Brigada e 7-të Sulmuese, shpatën e zhveshi…

1157
Sigal

Enver CAKAJ

Ka kohë që kanë nisur telefonatat nga rrethet edhe pse një lajmërim doli në shtyp. Komiteti i Veteraneve në Tiranë përsërit, se në orën pesë të mëngjesit do të niset autobusi për në Vlushë të Skraparit. Enver Naska interesohet me telefon dhe kërkon të dijë a janë gati shamitë e kuqe. Nga ana tjetër, Svjetllana Marku më telefon mua, se tok me një kushëri do të vijë të flerë tek ju, po a keni vend… Dhe telefonatat vazhdojnë. Pyetja e Svjetllanës na u duk pa vend, se në Skrapar gjithmonë ka pasur, ka e do të ketë vend në çdo kohë e për çdo njeri që nuk e harron Skraparin. Atëherë nuk janë bërë këto pyetje, sepse të gjitha dyert e shtëpive skraparase ishin hapur, kishin s’kishin, sepse nënat sypathara i kishin të gjithë si djemtë e tyre. Djem që iknin rrugë pa rrugë në një drejtim. Ku vinin nëpër atë dëborë të ngrirë? Në atë të ftohtë ata që ishin përjashta futeshin brenda, këta linin ngrohtësinë e shtëpive dhe iknin heshturazi nëpër dëborë. Djemtë e nënave nuk ishin djem tigani e lepuj dëllinje. Ishin betuar përpara kombit, i cili mbeti në këto vargje:

Sikur të cënojnë një pe,

Djemtë tënd në këmbë i ke!

Ata heshtnin, se flisnin malet me zë të fortë.

Krijimi i Brigadës së 7-të Sulmuese

Atë ditë ishte ndehur një diell i ftohtë mbi dëborën e ngrirë. Vlusha priste djemtë e luftës. Atje do të krijohej Brigada e 7-të Sulmuese. Atëherë do të flisnin edhe këta djem nënash, që kishin lënë pas merakun e prindërve dhe kishin marrë me vete lotët e nënave gjithara. Por këta do të flisnin vetëm me një zë, me grykën e pushkëve. Në ato torba të leshta kishin marrë pak bukë dhe shumë fishekë. Vaip Gogua e kishte shqepur jakën e kapotës, kishte futur ca lekë dhe e kishte qepur sërish. Çantën e kishte mbushur me bomba, një pagur të vogël me naftë dhe një qese ku kishte futur masatin, gurë zjarri dhe eshkë. Lufta i donte të gjitha. Në fushën e bukur të Destinës u mblodhën 450 djem, që përbënin tre batalione. Ata do të nisnin inaugurimin e Brigadës së 7-të Sulmuese. Po kush do ta drejtonte këtë formacion të madh luftarak? Asnjë oficer, asnjë gjeneral. Ishin të rrallë ata që e njihnin se ç’ishte pushka. Të gjithë vinin nga arat e bagëtitë. S’kishin grada e shkollë, po kishin një armë që nuk dinin ta përdornin as gjeneralët e botës, dashurinë për kombin dhe urrejtjen për ata që kishin shkelur mbi tokën e tyre.  A e dini në ç’kushte e nisën luftën 75-vjet më parë këta djem pa çorape e pa këpucë? Këtë e tregon relacioni dyjavor që i drejtohej Shtabit të Përgjithshëm, në qershor të vitit 1944: “Të na dërgoni një sasi opinga për partizanët që janë zbathur dhe të mejtohet për bukën se në zonat ku manovrojmë ne, ndodhen pa bukë!” Po cili partizan u ankua për këmbët që i kullonin gjak e cili prej tyre kërkoi bukë? Tregon Mete Braçaj, partizani më i vogël i Brigadës, që tani ka hyrë në vitin 96-vjeç: ”Që ditën e parë buka me qepë e gjizë për mëngjes na erdhi nga fshatrat rreth Vlushës. Drekë nuk hëngrëm. Atë natë nuk fjetëm, marshuam drejt Beratit. Në Zgërbonjë e shkrepëm për herë të parë ndaj gjermanëve dhe ballistëve.

