, ishte krahinë e çliruar, e lirë. Forca ligjore e morale kaloi në të gjitha fshatrat e Mesaplikut, në anën e popullit, të pushtetit të ri të sapozgjedhur. Këshillat Nacionaçlirimtare të sapo ngritura shërbenin si organe të pushteti vendor. Ato për Smokthinën nga dita e zgjedhjes ishin të vetmet organe pushteti dhe të tilla qëndruan deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ato për zonën, ishin njëkohësisht organe lufte dhe paqe, të cilat vunë rregulla e qetësi në gjithë krahinën. Për këtë qëllim u ngritën dhe vunë në veprim çetat territoriale, duke zëvendësuar njësitet guerile. Ato dhe njëherë u treguan organizatore, mbështetëse dhe pjesëmarrëse aktive në luftë kundër armikut. Në të njëjtën kohë morën masa për grumbullimin e ndihmave në veshmbathje, ushqime, armatime për formacionet partizane. Kështu nga dita në ditë, në mënyrë krejt të natyrshme ra pushteti i kryepleqësisë, u zbeh dhe u zvarrit fuqia e tyre. Kryepleqtë e pushtetit të vjetër si Mahil Shabani, Shefit Iljazi, Bego Veshi, Fejzi Banushaj, Hysni Deromemaj, Jaho Karafili pa asnjë rezistencë dorëzuan pushtetin e tyre. Më këtë veprim u godit realisht armiku dhe qeveria kuislinge.

Formëzimi i Këshillave Antifashiste

Mbas operacionit fashist, në pranverën e vitit 1943 dhe në Smokthinë po përcaktoheshin linjat pro dhe kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këtu shumica dërmuese e fshatarësisë mbështetnin pa rezerva luftën. Pothuaj se një njeri në çdo familje ishte në gatishmëri, për tu rreshtuar në rreshtat e luftëtarëve kundër armikut dhe binte në sy gatishmëria e madhe e të rinjve. Në historikun e Qarkut të Vlorës, gjejmë në një raport ku shkruhet se kryeministrit dhe mëkëmbësit italian në qershor të vitit 1943, “… gjendemi përpara një organizate komuniste që ka arritur të krijojë një bllok të fuqishëm, një front unik lufte; ku përfshihen shtresa të gjëra shoqërore. Kështu me sa duket po përgatitet një revolucion i gjerë dhe i organizuar shumë mirë. Në qoftë se nuk do të marrim masa përpara se të plasi një revolucion i tillë, forcat, që ndodhen sot në Shqipëri nuk do të mund t’i bëjnë ballë”. Në këtë situatë dhe për këtë arsye, për të siguruar një mobilizim dhe aktivizim të gjerë të masave popullore dhe në Smokthinë u ndje nevoja e forcimit në radhë të parë të këshillave nacionalçlirimtare, si organe të pushtetit vendor. Ndaj dhe në mbledhje të gjëra me popullin, të organizuara në çdo fshat, u analizua gjendja në krahinë dhe u përcaktuan masat e duhura për të forcuar punën e këshillave. Në këtë kuadër u rishikua dhe kompletua përbërja e tyre sepse kishte prej tyre që ishin shkëputur për arsye objektive, ndonjë nuk kishte qenë aktiv, apo që e kishin ndërprerë aktivitetin e tyre në favor të lëvizjes dhe kishin kaluar me Ballin Kombëtar. Kështu në Rameçë, në vend të Fejzi Alemit (vrarë) u vu Tare Kokallaj, në vend të Isak Metës e të Hate Qamilit u vu Shaskë Boci e Petref Barjami. Për fshatin Matogjin, Qemal Xhelo e Mahil Shabani u zëvendësuan me Zenel Muçon e Sihat Hasanin. Për fshatin Bashaj mbetën ata që ishin. Më 3 shtator 1943, në kuadrin e 23 vjetorit të fitores së popullit, në Luftën e Vlorës të vitit 1920 kundër fashistëve italianë, tek Rrapi i Like, në Lumë të Smokthinës u organizua nga këshilli krahinor një mbledhje popullore e krahinës së Mesaplikut. Në mbledhje nga i deleguari Ali Demi u shtrua detyra që populli të mbështesë fuqimisht komandat partizane në vendosjen e rregullit dhe qetësisë në krahinë, deri sa të qëroheshin hesapet me okupatorët dhe veglat e tij, që përpiqeshin të krijonin pasiguri në Gjorm e Lepenicë. Aty u aprovua bashkimi i dy fshatrave në një këshill të përbashkët, rrjedhimisht edhe të gjitha format e tjera të organizimit si çeta territoriale etj. Nga kjo ditë të dy fshatrat u quajtën Shalës-Mesaplik. Në këshillin e ri veç anëtarëve të mëparshëm Mesaplikun e përfaqësuan Nazër Velo Deromenaj dhe Novruz Jaupi Birçaj. Pranë çdo këshilli u ngritën njësitet e armatosura deri në 10 luftëtarë. Më vonë ata u vunë në dispozicion të komandës së vendit, me qendër në Brataj dhe kryenin detyrën e reparteve të armatosura, të pushtetit lokal etj. Ndërsa lista e monumenteve të natyrës të rrethit të Vlorës, është hartuar që në vitin 2003, ndaj dhe duhen ndryshime për të përjetësuar historinë e këtyre monumenteve të cilët ishin të pranishëm në këto ngjarje historike.