Skënder Doda: Roli i oficereve tona në Policinë e Shtetit

989
Sigal

Libri “Oficeret femra”/ Si filluan 60 vajza testimin për police sipas procedurave të miratuara më parë dhe për djemtë

Roli i oficereve shqiptare në Policinë e Shtetit

­ Ameli Shkurti, oficerja me karrierë të suksesshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme

 Skënder Doda

Tanimë është fakt i pranuar që femra në Policinë e Shtetit përbën një element mjaft të rëndësishëm në funksion të performancës së policisë në shërbim të komunitetit dhe të sigurisë në tërësi. Janë ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e barazisë gjinore brenda radhëve të Policisë madje disa raste janë vendosur kuota 50% në rekrutim gjë që ka rritur ndjeshëm përfaqësimin e grave dhe vajzave me uniformë. Sot 10 % e personelit policor janë femra nga roli bazë deri në rolet e larta të drejtimit e menaxhimit. Në raste të tilla natyrshëm vështrimi ynë kthehet pas në fillim vitet 90’ për të parë zanafillën, vështirësitë e ndeshura dhe mënyra si u kapërcyen ato. Një “dëshmitar” i rëndësishëm është Drejtues Skënder Doda, i cili ka pasur fatin të ndjekë nga afër e të udhëheqë procesin e integrimit të femrës në Policinë e Shtetit. Sot, jo vetëm më të rinjtë, por dhe brezi para tyre, shikon dhe dëgjon për hapësirat përherë në rritje që zënë oficeret femra në Policinë e Shtetit dhe ndërkohë, ndjenë nderim e respekt për kontributin e tyre. Por pak kush e di se si u futën maturantet shqiptare për herë të parë në Akademinë e Policisë së Shtetit, në vitin 1993. U deshën ‘thyer’ në një farë mënyre dhe barelat ligjore, dhe ato të psikologjisë e mentalitetit. Protagonist, apo si të themi personi i parë që këmbënguli për futjen e femrave, oficere në polici, (sigurisht dhe me mbështetjen që gjeti), është Drejtuesi Skënder Doda. Ai në atë kohë, në funksionin e Drejtorit të Shkollës së Policisë, ishte fare i ri. Koha ka bërë të vetën, por Prof. Skënderi është përsëri aty, me atë përkushtim, gjallëri e profesionalizëm, koleg apo në marrëdhënie të tjera pune me ish-studentet e para vajza të akademisë. Ndërsa kur flet e shkruan për atë vit të vështirë, me modesti, ai nuk e fsheh nostaligjinë, por dhe ndjenjën që fal një mirësi që le gjurmë… Ashtu sikundër ka kontribuar vazhdimisht dhe publicistikë, me libra profesional e historik, në kolanën e librit “Skënderbegasit ndër vite…”, përfshirjen e kontributit të vajzave oficere të policisë në pjesën e dytë të kolanës së librit “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë…” , ai e quajti detyrë.

