Etnografi Bardhyl Prifti/ Misteret e tuneleve të komunizmit në Postenan janë të panjohura edhe sot. Kol. Myslim Pashaj: Tunelet me kapacitet të madh dhe që mund t’i rikthejnë shkëlqimin Leskovikut

1181
Sigal

Nga Vepror Hasani

Në malin e Postenanit në Leskovik ndodhen disa tunele të çuditshme dhe të mëdhenj, të ndërtuar nga ushtria në kohën e komunizmit. Ndërtimi i tyre u bë në fshehtësi. Për këto tunele nuk u fol asnjëherë. Ekzistenca e tyre konsiderohej sekret. Edhe sot e kësaj dite dihet shumë pak për ta. As gazetarët dhe mediat nuk kanë rënë në gjurmë të tyre. Mund t’i kenë parë nga afër ose të kenë hyrë në brendësi vetëm vendasit, dhe kjo mund të ketë ndodhur vetëm në kohët e sotme, kurse për vizitorët dhe turistët vijojnë të mbeten të panjohur edhe sot, kur shumë mirë mund të ishin shndërruar në atraksione turistike të vizitueshme për cilindo. Tunelet u ndërtuan pikërisht në malin e Postenanit, pasi aty gjenden edhe disa shpella dhe guva që i bëjnë tunelet të padallueshëm në tërësinë e mjedisit që i rrethon; njëra prej guvave njihet si “Guva e Melanit” ose e quajtur ndryshe “Vrima e Radupinës” (mbretëreshës), gjë që na bën të mendojmë se ky vend është shfrytëzuar si strehim që nga kohërat më të lashta. Veç kësaj ekziston edhe një tunel i krijuar nga natyra, ashtu siç mund të ndërtohet nga vetë dora e njeriut; tuneli natyror ka dalje në lumin e Vjosës, pra mali i Postenanit mund të konsiderohet pa asnjë mëdyshje vend strategjik. Ndoshta tunelet me kapacitet të madh do të shërbenin si “pritë e parë” për moslejimin e ushtrive të huaja të përparonin drejt Tiranës. Terrenet e vështira të Postenanit e bënin tejet të vështirë kalimin e mjeteve të luftës. Sot të gjitha këto që thuhen për tunelet do të ishin mahnitje, kërshëri dhe dëshirë për t’u vizituar nga gjithkush nëse të gjitha këto do të ishin bërë të njohura, sepse edhe ata që i kanë parë tunelet i kanë quajtur “ të çuditshme”, pasi vërtet janë të tillë.

 Myslim Pasha: Tunelet, me kapacitet të madh

Për herë të parë, diçka të shkruar për tunelet në malin e Postenanit kemi gjetur në një studim të Myslim Pashës, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, kolonel, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i laureuar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”, ku ndër të tjera thotë: “Mali i Postenanit është ngrehinë me veçori të epërme jo vetëm për vrojtim, por dhe për tërheqje nga Leskoviku dhe Gryka e Çarshovës. Rrëzë tij në lindje ndodhen një tërësi tunelesh me kapacitet të madh. Në luginën e Gostivishtit që mbledh ujërat prej Kokojkës së Frashërit dhe malit të Rodonit, relievi është i ndërlikuar, i futur në thellësi, i përshtatshëm për forcat tona, por me pamundësi për t’u futur kundërshtari. Lugina e Frashërit të ofron mundësi të mëdha vrojtimi dhe kontrolli të dyanshëm. Dishnica dhe lumi i saj, përmes, në një largësi prej 27 km zbret në Vjosë në këndin dhe kthesën e Këlcyrës. Në P, Dishnica ka mbi krye si mburojë malin e Trebeshinës, ndërsa në VL kreshtën e lartësive që ndajnë Skraparin nga Përmeti, e ndërprerë nga lugina të dendura dhe të ngushta me largësi njëra nga tjetra deri 2 km. Midis tyre ka sope dhe kokojka kodrinore e malore nga fshati në fshat, si ajo, në Seniçan (1026 m), në Tolar (753 m) në Kajcë (842 m)”. Gjithashtu: “Në rast bombardimesh, popullsia e qytetit të Leskovikut mund të evakuohej në drejtim të rrëzës gurore të Melesinit dhe në luginën e Postenanit. Poshtë malit të Postenanit ndodhen një sërë veprash fortifikuese të tipit tunel, të cilat janë në gjendje shumë të mirë”. (Prof. Asoc. Dr Myslim Pasha, Gjeografia ushtarake, Tiranë 2006). Maja e Postenanit ka një lartësi prej 1553 metra.

