Grabitja 62 milionë euro, a është Sandër Frangaj pas tenderit abuziv Orikum-Dukat?!

1717
Sigal

Miratimi i një fondi rreth 45 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për ndërtimin e tre segmenteve rrugore në Shqipëri, ka nxjerrë në pah megaabuzimin që bëhet me koncesionin për ndërtimin e rrugës Orikum-Dukat. Bëhet fjalë për një shumë plot 62 milionë euro, që dyshohet se shkon direkt në xhepin e koncesionarit.

Ndërtimi i rrugës Vlorë-Dukat është ndarë në dy segmente, ku pjesa e parë e rrugës Vlorë Orikum do të ndërtohet nga BERZH, ndërsa segmenti Orikum-Dukat është dhënë me koncesion, pas të cilit, sipas Monika Kryemadhit, dyshohet se fshihet pronari i TV KLAN, Aleksandër Frangaj.

Skandali me shifrat

Nëse do bënim një përllogaritje të shpenzimeve, vihen re diferenca të jashtëzakonshme të kostove. Për aksin 10.6 km që do të ndërtohen nga BERZH, një kilometër do ketë kosto rreth 600 mijë euro, ndërsa aksi që është dhënë me PPP ka shifrën e çmendur 5 milionë euro për kilometër.

Për ta thënë më thjeshtë në shifra,  nëse edhe ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat do ishte bërë nga BERZH dhe jo nga koncesionari, rruga do kushtonte vetëm 8 milionë e 400 mijë euro dhe jo 70 milionë euro.

Siç shihet, pa analizuar faktorët e tjerë, vetëm përmes kësaj skeme, koncesionari iu zhvat shqiptarëve plot 62 milionë euro.

A fshihet Aleksandër Frangajn pas “rrugëve të florinjta”

Mediat dhe analistët kanë raportuar të parët se mund të jetë pikërisht pronari i Tv Klan, Aleksandër Frangaj që fshihet pas koncesioneve problematike të rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren, të njohura edhe si ‘rrugët e florinjta’.

Vetë TV Klan në kronikat televizive është treguar shumë miqësor me këto dy koncesione, duke ua shitur shqiptarëve si investime pozitive, pavarësisht se KLSH ka konstatuar parregullsi. Kjo ka bërë që të drejtohet gishti ndaj Frangajt, si njeriu që fshihet pas këtyre koncesioneve.

Por vulën e ka vënë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Gjatë një interviste në emisionin OPEN në Top-Channel më 12 dhjetor 2019, Kryemadhi tha se Frangaj fshihet pas koncesionit të rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. Kryemadhi tha se pas denoncimeve të saj të shumta, TV Klan i ka bërë bllok asaj, duke e censuruar dhe duke mos e ftuar në studio.

Skandali thellohet me Milot-Balldren

Por nëse për segmentin Orikum-Dukat, koncesionari iu zhvat shqiptarëve të paktën 62 milionë euro, grabitja e buxhetit në Milot Balldren, kap shifra të çmendura.

Për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren,  prej vetëm 17.2 km, duhen gati 260 milionë euro.

Kjo do të thotë se taksapaguesit shqiptarë do paguajnë shifrën e çmendur prej 15 milionë euro për çdo kilometër të rrugës, e cila shtrihet në një terren fushor dhe ndjek gjurmën e rrugës ekzistuese.

Shifrat e mësipërme, janë faktë të mjaftueshme për të anuluar përfundimisht këto dy koncesione problematike.