* * *

Nga fund gushti i vitit 1993, Akademia e Rendit Publik sapo kishte mbyllur procesin e testimit fizik, intelektual si dhe intervistat me djemtë. Listat e aplikantëve fitues ishin dërguar për miratim në Ministrinë e Rendit, ndërkohë që stafi pedagogjik e shërbimet mbështetëse punonin për fillimin e vitit të ri Akademik. Një ditë vjen me bicikletë miku im Bujar Bodinaku, aso kohe drejtor i Cirkut Tiranë dhe më thotë se e bija e tij, Periana, kërkonte me ngulm të studionte në Akademi. Deri te Kryeministri dhe Ministri kishte shkuar vetëm për hatër të së bijës. U lidhëm në telefon me Ministrin e Rendit z Agron Musaraj dhe i shpjegova se ligjërisht për femrat nuk kishte asnjë pengesë për të filluar studimet. Sipas ligjit të kohës, në Policinë e Shtetit pranoheshin vetëm shtetasit që kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ndërsa Akademia e Rendit, funksiononte mbi bazën e Vendimi të Këshillit të Ministrave dhe nuk e kishte të detyrueshëm kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për më shumë, studenti i policisë në përfundim të studimeve konsiderohej se kishte kryer shërbimin ushtarak. Ministri parimisht ra dakord për pranimin e femrave dhe më la detyrë të analizoja mundësitë dhe kapacitetet. Problem nuk ishte ligji. Për momentin duheshin marrë në konsideratë disa pengesa që ende na mbanin në dilemë nëse do fillonim shpejt apo do të lihej për vitin tjetër. Bashkë me kolegët, i analizuam një për një të gjitha problemet e pritshme, duke filluar që nga njoftimi e deri fillimin e procesit mësimor. Njoftimi publik në media (siç u veprua me djemtë), do të na krijonte një situatë, menaxhimi i së cilës kërkonte energji të madhe njerëzore dhe materiale. Duhej filluar nga e para planifikimi, realizimi në një kohë të shkurtër, gjithë procesi i testimit për femrat etj… Ndërkohë, koha në dispozicion ishte e kufizuar dhe kishim prioritete të tjera. Përbënte një sfidë më vete përgatitja e shumëfishimi i leksioneve, përmirësimi i literaturës dhe bazës materiale, përgatitja e klasave për mësim, sikurse edhe veshja me uniformë, akomodimi në fjetore dhe ushqimi për studentët që do të fillonin shkollën. Me djemtë bënim si bënim, me vajzat ishte më ndryshe. Nuk na bënte zemra t’i akomodonim në Akademi. Dhoma ishin të dëmtuara, pa dyer e dritare, pa kushtet më elementare higjeno-sanitare. Kuzhina ku gatuhej, ishte një karakatinë e cila gjatë kohës së luftës italo-greke, kishte qenë stallë kuajsh. E mbuluar me eternitë, me tavanë të dëmtuar që kullonin ujë drejt e mbi soba, nuk mund të quhej kurrë mensë. Edhe sikur të kishim fonde, nuk kishim kohë. Gjithsesi, pasi i “shoshitëm” mirë e mirë me stafin, kalkuluam planet për të pranuar 25 vajza të cilat duhej të jetonin në Tiranë, sepse në darkë, nuk do të qëndronin në shkollë sikurse djemtë.

Por përsëri në horizont shfaqej një problem tjetër.