Zona me vlera arkeologjike dhe historike

Përveç tuneleve të ashtuquajtura “të çuditshme”, guvave dhe shpellave, zona mbart edhe vlera arkeologjike dhe historike, si të tilla mund të përmendim: Varrin e Krajlit, majën e Melesinit, kishën e Cerckës, dhe të Kovaçishtit, vendbanimin e vjetër të Malishtës, bodrumin e Lashovës, vrimën e Kopiles në Radat, Përroin e grekut, pyllin e Shelegurit, liqenin akullnajor në majën e tij. Mes tyre gjenden edhe objekte të rëndësisë së veçantë siç konsideroheshin dikur si: pozicioni i Tre Urave në Perat, Banjat e Sarandoporit, Rrëza e Melesinit dhe veçanërisht lartësitë e Postenanit dhe tunelet në anën verilindore të tij, për të cilat po flasim. Gjithashtu z. Myslim Pasha jep edhe një përshkrim mbi gjendjen e rrugëve në këtë zonë: “Në Çarshovë, në luginë, ngjitet rruga që të çon në Leskovik dhe më tej në Ersekë. Po kështu prej Çarshove, vijon dhe rruga e vjetër që e lidh atë me Tre Urat, Sarandoporin dhe më tej me Leskovikun. Nga Leskoviku, rrugë stinore lidhin Postenanin, Lashovën, Vrëpckën, Radat- Pobickën që të çojnë në postën kufitare të Radatit. Në tërësi si fshatrat e Deshnicës, të Dangëllisë dhe ata të luginës së Gostivishtit, kanë rrugë me kalim, vetëm në stinën e thatë, por të pasigurta për kalimin e teknikës luftarake. Rrugë këmbësore ka kudo. Rëndësi marrin ato që lidhin faqet e maleve VL me ato J. rrugë të tilla lidhin Mbrezhdanin me Malëshovën, Grabovën me kurrizin e Dhëmbelit, Përmetin me qafën e Dhëmbelit, Draçovën e Zhepën për t’u ngjitur në Nëmërçkë…”. (Prof. Asoc. Dr Myslim Pasha, Gjeografia ushtarake, Tiranë 2006). Por sot kërkohen rrugë më të mira, ndoshta është kjo arsyeja që njerëzit nuk kanë shkuar të shohin tunelet e malit të Postenan.

 Nëse shkon te tunelet e çuditshme

Të shkosh te tunelet e Postenanit për të kuptuar misterin e tyre, nuk është mundim i kotë. Gjatë këtij udhëtimi, ke rastin të njihesh edhe me malësinë e Leskovikut, sepse pikërisht në qendër të kësaj malësie, ngrihet mali i Postenanit 1,559 metra dhe ai i Melesinit 1,411 m. Sipas arkeologut Skënder Aliu: “Në pjesën lindore të Leskovikut kalon një kurriz tjetër malor, që fillon me malin e Radimishtit (1200 m) e përfundo tek maja e Kollovozit (1029 m)” Gjithashtu aty do të gjesh edhe mundësi Kurative nga më të vlefshmet: “Lumi i Sarandoporit, burimet e të cilit fillojnë në shpatet lindore të Gramozit (Greqi), mbasi kalon grykën e Vronomerit, hyn në territorin tonë dhe krijon një pellg me drejtim lindje-perëndim, i gjatë 6-9 km dhe i gjerë 600-700 m. Në të djathtë të kësaj lugine, në Vronomer, buzë kufirit me Greqinë dalin burime terminale kurative me temperaturë 25-28 gradë celsius. Përmes luginës së Vjosës, depërtojnë rryma të ngrohta të ajrit detar…në veriperëndim të fshatit Postenan, nga një e çarë e thellë, dalin rryma të ngrohta gazrash sulfurore kurative”. Pra, nëse edhe tunelet do të kishin filluar të vizitoheshin, Leskoviku do të kishte edhe një mundësi më shumë për rritjen e numrit të vizitorëve dhe të turistëve, pasi sot qyteti i Leskovikut e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, nuk është më ai që ka qenë.

Leskoviku, qytet i dëfrimeve për pasanikët

“Qyteti i Leskovikut ishte qendër turistike, shkruan etnografi Bardhyl Prifti, ku vinin e pushonin në verë pasanikë, të cilët veç klimës shfrytëzonin edhe banjat aq të dëgjuara të Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Turizmi i dha atij shkëlqim e rriti dhe i shtoi rrjetin tregtar. Ishin të dëgjuar qiraxhinjtë dhe tregtarët e tij, që bënin rrugët nga Follorina deri në Janinë, Sarandë e më tej. Një pasuri e madhe e asaj krahine janë edhe traditat folklorike dhe etnografike. Bukuria e valleve dhe këngëve leskoviqare, sazet e dëgjuara të Hafize e Selim Leskovikut, violinisti virtuoz Mitre Jorgo, klarinetisti Vangjel Janushi e Gaqo Lena përcollën më shumë art meloditë lirike të asaj krahine, që pushtuan skenat e Gjirokastrës, Beratit dhe të krahinave të tjera brenda dhe jashtë vendit. Kjo krahinë ka pasuri të mëdha arkeologjike e historike”.

Çfarë kërkojnë sot leskoviqarët?

“Ata kërkojnë që Leskoviku të jetë e të mbetet bashki, – vijon Bardhyl Prifti, – t`i kthehen fshatrat që i janë dhënë qysh në diktaturë rrethit të Përmetit, kërkojnë që të rindërtohen banjat e Sarandaporit, kërkojnë të ndihmohen të shtojnë vreshtat, të vazhdojnë traditën e prodhimit të verës e rakisë si qëmoti, kërkojnë që t`u kthehet pika doganore e Tri Urave, pronë shumëshekullore e krahinës, grabitur dhe dhënë padrejtësisht Përmetit, kërkojnë që pyjet e Shelegurit, Gërmenjit etj., dhe të ardhurat nga ata të shkojnë në dobi të krahinës. Pasuritë që ka dhe shfrytëzimi i tyre kërkojnë që ai qytet të lidhet me rrugë të mira dhe sa më shpejt me zonat e thella shumë të pasura si Shqeria, të lidhet më shpejt me qytetet e Ersekës, Korçës e Përmetit, të lidhet me Konicën e Janinën, për të tregtuar prodhimet e veta. Madje t’u kushtohet vëmendje edhe “tuneleve” të çuditshëm të malit të Postenanit të hapur nga ushtria në kohën e diktaturës (!!!) etj., që mund të shtojnë kuriozitetin e turistëve dhe udhëtarëve të huaj e vendas”.