Prof. Dr. Alqi Naqellari: Nuri Dragoj dhe enciklopedia e arsimit përmetar

599
Sigal

Si studiuesi  denoncon  me  dokumente konkrete politikën greke, politikën e shantazhit që u bëhej dhe vazhdon t’u bëhet qeverive shqiptare dhe sot për kufirin detar

Alqi NAQELLARI  

Përmetarët kanë shkruar shumë për Shqipërinë dhe për vendet e tjera, por për Përmetin dhe përmetarët është shkruajtur pak. Përmeti ka nxjerrë personalitete të shquara thuajse në të gjitha fushat e jetës, në art, kulturë shkencë, ekonomi, etj, jo vetëm para dhe gjatë periudhës së Rilindjes por edhe më vonë e deri në ditët e sotme. Një nga këta studiues të përkushtuar, patriot dhe dijetar është edhe Nuri Dragoj, i cili për fat të keq u nda nga jeta disa ditë më parë. N.Dragoj ka botuar për herë të parë në vitet ‘90, vëllimin me tregime “Më thuaj kush je?”.U shqua në fushën e monografive të figurave të shquara përmetare. Në 2004 shkroi monografinë “Lumo Pavari”, në 2005 shkroi “Hajrulla Muhametaj”. Në 2005-2006 botoi në tre vëllime librin historik “Dëshnica dhe dëshnicarët”, në 2006 botoi “Eshtra që akuzojnë- Zhvarrimet në Përmet, turpi i politikës”. Në këtë libër Dragoj me fakte denoncon maskaradën e eshtrave të ushtarëve grekë, ku në zhvarimet e Kishës së Kosinës kishte edhe eshtra fëmijësh. Ka shkruar një monografi edhe për shkrimtarin disident Kasëm Trebeshina, “Trebeshina një jetë para gjyqit”. Në 2009 shkroi monografinë “Shqiptarët dhe grekët”. Ky libër është me artikuj të ndryshëm në formë eseje që trajton raportet shqiptaro-greke, nën këndvështrimin e një gazetari, një studiuesi, një historiani dhe një patrioti përmetar. Pikërisht në këtë libër, që duhet lexuar prej çdo shqiptari ai denoncon politikën greke antishqiptare dhe qëndrimet nihiliste të qeverive shqiptare, qëndrime nënështruese, qëndrime jesmenësh e frikacakësh, të cilët për interesa të kolltuqeve të tyre janë të gatshëm të shesin dhe falin gjithçka. Nëse Rilindasit shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, këta shkrinë Shqipërinë për të bërë pasuri.

Dragoj denoncon me dokumente konkrete politikën greke, politikën e shantazhit e të presionit që u bëhej dhe vazhdon t’u bëhet qeverive shqiptare, dije për varezat e ushtarve grekë që erdhën si pushtues në Shqipëri dhe sot për kufirin detar, i cili është përcaktuar botërisht në Gjyqin e Hagës me incidentin e Kanalit të Korfuzit.

Ja si thotë Kabllograma e ambasadës Amerikane në Tiranë, drejtuar Departamentit të SHBA, me kod, 08TIRANA745: “Ambasadori i Greqisë, i ka thënë Ministrit të Jashtëm Basha, në rast se qeveria e Shqipërisë, nuk bie dakord me kushtet e Athinës për varrezat ushtarake, atëherë, Parlamenti i Greqisë nuk do ta ratifikojë kurrë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit”.

Kabllogrami me kod, 06TIRANA662, 21 qershor 2006: “Pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje formale, ndërtimi i një mauzoleumi, me kapacitet prej 630 varresh, përfundoj së ndërtuari vitin e kaluar (2005), në teritorin e një Manastiri ortodoks në Përmet. Një mazoleum i dytë, i ngjashëm me të, është aktualisht në ndërtim, në Korçë… Ndërtimi mauzoleumeve është financuar nga qeveria e greqisë dhe është zbatuar nën drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare….”.

Presioni grek për ta greqizuar jugun e Shqipërisë dhe veçanërisht Përmetin ka qenë permanent.

