Homazh për mësuesin Gjon Çoku

658
Sigal

Kanë kaluar 8 vite që në heshtje, u nda nga kjo jetë, Gjon Çoku, një nga figurat e njohura të arsimit në Mirditë, mësuesi i Historisë dhe i gjeografisë, drejtor i shkollave 8-vjeçare dhe të mesme, inspektor i Arsimit dhe drejtor i QKF Mirditë. Siç ishte në jetë: i heshtur, i pafjalë, i pamburrur, ashtu dhe u largua nga jeta krejt papritur, duke lënë pa fjalë shokët e tij, nxënësit e shumtë që mësoi, familjen dhe të afërmit. Shumë fjalë të goditura , të merituara, të thëna në ditën e mortit për të, nga shoku i tij i klasës, z. Gjon Bruçi dhe homazhet e mijëra njerëzve që e përcollën me dhimbje dhe lot, nuk janë të mjaftueshme për një koleg të tillë dhe për një mik e një mësues me kontribut të padiskutueshëm në arsimin e Mirditës. Jeta e tij e thjeshtë, i dhuroi vështirësi dhe kënaqësi, zigzaget, të papriturat dhe euforitë. uljet dhe ngritjet, gëzimet dhe hidhërimet. Në moshën 6 vjeçare, mbeti jetim, pasi i ati, Zefi, vdiq nga një ftohmë që pati marrë kur ishte ushtar në provokacionet e gushtit 1949. Me nënë Rutën dhe me vëllain e vetëm Lekën, u rrit në shtëpinë e dajave, në Kthellë-Epër, ku u ndesh me vështirësi të panumërta ekonomike e, pse jo, dhe politike. Jeta e re e poqi para kohe, e bëri të mendojë se jeta është e vështirë, prandaj hodhi vështrimin tek shkolla dhe mësimi, si një mundësi për ta përmirësuar jetën. Rezultatet e shkëlqyera në shkollën fillore të fshatit, e nxitën nënë Rutën ta dërgonte djalin në konviktin “Bardhok Biba” Rrëshen, ku mbaroi 7-vjeçaren dhe gjimnazin e këtij qyteti. Ishte nxënës studioz e kurajoz, i saktë, këmbëngulës, energjik, i përkushtuar. Filloi ta shohë jetën me optimizëm, por kur priste të shkonte në shkollën e lartë, për arsye biografie, përfundoi ushtar në shërbimin e detyrueshëm. Por dëshira për t’u shkolluar, triumfoi mbi vështirësitë. Gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan. Nga viti 1969, kur filloi punën mësues në fshatin Shebe e, deri sa doli në pension, nuk iu nda asnjëherë mësimit dhe studimit. Ndërkohë që shkëlqente në punë, mbaroi Universitetin e Tiranës në degën Histori-gjeografi. Ka shërbyer me përkushtim në shkollën Kthellë-Epër, Kurbnesh Zajs, dhe Rrëshen, duke qenë shembull për rezultate të shkëlqyera. Ecejaket e tij nga Kurbneshi në Kthellë-Epër nuk qenë pengesë për punën e tij të palodhur dhe të përkushtuar. Gjoni gëzoi respektin e prindërve dhe të nxënësve për punën e tij të palodhur dhe me profesionalizmin e tij, por asnjë vlerësim nuk erdhi nga eprorët e tij. Asnjëherë nuk e shprehte këtë “mungesë vlerësimi” dhe kurrë nuk e reshti punën për rezultate të larta në lëndët e klasat ku jepte mësim, pasi vlerësimi më i madh për të, i vinte nga ish-nxënësit e tij që tashmë po mbaronin shkollat e larta dhe po bëheshin kuadro. Pas viteve 90-të, kur u hoqën pengesat biografike, mundi të bëhej drejtor i shkollës 8-vjeçare Zajs dhe më vonë drejtor i gjimnazit në Kurbnesh, inspektor i Zyrës Arsimore e Drejtor i QKF Rrëshen. Gjoni i ngjan atyre veprave të artit që sa më shumë kalon koha, më shumë u shtohet vlera. Ai ka kaluar breza të tërë nxënësish, të cilët sot janë kuadro, por nëse dëshirojnë të kujtojnë një mësues që ka bërë emër në jetën e tyre, ai padyshim është Gjon Çoku. Gjoni mori pjesë aktive edhe në politikë, ndërkohë që shkolla u depolitizua. Kjo gjë ndofta e penalizoi. Ai ngjiti dhe zbriti shkallët e karrierës sipas rotacionit politik, i pavlerësuar për punën e tij të palodhur. Mësuesi serioz, i rreptë, kërkues e zhbirilues, metodist e artist në orën e mësimit, i vëmendshëm dhe këmbëngulës deri në detaje, largpamës. Doli në pension pa u ndier as në qytezën e vogël të rrethit, pa një vlerësim për punën, pa një fjalë të mirë për të dhe e shprehu vetë se i dukej se “po i shkulej zemra nga vendi”, që po ndahej me shkollën, të cilës i kushtoi gjithë energjitë e tij. Vetëm pas vdekjes, u kujtua Ministria e Arsimit me një “Certefikatë mirënjohje”. Nuk arriti të merrte as librezën e pensionit, pasi sëmundja e rëndë, ia mori jetën pa u mbyllur viti. U ndal para kohe jeta e një njeriu që kishte shumë plane për jetën, sidomos për dy vajzat e tij të shtrenjta.
Unë dhe të tjerë si unë, në këtë 7 Mars, e kujtojmë me respekt, mësues Gjonin, ashtu siç ishte, shtatshkurtër e punëmadh, krenar e vizionar por kokulur në punë, energjik e i shkathtë, por i kujdesshëm e i vëmendshëm, orator e vlerësues për punën e kolegëve, mësues që dha nga vetja e tij shumë për nxënësit e për shoqërinë dhe nuk mori prej saj, ato që meritonte. Le të jetë kjo një homazh për të në vigjilje të 7 Marsit dhe një kambanë për ata që kanë në dorë vlerësimin e punës së mësuesve të talentuar . Mark Kalaj