Pranimi i 25 vajzave banuese në Tiranë, pas 3 vitesh do të shkaktonte anomali në emërime, sepse kuptohej, që të gjitha do të synonin emërimin në Tiranë. Një ditë takova drejtorin e Qytetit Studenti, mikun tim Gjin Prognin, prej të cilit mora premtimin për të akomoduar deri 10 vajza në qytetin e studentit. Teorikisht i mbyllëm problemet. Përgatita një raport për Ministrin dhe në takimin me të, i sugjerova ndjekjen e një politike “miqësie” të pranimit të vajzave. Ministri më dëgjoi me kujdes, u interesua në detaje dhe e aprovoi propozimin tonë për të pranuar 25 vajza të cilat formuan një klasë. Për dy tre ditë njoftova stafin pedagogjik dhe punonjësit e Akademisë, kolegë të ndryshëm në Ministrinë e Rendit, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe disa reparte ushtarake në Tiranë, për pranimin në Akademi të disa vajzave. U lashë si “detyrë’ të identifikonin vajza, mbesa, fqinjë të njohur etj, të cilat kishin dëshirë dhe cilësitë për t’u pranuar në Akademinë e Rendit Publik. Paralelisht hartuam dokumentacionin nevojshëm për testim siç u veprua dhe me djemtë. Shpejtuam veprimet dhe ditën e njoftimit në sallën e mbledhjeve të Akademisë u futën rreth 65 -70 vajza, kryesisht nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Mati, Tropoja etj. Pas përshëndetjes, iu thashë se prej tyre do të fitojnë të drejtën e shkollës vetëm 25 vajza. Ndër të tjera, u thashë prerazi, që askush të mos provonte të fuste miq për të fituar testin sepse ne me “miq” i kishim lajmëruar. Fillimisht pyetëm nëse kishte ndonjë shtatzënë si dhe të martuarat, a ishin dakortësuar më parë me bashkëshortët, sepse mund të ketë ndonjë xheloz etj. Sot pyetje të tilla duken paksa arkaike dhe qesharake por rezultoi se nuk gabuam. Përfundimisht, të nesërmen, 60 vajza filluan testimin sipas procedurave të miratuara më parë dhe për djemtë. Ekipi mjekësor skualifikoi femrat me këmbë ”dystaban”, me deformime të dukshme skeletore, shenja operacionesh, miopi e lartë, strabizëm i theksuar etj. Testimi fizik përmbante 5 gara dhe kandidatja që siguronte 50% të pikëve, vazhdonte testin intelektual, i cili përbehej nga një cikël pyetjesh nga lëndët e shkollës së mesme të përgjithshme, si dhe një ese. Në testimin intelektual përdorëm dy zarfe; një i vogël brenda të cilit kandidatja vendoste një letër të palosur me emrin e mbiemrin e saj. Ndërsa zarfi i madh kishte kodin dhe aplikantja vendoste fletët e plotësuara të testit. Procesi monitorohej dhe deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare, askush nuk e dinte rezultatin. Në përfundim të vlerësimit, mblidheshin pikët dhe i shënoheshin pranë kodit. Hapja e zarfit të vogël bëhej publikisht pasi ishte lexuar kodi dhe rezultati i pikëve. Ishte një proces shumë i thjeshtë sikurse dhe e pamundur të deformoje rezultatin dhe të vije në dyshim integritetin e testimit. Intervista synonte të përzgjidhte kandidatë të cilët demonstronin cilësi të mira të komunikimit, të rrjedhshëm jo me pauza zanore apo me marrje goje, me logjikë të shëndoshë. Komisioni i “bombardonte” për rreth 5-10 minuta madje dhe me pyetje paksa të habitshme, por që ishin të programuara nga pedagogë të shquar të sociologjisë e psikologjisë. Stafi pedagogjik i Akademisë ishte mjaft i përkushtuar dhe me besim se ashtu siç zgjodhën djemtë, do të zgjidhnin edhe vajzat pa asnjë paragjykim. Për ata që pretendonin se komunikonin në gjuhë të huaj, pyeteshin në formën e një dialogu nga pedagoget e gjuhëve të huaja dhe stafi, duke seleksionuar mjaft prej tyre që flisnin anglisht, frëngjisht, italisht apo gjermanisht. Pasja e patentës së shoferit ishte avantazh. Brezi i parë i femrave ka veçori sepse studentet në pjesën më të madhe ishin vajzat e oficerëve të ushtrisë, policisë, sportiste dhe disa që vinin nga radhët e të përndjekurve politikë por që testet i morën vetë. Duhet pranuar se nuk mungonte presioni dhe ndërhyrja, por ishim të qetë se kishim mbështetjen e plotë të ministrit, i cili na e besoi totalisht procesin duke kërkuar vetëm cilësi nga ne. Çdo brez shkollor ka tiparet e veta dallojnë nga cilësia e shkollimit, pasqyrojnë ndryshimet e thella social ekonomike, mendësi e botëkuptim ndryshe etj. Brezi i parë është si fëmija i parë që duhet më shumë, sepse ka ndjerë e provuar vështirësitë e rritjes dhe ka fituar mbi to. Vlen të sjell në mendjen e lexuesit vlerësimin maksimal të bërë nga Baronesha angleze Linda Coker , sekretare personale për Komonuellthin pranë Kryeministres angleze Margaret Theçer. Erdhi për vizitë një të diel pasdite në 7 Nëntor 1993, e shoqëruar nga ambasadori anglez me qëndrim në Romë. Patrik Farnajt, si dhe gazetarë nga ATSH, BBC, Rojter etj. Pas përshëndetjeve të radhës nga Ministri, Baronesha dhuroi një sasi librash për shkollën dhe u bë gati të lëvizte, pasi koha e takimit ishte limituar në 30 minuta. I them pothuaj në surdinë se një grup studentësh donin ta përshëndesnin e do ishim të lumtur nëse i dëgjonte.  Baronesha e “la” protokollin dhe tha “sigurisht”. Me radhë u ngritën Anila Trimi, Anila Neza, Kliton Dobroni dhe Elbaroza Braho, të cilët recituan anglisht pjesë nga autorë anglezë e skocezë. E entuziazmuar, Baronesha më kërkoi leje të takonte studentët. Zbriti nga podiumi, hyri në mes tyre e bisedoi drejtpërdrejt me ta mbi 20 minuta pa përkthyes. Në fund, u kthye nga unë dhe e impresionuar më shprehu konsideratat më të larta për studentët që u treguan në lartësinë e duhur.