Ja çfarë shkruan autori në libër: “Në 1908, Ikonomi Jerothe, i Metropolisë së Korçës, që kryente edhe funksionin e arkimandritit të Përmetit, i dërgonte një letër kryeministrit të Greqisë, J.Theotoqit, ku shprehte shqetësimin për rritjen e përpjekjeve për hapjen e shkollave shqipe, fenomen që në Përmet ishte i dukshëm. Ai kërkonte me çdo kusht të ndërtohej një gjimnaz në Përmet… sepse Përmeti është sot i vetmi vend ku mund të mbrohen të drejtat e mëmës Greqi në Epir, “…thirini urtësisë suaj politike dhe bëni, që nëpërmjet gjimnazit “Anagnostopullos”, apo ndonjë shkolle tjetër, të fuqizohet qyteti i Përmetit, i cili nëpërmjet arsimit mund të kthehet në bastionin dhe në fanarin e helenizmit”.

Dragoj shkruan për përmetarët, për të vjetër e të rinj, për muzikantë, poetë, të persekutuar e partizanë, ai nuk bën dallime midis patriotëve, komunistë apo ballistë, të bardhë apo të zez, është larg frymës së armiqësisë e ndarjes, është për frymën e vëllazërisë. Në 2010 botoi një monografi për familjen muzikante Qerimaj, “Familja Qerimaj në sfidat e pentagramit”, në 2011 shkruan për poetin Xhevahir Spahiu, shkruan për rezikun e shkombëtarizimit. Në 2014 ka shkruar për “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”. Dragoj, i palodhur megjithëse i sëmurë, e vijon punën e tij duke na dhënë në 2015 një nga punimet e tij më të kompletuara dhe më të arrira:  “HISTORIA E ARSIMIT NË PËRMET (1912-1944). Libër i redaktuar nga emra të njohur të shkencës si Prof. Jorgo Bulo, Fatmira Rama, Enriketa Kambo me një redaktim profesionist të Qemal Sakajevës.

Libri është strukturuar në gjashtë pjesë përveç Kreut Hyrës. Ai na jep Zhvillimet arsimore në vitet 1912-1920, Arsimi në shtetin e lirë shqiptar 1920-1924, Ecuria e arsimit për gjatë viteve 1925-1939, Statusi mësuesit dhe Ligji mbi Arsimin, Arsimi gjatë Luftës së Dytë botërore. Libri mbyllet me “Një tablo e kulturës tradicionale”. Në material janë dhënë statistika mbi numrin e shkollave dhe të nxënësve. Janë dhënë shkurt jetëshkrimet e shumë prej figurave të shquara të arsimit dhe kulturës në rrethin e Përmetit. Për hartimin e këtij libri janë shfrytëzuar mbi 200 burime, janë përmenduar mbi 900 emra njerëzish dhe 95 emra vendesh. Libri ka 560 faqe.

Në fillim të kreut Hyrës autori citon përmetarin e madh Sami Frashërin:

                        “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë,

                        s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe,

                        s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla,

                        në të cilat të mësohet shqipja”.

Vëllai Samiut, Abdyl Frashëri e vlerësonte shqipen si një nga gjuhët më të vjetra të botës. Në maj të 1878 ai deklaronte për gazetën Vjeneze: “Le Messenger de Vienne”… se kur gjuha shqipe të shkruhej zyrtarisht, shkrimi i saj do përhapej në gjithë Shqipërinë dhe “do të ketë shkolla shqipe gjithandej. Pas kësaj grekët dhe sllavët nuk do të kenë më shkolla të tyre në Shqipëri” dhe të krishterët nuk do të ndryshojnë kombësinë pa dëshirë, siç ndodh tani, “që shqiptarët duke mos pasur shkolla dhe libra në gjuhën e tyre, janë të detyruar të ndjekin shkolla të huaja”.