Luftimet e Brigadës

Brigada luftonte dhe rritej në numër. Gjatë rrugës luftarake u shtua dhe me dy batalione të tjerë. Forcat pushtuese nuk u ndjenë mirë dhe komandanti i Xhandarmërisë Mbretërore me informacionin nr.94/6,datë 18.3.1944 i drejtohej Ministrisë së Punëve të brendshme:

“Në rajon gjendja paraqitet kritike. Çetat komuniste të Skraparit kanë mobilizuar krejt banorët e atij rrethi dhe kanë formuar Brigadën e shtatë komuniste. Kështu që fuqia e tyre arrin dei në 1000 veta.” Në të vërtetë edhe pse brigada la në fushën e betejës 302 dëshmorë, arriti numrin në 2229 partizanë. Ata 142 partizanë që u plagosën, u mjekuan nëpër spitalet partizane dhe u kthyen sërish në luftë, të cilën e vazhduan deri në Vishegrad. Kur i hedh një sy korrespondencës me të cilën funksiononte brigada, çuditesh. Si nuk janë rrezikuar ata korrierë, që kalonin nëpër plumba? Ato janë shkruar rrëzë shkurreve e ulur nëpër gurë, se ato ishin tryezat e luftëtarëve. Një letër është shkruar në fshatin Duhanas të Beratit, një tjetër në Karkanjoz në mes të dimrit. Dallohen ende pikat e shiut që kanë rënë mbi to. “Deri sot në Tomorr ndodhen edhe skuadra të brigadës VII. Armiku ndodhet i përqendruar në Qahajas, Vodicë, por i mbërthyer në vend dhe pa iniciativë. Sasia e tyre mbërrin deri 300 veta mercenarë të veshur dhe ballistë të vendit. Më datën 6, pjesa e Brigasës VII largohet prej këtej në drejtim të Skraparit dhe këtu mbeten forca të vendit, të cilat do të patrullojnë. Në mbrëmjen e datës 5 ndonjë kompani të mbërrinë në Tomorr ku do të marrë ndërlidhje. Skuadrat le të ulen në Perisnakë për të qenë si presion për armikun. Në datën 6 do të jemi edhe ne në Tomorr për t’u takuar me ju, pra ju presim…Te fala shoqërore Komandanti Shtabit, Mestan Ujaniku, zëvendëskomisari, Kahreman Ylli.”

I ndjeri Orhan Frashëri me të shoqen, Vala, më shumë rrinin në ilegalitet dhe në luftë se në shtëpitë e tyre. Spiunët e kuesturës i ndiqnin, por dhe i plaçkitnin shtëpinë. Prefektura e Beratit me dokumentin nr.68/94 res, datë 27.8.1943, ora 12.40 i drejtohet Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme Tiranë: “Informohemi se agjentët e kuesturës këtushme në ditën që kanë kontrolluar shtëpinë e Halil Frashërit në këtë qytet për shkak të djalit të tij Orhan, kanë plaçkitur randë atë shtëpi e deri në pajën e vajzës së tij. Kjo ngjarje ka prodhue një përshtypje shumë të keqe në popull sepse po grabitet pasunija e popullit nga agjentat e shtetit, prej të cilën e presin sigurinë jo vetëm të pasunisë, por dhe të jetës së tyne…” Por Orhani nuk e ndaloi luftën derisa i ndoqi pushtuesit përtej kufirit në Vishegrad. Lëvizja Nacionalçlirimtare nuk ishte thjeshtë luftë, por një shkollë nga mësuan 312 partizanë analfabetë. Që nga lufta dolën kuadrot që drejtuan ekonominë në fillimet e rindërtimit të vendit. Këtu i bënë akademitë dhe universitetet Adil Prishta, Qerim Gjineci, Neshat Hysi, Orhan Frashëri, Ramiz Alia, Kadri Hoxha, Gjin Marku Bilo Bregu, Myqrem Fuga, Adil Çarçani, Myzafer Trebeshina, Izet Hysi, Qazim Kapisyzi, Musa Hysi, Sulo Gradeci, Vala Frashëri, Foto Çami, Njazi Braçe… Gratë ishin një forcë tjetër që barazoheshin me burrat në luftë, edhe pse ballistët i këshillonin që të merrnin me vete edhe maternitetet. Ato ishin radhitur krah vëllezërve të tyre, që të shporrnin pushtuesit dhe mbështetësit e tyre.