-Duhet të jini krenar që kini zgjedhur këta djem e vajza kaq të guximshëm, kaq të mirë. Falënderoni dhe mësuesit e tyre që i kanë përgatitur kaq mirë të komunikojnë anglisht.

RTSH dhe agjencitë e huaja i bënë jehonë këtij takimi…

Vlerësime të tilla morën kohë pas kohe edhe nga delegacioni i Këshillit Europian, drejtorë të Akademive policore nga Franca, Italia Gjermania apo SHBA, drejtues policie dhe lektorë nga Evropa e SHBA, të cilët zhvillonin leksione të ndryshme e trajnime për problemet e policisë dhe të drejtave të njeriut. Ishin shumë të vëmendshëm sidomos në takime e biseda informale dhe shkëmbenin mendime drejtpërdrejt me studentët shumica e të cilëve flisnin anglisht, frëngjisht apo italisht. …Tani që kanë kaluar 26 vite, shoh me ndjenjën e kënaqësisë se në ato vite nuk gabuam në zgjedhjen e djemve dhe vajzave. Asnjëherë karriera dhe sidomos në vendin tonë, nuk mund të zhvillohet sipas spirales që mund të përshkruhet në leksionet akademike apo trajnime të ndryshme. Është fat i madh që në Shqipëri të zhvillosh karrierën pa ndërprerje nga bankat e shkollës deri në pension. Ka mjaft firo, sidomos në periudha krize apo zhgënjimi të cilat nuk kanë munguar tek ne. Por është fakt që shumica e tyre vazhdojnë karrierën policore me sukses, madje dhe në nivele te larta të menaxhimit e drejtimit, sikundër dhe ato që kanë shkëputur marrëdhëniet me Policinë e Shtetit punojnë në fusha të tjera brenda e jashtë vendit duke na bërë të ndihemi krenarë. Unë mbaj lidhje me shumicën e studentëve djem e vajza e meqenëse flasim për vajzat nuk kam konstatuar asnjë që të ankohet për vështirësitë e jetës, të qahet se është pa punë apo të jetë shndërruar në një shtëpiake të rëndomtë.

II

Ameli Shkurti, oficerja me karrierë të suksesshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme

Ameli Shkurti-Kurupi, lindi në Tiranë më 12.12.1958, në një familje me tradita. Shkollën tetëvjeçare dhe atë të mesme, i kreu në Tiranë. Ka kryer gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, në vitin 1977, me rezultate të shkëlqyera. Si shume vajza gjimnaziste të mes viteve ‘70-të edhe Amelia, ushqente ëndrrën e saj për të studiuar në Universitetin e Mjekësisë, për tu bërë një mjeke e për tu shërbyer njerëzve. Por fati e desh që asaj t’i akordohej një bursë për në Shkollën e Lartë te Bashkuar të Oficerëve në degën Ndërlidhje-Komunikim. Ajo kreu studimet në këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera ,në vitin 1981. Më pas, në vitet 2006-2007, kryen Masterin Profesional, në degën IT po me rezultate shumë të mira. Më pas, ka kryer shumë trajnime si Instruktore e Marrëdhënieve në Qendrën e Forcave Policore në Tiranë, apo trajnime të mëtejshëm si IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ,mbi Sistemet Informatike të Policisë së Shtetit Shqiptar. Ajo zotëron gjuhën angleze. Eksperiencat e Amelisë në punë janë të shumta. Por ajo që e ka bërë Amelinë të spikatë që në fillimet e karrierës së saj, ka qenë përkushtimi dhe këmbëngulja në kryerjen e të gjitha detyrave të ngarkuara. Gjeografia e detyrave që ajo ka kryer, ka ndikuar që eksperienca e saj të ketë një vlerësim të mirë e korrekt, në raportet me detyrën, eprorët dhe vartësit e saj.  Ajo e nis karrierën në Brigadën e Këmbësorisë në Durrës. Këtu kreu më devocion për dy vite detyrën e shefes së ndërlidhjes. Më pas, në vitin 1983, emërohet Shefe e Ndërlidhjes në Grupin AKA të Divizionit të Përmetit, detyrë të cilën e kreu me nivel e përkushtim profesional për 8 vite me radhë. Në vitin 1991, Amelia kthehet në Tiranë dhe për 12 vite radhazi ajo kryen detyrën e Shefes së Ndërlidhjes në shumë reparte të ushtrisë të Garnizonit të Tiranës. Këto detyra, ajo i kreu me sukses dhe cilësi të lartë, duke u dalluar për aftësitë e saj të komunikimit dhe profesionalizëm të lartë, duke arritur gjithnjë rezultate të qëndrueshme me grupet e saj të trajnimit. Si Shefe e Ndërlidhjes, ajo la gjurmën e saj në të gjitha repartet që u emërua. Kudo ku ajo punoi, u prit e u përcoll me respekt e konsiderate si një oficere e përkushtuar dhe me profesionalizëm të lartë. Pas kësaj, për Amelinë nis një periudhë e re, disi më ndryshe, në repartet e sistemit të Ministrisë së Brendshme. Do të niste një natyrë tjetër e punë, jo profesionalisht por në raport me resurset e trajnimit, me eprorët dhe specifikën e detyrave. Por sërish Amelia, me formimin e saj profesional, me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë për detyrën, diti të përshtatet e të kryejë me sukses të gjitha detyrat e ngarkuara. Në vitet 2003-2006, ajo kryen me sukses detyrën e Shefes së Laboratorit të Teknologji Informacionit. Në Tetor të vitit 2006, nxirret në reformë, me gradën ‘Major’, për shkak të rikonstruksionit të objektit. Rikthehet serish në shërbimin aktiv të Ministrisë së Brendshme në fund të vitit 2009 me detyrën Specialiste e Teknologji Informacionit në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë, detyrë që ajo e ushtroi për rreth tetë muaj. Prej gushtit të vitit 2010 e deri më 12 tetor të vitit 2019, kur ajo del në pension pleqërie, punon si lektore në Departamentin e Përgjithshëm dhe atë Juridik, në Fakultetin e Hetimit të Krimit dhe në Kolegjin e Lartë të Formimit Policor po si lektore. Kudo që punoi Ameli Shkurti, u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe edukatën e lartë. Ajo la gjurmën e saj edhe ne edukimin jashtë programeve të efektivave, duke u bërë aktive edhe ndihmuese në jetën kulturore e artistike, duke dhënë kontribute të çmuara. Ky ka qenë edhe një pasion i vjetër i Amelisë, pra, jeta kulturore artistike. Gjatë studimeve në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, ajo ka qenë pjesë e grupit amator të teatrit dhe ka qenë një prej aktoreve më të dashura e më të spikatura të këtij grupi simpatik. Për hir të së vërtetës ajo u duartrokit nga spektatori i shkollë, i ushtrisë, por edhe më gjerë. Ameli Shkurti-Kurupi, mbetet një prej oficereve të spikatura të efektivave të Ushtrisë Shqiptare dhe të strukturave të Ministrisë së Brendshme.

 

Nesër do lexoni:

 

  • Vendimi Nr. 560 datë 8 nëntor 1944, urdhëroi çeljen e kursit të parë njëmujor për oficer në qytetin e çliruar të Beratit

Shkolla e Bashkuar e Oficerëve, institucioni ku u përgatitën dhe diplomuan qindra gra oficere

Tek ne në luftën Nacional-Çlirimtare kishte me qindra gra, si në asnjë vend tjetër të botës

-Mbi rolin e femrave në strukturat policore

-Fiqret Shehu, komisare e Brigadës së Parë Sulmuese