 

Shkruajtjen e këtij libri autori e ka ndjerë si detyrim të brendshëm, si një borxh moral dhe shpirtëror që në rininë e tij. Me një ndjenjë individualiteti dhe personaliteti të brendshëm ai shkruan: “Duke udhëtuar për katër orë me këmbë, nga shtëpia deri në gjimnazin e Këlcyrës, me çantën prej pëlhure mbi shpinë, me dashurinë për prindërit dhe mësuesit, ne nisëm vëzhgimin fëmijënor drejt mistereve të botës së panjohur. Mirënjohja e pashlyeshme dalëngadëlë u shndërrua në një borxh dhe mbeti brenda ndërgjegjes time, si një detyrim që filloi të më mundonte për ta shlyer, duke seleksionuar kujtime, mbresa dhe statistika të asaj kohe. Erdhi një ditë që, njëlloj si përrenjtë e maleve kërkojnë rrugën për t’u derdhur në lumenj të vegjël, e më pas për t’ju bashkuar Vjosës ujëshumë, edhe mua m’u mblodhën të dhëna për arsimin përmetar nga arkivat, botime të ndryshme dhe mendova ti sistemoja në një libër. Të tregoja sesi mes mjerimit dhe varfërisë, së bashku me bukën e përditëshme, përmetarët nuk kanë ndalur përpjekjet shekullore për arsimimin e fëmijëve të tyre”.

Në Përmet shkolla e parë shqipe është themeluar në 1908, ndërsa shkolla e parë shqipe në Shqipëri është çeluar në Korçë më 1887, por gjurmët e arsimit në Përmet datohen që në vitin 1671. “Në 1671 në Përmet ka pasur dy shkolla islamike, një shkollë fillore kuranike dhe një të tipit të Medresesë”. Kjo tregon se Përmeti ka luftuar në shekuj për arsimimin shqip. Nuk është rastësore që në këto krahina kanë punuar ata që u vunë nga të huajt para murit të pushkatimit, mësuesit, Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi (u helmua në 17 gusht 1911, ka qenë nxënës dhe mësues edhe në fshatin  Hotovë të krahinës së Dangëllisë në Përmet), At Stath Melani etj.

Mësimi në Përmet zhvillohej kryesisht në objektet e kultit, në manastire, në kisha, në xhamija, në teqe. Në Kosinë, Sofrat, Munushtir, zhvillohej në manastir. Si pionerë të arsimit shqip në fshatrat e tyre janë shquar edhe patriotët Kamber e Nexhip Bënja, Mehmet Pavari, Vesel Rustemi, Nexhip Kajca, Ethem Kajca, etj. Në atë kohë nëPërmet(1910), edhe lagja “Qoshku”me 200 shtëpi evgjitësh, kërkonte të hapej një shkollë në gjuhën shqipe”.

Në Frashër Nasibi Babaj i fesë bektashiane përkrahu shkollën shqipe, pas tij punuan me përkushtim Tahir Skënderasi, Baba Alush Kasollari, Baba Abedin Ibro deri nga 1913. Disa nga Krerët e religjoneve fetare që kanë përkrahur e mbështetur kongresistët që do rimblidheshin në muajin prill(1910) për alfabetin shqip kanë qënë At Abedini Teqesë Frashërit i shoqëruar me 100 dangëllinjotë, At Shabani Prishtës,  Baba Abdullaj i Ali Postivanit, etj.Vëllezërit Frashëri kanë pasur mësues të tyre Baba Alushin. Në Frashër ka pasur shkollë me Konvikt, ku jepte mësim një mësuese arvanitase e ardhur nga Atika (me emrin Vasilika). Në faltoren e Frashërit ishin 20 dervishë që dinin të lexonin dhe shkruanin shqip. Përballë fshatit të Frashërit ndodhej edhe fshati Hotovë, në të cilin sot nuk jeton asnjë familje.Në mesin e shekullit 19-të ka pasur shkollë me konvikt, ka pasur për dhjetë vjet rresht 27-30 nxënës.

Një nga mësuesit me emër ka qënë Thanas Petro Psalidha të cilit në 1775 Ali Pasha i besoj drejtimin e “skolisë së Marucion”, dhe më vonë të “Kapllanion”. Psalidha shpëtoi dorëshkrimin  “Alipashadha” një poemë me 10 mijë vargje e pa botuar. Në këtë periudhë ka punuar në Përmet edhe Evstrat Vithkuqari që njihet edhe si studjues i hershëm i gjuhës shqipe.

Një pjesë e teksteve ishin sjellë nga Janina. Teksti “Manuali Filosofisë” me 250 faqe ishte i kopjuar me dorë, po kështu “Përshkrimi gjeografik i Shqipërisë”. Në këtë libër me 85 faqe me autor Psalidha dhe Thesproti, e trajtonte Epirin si njësi administrative të veçantë, përfshirë në “Pashallëkun e Janinës”, “të lidhur nga pikëpamja etnike më tepër me Shqipërinë sesa me Greqinë”.