Veprimtaria e Brigadës së 7-të Sulmuese nuk mund të përmblidhet në një shkrim përkujtimor, por u përpoqëm të japim detaje nga ato luftime e beteja që nuk kanë të numëruar, por deri tani janë publikuar 120 beteja dhe 3200 kilometra marshime. Por nuk mund të lëmë pa përmendur një nga betejat, ku Vaip Gogua u godit rëndë dhe ata plumba i mbajti në trupin e tij derisa vdiq. Dimret dhe pranverat vinin e iknin, po Vaipin e gjenin në luftë. E kishte kaluar kufirin dhe kishte arritur në Mitrovicë. Vendi ishte i panjohur, po lufta ishte e njëllojtë. Ishte fund dhjetori i vitit 1944. U dha urdhër që të merrej me çdo çmim kodra e Doçistit. Ishin zhvilluar 14 beteja dhe gjermanët nuk po thyheshin. Në mes të luftës e dëborës u mblodh organizata e partisë, e cila vendosi: “O kodrën, o jetën. Kodra të mbetet jona!” Kaq duhej dhe ajo kodër u kthye në zjarr e barut derisa u mor. Por në fund të luftimeve Vaipi mori një plumb të rëndë në kokë e mbeti pa ndjenja. Pas 11 ditësh, kur u përmend, e pa veten në spitalin e Beogradit. Fillimisht kërkoi mitralozin dhe shokët! Në Siticë ishte ndezur kuja, sepse vajti lajmi më i rëndë për vdekjen e tij. Kush e shpuri atë lajm të rremë deri atje? Po derisa nuk u kthye me shokët… gjyshe Dija shpalli ditën e zisë! Trutë e Vaipit ishin derdhur në tokë, po ia morën mjekët dhe ia shpunë në vend. Pranë i qëndronte një infermiere boshnjake. Vaipi nisi të nxirrte fjalët e para gjysmake. I bëri me shenjë infermieres të shqepte jakën e kapotës, ku gjeti monedhat flori dhe e la. Ai i tha të merrte çdo ditë nga një flori dhe t’i blinte ushqime për të zëvendësuar atë gjak që kishte humbur. Pas gjashtë muaj mjekimesh i kishte mbetur vetëm një monedhë, të cilën ia dhuroi infermieres dhe iku nga spitali me plagë gjysmë të hapur. Ai u kthye në fshatin e tij, jo thjesht si partizan, por si gjeneral me katër yje, aq sa kishin edhe gjeneralët italianë e gjermanë, të cilët ai i mundi.

https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/49376838_776804946004232_2379262902453403648_n.jpg?_nc_cat=108&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=ed0a66ca97764d2d844f67a24c1f8326&oe=5D22BA34

 Kahreman YLLI Gjin MARKU Neshat HYSI Orhan FRASHËRI

https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/47368004_1995207563902394_6199354515146145792_n.jpg?_nc_cat=105&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=69d614f840b71e27c3649d4263b70508&oe=5D195676
https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/35549926_177767499738305_2024128639615893504_n.jpg?_nc_cat=100&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=f6ec22ba167b4252a2c62fb856dc75ab&oe=5D142169
https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/l/t34.18173-12/30118219_128000374715018_1005174452_n.jpg?_nc_cat=109&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=7fdb58f7e67d66b9c8475216a679762f&oe=5C85B42D
https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/49188427_925361524336205_4806140138767777792_n.jpg?_nc_cat=104&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=d7b1a185f85610b3143331566c9c26a6&oe=5D0B4834

 Mete BRAÇAJ Ali ZAIMI Izet HYSI Vala FRASHËRI

https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/48415747_2288926251386739_7055801702984712192_n.jpg?_nc_cat=105&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=f8d3e3a74ec1407c98afb296be13a4c8&oe=5D0E8AB9
https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t1.15752-9/36995144_1876081029364120_718380756824489984_n.jpg?_nc_cat=103&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=cd33303faa41c6a7659cd7e1f6e7bb7b&oe=5D0B803E
https://scontent.ftia2-1.fna.fbcdn.net/v/t34.18173-12/27993913_1799690680336489_784832678_n.jpg?_nc_cat=101&_nc_ht=scontent.ftia2-1.fna&oh=3e4e8936f490e04ed6fa866505647a54&oe=5C863738
Rezultate imazhesh për ramiz alia

 Arigjiro LEKA Qerim GJINECI Adil PRISHTA Ramiz ALIA

Fotografia e Zeni Mukaj

 Vlusha, ku u krijua Brigada e 7-të Sulmuese