Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj me malësorët e Detroitit për të kujtuar Ded Gjon Lulin

109

Nga Frank SHKRELI

Ashtu si edhe çdo vit tjetër, shqiptarët nga Malësia e Madhe së bashku me bashkëvëllezërit nga të gjitha trojet shqiptare, javën e parë të prillit, në qytetet Detroit dhe Nju Jork, shënojnë përvjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe kujtojnë prijësin e Malësisë dhe heroin Kombëtar, Ded Gjon Lulin.

Kështu ndodhi edhe sivjet. Komuniteti katolik i famullisë shqiptare në Detroit, kryesisht nga Malësia e Madhe, organizuan një darkë madhështore me këtë rast. Këtë vit bie 108-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe komuniteti i Kishës Katolike Shën Pali kishte vendosur të kishte në mesin e tyre Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, për të kujtuar këtë datë historike të shtunën që kaloi.

Siç dihet, Kryengritja e Malësisë së Madhe – që është zhvilluar në vazhdimësi të kryengritjeve anti-osmane në Kosovë midis viteve 1908-1910 – i parapriu ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. “Në nderim të kësaj date dhe të gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim”, thuhej në deklaratën për shtyp nga zyra e Kryeministrit Haradinaj, para se të nisej kreu i qeverisë së Kosovës për në Detroit të shtetit Miçigan të Shteteve të Bashkuara.

Me të arritur në atë qytet në veri të Amerikës, zyrtari i lartë i Kosovës mori pjesë në darkën e shtruar me këtë rast në sallën e madhe të Shën Palit, ku mbajti një fjalim prekës.

“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetet shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, është shprehur kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, në tubimin që fund javën që kaloi shënoi 108-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe.

 

“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 1911-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull, që “…nga Jerusalemi e rreth e përqark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, ka thënë kreu i qeverisë së Republikës së Kosovës para një turme të madhe populli që kishin ardhur për të takuar mysafirin e lartë.

“Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve, ne arritëm ta ruajmë identitetin tonë”

Midis të tjerash, në takimin e tij me komunitetin shqiptar në Detroit, Kryeministri Haradinaj ka theksuar tolerancën unike ndërfetare tek shqiptarët duke theksuar se toleranca fetare dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe një mënyrë dominante e bashkëjetesës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjtën Nënë Terezën.

Gjatë vizitës së të tij në Shtetet e Bashkuara – udhëtim të cilin, ai tha se po e bën në nderim të kësaj date të Kryengritjes së Malësisë dhe të gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri, por njëkohësisht edhe për të nderuar rolin dhe kontributin e ShBA-ve — Kryeministri Haradinaj ka njoftuar se do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim. Njoftohet gjithashtu se Kryeministri Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe me autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së, ka njoftuar zyra e tij.

Kryeministri Haradinaj në portalin kryeministror ka shprehur kënaqësinë e tij për vizitën që zhvilloi në Detroit midis malësorëve duke thënë se ishte shumë i nderuar që ndodhej në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe të shqiptarëve nga të gjitha trojet tona, për të shënuar 108-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, “Një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare.

Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garanci e thellimit të miqësisë së përhershme me ShBA-në”, përfundon komentin e tij kryeministri Haradinaj mbi vizitën e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan në qytetin Detroit të shtetit Miçigan.