Nga mesi shekullit XIX në Prefekturën e Përmetit ka pasur tri shkolla turke dhe dy shkolla greke, dy ishin në qytetin e Përmetit dhe një në Hotovë, një në Frashër dhe një në Postenan.

Përmetarët morën pjesë aktive në Kongresin e Manastirit ku u përcaktuan gërmat e gjuhës shqipe. Kryetar i saj u zgjodh Mithat Frashëri. Çështja e alfabetit aso kohe ishte një çështje për jetë a vdekje.

Në shekullin e XVII ishin 140 familje që ndihmonin arsimin, ndërsa në shekullin e XIX, numri familjeve që ndihmonin arsimin ishte katër herë më i madh. Zoto Pano Duro në 1770, ka qenë një prej dhuruesve përmetarë që me shpenzimet e veta ndërtoi një plotore me 7 klasë. Të tjerë dhurues kanë qënë Kostandin Duka, Stefen Postenani, Stefan Duka, Thanas Panajoti, etj.

Në ndihmën që ju dha shkollave shqiptare ka spikatur edhe bamirësi patriot Apostol Arsaqi. Apostol Arsaqi ishte nga Hotova e Dangëllisë së Përmetit. Ndihmonte shkollat e fshatrave Kosovë, Bënjë, Postenan, Çarshovë e Leusë. Arsaqi emigroi në Stamboll, më pas në Vllahi, ku mori postin e Ministrit të Jashtëm dhe më vonë të Kryeministrit. Hapi një shkollë në fshatin e tij Hotovë me 50 nxënës, kryesisht konviktorë. Shkolla vazhdoi deri në Luftën e Dytë Botërore. Arsaqi paguante çdo vit me bursë në shkollat e larta të Athinës, një djalë dhe një vajzë nga rrethi i Përmetit. Krahas Arsaqit kanë dhënë kontribut edhe Zhapët e Labovës, Zografua nga Qesorati Tepelenës, Kristo Bita etj.

Libri i Dragojit është një Enciklopedi për të cilën nuk mund të shkruash në një faqe gazete. Ai duhet lexuar dhe rilexuar për problemet aktuale që ngre autori. Vërtet që kemi të dhëna për shekullin e XIX dhe XX, por shqetësimet e tij janë edhe për periudhën aktuale ku është futur Shqipëria. Autori shprehet me shqetësim për boshatisjen e fshatrave për përgjysmimin e numrit të nxënësve në fshatrat e Përmetit dhe thuajse në të gjithë Shqipërinë. Rritjen e numri të analfabetëve autori e krahason me sëmundjen e tuberkulozit që të gryen nga brenda. Ai jep shifra tronditëse për boshatisjen e arsimit shqiptar, për rritjen e numrit të analfabetëve. Sipas statistikave zyrtare 10% e fëmijve nën 15 vjeç janë analfabetë, në zona rurale kjo shifër është më e madhe, 20% e fëmijve nën moshën 15 vjeç konsiderohen si “analfabetë funksionalë”.

Dragoj u largua shpejt, ai nuk mundi ta përfundojë edhe një libër tjetër për Përmetin. Ky studiues i përkushtuar do t’i mbetet historiografisë shqiptare, do mbetet për kontributin që dha në historinë e arsimit Shqiptar, me esetë e tij si një publicist realist, objektiv me individualitet të spikatur, si një patriot dhe studiuesi që ju përkushtua me shpirt Përmetit.

Publicisti shkruan për përmetarët, për të vjetër e të rinj, për muzikantë, poetë, të persekutuar e partizanë, ai nuk bën dallime midis patriotëve, komunistë apo ballistë, të bardhë apo të zezë, është larg frymës së armiqësisë e ndarjes, është për frymën e vëllazërisë

Dragoj denoncon me dokumente konkrete politikën greke, politikën e shantazhit e të presionit që u bëhej dhe vazhdon t’u bëhet qeverive shqiptare, dje për varezat e ushtarëve grekë që erdhën si pushtues në Shqipëri dhe sot për kufirin detar, i cili është përcaktuar botërisht në Gjyqin e Hagës me incidentin e Kanalit të Korfuzit.